Lajmet

​Kërkohet rinumërim i plotë, ata që prekën vullnetin qytetar mund të dënohen deri në 5 vjet

Published

on

Personat që vërtetohet se kanë cenuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 janarit 2025 mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike të cilët theksojnë se falsifikimi i rezultatit zgjedhor përbën vepër të rëndë penale, raporton KosovaPress.

Sipas tyre manipulimi i votave e ka cenuar integritetin zgjedhor, prandaj kërkojnë edhe rinumërim të plotë.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, i ka cilësuar manipulimet me vota si një nga skandalet më të mëdha që ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Ai thekson se falsifikimi i rezultateve zgjedhore është vepër penale e sanksionuar qartë me ligj, ku dënimi parashihet deri në tre vjet burg, ndërsa në rastet e rënda apo të kualifikuara mund të arrijë deri në pesë vjet burg.

Në raport me falsifikimin e rezultatit zgjedhor, përcakton dënueshmërinë prej tre vite dhe forma e kualifikuar e saj është pesë vite. Definitivisht se kjo çfarë ka ndodhur është një prej skandaleve më të mëdha në kuptim të procesit të integritetit të zgjedhjeve që pas zgjedhjeve të vitit 2000 e 2010. Dhe në rastin konkret definitivisht se duhet të ketë veprim të prokurorit. Do të thotë nuk mund të lidhemi në numra të caktuar. Modus operandi apo mënyra e veprimit është e njëjta tek të gjitha partitë politike ku gjinden këto, këto gabime”,deklaroi ai.

Shala ka kritikuar ashpër mungesën e reagimit proaktiv të Prokurorisë së Shtetit, duke theksuar se ajo zakonisht vepron vetëm pasi rasti bëhet publik dhe merr vëmendjen e gjerë të opinionit.

Prokuroria duhet të veprojë. Fatkeqësia në Kosovë është se prokuroria nuk reagon në mënyrë proaktive, mirëpo vetëm kur të merr vesh, do të thotë krejt Kosova se ka ndodhur diçka, atëherë aktivizohet edhe prokuroria. Dhe definitivisht se prokuroria duhet të aktivizohet në këtë drejtim për të, ëh, për të hetuar, do të thotë si komisionerët, si vëzhguesit, si kandidatët nëse kanë pasur gisht në këtë drejtim e të gjitha çështjet e tjera për t’i hetuar në kuptim të ekzistimit apo mos ekzistimit të përgjegjësisë penale. Laura Pula, do të thotë prokurore, është koordinatore kombëtare lidhur me procesin e zgjedhjeve dhe që definitivisht ajo duhet të ketë guxim profesional që nuk e kemi parë deri më tani dhe të dalë në konferencë për media dhe të tregojë se cilat janë gjetjet, cilat janë situatat dhe çfarë do të bëjë prokurori i shtetit me këtë situate”, tha ai.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës deklaron se manipulimi i votave është dukuri e papranueshme dhe cenon rëndë integritetin zgjedhor.

Sipas Bugaqkut, veprime të tilla janë të ndëshkueshme me ligj dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.

Absolutisht është një dukuri e kundërligjshme, e papranueshme. Kjo për faktin se mund ta lëndojë dhe mund ta cenojë rëndë integritetin zgjedhor në vend, ose më mirë të themi integritetin e zgjedhjeve në vend, për shkak se Kosova siç e dini shquhet si një vend që organizon procese zgjedhore mjaft të qeta, kredibile, ku rezultatet pranohen nga ana e subjekteve politike. Megjithatë, ka një kohë të gjatë që pasi të përfundojë dita e votimit fillojnë disa probleme sa i përket numërimit të votave, qoftë të partive apo qoftë edhe të kandidatëve për deputetë”, u shpreh ai.

Bugaqku ka kërkuar rinumërim të plotë të votave, duke u bazuar në parregullsitë e evidentuara gjatë procesit aktual të verifikimit.

Kemi kërkuar që të ketë rinumërim të plotë për faktin se nga 40% që po numërohen tani të vendvotimeve të tërësishme të Kosovës, po vërehet që ka mospërputhje dhe diskrepancë të madhe mes votave të numëruara në KQZ dhe atyre që po verifikohen tani në QNR. Prandaj, mendojmë që është e udhës që të paktën të ketë një transparencë, një qartësi dhe vullneti i qytetarëve të shkojë në vendin e duhur, aty ku ata kanë shprehur në ditën e zgjedhjeve dhe assesi që kjo të mbetet në dorën dhe vullnetin e komisionerëve të KQZ-së”, u shpreh Bugaqku.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress se varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.

Gjatë ditës së djeshme, Prokurori Themelore e Prizrenit ka reaguar duke theksuar se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet që ndërlidhen me procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore në këtë komunë.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, kanë deklaruar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Pas rinumërimit të votave në 10 komuna, Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha të votave. Manipulimi i votës ka ndodhur kryesisht brenda listës zgjedhore të një partie. Rinumërim të 100% të votave pati edhe Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug, ndërsa 10% e votave u rinumëruan edhe në 28 komuna të tjera si: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Deri në orën 11:00 të ditës së hënë janë rinumëruar 559 vendvotime nga gjithsej914 vendvotime që janë në rinumërim.

Lajmet

Rinumërim i votave në gjithë Kosovën, shkarkohen përfaqësuesit e partive politike në KKZ-në e Prizrenit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në tërë Kosovën. Përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Ky vendim erdhi pas manipulimit të votave, të cilat janë vërtetuar nga rinumërimi i votave të kandidatëve në 10 komuna të Kosovës.  

Në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, është rekomanduar rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera dhe ndërprerja e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

Kështu ka thënë kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi i cili tha se të gjeturat do të t’i adresojnë në Prokurorinë e Shtetit.

Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera; Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit. Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, u shpreh Radoniqi.

Ai tha se procesi i rinumërimit të votave në 10 komunat është në zhvillim e sipër.

Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve për rinumërimit, Radoniqi tha se tregon se procesi i i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi

“Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi. Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime të mëdha tek disa kandidatë“, ka shtuar Radoniqi.

Continue Reading

Lajmet

UBT prezanton Platformën e Reagimit të Sigurisë Kombëtare – NSRP

Published

on

By

UBT ka lansuar NSRP (National Security Response Platform), një sistem interaktiv i dizajnuar për të trajnuar studentët dhe profesionistët në menaxhimin e krizave të sigurisë dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike. Ky sistem lejon përdoruesit të simulojnë situata reale të krizave dhe të marrin vendime strategjike në kohë reale, duke i përgatitur për sfidat komplekse të sigurimit kombëtar.

Karakteristikat kryesore të platformës:

  • Simulatori Interaktiv i Krizave: Ofron simulime të detajuara të krizave kombëtare, përfshirë sulme kibernetike, kriza diplomatike dhe emergjenca të sigurisë.
  • Harta Interaktive Globale: Një hartë botërore interaktive vizualizon vendndodhjen e krizave, aktorët e përfshirë dhe lëvizjet gjeografike të ngjarjeve në kohë reale, duke ndihmuar studentët të kuptojnë dimensionin gjeografik të sigurisë kombëtare.
  • Sistemi i Vendimmarrjes Multialternative: Çdo krizë ofron vendime kritike me pasoja të ndryshme. Platforma analizon zgjedhjet e përdoruesve dhe ofron feedback të detajuar mbi ndikimin e vendimeve.
  • Panel Administrimi: Instruktorët mund të krijojnë, modifikojnë dhe fshijnë skenarë simulimi, duke personalizuar përvojën edukative sipas nevojave akademike.
  • Sistemi i Vlerësimit dhe Feedback: Përdoruesit marrin një analizë të performancës së tyre, përfshirë pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të vendimeve, si dhe sugjerime për përmirësim.
  • Skenarizimi i Ngjarjeve Dinamike: Krizat evoluojnë në mënyrë dinamike në bazë të vendimeve të përdoruesit, duke krijuar një përvojë realistike dhe të përqendruar në praktikë.

Platforma është krijuar nga UBT-CERT (Computer Emergency Response Team), e projektuar për programin e Studimeve të Sigurisë në UBT dhe ofron një mjet praktik për të kuptuar kompleksitetin e menaxhimit të krizave kombëtare. Studentët mund të testojnë strategji të ndryshme, të mësojnë nga gabimet dhe sukseset e tyre, dhe të zhvillojnë aftësi kritike të mendimit strategjik, të gjitha brenda një mjedisi të sigurt dhe të kontrolluar.

Kjo iniciativë e UBT synon të forcojë aftësitë praktike të studentëve dhe t’i përgatisë ata për sfidat reale të sigurisë kombëtare dhe teknologjive moderne.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Mekatronikës në UBT realizojnë vizitë studimore në “Auto Kaçandolli” në Prishtinë

Published

on

By

Studentët e vitit të tretë të programit Inxhinieri e Mekatronikës në UBT kanë realizuar një vizitë studimore në kompaninë e mirënjohur “Auto Kaçandolli” në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve praktike që synojnë ndërlidhjen e dijes akademike me industrinë.

Të shoqëruar nga profesori i lëndës, Betim Shabani, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset moderne të diagnostikimit, mirëmbajtjes dhe servisimit të automjeteve, si dhe me teknologjitë bashkëkohore që përdoren në fushën e mekatronikës automobilistike.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e kompanisë prezantuan pajisjet e avancuara teknologjike, sistemet elektronike të automjeteve dhe mënyrën e integrimit të mekanikës, elektronikës dhe informatikës – fusha këto që përbëjnë thelbin e programit të Mekatronikës në UBT.

UBT është lider në ofrimin e programeve inovative dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit me industrinë, duke e bërë programin e Inxhinierisë së Mekatronikës një nga drejtimet më të kërkuara dhe me perspektivë të lartë punësimi.

Continue Reading

Lajmet

Ministria e Financave me njoftim për pagën minimale në sektorin privat

Published

on

By

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe njëherë janë deklaruar për çështjen e pagës minimale në sektorin privat, ku thonë se tashmë është rritur nga 350 euro bruto në 425 euro bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.

Ata tregojnë për dy fazat, duke thënë se kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 € bruto në 425 € bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.

🔹Zbatimi i vendimit për rritjen e pagës minimale do të realizohet në dy faza ashtu që të jetë më e lehtë për punëdhënësit t’i përshtaten ndryshimit në mënyrë graduale.

🔹Faza e dytë do të fillojë më 1 korrik, kur paga minimale do të arrijë në 500 € bruto.

Kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës.

Institucionet përgjegjëse do të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të rregullt të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Continue Reading

Të kërkuara