Sport

Spanjë-Suedi supersfida e së hënës, në fushë edhe Polonia e Lewandowskit

Published

on

Ditët e para kaluan shpejt dhe edicioni i 16-të i kampionatit evropian bëhet gati për të prezantuar Spanjën, një ndër skuadrat përfaqësuese më me emër të Kontinentit të Vjetër, që ashtu si edhe Gjermania është kurorëzuar plot tre herë me trofeun e lakmuar Henri Delaunay.

Bëhet fjalë për ndeshjen numër 9 të këtij edicioni dhe “furia e kuqe” do ta nisë rrugëtimin këtë herë në Krahinën Autonome të Andaluzisë përballë Suedisë. “La Roja” do të ketë favorin e faktorit fushë në fazën hapëse të këtij evropiani, duke pasur parasysh faktin që skuadra e drejtuar nga trajneri Luis Enrique do t’i zhvillojë tre ndeshjet e para të raundit të grupeve në shtëpi, në Qytetin e Seviljes.

Këtë herë nga qyteti më i madh andaluzian është përzgjedhur pikërisht Stadiumi La Cartuja, me një kapacitet prej 60.000 spektatorësh. Stadiumi Olimpik i Seviljes është impianti i gjashtë për nga madhësia në Spanjë dhe sipas parashikimeve, protokollit anti – covid apo dhe masave shtrënguese në vend mendohet që La Cartuja të mbajë mbi shpatulla deri në 30% të kapacitetit, pra afërsisht rreth 18.000 spektatorë. Spanja ka humbur disi shkëlqimin e mëparshëm dhe pas triumfit 4-0 në finalen e madhe të evropianit të vitit 2012 ndaj Italisë në Stadiumin Olimpik të Kievit “la furia roja” ka pësuar eliminime të dhimbshme.

Tani loja e skuadrës përfaqësuese spanjolle është mësuar nga të gjithë dhe kundërshtarët janë në gjendje për të marrë masat e duhura, për të zhvlerësuar në maksimum kontrollin e zakonshëm të topit. Kështu në botërorin brazilian të vitit 2014 Spanja e Vicente del Bosque-s u eliminua që në fazën e grupeve, ndërsa në evropianin francez “La Roja” e drejtuar po nga trajneri veteran u mund pa shumë vështirësi që në fazën e 1/8 nga Italia e Antonio Conte-s.

Poshtërimin më të madh Spanja e pësoi në botërorin rus, pikërisht nga vendi organizator, që i mposhti gjithashtu që në fazën e 1/8, pas gjuajtjeve të 11-metërshave. Drejtuesit e Federatës rikthyen sërish trajnerin Luis Enrique, që këtë herë preferoi për të mos grumbulluar asnjë futbollist nga Reali i Madridit.

Natyrisht nuk bëhet fjalë për ndasitë ndërmjet Realit dhe Barcës, sepse trajneri asturian është një nga të vetmit futbollistë që ka veshur në të kaluarën fanellën e dy gjigantëve të futbollit të këtij vendi, gjithsesi bën përshtypje lënia jashtë këtij grumbullimi e kapitenit të përfaqësueses Sergio Ramos, që u persekutua vazhdimisht gjatë sezonit të fundit nga dëmtime të ndryshme.

Situata e dy klubeve më të mirë në vend ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore në aspektin financiar dhe pandemia e koronavirusit vetëm sa e ka përkeqësuar akoma më shumë gjendjen e Realit dhe Barcelonës. Një pjesë e mirë e lojtarëve është larguar nga gadishulli iberik dhe Luis Enrique ka bërë diçka të paimagjinueshme dhe të papërjetuar më parë, duke grumbulluar në ekipin kombëtar për fazën finale të këtij evropiani më shumë lojtarë nga jashtë vendit, krahasuar me numrin e kontigjentit të futbollistëve që luajnë në Primera Division.

Nga 26 lojtarë të federuar në listën e UEFA-s plot 14 prej tyre luajnë jashtë kufijve të Spanjës, 10 prej të cilëve pikërisht në Premier League me skuadrat më të mira në ishull.

Spanja pozicionohet e gjashta ndërsa Suedia renditet në vendin e 18, në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s dhe është interesant fakti që dy vendet ritakohen përsëri, pasi u ndeshën bashkë edhe gjatë fazës kualifikuese. Në këtë mënyrë goglat i përplasën sërish këto dy përfaqësuese, gjithsesi në fazën eliminatore në sfidat në grupe Spanja fitoi 3-0 në Madrid dhe barazoi 1-1 në Solna, falë një goli të realizuar në kohën shtesë nga Rodrigo, gol që bëri të mundur që “furia e kuqe” ta mbyllte aventurën në grupe me plot 5 pikë më shumë se sa ekipi skandinav.

