Aktualitet

Armatime nga Turqia dhe Teatri i ri Kombëtar, Rama shton 92 milionë euro borxhe për shqiptarët

Një ndryshim në ligjin për Buxhetin e Shtetit propozuar nga kryeministri Edi Rama parashikon rritjen e deficitit buxhetor të këtij viti me 11 miliardë lekë, para këto që do të përdoren, mes të tjerash, për të blerë armatime nga Turqia dhe për teatrin e ri kombëtar.

Published

on

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë deficitin buxhetor të këtij viti duke i ngarkuar qytetarëve edhe 92 milionë euro borxhe për një total prej 1 miliardë eurosh, bëhet e ditur nga një projektligj për akt normativ i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Qeveria thotë në relacion se ka nevojë të rrisë deficitin buxhetor dhe borxhin publik nga niveli sakaq i lartë për shkak të disa shpenzimeve të ngutshme, përfshirë blerjen e dronëve të prodhimit turk nga Ministria e Mbrojtjes si dhe investime të ndryshme, përfshirë investime për projektin e quajtur ‘Unaza e Madhe e Tiranës’, përfshirë projektet aktuale të shumëdebatueshme për shkak të kostove të stërmëdha si dhe investime shtesë për ujësjellësa.

Të gjitha këto shpenzime do të financohen me borxh publik pasi qeveria nuk parashikon ndonjë rritje në të ardhura.

‘Ndryshimet e propozuara përmes këtij akti normativ nuk prekin treguesit e të ardhurave, buxhetore të cilët nuk kanë pësuar ndryshime,’ thuhet në relacion.

‘…rritja e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore në masën 11.8 miliardë lekë, rrit në të njëjtën masë edhe deficitin buxhetor të planifikuar për vitin 2021,’ shkruhet më tej në relacion.

Qeveria ka në plan të paguajë 1 miliardë lekë armatime në Turqi në një projekt të deklaruar si ‘prioritar’.

Sipas relacionit, synohet të financohet ‘projekti prioritar i Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë në vlerë 1 miliardë lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.’

Nuk ka të dhëna mbi cilësitë dhe kapacitetet e dronëve në fjalë dhe as për markën, por ministri i brendshëm Bledi Çuçi ka vizituar fabrikën e kompanisë turke Bayraktar, e cila prodhon dronë të llojeve të ndryshme.

Në listën e shpenzimeve me borxh janë edhe 900 milionë lekë për t’iu transferuar Bashkisë Tiranë për projektin e Teatrit Kombëtar. Vetë Bashkia Tiranë dhe qeveria këmbëngulën për vite me radhë se duhej të jepnin një koncesion për një kompani private pasi nuk kishin para për të financuar ndërtimin e një teatri të ri, gjë për të cilën dukshëm kanë ndryshuar plan.

Relacioni i Këshillit të Ministrave nuk është shumë i detajuar sa i përket pjesës tjetër të parave. Rreth 3 miliardë lekë (25 milionë euro) deklarohet se do të shpenzohen ‘për projektet në vazhdim, të programeve të zhvillimit,’ pa shpjeguar se çfarë janë këto programe zhvillimi ndërsa 4.8 miliardë lekë do të shpenzohen për Unazën Veriore të Tiranës si dhe për ‘projektet aktuale Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet mbi planin buxhetor të miratuar për vitin buxhetor 2021.’

Aktualisht janë tre projekte mbikalimesh në zbatim në Unazën e Madhe të Tiranës, ku përfshihet sistemi i mbikalimit në vendin e quajtur ‘Shqiponja’.

Rreth 1 miliardë lekë do t’i jepen shtesë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për diçka që relacioni e përshkruan si ‘financimi i nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT.’

Në total, deficiti buxhetor i këtij viti pritet të arrijë në afro 1 miliardë euro, të cilat janë borxhe që qytetarët shqiptarë do të duhet t’i paguajnë gjatë dekadave të ardhshme.

Continue Reading

Aktualitet

Çitaku kritikon MPJD për ​arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi

Published

on

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi, Lulzim Halili duke thënë se misionet diplomatike duhet të jenë më të angazhuara për lirimin e ish-ushtarëve të UÇK-së nga autoritetet serbe. 

Çitaku u shpreh se liria e lëvizjes duhet të jetë e garantuar, teksa kërkoi aktivizimin e misioneve diplomatike.

“Sigurisht që ne i ndjekim, e kemi parë dhe është lajm jashtëzakonisht shqetësues. Fatkeqësisht kjo tashmë është shndërruar në lajm të rregullt, sepse nuk është rasti i parë ka edhe ushtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen tash e disa muaj nëpër burgjet e Serbisë. Qeveria e Republikës së Kosovës, kjo në largim duhet të jetë shumë më aktive. Misionet tona diplomatike duhet të jenë shumë më të angazhuara në mënyrë që të vihen në funksion mekanizmat ndërkombëtarë për lirimin e tyre. Ata nuk janë njerëz pa atdhe, nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe, si njerëz pa institucione, si njerëz për fatin e të cilëve nuk brengoset askush”, tha ajo për media.

Kritika pati për Ministrinë e Punëve të Jashtme, për çka Çitaku tha se në vend se të merret me beteja të vogla të brendshme, duhet të jenë në funksion të qytetarëve.

Sipas Novosti-it, ish-luftëtarit të UÇK-së iu caktua masa e ndalimit prej 48 orëve nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës. /Telegrafi

Continue Reading

Aktualitet

Dështon përpjekja e 51-të për konstituim të Kuvendit

Published

on

Edhe në përpjekjen e 51-të për konstituim të Kuvendit seanca dështoi nga kryesuesi Avni Dehari i cili ia ndërpreu fjalën deputetes Ganimete Musliu, ndërkaq që kanë mbetur edhe pak ditë deri te përfundimi i afatit kushtetues.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliut e nisi fjalimin e saj me “Nëse ke pak moral njerëzor…”, dhe kjo bëri që kryesuesi Dehari të ia ndërpres fjalën.

Musliu iu afrua fizikisht Deharit, u fjalosën dhe kryesuesi e shpalli të ndërprerë seancën duke ftuar deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 25 korrik.

Kjo ka vë në pah se edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në fillimet e seancës nuk foli për media por vetëm kaloi në heshtje pranë gazetarëve,kurse ministri në detyrë, Hekuran Murati, nuk e ka komentuar kërkesën e presidentes Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, para seancës së 51-të konstituive.

Nga rradhët e PDK-së, deputetja  Blerta Deliu-Kodra kritikoi Vetëvendssojen për moskonstitumi të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se Kosova dhe qytetarët e saj po vuajnë për shkak të paaftësisë së tyre.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjendja nuk është e mirë, por sipas tij, pas kërkesës së presidentes që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me pasojat juridike që mund të lindin nëse Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda 30-ditësh, krijohet hapësirë edhe disa ditë për Lëvizjen Vetëvendosje.

Gjithashtu edhe Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj deklaroi se nuk do të kontribuojnë në zgjidhje gjysmake që do të shkaktonin zgjedhje duke theksuar se konstituimi i kuvendit pa pasur shumicë parlamentare mund të pasojë me zgjedhje të parakohshme.

Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh afat kohor që nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit që i bie me datë 26 korrik.

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Musliu ia largoi mikrofonin Deharit, ndërpritet seanca

Published

on

Është ndërprerë seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës me vendim të kryesuesit, Avni Dehari, pasi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ia largoi mikrofonin. Dehari pasi këtij veprimi të Musliut tha se e ndërpret seancën dhe e njëjta vazhdon me 25 korrik në orën 11:00. 

Paraprakisht, Musliu mori fjalën në emër të PDK-së për të propozuar anëtarin e komisionit verifikues për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, mirëpo asaj ia ndali fjalën Dehari.

Kjo nxiti Musliun t’i shkojë te hapësira e kryesuesit të seancës duke ia marrë mikrofonin dhe ndal fjalën atij.

 

Continue Reading

Aktualitet

Nura nga PDK: E votoj Limajn për kryetar të Kuvendit

Published

on

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se do të votonte Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ai tha se lideri i Nisma Socialdemokrate është më i devotshëm sesa gjysma e deputetëve të LVV-së.

Nura duke hyrë në objektin e Kuvendit, në përpjekjen e 51-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë, përsëriti qëndrimin e PDK-së se nuk do të votojnë për kryeparlamentar asnjë deputet të LVV-së i cili ka qenë anëtarë i kabinetit qeveritar, përfshirë edhe kandidaten e tanishme të LVV-së, Albulena Haxhiu.

“PDK e voton Fatmir Limajn duke e ditur se ai është më i devotshëm dhe ka dinjitet se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ne kemi një qëndrim se vetëm ministrat nuk do t’i votojmë. Fatmir Limaj do të e meritonte votën e PDK-së”, tha Nura për media.

Continue Reading

Të kërkuara