Lajmet

Shteti lë pa para OJQ-të që ndihmojnë viktimat e dhunimit gjatë luftës

Published

on

Telashe me transport e orë të gjata pa shërbim të ushqimit janë disa prej sfidave që të mbijetuarit e dhunës seksuale hasin në rajonin e Drenasit, gjatë procesit të aplikimit për statusin e personave në këtë kategori.

Ka disa muaj që organizatat joqeveritare në shërbim të këtyre të mbijetuarve, nuk kanë marrë fonde nga Qeveria e Kosovës, duke bërë kështu që të kufizohen shërbimet që mund të ofrojnë.

Qendra për Promovimin e të drejtave të Grave në Drenas është njëra ndër katër organizatat joqeveritare, që me licencë të qeverisë, ndihmojnë të mbijetuarit në procesin e aplikimit te Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Udhëheqësja e kësaj organizate, Kadire Tahiraj, tha për Radion Evropa e Lirë se muajt e verës janë veçanërisht të vështirë, pasi autobusët nuk qarkullojnë në disa zona rurale.

“Duhet t’i shoqërojmë. Kemi raste shumë të shpeshta për aplikim, duhet t’i marrim në shtëpi që t’i dërgojmë, presin 5-6 orë, të mos hanë asgjë”, tregoi ajo.

Përveç kësaj, Tahiraj tregoi se as punëtorët e organizatës nuk po paguhen dhe ka rrezik që të largohen nga organizata.

Në vitin 2018, kur u themelua Komisioni Qeveritar i lartpërmendur, Ministria e atëhershme e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte lidhur marrëveshje edhe me katër organizatat: “Medica Kosova”, “Medica Gjakova”, “Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës” (QKRMT) dhe “Qendra për Promovimin e të drejtave të Grave” në Drenas.

Me këtë marrëveshje parashihej që t’i ndaheshin fonde prej 24 mijë eurove çdo vit këtyre organizatave për pesë vjet me radhë, sa është edhe mandati i Komisionit Qeveritar.

Linda Sada, drejtoreshë e Organizatës “Medica Gjakova”, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë premtim që mjetet e parapara të dalin në janar, do të dalin dikur gjatë vitit.

“Edhe vjet ka pasur vonesë të buxhetit, mirëpo gjithmonë ka qenë ai premtimi që do ju mbështesim, ndërsa sivjet nuk kemi asnjë premtim thuajse”, tha ajo.

Sipas saj, shqetësimi më i madh është sigurimi i shërbimeve të duhura për të mbijetuarit që kërkojnë ndihmë nga kjo organizatë.

“Puna jonë është një mision edhe nëse do të mbesim pa rroga do të vazhdojmë”, tha ajo.

“Nuk ka mjete për këtë kategori”

Megjithëse të obliguar në bazë të marrëveshjes me këto organizata, qeveria ka dështuar që t’u ndajë mjetet e parapara OJQ-ve, tash e tetë muaj.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve tha se “këto fonde nuk janë ndarë për arsye të mungesës së mjeteve për ‘Nënprogramin 022 – Ligji për viktimat e dhunës seksuale’”.

Zyra për Informim e kësaj ministrie tha se pas rishikimit të buxhetit, i cili sapo ka kaluar në kuvend, do të shqyrtohen mundësitë e kompensimit të këtyre katër OJQ-ve.

Çështjen e financimit të këtyre OJQ-ve e ngriti në Kuvendin e Kosovës të hënën, deputetja opozitare nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha.

“Duke mos e bërë një gjë të tillë, kjo qeveri e pamundëson vazhdimin e përkrahjes së personave të prekur nga dhuna seksuale gjatë luftës, gjë të cilën e kanë të garantuar me ligj”, u shpreh ajo.

Rreth 70 për qind të aplikimeve të të mbijetuarve erdhën nga OJQ-të

Në shkurt të vitit 2018 nisi punën Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Që nga ajo kohë, ky komision ka pranuar 1.527 aplikime për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas këtij komisioni, më shumë se gjysma e këtyre aplikimeve erdhën nga katër OJQ-të që punojnë drejtpërdrejt me këto viktima.

