Lajmet

​Parlamenti Evropian para 34 vjetëve nderoi Adem Demaçin me Çmimin Saharov

Published

on

Parlamenti Evropian më 4 dhjetor 1991 i ndau Çmimin Saharov, veprimtarit Adem Demaçi, duke e konsideruar si luftëtar të paepur për lirinë e mendimit dhe mbrojtës të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Duke e pranuar çmimin si homazh për popullin e Kosovës, Demaçi tha se liria e fjalës është hapi i parë, vendimtar drejt demokracisë.

“Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog e vërteta nuk mund të vendoset dhe pa të vërtetën përparimi është i pamundur”, tha ai.

Këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharov, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel.

Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se duke e nderuar atë, kanë nderuar edhe popullin e shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar.

Çmimi Saharov për lirinë e mendimit, i pagëzuar sipas disidentit dhe shkencëtarit nga Bashkimi Sovjetik Andrej Saharov (Andrei Sakharov) është themeluar në dhjetor 1988 nga Parlamenti Evropian për të nderuar individët apo organizatat që i kanë kushtuar jetën e tyre mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Çmimi Saharov ndahet çdo vit rreth datës 10 dhjetor, ditë në të cilën Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, që është e njohur edhe si Dita e të Drejtave të Njeriut.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet serbe e akuzonin për luftënxitje.

Figura e Adem Demaçit

Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.

Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.

Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995.

Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.

Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre. Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare.

Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Ai ishte autor i disa librave: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur, Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika, Pushka dhe Tung vargu im. Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara