

Lajmet
Krasniqi: Duhet të dakordohemi për një fushatë të shkurtuar
Published
4 years agoon
By
Betim GashiPartia Demokratike e Kosovës po kërkon reagim urgjent nga institucionet, për të ndaluar hovin e përhapjes e virusit delta, ndërsa po e konsideron dështim menaxhimin e pandemisë, meqë thonë se e ka neglizhuar fushatën vetëdijesuese dhe procesin e vaksinimit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një konferencë për media, ka thënë se kjo situatë nuk është për betejë politike, por që qytetarët të kenë me kohë mbështetje nga institucionet, ndërsa ka bërë thirrje për pezullimin e pushimeve dhe Kuvendi i Kosovës të mbajë sa më parë seancën për rishikim të buxhetit. Ai ka folur për letrën publike të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut që fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit të mbahet vetëm 10 ditë. Sipas tij, duhet të ketë një koordinim për një fushatë të shkurtuar.
“Unë e konsideroj tepër të rëndësishme që zgjedhjet e 17 tetorit të zhvillohen padyshim në nivelin e transparencës dhe demokracisë, që tashmë e kemi dëshmuar. Por në këtë situatë duhet t’i jepet prioritet ruajtjes së shëndetit publik, pra krijimit të kushteve që qytetarët kur t’i drejtohen kutive të votimit të kenë siguri që shëndeti i tyre nuk dot ë rrezikohet. Fushata zgjedhore dhe shkurtimi i saj, gjithsesi duhet të trajtohet. Në mbledhjen e fundit të kryesisë kemi diskutuar edhe për këtë çështje dhe ka një mendim se duhet të diskutojmë për t’u dakorduar për një fushatë të shkurtuar”, tha Krasniqi.
Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend tha se gjatë kësaj vere ka pasur keqmenaxhim të sigurimit të vaksinave, keqmenaxhim në administrimin e procesit të vaksinës, mungesë të fushatës për vaksinim. Sipas tij, nëse do të organizohej vaksinimi edhe në vikend, sot do të kishte të vaksinuar edhe 250 mijë qytetarë.
“Jam këtu edhe për të kërkuar një reagim urgjent dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore, për ta ndalur këtë hov të kobshëm të pandemisë, e për ta treguar sërish edhe gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës që të jep kontributin e saj në Kuvendin e Kosovës, për të marrë vendime në ndihmë të qytetarëve dhe për tejkalimin sa më parë të kësaj tragjedie. Të dhënat e IKSHPK-së në vetëm 14 ditët e fundit tregojnë për një bilanc tragjik në 231 qytetarë që humbën jetën në përballjen e virusit si dhe me një numër prej 26 mijë raste të reja të infektimit”, tha Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se që nga qershori bota po përgatitej për përhapjen e virusit në variantin Delta, por jo edhe Kosova, ku ka rritje të rasteve prej 6100 për qind.
“Vetëm për një muaj kemi pasur rritje 6100 për qind të rasteve të reja. E mjerisht gjitha këto paralajmërime i pa Qeveria e Kosovës, e nuk i kushtoi rëndësi përhapjes së këtij varianti. Ajo nuk ndërmori masat adekuate për të parandaluar rrezikun e fluksit të infektimit. Përkundrazi në mënyrë të vazhdueshme kjo qeveri kemi parë relativizim të vazhdueshëm të situatës dhe një aktrim të normalitetit në një situatë skajshmërisht jo normale”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së ka shtuar se Kuvendi i Kosovës duhet të pezullojë pushimet dhe sa më parë të mbahet seanca plenare për rishikim të buxhetit.
“Ftoj që Kuvendi i Kosovës t’i pezullojë dhe përfundojë pushimet, në mënyrë që ta rishikojmë së pari Ligjin për Buxhetin dhe të gjitha këto nevoja emergjente t’i reflektojmë në buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë së paku të filloj e të bëhet më e lehtë për qytetarët. Përballë kësaj tragjedie, sot nuk duhet të ketë prioritet më të madh se sa shpëtimi i jetës së qytetarëve tanë”, tha Krasniqi.
Derisa ka folur për skadimin e mbi 133 mijë vaksinave AstraZeneca, Krasniqi ka thënë se faji nuk është te qytetarët. Nga pushteti është kritikuar deklarimi publik i deputetit Bekim Haxhiu muaj më parë në lidhje me skadimin e afatit të këtyre dozave, por Krasniqi tha se nuk mund t’i hedhet faji një deputeti.
“Për zëdhënësin e qeverisë unë e lexova pak më herët dhe është për keqardhje, sepse e vërteta është që qeveria e ka neglizhuar totalisht edhe fushatën e vetëdijesimit, por edhe procesin e vaksinimit. Sot nuk ka vaksina, ndërsa atyre u ka skaduar afati 140 mijë vaksinave. Nuk mundesh t’i hedhësh fajin një deputeti. Një deputet që ka ftuar për vetëdijesim. Zotëri Haxhiu e ka ngritur zërin për çështjen e pandemisë në mënyrë të vazhdueshëm”, tha Krasniqi.
Sa i përket pamundësisë së Sokol Bashotës për kandidim për kryetar komune në Klinë, Krasniqi ka thënë se aktualisht nuk kanë ndonjë emër për zëvendësim.
Lajmet
Gërvalla priti në takim lamtumirës Ambasadoren e Sllovenisë, e falënderoi për kontributin e saj në Kosovë
Published
14 minutes agoon
July 22, 2025By
UBTnews
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti sot në një takim lamtumirës Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejčič.
Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e saj për kontributin e çmuar dhe përkushtimin profesional të ambasadores gjatë mandatit të saj në Kosovë. Ajo vlerësoi lart rolin që ambasadorja Benedejčič ka luajtur në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ministrja Gërvalla theksoi se marrëdhëniet shumë të mira dhe të qëndrueshme me Slloveninë janë një bazë e fortë për të avancuar më tej bashkëpunimin bilateral në fusha me interes të përbashkët.
Në përmbyllje të takimit, ministrja Gërvalla i uroi znj. Benedejčič suksese në sfidat dhe angazhimet e reja profesionale, duke i dëshiruar një karrierë të mëtutjeshme të suksesshme.
Lajmet
Hoxha për rastin e Agon Zejnullahut: Presim verdiktin final të drejtësisë
Published
16 minutes agoon
July 22, 2025By
UBTnews
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se rasti i Agon Zejnullahut është në dorë të Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK) dhe Prokurorisë dhe pret që ta hetojnë sa më shpejt rastin dhe të zbardhen të gjitha detajet.
Në një konferencë për media me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), Hoxha theksoi se presin verdiktin final të drejtësisë për këtë rast.
Hoxha gjithashtu shpreh përsëri keqardhje për familjen dhe shpreh ngushëllime për 27 vjeçarin.
“Ne shprehim keqardhje për atë çfarë ka ndodhur në Lipjan, presim verdiktin final të drejtësisë tonë. Urojmë që e vërteta të dal në shesh dhe po ashtu shprehim keqardhje familjes dhe shprehim ngushëllime. Mbetet që Inspektorati i Policisë së Kosovës, Prokuroria jonë, ta hetojë sa më shpejt rastin dhe të zbardhen të gjitha detajet të këtij rasti të rëndë dhe fatkeq që kemi pasur”, tha Hoxha.
Këto komente Hoxha i bëri pasi u pyet nga gazetarët për rastin tragjik të ndodhur më 7 korrik në Lipjan, ku një 27 vjeçar dyshohet se vdiq në duar të pesë zyrtarëve policorë.
Ndërkaq, më 21 korrik, Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin për t’ua dhënë nga 30 ditë paraburgim pesë zyrtarëve policorë.
Lajmet
Temperaturat e larta, Durmishi: Ndalohet lëvizja e automjeteve mbi 15 ton
Published
32 minutes agoon
July 22, 2025By
UBTnews
Si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë, zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur një masë të re kufizuese që hyn në fuqi nga nesër (e mërkurë) më 23 korrik.
Sipas Durmishit, për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë kanë marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 T, në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale.
“Ndalesa vlenë nga ora 11:00 e deri në 17:00, duke filluar nga nesër me 23 korrik e deri me 28 korrik. Ky vendim mund të ndryshohet varësisht nga kushtet klimatike gjatë ditëve në vijim”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Po ashtu sot Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, tha Ministria e Shëndetësisë të martën, më 22 korrik derisa ka ftuar të gjitha institucionet që t’i respektojnë rekomandimet “me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”.
Lajmet
Hoxha pas deklaratave të Vuçiqit: I dimë qëllimet e Serbisë, jemi të përgatitur për çdo sfidë
Published
52 minutes agoon
July 22, 2025By
UBTnews
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se institucionet e sigurisë në Kosovë janë të vetëdijshme për qëllimet e politikës së Serbisë dhe të përgatitura për çdo skenar të mundshëm, pas tensioneve të krijuara pas arrestimit të zyrtarit serb Igor Popoviq.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, sidomos të institucioneve të tyre. Nuk është që gjithmonë kanë qenë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë”, tha Hoxha.
Ai shtoi se gjendja e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës është e qetë dhe stabile, me përjashtim të pjesës veriore, ku vazhdon të ketë tensione për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë nga Beogradi përmes grupeve kriminale dhe ekstremiste.
“Situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, përveç veriut të vendit, ku vazhdon të jetë e brishtë. Ky destabilitet është pasojë e ndërhyrjeve të politikës së Serbisë, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes grupeve kriminale dhe ekstremiste, nxit tensione në atë pjesë të territorit tonë,” tha ai.
Deklaratat e Hoxhës vijnë pas komenteve të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pas arrestimit të Popoviqit, paralajmëroi se “Serbia do të përgjigjet ashpër”, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “po kërkon konflikt dhe po e dërgon rajonin drejt destabilizimit”.

Kremlini: Shpresojmë që raundi i ri i bisedimeve Rusi–Ukrainë të mbahet këtë javë

Nokia po rikthehet në tregun e telefonave?

Gërvalla priti në takim lamtumirës Ambasadoren e Sllovenisë, e falënderoi për kontributin e saj në Kosovë

Hoxha për rastin e Agon Zejnullahut: Presim verdiktin final të drejtësisë

Temperaturat e larta, Durmishi: Ndalohet lëvizja e automjeteve mbi 15 ton

Mariah Carey publikon emrin e albumit të ri

Hoxha pas deklaratave të Vuçiqit: I dimë qëllimet e Serbisë, jemi të përgatitur për çdo sfidë

E papritur, Trump po e largon SHBA-në nga UNESCO-ja

Chelsea kryeson garën për shërbimet e Xavi Simons
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore