Lajmet
REL: Çfarë e pret Kosovën ndërsa BE-ja nis heqjen e masave?
Published
4 hours agoon
By
UBTnewsBashkimi Evropian ka njoftuar se në muajin janar do të nisë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Kosovës. Sanksionet janë vendosur në verën e vitit 2023, pasi Prishtina zyrtare ka zbatuar rezultatet e zgjedhjeve të kontestuara në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.
Ky hap mund t’i ringjallë shpresat evropiane të Kosovës, pasi 2026-ta mund të jetë viti kur aplikimi për anëtarësim në BE, i dorëzuar në fund të vitit 2022, do të shqyrtohet për herë të parë nga Komisioni Evropian.
Po ashtu, ekziston mundësia që dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Brukseli, të rifillojë pas një ndërprerjeje dyvjeçare.
Sanksionet kanë qenë të diskutueshme dhe pa precedent në raportet e BE-së me një vend aspirant për anëtarësim.
Ato nuk kanë qenë sanksione në kuptimin e plotë politik dhe procedural, ndaj në qarqet e Brukselit janë konsideruar më tepër si “masa”.
Në rastin e Kosovës, një procedurë e tillë nuk është ndjekur. Në vend të saj, shefi i atëhershëm i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka dërguar një letër shteteve anëtare, ku i ka përshkruar masat dhe u ka rekomanduar kryeqyteteve që t’i zbatojnë ato, ndonëse nuk ka pasur ndonjë detyrim formal.
Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim – departament i BE-së që merret me vendet që synojnë anëtarësimin në bllok – e ka njoftuar më pas Kosovën për masat që do të ndërmerren kundër saj.
Këto masa kanë qenë kryesisht të natyrës së brendshme të BE-së; ato kanë përfshirë ngrirjen e fondeve për Kosovën nga buxheti i përbashkët i BE-së, pezullimin e vizitave të nivelit të lartë dhe mosmbajtjen e mbledhjeve të Këshillit të Stabilizim-Asociimit – mekanizmit kryesor politik të marrëdhënieve Bruksel-Prishtinë – deri në një njoftim të dytë.
Ndonëse për vendosjen e masave nuk ka pasur unanimitet formal të shteteve anëtare të BE-së, për heqjen e tyre është kërkuar.
Kur Borrell – në njërin nga veprimet e tij të fundit para largimit nga detyra në vitin 2024 – ka kërkuar heqjen e masave, nuk ka pasur konsensus dhe vendimi fillestar ka mbetur në fuqi.
Më pas është paralajmëruar “heqja graduale” e masave, por nuk është shpjeguar qartë se cilat masa do të hiqeshin dhe në çfarë afati.
Gjatë vitit 2025, Kosovën e kanë vizituar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke hedhur poshtë idenë se ekzistonte ndalesa për vizita të nivelit të lartë.
Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, asnjë politikan i lartë kosovar nuk ka realizuar ndonjë vizitë dypalëshe në Bruksel.
Një përparim i madh politik ka ndodhur pastaj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur në Bruksel, më 17 dhjetor. Atë ditë, von der Leyen ka njoftuar se masat ndaj Kosovës do të hiqen.
Ky vendim ka pasuar zgjedhjet lokale të tetorit në veri të Kosovës, të cilat Brukseli i ka vlerësuar si “të qeta dhe paqësore”, duke përmbysur kështu qasjen që ka ndërmarrë në vitin 2023.
Megjithatë, kjo nuk ka shënuar fundin e rrëfimit.
Sipas këtij plani, gjysma e parave të ngrira, rreth 216 milionë euro, do të lëshohej menjëherë për Prishtinën, ndërsa gjysma tjetër, 205 milionë euro, do të shpërndahej pas zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor.
Arsyeja ishte se lëshimi i menjëhershëm i të gjitha parave, do t’i jepte avantazh të madh politik kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore.
Kushti i ri është vendosur nga pothuajse të njëjtat shtete që në vitin 2023 kanë luajtur rol kyç në shmangien e masave të ngjashme të BE-së ndaj Serbisë, pasi militantë serbë – me mbështetje të dyshuar nga Beogradi zyrtar – kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë një oficer të vrarë.
Disa shtete të tjera anëtare të BE-së janë ankuar se vendet proserbe po nxisnin sërish veprime kundër Kosovës, por më pas kanë rënë dakord, duke dëshiruar të shmangnin një tjetër ngërç politik.
Në fund, Kurti ka rritur numrin e votave dhe BE-ja ka njoftuar menjëherë se gjysma e dytë e parave të ngrira do të lirohet në fillim të vitit 2026.
Granti i parë është “programuar”, që do të thotë se është caktuar për përfitues të ndryshëm në Kosovë, por paratë ende nuk janë transferuar.
Sipas zyrtarëve të BE-së, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, as hapi formal për të “programuar” grantin e dytë nuk është bërë akoma, edhe pse pritet të kryhet si formalitet gjatë janarit.
Pasi këto masa janë vendosur në mënyrë të paprecedentë në vitin 2023, në Bruksel është duke u diskutuar edhe për atë se çfarë duhet bërë teknikisht për t’i hequr ato.
Për shembull, a duhet që shtetet anëtare të BE-së të konsultohen sërish me shkrim apo përmes ndonjë grupi pune apo komiteti të Këshillit, apo Komisioni mund të vazhdojë pa marrë miratimin e tyre?
Ajo që dihet me siguri është se Komisioni Evropian dëshiron të rifillojë të angazhohet me Kosovën.
Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por të dërguarit të Brukselit për këto bisedime, diplomatit danez, Peter Sorensen, së fundmi i është rinovuar mandati edhe për dy vjet.
Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.
Ekziston gjithashtu mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Evropian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.
Çekia, e cila ka pranuar aplikimin e Kosovës gjatë kryesimit të saj me BE-në më 2022, ka qenë vendi i fundit që ka bërë përpjekje reale për ta trajtuar këtë çështje.
Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – kanë bllokuar çdo përparim dhe ua kanë bërë të qartë vendeve të tjera anëtare që kanë pasur presidencën e radhës, se nuk do ta trajtojnë këtë çështje.
Pritjet janë që gjërat të mos lëvizin gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa ndryshime mund të ketë kur Irlanda ta marrë presidencën në muajin korrik.
Me zgjerimin e BE-së si një nga prioritetet kryesore, Irlanda mund të nisë gjithashtu edhe një vlerësim për Kosovën.
Sipas thashethemeve në Bruksel, Spanja – shpesh më e vështira mes pesëshes që s’e njeh Kosovën – mund të lejojë që Komisioni ta bëjë një vlerësim, për aq kohë sa një gjë e tillë nuk i detyron shtetet anëtare ta diskutojnë menjëherë çështjen e njohjes së Kosovës./REL
Lajmet
Orav: Zgjedhjet treguan që demokracia formëson politika për komunitetin
Published
7 minutes agoon
January 13, 2026By
UBTnews
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, është takuar të martën me ministrin në Detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rolin e qeverisjes vendore të fortë dhe të përgjegjshme në zbatimin e reformave.
“Zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë se si demokracia vendore angazhon njerëzit dhe formëson politikat që pasqyrojnë nevojat e komunitetit përmes vendimmarrjes pranë tyre”, ka thënë Orav.
Lajmet
Studentët e vitit të parë të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT trajnohen në QuickBooks nga ekspert i fushës
Published
49 minutes agoon
January 13, 2026By
ubtnews
Studentët e vitit të parë, në kuadër të lëndës Hyrje në Kontabilitetin Financiar në Fakultetin Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, nën udhëheqjen e profesorit Mic Ukaj realizuan një ligjëratë praktike mbi aplikimin e softuerëve të kontabilitetit, me ligjërues mysafir Taulant Murati, kontabilist i certifikuar me përvojë shumëvjeçare në fushën e kontabilitetit, financave dhe auditimit.

Përmes softuerit Quickbooks, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset kryesore të përdorimit të softuerëve te kontabilitetit, duke filluar nga krijimi i politikave kontabël, regjistrimi i klientëve dhe furnitorëve, evidentimi i blerjeve dhe shitjeve, e deri te reflektimi i këtyre transaksioneve në pasqyrat financiare. Ligjërata u karakterizua nga një qasje shumë interaktive, me përfshirje aktive të studentëve në përdorimin praktik të softuerit.
UBT mbetet e përkushtuar në vazhdimin e misionit të saj për të ndërthurur dijen teorike me përvojën praktike, duke u ofruar studentëve mundësi konkrete për të zhvilluar kompetenca profesionale që përputhen me kërkesat e tregut të punës.
Lajmet
Profesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
Published
52 minutes agoon
January 13, 2026By
ubtnews
Profesori i UBT-së, Prof. Dr. Kujtim Thaçi, ka publikuar një artikull shkencor në revistën ndërkombëtare shumë prestigjioze Frontiers in Immunology, e cila renditet në Q1, me Impact Factor 5.9 dhe CiteScore 10.6, si dhe është e indeksuar në Web of Science dhe Scopus.
Artikulli është realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Imunologji dhe Sëmundje Inflamatore të Spitalit të Massachusettsit dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Harvardit. Ky bashkëpunim shënon herën e parë të një bashkëpunimi shkencor ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Harvardit dhe UBT-së, duke përfaqësuar një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe komunitetin akademik në Kosovë.
Në këtë artikull shkencor, autorët theksojnë se funksioni i IgE-së dhe efekti i saj sinjalizues përmes receptorëve FcεR shtrihet përtej sëmundjeve klasike atopike, duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në shumë mjedise inflamatore jo-atopike dhe në sëmundjet e ndërmjetësuara nga imuniteti. Një fokus i veçantë i studimit është ndryshimi i glikozilimit në vende specifike të molekulës së IgE-së, ndryshime që mund të ndihmojnë në karakterizimin molekular të sëmundjeve, në stratifikimin e pacientëve dhe në identifikimin e mundësive të reja terapeutike.
Ky hulumtim ka rëndësi të veçantë, pasi shumë strategji imunomoduluese dështojnë për shkak se pacientët, pavarësisht dallimeve molekulare, trajtohen si një grup homogjen. Zgjerimi i kuptimit të biologjisë së IgE-së përtej atopisë kontribuon në riformulimin e konceptit të sëmundjeve inflamatore dhe hap rrugë për ndërhyrje klinike më të targetuara dhe më efektive.
Artikulli i plotë mund të lexohet në linkun zyrtar të revistës Frontiers in Immunology.
Lajmet
Stadiumi Nacional përfshihet në buxhetin 2026, ndahen 4 milionë euro
Published
60 minutes agoon
January 13, 2026By
UBTnews
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit, Bislim Bislimi, ka bërë të ditur se ndërtimi i Stadiumit Nacional të Kosovës është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026, me një fond fillestar prej 4 milionë eurosh.
Sipas Bislimit, ky projekt do të vazhdojë edhe në vitet pasuese dhe vlera totale e investimit pritet të tejkalojë 20 milionë euro.
Ai theksoi se ndërtimi i Stadiumit Nacional konsiderohet një domosdoshmëri për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar lokacioni ku do të ndërtohet stadiumi, ndërsa autoritetet kompetente pritet të dalin me vendim në fazat e ardhshme të projektit.
Orav: Zgjedhjet treguan që demokracia formëson politika për komunitetin
Shqipëria do të performojë në natën e dytë gjysmëfinale të Eurovision 2026
Studentët e vitit të parë të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT trajnohen në QuickBooks nga ekspert i fushës
Profesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
Stadiumi Nacional përfshihet në buxhetin 2026, ndahen 4 milionë euro
Mblidhet Kryesia e LDK-së
Nxënësi godet me shufër metalike edukatoren e kopshtit në Pejë
Markat kryesore të makinave dhe viti i themelimit të tyre
Dhjetë vendet më të sigurta në botë
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
