Lajmet
Hungaria – “portë hyrëse” e Kinës në Evropë
Published
5 years agoon
By
Betim GashiNjë projekt kundërthënës për një universitet kinez ka rikthyer shqetësimet për rritjen e ndikimit të Pekinit në Hungari dhe ka risjellë në qendër të vëmendjes lidhjet e ngushta të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me Kinën.
Muajin e kaluar, Hungaria ka nënshkruar një marrëveshje strategjike me Universitetin Fudan, për hapjen e një kampusi në Budapest, më 2024.
Marrëveshja do ta sjellë universitetin e parë kinez në Bashkimin Evropian, e për të cilin Qeveria hungareze thotë se do t’i rrisë standardet e arsimit në Hungari.
Por, mungesa e transparencës për projektin dhe zbulimi se Qeveria hungareze po planifikon të marrë një hua të madhe kineze për të ndërtuar kampusin, kanë shkaktuar polemika.

“Derisa Qeveria të sigurojë zbulimin e plotë të të gjitha detajeve të projektit, ne nuk kemi asgjë për të negociuar, që do të thotë se ne nuk do ta japim pëlqimin për ndërtimin e universitetit kinez”, tha për Radion Evropa e Lirë kryetari i Budapestit, Gergely Karacsony.
Karacsony është një nga kritikët më të zëshëm të projektit. Sipas tij, kampusi i planifikuar vë një barrë të padrejtë financiare mbi taksapaguesit, ndërsa qeveria refuzon t’i zbulojë të gjitha “vendimet, kontratat e lidhura ose në përgatitje, si dhe marrëveshjet strategjike” për planet me Fudanin në Budapest.
Dokumentet e siguruara në fillim të prillit nga Direkt36 – një medium hungarez i gazetarisë hulumtuese – tregojnë se kostot paraprake të ndërtimit të kampusit Fudan janë 1.8 miliard dollarë – më shumë sesa shpenzimet e Qeverisë hungareze për të gjithë sistemin e saj të arsimit të lartë në vitin 2019.
Shteti planifikon të financojë rreth 20 për qind të projektit nga buxheti i tij qendror, ndërsa pjesa tjetër e parave do të sigurohet nga një hua prej 1.5 miliard dollarësh nga një bankë kineze.
Sipas dokumenteve, ndërtimi do të kryhet duke përdorur kryesisht materiale dhe punëtorë kinezë.
Universiteti Fudan, po sipas dokumenteve, ka rënë dakord që Korporata Inxhinierike e Ndërtimit e Kinës – kompania më e madhe e ndërtimit në botë – të konkurrojë për kontratën fitimprurëse.
Zona ku qeveria dëshiron të ndërtojë Universitetin Fudan është zgjedhur më herët për të ndërtuar një Qytet Studenti, që do të siguronte strehim dhe lehtësira të tjera për studentët hungarezë.
Karacsony tha se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qytetit planifikojnë të organizojnë një referendum për të bllokuar ndërtimin e universitetit.
“[Marrëveshja e bashkëpunimit strategjik] i jep Kinës ndërtesa të mëdha falas. Ajo i shërben zgjerimit të kompanive kineze në Evropë”, tha Karacsony.
Kampusi i propozuar i Universitetit Fudan është manifestimi i fundit i zgjerimit të Kinës në Hungari – gjë që ka nisur prejse Orban është kthyer në pushtet në vitin 2010 dhe ka nisur politikën “Hapja Lindore”
Me këtë politikë synohet kultivimi i lidhjeve të ngushta me Pekinin dhe Moskën, që do të krijonin investime dhe mundësi të reja për Hungarinë, pas krizës globale financiare.
Investimet kineze në Hungari dhe në Evropën Qendrore, në përgjithësi, janë materializuar ngadalë, por Orban ka kultivuar një marrëdhënie të fortë me Pekinin gjatë viteve.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka folur me Orbanin në telefon, më 29 prill. Xi e ka vlerësuar udhëheqësin nacionalist për politikat e tij miqësore ndaj Kinës dhe bashkëpunimin e thellë gjatë pandemisë së koronavirusit, si dhe e ka ftuar atë të vizitojë Pekinin.
“Hungaria është – dhe do të mbetet – pjesa kryesore për angazhimin kinez në Evropën Qendrore dhe kjo është bërë edhe më e vërtetë gjatë pandemisë”, tha për Radion Evropa e Lirë Paul Stronski, nga Instituti Carnegie Endowment për Paqen Ndërkombëtare.
“Për kinezët, Hungaria është porta hyrëse për në pjesën tjetër të Evropës”, tha ai.
Një hapje e re
Gjetja e balancës së duhur midis gjesteve miqësore ndaj Pekinit dhe ruajtjes së besimit të aleatëve perëndimorë ka qenë një tipar unik i politikës së jashtme të Hungarisë.
Por, ecja nëpër këtë litar të hollë është bërë gjithnjë e më e vështirë për Budapestin gjatë pandemisë.
Vendimi i Qeverisë së Orbanit për të ecur përpara me kampusin Fudan ka ngjallur shqetësime në Uashington. Ambasada e SHBA-së në Budapest ka shprehur rezerva për projektin.
“Hapja e mundshme e kampusit të parë të Universitetit Fudan në Evropë është arsye për shqetësim, pasi Pekini ka një histori të dëshmuar të shfrytëzimit të institucioneve të arsimit të lartë për të fituar ndikim dhe për të ngufatur lirinë intelektuale”, ka thënë Ambasada amerikane në një deklaratë për gazetën hungareze Magyar Hang.
Budapesti gjithashtu e ka gjetur veten në qendër të disa incidenteve me BE-në.
Pas sanksioneve të dyanshme në mars midis Kinës dhe BE-së për abuzime të të drejtave të njeriut në rajonin kinez Ksinjiang, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, i ka cilësuar masat si “të pakuptimta” dhe “të dëmshme”.
Disa ditë më vonë, ministri kinez i Mbrojtjes, Wei Fenghe, ka qëndruar në Budapest dhe ka shfrytëzuar rastin për t’i dënuar sanksionet e BE-së dhe për të vlerësuar qasjen pajtuese të Hungarisë, duke thënë se Pekini “gjithmonë e ka konsideruar Hungarinë si një vëlla të mirë”.
Budapesti gjithashtu raportohet se ka bllokuar një deklaratë të BE-së në muajin mars, që kritikonte ligjin e ri të sigurisë në Hong Kong.
Hungaria është po ashtu i vetmi vend anëtar i BE-së që nuk ka pranuar shqetësimet e mundshme për sigurinë, që paraqesin kompanitë kineze, si Huawei, për rrjetet mobile 5G
Në Budapest ndodhet baza më e madhe e prodhimit e Huaweit jashtë Kinës dhe një qendër e re rajonale e kompanisë për kërkime dhe zhvillim.
Politikanët e opozitës në Hungari kanë shprehur shqetësime për kampusin e propozuar të Universitetit Fudan, duke vënë theksin mbi problemet e mundshme të borxhit dhe mungesën e mundshme të lirisë akademike në institucion.
Katalin Cseh, anëtare e Parlamentit Evropian nga Lëvizja Momentum e Hungarisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ajo i ka kërkuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të parandalojë krijimin e kampusit në Budapest, për shkak të rreziqeve më të gjera që mund të paraqesë ai për bllokun.
“Pekini ka nevojë për ‘kuaj të Trojës’ brenda BE-së dhe Qeveria hungareze e ofron Hungarinë vullnetarisht për këtë rol”, tha Cseh.
“Është një rrezik i madh kur një vend i vendos interesat e Kinës mbi interesat e komunitetit evropian, ose mbi interesat e veta”, shtoi ajo.
Midis Kinës dhe BE-së
Tamas Matura, profesor në Universitetin Corvinus në Budapest dhe themelues i Qendrës së Evropës Qendrore dhe Lindore për Studime Aziatike, tha se këto veprime duhen parë si gjeste politike ndaj Pekinit dhe jo si ndryshime substanciale politike.
“Në kuadër të betejës së Orbanit me BE-në, ai ka nevojë për një vëlla të madh si Kina”, tha Matura për Radion Evropa e Lirë.
Orbani ka përkrahur atë që e quan “demokraci joliberale” në Hungari. Organizata për të drejtat e njeriut, Freedom House, në raportin vjetor të publikuar në muajin prill, e ka veçuar Budapestin për një “përkeqësim të pashembullt të demokracisë gjatë dekadës së fundit”.
Partia Fidesz e Orbanit është pezulluar nga Partia Popullore Evropiane e Parlamentit të BE-së. Dhe, pas kritikave dhe shqetësimeve të BE-së për sundimin e ligjit në Hungari dhe keqpërdorimin e fondeve të bllokut, vëzhgues si Matura thonë se kryeministri po i përdor marrëdhëniet e tij me Kinën për qëllime të brendshme.
“Asnjë nga këto ide nuk vijnë nga Kina, ato vijnë nga ana e Hungarisë, por natyrisht se Pekini është i lumtur me to”, tha Matura.
Në vitin 2020, Hungaria ka marrë nga Kina një hua 20-vjeçare, në vlerë prej 1.9 miliard dollarësh, për të ndërtuar një hekurudhë, që do të lidhte Budapestin me Beogradin, por projekti mbetet i diskutueshëm, për shkak të vonesave dhe mungesës së transparencës.
Në prill të vitit 2020, Parlamenti i Hungarisë ka votuar për t’i dhënë qeverisë kompetenca të jashtëzakonshme, mbi premisën e luftimit të pandemisë, por institucioni ligjvënës po ashtu ka votuar për t’i mbajtur të gjitha detajet e projektit hekurudhor si të klasifikuara, duke thënë se një gjë e tillë është e domosdoshme për të siguruar kredinë nga Banka Export-Import e Kinës.
Kjo ka bërë që disa kritikë në Hungari t’i vënë në dyshim përfitimet e vërteta nga projekti.
Shqetësimet janë rritur edhe më shumë, pasi kontrata për punën ndërtimore i është dhënë një konsorciumi në pronësi të miliarderit Lorinc Meszaros, njeriut më të pasur të Hungarisë dhe mikut të Orbanit që nga fëmijëria.
Hungaria është vendi i vetëm anëtar i BE-së që ka miratuar edhe vaksinën kineze kundër koronavirusit Sinovac dhe atë ruse Sputnik V, edhe pse këto dy vaksina nuk kanë marrë dritën jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Ky veprim duket se i është shpaguar Orbanit, i cili po përpiqet të rrisë mbështetjen përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022
Deri më 2 maj, Hungaria ka vaksinuar plotësisht 21.5 për qind të popullsisë – gati dyfishin e mesatares së BE-së – dhe ka nisur t’i lehtësojë kufizimet nga koronavirusi.
“Mund të ketë një ndjenjë të kënaqësisë tani me Qeverinë hungareze”, tha Matura.
“Një kënaqësi që lidhjet me Pekinin janë shpaguar, kur atyre u është dashur ndihmë për të luftuar pandeminë…”, shtoi ai.
Marrëveshja strategjike me Universitetin Fudan ka përkuar gjithashtu me ndryshimet e fundit në menaxhimin e universiteteve hungareze, të cilat jo vetëm që transferojnë miliarda në asetet shtetërore të të afërmve me kryeministrin, por gjithashtu mund t’i lejojnë Orbanit dhe mbështetësve të tij të ushtrojnë kontroll afatgjatë mbi arsimin publik në vend.
Njoftimi për Fudanin është bërë edhe pasi Universiteti i Evropës Qendrore – i themeluar nga miliarderi George Soros dhe i konsideruar si një nga institucionet kryesore pasuniversitare të Hungarisë – është detyruar të mbyllet në vitin 2018, pas miratimit të amendamenteve të Ligjit për arsimin e lartë.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka thënë në tetor të vitit 2020 se veprimi kundër universitetit shkel angazhimet e Hungarisë nën Organizatën Botërore të Tregtisë dhe shkel dispozitat e Kartës së BE-së për të Drejtat Themelore, sa u përket lirive akademike.
Pavarësisht këtij vendimi, Universiteti i Evropës Qendrore mbetet i vendosur në Vjenë.
E gjithë kjo e lë Hungarinë në një kryqëzim derisa përgatitet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, tha Stronski.
Ndryshimet në politikat e brendshme dhe të jashtme të Hungarisë, gjatë dekadës së fundit, janë udhëhequr kryesisht nga Orban dhe nëse ai dhe partia e tij Fidesz humbin në vitin 2022, shumë prej këtyre ndryshimeve mund të përmbysen shpejt.
“Të qenët e Orbanit në detyrë gjatë dekadës së fundit i ka lejuar kinezët të investojnë në të dhe po ashtu në elitën hungareze”, tha Stronski.
“Nëse qeveria i ndërron duart, nuk ka siguri që kjo politikë e Kinës do të mbetet kështu”.
“Nuk ka shumë mbështetje në Hungari për këto politika pro-kineze, përtej Qeverisë aktuale të Orbanit”, tha Stronski.
You may like
Lajmet
Më 15 janar do të ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë
Published
25 minutes agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Me rastin e ditës së përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” më 15 janar 2022 duke filluar nga ora 19:30 do të ndezë qirinj në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Në Prishtinë, aktivistët e kësaj Qendre qirinjtë do t’i ndezin në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa për të gjithë ata që nuk do të mund t’iu bashkëngjiten kanë apeluar të ndezin qirinjtë në ballkonet e shtëpive.
“Në të njëjtën kohë ftojmë shoqatat e viktimave të luftës dhe qytetarët e qyteteve të tjera të gjejnë formën e përshtatshme që të përkujtojnë viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se, më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë u cilësuan si gjenocid dhe u përcaktua që 15 janari të jetë Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Lajmet
Pas 26 vjetësh, Peja nuk shënon asnjë vrasje në 2025-ën
Published
59 minutes agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Pas 26 vjetësh, komuna e Pejës, shënon vitin e parë pa asnjë vrasje.
Në një konferencë për media, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka prezantuar rezultatet e punës për vitin 2025, duke e cilësuar këtë vit si një nga më sfiduesit, por edhe ndër më të suksesshmit për institucionin që ajo drejton.
Në konferncë ajo ka treguar se për 25 vjet në rajonin e Pejës u shënuan 203 vrasje me 227 viktima.
“Duke ditur që regjioni jonë ka qenë më i ndjeshëm në aspektin e veprave penale të rëndë veçanti të vrasjeve. Aty ku shtrihet juridiksioni dhe kompetenca lëndore e territoriale kemi punuar në këtë drejtim dhe sot në praninë e juaj kam nderin, kënaqësinë dhe privilegjin të prezantojë që pas 26 vjetësh pas luftës viti 2025 evidentohet si viti i vetëm pa asnjë vrasje në rajoni e Pejës. Kjo ka ardh si rezultat i mirëkordinimit institucional dhe thellimit ndërinstitucional me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat tjetër institucional dhe pa minimizuar asnjëherë bashkëpunimin e ngushtë edhe me qytetarët tanë. 203 vrasje për 25 vite, me 227 viktima për 25 vitesh, është jashtëzakonisht shumë për një rajon siç jemi ne e mos të flasim sa e dhimbshme për familjarët që i kanë përjetuar këto”, tha ajo.
Vuçetaj, shtoi se kjo ka bërë që ta rendit Pejën si rajonin më të qetë.
“Ashtu siç shihet viti 2025 është zero vrasje e zero viktima. Kjo tregon se nga rajoni më i nxehtë me më së shumti raste dhe me rastet më të ndjeshme dhe komplekse, falë punës dhe angazhimit tonë të përbashkët kemi arrit që vitin 2025 me plotë të drejtë ta marrim epitetin si rajoni më i qetë dhe prokuroria e vetme në sistem prokurorial pa asnjë rast vrasje”, tha ajo.
Lajmet
Nëna e binjakëve të vrarë në Prizren kërkon burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin
Published
1 hour agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Nëna e dy djemve binjakë të vrarë në Prizren, Mihrije Daçaj ka kërkuar edhe një herë burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin, i cili akuzohet për krime lufte në zonën e Prizrenit.
Pas përfundimit të seancës se sotme të Gjykatës së Apelit, ku është shqyrtuar ankesa ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e Millosh Pleskoviqit, nënë Mihrija ka thënë para mediave se “nuk kam pasur çfarë të shtijë në tokë”.
“Unë kërkoj burg përjetë, m’i kanë mbytur dy djemtë, në mal, pa kurrfarë… M’i kanë dërrmuar djemtë, nuk kam pasur çfarë të shtij në tokë“, ka thënë ajo.
Dënim të përjetshëm ka kërkuar edhe avokati Gent Gjini, i cili tha se ky krim është makabër.
“Sot Gjykata e Apelit ka mundësi që të vërtetojë gjërat, sepse kemi të bëjmë me një kriminel tipik të grupit të Arkanoviqëve, sepse zonjës Mihrije ja ka mbytur dy djem të rinj mu në qendër të qytetit, afër Kalasë së qytetit dhe ai krim ka qenë makabër dhe dënimi prej 15 vjetësh është dënim i vogël, e diskriminimi më i madh është se ky po dënohet me ligj të Jugosllavisë e ne pse ta dënojmë një kriminel me ligj të Jugosllavisë kur e kemi Ligjin e Tribunalit të Hagës, ku këta kriminelë duhet të dënohen me dënim të përjetshëm sepse krimi është makabër dhe për këtë zonja Mihrije kërkon drejtësi“, tha ai.
Në seancën e sotme, avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq, ka pretenduar se ky krim nuk është kryer nga Pleskoviqi./Sh.Pajaziti
Avokati Blend Gjini e ka konsideruar “tallje”, per çka paralajmëroi se nuk do të ndalen se kërkuari burgim të përjetshëm.
“Avokatja që e mbrojti kriminelin lufte vec na ka prezantuar foto, foto që ka qenë si turist ne Prizren. Do te thotë me këto foto ajo po dëshiron të tregojë se nuk ka të bëjë aspak me vrasjen e civilëve. Paramendo, po vjen si turist kur ka pasur urdhërarrest, mandej ju ka zbuluar, dhe sot po na tregon avokatja se kam foto se unë kam ardhur si turist edhe çka është më e keqja po thotë ‘ka marrë shumë likes dhe komente nga komentues shqiptarë’, kjo është një tallje me ne, por ne nuk do të ndalemi derisa të kërkojmë burgim të përjetshëm“, përfundoi ai.
Millosh Pleskoviq është dënuar me 15 vjet burgim, më 31 korrik 2025, ku i njëjti akuzohet për vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë.
Lajmet
Hasan Arat nderohet me medalje presidenciale për kontributin në afirmimin ndërkombëtar të sportit të Kosovës
Published
1 hour agoon
January 12, 2026By
UBTnews
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar personalitetin botëror të sportit, Hasan Arat, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar në sportin ndërkombëtar, si dhe të rolit dhe përkushtimit të tij në procesin e kandidimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Osmani theksoi se Arat ka dhënë kontribut të çmueshëm në promovimin e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke kulmuar me angazhimin e tij që Kosova ta fitojë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Nga ana e tij, Arat u shpreh se ndihet i nderuar me marrjen e medaljes presidenciale, duke shtuar se promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e bënë me shumë zell, derisa tha se populli i Kosovës duhet të ndihet krenar me të arriturat në sport si dhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të bëhet pas katër vitesh.
Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), e për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.
Më 15 janar do të ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë
Pas 26 vjetësh, Peja nuk shënon asnjë vrasje në 2025-ën
Nëna e binjakëve të vrarë në Prizren kërkon burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin
Hasan Arat nderohet me medalje presidenciale për kontributin në afirmimin ndërkombëtar të sportit të Kosovës
DW: Ç’pamje mund të kenë trupat evropiane në Ukrainë?
REL: Dhjetëra kufoma para morgut në Teheran, mes protestave vdekjeprurëse në Iran
REL: Lidhjet e grupeve kriminale nga Ballkani me Venezuelën
REL: Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit: Rritje në shifra, ulje në jetën reale
Cilat janë 50 klubet më të vlefshme të futbollit në botë?
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
