Lajmet

Nis ringjallja e bizneseve

Për 5 muaj qarkullimi i bizneseve u rrit për 820 milionë euro.

Published

on

Kompanitë prodhuese në Kosovë gjatë këtij viti, kanë filluar të rrisin prodhimin e tyre, rrjedhimisht edhe qarkullimin financiar. Një nga kompanitë është “8 vëllezërit” në Komunën e Klinës, që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve të plastikës. Argjend Shala, pronar i kësaj ndërmarrjeje, tha se gjatë këtij viti, kompanisë i është kthyer normaliteti pas pandemisë. Mbi 30 për qind, tha ai, ka rritje të sasisë së prodhimit dhe rritje të numrit të të punësuarve. Kjo kompani, prodhimet e saj i eksporton edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

“Vitin e kaluar ka pasur më pak qarkullim, por punëtorët i kemi mbajtur në punë. Ndërsa, sivjet është më mirë, ka rritje edhe në tregun e Kosovës, por ka rritje edhe të eksportit”, tha Shala.

Bizneset në Kosovë, vitin e kaluar gjatë pandemisë, kanë raportuar humbje mbi një miliard euro.

Një ringjallje ekonomike, vërehet edhe nga të hyrat e agjencive kryesore që mbushin buxhetin, siç janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

Për 5 muaj qarkullimi i bizneseve u rrit për 820 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), nga muaji janar deri në muajin maj të këtij viti, ka arritur të inkasojë mbi 242 milionë euro apo rreth 57 milionë euro më shumë. Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se rreth 27 për qind është rritja e qarkullimit të bizneseve në këtë periudhë.

“Nëse e analizojmë edhe qarkullimin e deklaruar nga ana e bizneseve, kemi edhe një rritje të qarkullimit për rreth 27 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Apo shprehur në vlera financiare, mbi 820 milionë euro është qarkullimi i rritur në vitin 2021, në raport me periudhën e njëjtë (janar – maj) të vitit 2020”, thekson Murtezaj.

Në periudhën janar – prill të vitit të kaluar, vlera e qarkullimit ka qenë mbi tre miliardë euro, derisa në periudhën e njëjtë gjatë këtij viti, kjo shumë ka shkuar në 3.8 miliardë euro.

Edhe Dogana e Kosovës gjatë kësaj periudhe (janar – maj), ka grumbulluar mbi 512 milionë euro, apo 112 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur vlera e të hyrave ishte mbi 400 milionë euro, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion.

Kjo rritje ka ndikuar kryesisht nga rritja e importit të sasisë së derivateve të naftës, cigareve dhe automjeteve.

Gërxhaliu: Me gjithë rritjen e qarkullimit, qeveria duhet të ndihmojë bizneset

Përmirësimi i performancës së këtyre të hyrave, dëshmon se ekonomia ka filluar të ringjallet pas pandemisë, thotë edhe Safet Gërxhaliu, profesor i ekonomisë. Ai thotë se duke parë neglizhencën institucionale për ndihmë financiare, bizneset kanë gjetur mundësi vetanake për të përmirësuar veprimtarinë e tyre.

“Kemi rritje të eksportit dhe importit. Por, mbi të gjitha, është edhe fakti se nga zgjedhjet e fundit, kemi kabinet të ri qeveritar që ka shumicën dhe është krijuar një frikë për futjen e sundimit të rendit dhe ligjit, kështu që janë ulur tendencat për korrupsion dhe ekonomi të kriminalizuar. Dhe në këtë drejtim, kemi këto trende pozitive të cilat janë optimiste dhe duhet të besoj, se nuk duhet të reagohet me eufori, por duhet që të bëhet më tepër për sektorin privat”, tha Gërxhaliu.

BB: 2.9 për qind rritja ekonomike në vitin 2021

Edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, beson se edhe pjesa e dytë e këtij viti, do jetë optimiste sa i përket rritjes së të hyrave, rrjedhimisht do të ketë përmirësim të gjendjes së bizneseve, pas pandemisë.

“Pritjet janë që të vazhdohet rritja e të hyrave edhe më tutje. Këtu i shtohet fakti, se në këtë sezon, pritet që mërgimtarët të vijnë nga bota e jashtme dhe do ketë shpenzim të parave më tepërt se viteve paraprake. Për shkak se dy vjet më parë, shumica nga ta nuk kanë qenë në Kosovë. Me ardhjen e tyre, rritet edhe konsumi”, thekson Murtezaj.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore, thuhet se rritja në ekonomitë me të ardhura të ulëta këtë vit, parashikohet të jetë më e ngadalta në 20 vjetët e fundit. Këto shtete më këtë ekonomi, parashikohet ta kenë një rritje prej 2.9 për qind në vitin 2021, para se të arrijnë në 4.7 për qind në vitin 2022. Shkalla e prodhimit e këtij grupi në vitin 2022, parashikohet të jetë më e ulët se që është parashikuar para pandemisë.

Lajmet

​Interi përgatit ofertë të përmirësuar për Lookman

Published

on

Interi është gati të dërgojë një ofertë të përmirësuar për yllin e Atalantës, Ademola Lookman, i vlerësuar me 50 milionë euro nga klubi bergamask raporton La Gazzetta dello Sport

Bisedimet midis dy klubeve pritet të vazhdojnë sot, pasi Interi ka arritur tashmë një marrëveshje për kushtet personale me fituesin e fundit afrikan të Topit të Artë.

Sipas burimeve të Gazzetta-s, Interi ka paraqitur një ofertë në formë huazimi me detyrim blerjeje, ndërsa Atalanta këmbëngul për një transferim të përhershëm për shumën e plotë.

Megjithëse raportohet se një marrëveshje mund të arrihet për rreth 45 milionë euro duke përfshirë bonuset, Interi ende nuk ka bërë një ofertë të re konkrete për sulmuesin 27-vjeçar.

Ndërkohë, pavarësisht spekulimeve të mëhershme, nuk ka pasur kontakte të fundit nga Napoli për Lookmanin.

Burime të afërta me situatën konfirmojnë për Football Italia se interesimi i fundit i Napolit daton që nga qershori, dhe nuk ka pasur zhvillime të reja që atëherë. Lookman, i cili shkëlqeu sezonin e kaluar me fanellën e Atalantës dhe u shpall Lojtari Afrikan i Vitit, shihet si një përforcim kyç nga zikaltrit në merkato.

Continue Reading

Lajmet

Kurti u bën thirrje qytetarëve të mos udhëtojnë përmes Serbisë

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes Serbisë, duke paralajmëruar për ndalime arbitrare nga autoritetet serbe. 

Ka indikacione për ndalime të pajustifikuara. Prandaj i ftojmë qytetarët për maturi dhe të mos kalojnë nëpër territorin e Serbisë,” tha Kurti.

Ai u shpreh i shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve serbe dhe kërkoi nga Bashkimi Evropian një reagim të qartë ndaj, siç i quajti ai, kërcënimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas Kurtit, Beogradi po dëshmon mungesë të vullnetit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

E ftojmë BE-në të reagojë qartë ndaj kërcënimeve të Vuçiqit. Serbia po dëshmon se jo vetëm që nuk është e interesuar në normalizim, por përkundrazi, po intensifikon sjelljet kërcënuese,” shtoi ai.

Kurti theksoi se përballë një klime të tillë të pasigurisë, qytetarët e Kosovës duhet të tregojnë maturi dhe kujdes maksimal në lidhje me udhëtimet e tyre drejt apo përmes Serbisë.

Continue Reading

Aktualitet

Kurti për takimin me Limajn: Kam bërë një ofertë konkrete

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, para mediave dha disa detaje për takimin me kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj për mundësitë e bashkëqeverisjes mes dy partive.

Në konferencë për media, Kurti tha se ka bërë një ofertë konkrete për Nismën që gjithçka të mbyllet sa ma shpejt dhe sa më mirë.

“Me Limajn kemi zhvilluar një takim. Unë si kryetar i partisë fituese, kam shprehur jo vetëm interesim, por edhe gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete për Nismën që gjithçka të mbyllet sa ma shpejt dhe sa më mirë. Kur këto bisedime të mbyllën me rezultatin final mund të flasim për të”, tha Kurti.

Deri tani të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.

Continue Reading

Lajmet

Kurti reagon ndaj Vuçiqit: Deklaratat e tij janë kërcënuese dhe destabilizuese

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me arrestimin e Igor Popoviqit, i cili u ndalua për shkak të deklaratave ku e cilësonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste”.

Në deklaratë për media, Kurti theksoi se Kosova është shtet demokratik dhe ligjor, ku sundimi i ligjit zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa dallim etnie, pozite apo përkatësie politike.

Kosova është demokratike dhe ligjore me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara dhe zbatim të barabartë të ligjit. Sundimi i ligjit nuk diskriminon sipas etnisë apo ndikimit politik,” tha Kurti.

Ai shtoi se rasti i Igor Popoviq, i cili është arrestuar për veprën penale të nxitjes së përçarjes apo mosdurimit etnik, po trajtohet nga institucionet e drejtësisë me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.

Duke komentuar deklaratat e Vuçiqit të bëra më 20 korrik, Kurti i cilësoi ato si “kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme”, duke theksuar se ato nuk janë thjesht qëndrime individuale, por përfaqësojnë politikë shtetërore të Beogradit.

Beogradi zyrtar tregon se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxit tensione dhe përhap gjuhën e urrejtjes. Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve, që është UÇK-ja, ata provokojnë dhe nxisin përplasje,” shtoi Kurti.

Kryeministri përfundoi duke theksuar se deklaratat e tilla përbëjnë kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.

Continue Reading

Të kërkuara