Nga katër OJQ-të e autorizuara, komisioni ka pranuar gjithsej 1.019 aplikacione.

Sipas të dhënave, deri më tani, 982 aplikuesve iu është njohur statusi i viktimës të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa janë refuzuar 218 kërkesa për njohje të statusit.

Sipas rregullores lidhur me njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, viktimë e dhunës seksuale të luftës konsiderohet personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999.

Kur një personit i miratohet statusi i viktimës të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ai/ajo ka të drejtën e një pensioni në shumën prej 230 eurosh në muaj./REL

Lajmet

Vrasja e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj R.M

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale  “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në Burim të Komunës së Malishevës më 31 mars 1999.

Në komunikatë për media PSRK ka njoftuar se veprën penale R.M e kishte kryere në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe.

Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë. R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në komunikatën për media.

I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të  krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Hamza për heqjen e masave të BE-së: Vendim i drejtë, qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie

Published

on

By

Kryetari i PDK-së, njëherit kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Bedri Hamza e quan lajm të mirë heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie.

Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë. Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie. I falënderoj partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit. Tani duhet të hapet një kapitull i ri me BE-në, i bazuar në reforma, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik. Bashkë me aleatët, Kosova do të ecë përpara!”, ka shkruar Hamza.

Continue Reading

Lajmet

Meloni: Pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të shtyhet

Published

on

By

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë mundësi konkrete për anëtarësimin në BE në një të ardhme shumë të afërt, deklaroi sot kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Italia është plotësisht e përkushtuar për të siguruar që Këshilli Europian i nesërm të dërgojë një mesazh të fortë politik mbi zgjerimin, për të dërguar një sinjal uniteti dhe besueshmërie kolektive. Anasjelltas, pa përparim në udhëtimin e partnerëve tanë drejt pranimit në BE, ne rrezikojmë t’ua dorëzojmë ata rivalëve tanë sistemikë, duke destabilizuar përgjithmonë fqinjësinë tonë dhe duke e lënë BE-në të parëndësishme”, theksoi kryeministrja Meloni në fjalimin e saj para Dhomës së Deputetëve përpara Këshillit të BE-së.

Në veçanti, ne nuk mund të përballojmë vonesën e mëtejshme të pranimit të Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë është pjesë e familjes europiane dhe është themelor për autonominë tonë strategjike”, shtoi ajo.

Do ta përsëris këtë përsëri sonte në samitin BE-Ballkan, ku do të mbërrij menjëherë pas përfundimit të debatit në Dhomën e Deputetëve. Rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Mali i Zi gjatë vitit të kaluar janë me të vërtetë shumë inkurajuese dhe tregojnë se të dy vendet kanë një shans të vërtetë për pranim në një të ardhme shumë të afërt”, theksoi ajo./ANSA/ATSH

Continue Reading

Lajmet

​NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026

Published

on

Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e tyre të financuara nga të dyja palët për vitin 2026, duke miratuar shpenzime në rritje që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe aftësive ushtarake të aleancës.

Sipas marrëveshjes, buxheti civil i NATO-s për vitin 2026 është caktuar në 528.2 milionë euro (623 milionë dollarë), ndërsa buxheti ushtarak do të arrijë në 2.42 miliardë euro.

Vendimi u mor të martën në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

NATO tha në një deklaratë se buxhetet e financuara nga të dyja palët për vitin 2026 do të mbështesin aftësitë kritike dhe do të promovojnë gatishmërinë, duke ndihmuar në bërjen e aleancës më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse, shkruan Anadollu Agency.

Buxheti do të kontribuojë në përshtatjen ushtarake të NATO-s, do të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe do të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë bashkëpunuese, thuhet në deklaratë.

Financimi do të vazhdojë gjithashtu për Strukturën e Komandës së Integruar të NATO-s, trajnimet dhe ushtrimet e udhëhequra nga NATO, operacionet dhe misionet e aleancës dhe mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve për vendet partnere./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara