Lajmet
Çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?
Published
3 weeks agoon
By
UBTnewsUdhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 18 dhe 19 dhjetor me një detyrë të vetme: sigurimi i fondeve për Ukrainën për dy vjetët e ardhshëm.
Me më shumë shtete, përfshirë Bullgarinë, Maltën dhe Italinë, që po rreshtohen me Brukselin për vënien në pikëpyetje për realizueshmërinë e një kredie për Kievin për reparacione si metodë e preferuar, shumica e përpjekjeve diplomatike këtë javë do të përqendrohen në tentimin për të zgjidhur këtë çështje, shkruan REL.
Por, një ditë para takimit, më 17 dhjetor, kryeqendra e BE-së është mikpritëse e një samiti tjetër që krejtësisht është lënë në hije nga zhvillimet që lidhen me Ukrainën: udhëheqësit e gjashtë vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) takohen me homologët e tyre të BE-së në Bruksel.
Kosova, në këtë samit, përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Samiti vjetor BE-Ballkani Perëndimor është bërë një lloj formaliteti viteve të fundit, me pak ose aspak rezultate konkrete, dhe ky takim nuk përbën përjashtim.
Draft-deklarata e samitit, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, dokument që do të miratohet nga udhëheqësit e BE-së, pohon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”.
Në realitet, shumica e gjashtë shteteve janë të bllokuar në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, dhe vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në bllok. Por, përgatitjet për samitin dhe lëvizjet politike ofrojnë një shembull të qartë se edhe ky përparim është i brishtë.
Gjatë vjeshtës, ideja ishte që Mali i Zi do të mbyllte pesë kapituj politikë – një hap i madh për Podgoricën. Kjo ndodhi më 16 dhjetor dhe shteti tani ka mbyllur 12 nga 33 kapituj gjithsej.
Draft-konkluzat, të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë, thonë se deri javën e kaluar Parisi ka kërkuar që të mbylleshin vetëm tre kapituj. Më pas, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kishte biseduar përmes telefonit me homologun francez, Emmanuel Macron, për këtë çështje dhe arriti ta binte që të pajtohej për mbylljen e pesë kapitujve.
Problemi që kishte Franca nuk kishte të bënte me të vërtetë me Malin e Zi, por më shumë me Serbinë, një aleate e ngushtë politike e Francës, e cila nuk do të hapë asnjë kapitull të anëtarësimit. Beogradi ka ngecur në rrugën evropiane që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 2022, me disa shtete të tjera anëtare të BE-së që nuk janë të kënaqura që shteti nuk po rreshtohet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe se ka bërë përparim të pamjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit.
Duke qenë se hapja dhe mbyllja e kapitujve kërkon konsensus të 27 shteteve anëtare, Franca po e përdor një taktikë që është e zakonshme në Bruksel, atë të lidhjes së përparimit të shtetit kandidat (ose mungesës së përparimit) me të një shteti kandidat tjetër.
Përderisa Franca u tërhoq nga Mali i Zi, ajo mori atë që donte sa i përket Kosovës. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës më 2023, përfshirë ngrirja e qindra milionave eurove, pasi Kosova njohu rezultatet e zgjedhjeve lokale në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.
Përderisa ekziston një pajtim i gjerë se Kosova ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të shtensionuar situatën dhe masat duhet të hiqen gradualisht, Franca ka udhëhequr përpjekjet për të ngadalësuar këtë proces.
Nga Presidenca e Kosovës thanë se gjatë samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime me udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe liderët pjesëmarrës dhe tema kyç do të jenë masat.
“Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, tha Presidenca e Kosovës.
I mbështetur nga Hungaria, Italia, Spanja dhe Sllovakia, Parisi është siguruar që asnjë masë të mos hiqet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 28 dhjetor. Këto shtete kanë qenë po ashtu instrumentale që Serbia të shmangë sanksionet e BE-së dy vjet më parë, pasi militantët serbë, që dyshohet se janë mbështetur nga Beogradi, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.
Në draft-deklaratën, të cilën e ka parë REL-i, përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Brukseli. Aty thuhet se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.
“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçmas Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj. Mbështetja nën Reformën për Ballkanin Perëndimor dhe Rritjen është e kushtëzuar me angazhimin konstruktiv të partnerëve dhe përparimin e matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e raporteve të tyre”, thuhet në dokument.
Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel. Marrëveshja që përmendet në draft-deklaratë është arritur më 2023, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë. BE-ja e vlerëson se marrëveshja është e detyrueshme për Beogradin dhe Prishtinën dhe vazhdimisht kërkon zbatimin e saj dhe të aneksit.
Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Në draft-deklaratë përmendet edhe Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në këmbim të zbatimit të reformave që lidhen me bllokun. Ky plan, sipas BE-së, ka potencial që të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon në dekadën e ardhme, pasi vendet do të marrin këtë shumë parash për reforma dhe investime.
“Kjo shumë është shtesë e 29 miliardë eurove që po zbatohen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje për shfrytëzim maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit me kohë të reformave”, thuhet në draft-deklaratë.
Përtej çështjes së zgjerimit, nuk ka shumë pika të tjera ku BE-ja mund t’i shtyjë përpara në Ballkanin Perëndimor vitin e ardhshëm, përveç integrimit gradual në tregun e BE-së në disa fusha.
Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia gjatë këtij viti iu bashkuan Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që thjeshton dhe redukton transferet bankare në euro. Ideja është që edhe dy shtetet e tjera, Kosova dhe Bosnja, të bashkohen së shpejti.
Ngjashëm, qëllimi i Brukselit për vitin 2026 është që të përfshijë të gjithë rajonin në regjimin e tij të telefonisë mobile, që do t’iu mundësojë qytetarëve nga gjashtë republikat të thërrasin, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin duke përdorur tarifat e brendshme të telefonisë të BE-së.
Ky do të ishte një hap drejt uljes së tarifave të roamingut mes BE-së dhe shteteve kandidate në Ballkanin Perëndimor, që hynë në fuqi më 2023. Ky hap do të pasonte Moldavinë dhe Ukrainën, të cilat do t’i bashkohen zonës së roamingut të BE-së më 1 janar./REL
You may like
Lajmet
Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Published
2 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Që nga mbrëmja e së mërkurës, Kosova është përfshirë nga rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore, pasi ditëve të fundit vendi u përball me vërshime të konsiderueshme që shkaktuan dëme në disa zona.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) paralajmëroi për krijimin e ngricave dhe kushte të rrezikshme në rrugë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Apelit të IHMK-së iu bashkuan edhe institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila kërkoi respektimin e rregullave të trafikut dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.
Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bëri të ditur se situata me vërshime ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Megjithatë, sipas AME-së, reshjet e borës dhe ngricat kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa rajone të vendit.
“Disa rrugë mbeten ende të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët për kujdes të shtuar në këtë situatë”, thuhet në njoftimin e AME-së të publikuar më 8 janar.
Sa i përket rrezikut nga vërshimet, AME-ja njoftoi se niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka nisur të bjerë dhe se aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja. Sipas agjencisë, janë kryer disa intervenime në komuna të ndryshme, ndërsa situata vlerësohet si e menaxhueshme.
Si masë parandaluese, në Mitrovicë të Jugut dhe në Istog janë evakuuar përkohësisht disa familje. Ndërkohë, për shkak të vërshimeve, në disa zona të Kosovës janë shënuar probleme në furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet, po ashtu, kanë vendosur të shtyjnë rinisjen e mësimit pas pushimit dimëror deri më 12 janar, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor./REL
Lajmet
Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova
Published
2 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Ministria e Punëve të Brendshme ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare.
Aty bëhet e ditur se pritjet për të dalë nga Kosova po zgjasin deri në 90 minuta. Kjo situatë është në pikën kufitare në Jarinjë.
Pritje deri në 1 orë ka edhe në Merdarë, ndërsa 40 minuta janë pritjet tek Dheu i Bardhë.
Lajmet
Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora
Published
2 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Sot në Kosovë pritet të arrijnë edhe 3,185 pako të fundit me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të tërhequra nga kutitë postare në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.
Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se numërimi i tyre pritet të nisë sonte rreth orës 19:00, pas procesit të verifikimit.
“Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.
Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.
Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi./EO
Lajmet
Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Published
4 hours agoon
January 8, 2026By
UBTnews
Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.
Byroja Kosovare e Sigurimeve tha se sa i përket këtij aksioni ai është iniciuar nga vetë byroja në cilësinë e palës së dëmtuar “rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.
Ish-zyrtar të kësaj byroje është raportuar se janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm.
“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, tha BKS-ja.
BKS-ja shtoi se ka vënë në dispozicion autoriteteve të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.
Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.
Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha. Ata dyshohen se u kanë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë prej mijëra eurosh. Ky medium mëson se nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në para të gatshme.
Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.
Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./REL
Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova
Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora
Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Disa zona në Prishtinë me reduktime uji
SHBA-ja tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare
Evakuohen 15 familje në Mitrovicë
100 qytetet me ushqimin më të mirë në botë
25 divorcet të shtrenjta në histori
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