Nën drejtimin e trajnerit Janne Andersson Suedia është ngritur përsëri, madje në botërorin e fundit “verdheblutë” shkuan deri në fazën cerekfinale, ku u thyen nga Anglia me shifrat 2-0. Kjo është hera e gjashtë radhazi dhe e shtata gjithsej që Suedia merr pjesë në fazën finale të kampionatit evropian, ndërsa Spanja në krahun tjetër e ka pjesëmarrjen e 11 në histori dhe në mënyrë kurioze në katër dekadat e fundit “La Roja” ka humbur vetëm edicionin e vitit 1992, pra pikërisht kompeticionin që u organizua nga vetë Suedia.

Që pas mbërritjes deri në fazën gjysmëfinale në evropianin e vitit 1992 apo qoftë edhe në botërorin që pasoi dy vjet më vonë në Shtetet e Bashkuara, ku “verdhjeshilët” e përfunduan rrugëtimin e tyre në shkallën më të ulët të podiumit, në 4 nga 5 evropianët e fundit Suedia është eliminuar që në fazën e grupeve, duke mos mbërritur dot deri te sfidat e knock out-it.

Takimi do të mbahet në mbrëmje në orën 21:00 dhe La Cartuja do të bëhet i pari stadium spanjoll që do të presë një ndeshje të një aktiviteti të rëndësishëm që nga viti i largët 1982, kur vendi iberik organizoi kampionatin e 12 botëror. Në Grupin E bëjnë pjesë gjithashtu edhe Polonia me Sllovakinë dhe ekipet në këtë grup do të zbresin sërish në fushë edhe të premten e ardhshme, ku Suedia do të masë forcat me Sllovakinë, ndërsa Spanja do të sfidojë Poloninë e Robert Lewandowskit.

Duke patur parasysh forcën e kundërshtarëve të tjerë si dhe kalendarin natyrisht ky është një duel që do të vendosë shumë në lidhje me vendin e parë. Suedia i ka humbur dy sfidat e fundit ndaj vendeve organizatore në një kampionat evropian me rezultatin e njëjtë 2-1, madje po me shifrat 2-1 “verdhjeshilët” kanë humbur gjithashtu edhe të vetmen përballje ndërmjet tyre, në fazën finale të një aktiviteti të tillë. Bëhet fjalë për takimin e vitit 2008 në Innsbruck të Austrisë, ku Zlatan Ibrahimovic barazoi golin e shpejtë të shënuar nga Fernando Torres, ndërsa David Villa realizoi në minutën e dytë shtesë edhe golin e fitores për “furinë e kuqe”.

Ishte një Spanjë tjetër, që nën drejtimin e të madhit Luis Aragones filloi një cikël të papërsëritshëm në historinë e kësaj përfaqësueseje, ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar dhe “La Roja” ka fituar vetëm 4 nga 9 takimet e fundit, ku përjashtim bën vetëm sfida me Gjermaninë, pasi tre fitoret e fundit skuadra e drejtuar nga trajneri Luis Enrique i ka regjistruar ndaj Lituanisë, Kosovës dhe Gjeorgjisë.

Suedia ka fituar 5 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet, por sidoqoftë edhe “verdhjeshilët” nuk kanë patur ndonjë kalendar të vështirë. Dy vendet janë përballur 15 herë ndërmjet tyre dhe Spanja kryeson bilancin e përgjithshëm 7 me 3 me fitore.

Sport

Rodrygo do të luajë rol kyç në përpjekjet e Barcelonës për transferimin e Luis Diaz

Published

on

Barcelona vijon përpjekjet për të transferuar Luis Diaz nga Liverpool, ndërsa marrëveshja varet nga Rodrygo 

Barcelona nuk e ka hequr dorë nga ideja për të forcuar sulmin e tyre dhe ka shprehur interes të vazhdueshëm për anësorin e Liverpoolit, Luis Diaz, ku sipas raportimeve të Mundo Deportivo, një element kyç për realizimin e këtij transferimi gjatë merkatos së verës do të jetë një lëvizje e mundshme nga ana e Liverpool për të transferuar Rodrygon e Real Madrid. 

Liverpool prej kohësh kanë shfaqur interes për sulmuesin brazilian të ‘Los Blancos’ dhe planifikojnë që ta nisin këtë lëvizje në verën e ardhshme.  

Në rast se klubi anglez arrin të transferojë Rodrygon, ata do të jenë të gatshëm të shesin Luis Diazin, çka do t’i hapte rrugë Barcelonës për të marrë lojtarin kolumbian. 

Luis Diaz është shprehur publikisht se dëshiron të bashkohet me Barcelonën, duke e parë klubin katalanas si vendin ideal për të zhvilluar më tej karrierën dhe për të pasuruar sulmin e tyre. 

 Gjatë sezonit 2024/2025, Diaz luajti në 50 ndeshje në të gjitha kompeticionet për Liverpoolin dhe shënoi 17 gola, duke treguar edhe një herë vlerën e tij si lojtar i rëndësishëm në skuadër./Telegrafi

Continue Reading

Sport

32 sportistë përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik EYOF Shkupi 2025

Published

on

Ekipi olimpik i të rinjve të Kosovës do të përfaqësohet në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Shkupi 2025, ku pjesëmarrës janë sportistë të moshës 14-18 vjeç.

Festivali është gara më e rëndësishme e vitit për të rinj në kontinentin e Evropës që nis më 20 korrik dhe mbahet deri më 26 të të njëjtit muaj. Krahas qytetit të Shkupit, garat mbahen edhe në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa sporti i gjimnastikës zhvillohet në Osijek të Kroacisë.

Listën e përbëjnë 32 sportistë (18 vajza dhe 14 djem) të 9 sporteve të ndryshme: atletikë, çiklizëm, gjimnastikë, xhudo, taekwondo, badminton, not, pingpong dhe shenjëtari.

Për ekipin e Kosovës është pjesëmarrja e pestë në EYOF veror, ku deri më tani numërojnë vetëm një medalje të fituar nga atleti Muhamet Ramadani në EYOF Baku 2015./KosovaPress

Continue Reading

Sport

Drita sot luan ndeshjen vendimtare në Ligën e Kampionëve

Published

on

Kampioni i Kosovës, Drita, zhvillon sonte ndeshjen e kthimit të raundit të parë në Ligën e Kampionëve, përballë Differdange 03 në Luksemburg.

Ndeshja luhet në stadiumin “Stade Municipal de la Ville de Differdange”, me fillim nga ora 20:00. Drita vjen në këtë sfidë pas fitores minimale 1-0 në takimin e parë të zhvilluar në Prishtinë.

Arb Manaj ishte heroi i ndeshjes së parë, duke shënuar golin e vetëm dhe duke i dhënë epërsinë ekipit gjilanas për sfidën e kthimit.

Skuadra e Zekirija Ramadanit dominoi takimin e parë dhe tregoi lojë më të mirë, duke dëshmuar se e meritonte fitoren. Tani, synimi është i qartë, kalimi për herë të parë në raundin e dytë të këtij kompeticioni prestigjioz.

Një lajm i mirë për Dritën është rikthimi i kapitenit Rron Broja, i cili ishte i suspenduar në ndeshjen e parë dhe tashmë është i gatshëm të ndihmojë skuadrën.

Kualifikimi do të ishte një arritje historike për Dritën dhe për futbollin kosovar, ndërsa gjithë vëmendja është e përqendruar te ky 90-minutësh vendimtar në Luksemburg. /Telegrafi/

Continue Reading

Sport

​Drita kërkon sonte kalimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve

Published

on

By

Skuadra kosovare Drita ka udhëtuar për në Luksemburg për t’u përballur me FC Differdange 03 në Stade Municipal de la Ville sonte në ndeshjen e dytë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve të UEFA-s.

Drita siguroi një fitore 1-0 në ndeshjen e parë falë një goli të vonë nga Arb Manaj në minutën e 73-të, dhe tani synon ta mbrojë atë avantazh të ngushtë ndërsa kërkon të arrijë në raundin e dytë kualifikues për herë të parë, raporton KosovaPress.

Ndeshja e parë në Kosovë u dominua nga Drita, pasi Differdange ofroi pak në sulm dhe do të duhet të tregojë më shumë qëllim sulmues në shtëpi nëse dëshiron ta kthejë rezultatin.

Ky sezon shënon një paraqitje historike të parë për Differdange në kualifikueset e Ligës së Kampionëve, megjithëse klubi ishte në Ligën e Konferencës sezonin e kaluar, por nuk arriti të kalojë raundin e dytë kualifikues.

Performanca e tyre më e shquar në garat evropiane erdhi në vitin 2007, kur ata u paraqitën në fazën e grupeve të Kupës Intertoto, e cila tashmë nuk ekziston më – e vetmja herë që kanë luajtur përtej raundeve të hershme kualifikuese të një turneu UEFA.

Forma në shtëpi në Evropë ka qenë një problem për skuadrën e Luksemburgut, pasi ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në shtëpi në garat evropiane – megjithëse kjo fitore e vetme erdhi në ndeshjen e tyre më të fundit në shtëpi, një fitore 1-0 ndaj Ordabasy.

Ndërkohë, Drita po bën paraqitjen e saj të tretë në kualifikueset e Ligës së Kampionëve, por nuk ka kaluar kurrë raundin e parë.

Ata kanë njëfarë përvoje kundër skuadrave të Luksemburgut, pasi janë përballur me F91 Dudelange në raundin e dytë kualifikues të Europa League 2018-19, duke humbur ngushtësisht 3-2 në total.

Megjithatë, Intelektualët kanë arritur gjithashtu vetëm një fitore nga shtatë ndeshjet e tyre të fundit në kualifikueset e Evropës në përgjithësi, ajo është një fitore 2-1 ndaj skuadrës islandeze Breidablik në Ligën e Konferencës 2024-25.

Kampionët e Kosovës do të marrin vetëbesim jo vetëm nga fitorja e tyre në ndeshjen e parë, por do të duhet të jenë më të vendosur në sulm nëse duan ta kalojnë raundin.

Continue Reading

Të kërkuara