Prishtinë, 7 qershor – Kosova bazuar në raportet e Policisë, duket se nuk po gjen një mënyrë për të zvogëluar aksidentet e shumta. Ato rezultojnë të shpeshta e po marrin jetë njerëzish. Përkundër lëvizjeve të kufizuara të qytetarëve për shkak të masave antiCOVID19, tremujori i parë i këtij viti, kishte shumë më tepër aksidente në krahasim me periudhën e njejtë të vitit paraprak.
Flakë Ajeti
Numri i aksidenteve të trafikut rrugor në Kosovë mbetet një shqetësim i madh dhe sfidë për organet e rendit. Shifrat në tre mujorshin e parë të këtij viti, janë alarmante. Periudha janar – mars e vitit 2020, regjistroi në total 3,308 aksidente. E njëjta periudhë e vitit 2021 pati rreth 1,100 aksidente më tepër, saktësisht, sipas Policisë së Kosovës, kishte 4,405 aksidente, edhe pse gjatë këtyre muajve, masat antiCOVID, nuk lejonin lëvizjen e qytetarëve gjatë 24 orëve të ditës.
Nga aksidentet e këtij cikli kohor të këtij viti, raporti policor tregon se 19 persona vdiqën, në 18 ndeshjet e regjistruara me pasojë fataliteti. Numër i njëjtë i të vdekurve është shënuar edhe një vit më parë, porse të lënduar në aksidente ishin rreth 400 më pak. Përkundër rritjes së aksidenteve, ajo që bie në sy në raportet policore, është se Policia e Kosovës ka shqiptuar më pak gjoba. Muaji janar, shkurt e mars i vitit 2020 ishte mbyllur me 108,455 tiketa kundërvajtjëse, ndërsa e njëjta periudhë kohore e vitit 2021, ka mbi 10 mijë tiketa më pak kundër pjesëmarrësve në komunikacion – gjithsej 98,074 sosh.
Pikërisht, mosmarrja e masave adapte në komunikacion, është faktori kryesor i aksidenteve të shumta, thotë eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj. Por jo vetëm, shton ai.
“Kosova nuk ka institucione as profesionale e as shkencore që do të merreshin me studimin e elementeve të faktorëve të cilët shkaktojnë aksidente në komunikacion”, thotë Dedaj për UBTNEWS.
Ai permend edhe mungesën e një ligji të sigurisë në komunikacion, për të cilin thotë se janë bërë përpjekje në një kohë, por që ende nuk është miratuar për t’u vënë në zbatim.
“Rritja e aksidenteve ka ardhur në mënyrë lineare edhe për shkak të mungeses së një ligji të tillë”, thotë ai.
Policia e Kosovës, thotë për UBTNEWS, se planifikojnë këtë vit ashpërsim të masave për të parandaluar aksidentet e shumta dhe ndëshkuar pjesëmarrësit që nuk u përshtaten rregullave e kushteve në komunikacion./UBTNews
Një aksion i gjerë kundër korrupsionit është zhvilluar më 18 dhjetor 2025 në rajonin e Prishtinës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku janë arrestuar disa persona të dyshuar për vepra të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi, përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore.
Aksioni lidhet me dyshimet për përfshirje në vepra penale si korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, dhënia dhe marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit, mashtrimi si dhe armëmbajtja pa leje.
Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar shtatë persona me inicialet: F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L. Të dyshuarit, sipas autoriteteve, janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.
Me vendim të Prokurorisë Speciale, shtatë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë. Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të operacionit janë sekuestruar rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme, pajisje elektronike si dhe tri automjete.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, në koordinim të plotë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës./S.K/KP/
Policia e Kosovës ka njoftuar se është plagosur me armë zjarri një person mbrëmë në Pejë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se dyshohet që kjo ka ndodhur aksidentalisht.
Ai bëri të ditur se në bazë të informacioneve, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.
“Pas orës 19:00 policia është njoftuar nga Spitali i Pejës se një person ka shkuar atje i lënduar nga arma e zjarrit. Ai dyshohet se është plagosur aksidentalisht nga një person. I plagosuri është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në konfirmim.
Gashi gjithashtu tha se i dyshuari është shoqëruar për në stacion policor./S.K/EO/PK/
Një burrë është vetëplagosur me armë zjarri në fshatin Mirenë të Lipjanit, ku viktima, 50-vjeçar, u dërgua fillimisht për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Drenas, ndërsa më pas u transferua në QKUK për kujdes të specializuar.
Drejtori i Emergjencës Naser Syla, deklaroi se gjendja e tij ishte stabile.
“Janë kryer ekzaminimet e nevojshme,pasi ishte në sallën operative të Emergjencës duke u intervenuar nga ekipët e anestezionit dhe urologjisë, pas operacionit u transferua në Klinikën e Urologjisë për trajtim të metutjeshëm”, deklaroi Syla.
Rreth ngjarjes u deklarua edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësja për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, deklaroi se në koordinim me Prokurorin e Shtetit po hetohen të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.
“Rreth orës 12:00, policia është njoftuar se në fshatin Mirenë të Lipjanit, një person (mashkull) është plagosur me armë zjarri. Njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe në koordinim me Prokurorin e shtetit,janë duke u marrë me hetimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin, ndërkohë që personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti./S.K/EO/PK/