Lajmet

Mesazhi i Ramës për Beogradin: Nëse preket Kosova, preket Shqipëria

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar mesazhe të qarta presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke i cilësuar si të pabaza pretendimet e tij për një aleancë ushtarake Shqipëri–Kosovë–Kroaci. Rama i karakterizoi deklaratat e Vuçiqit si një frikë që buron nga paaftësia e Serbisë për të pranuar realitetin.

Në një intervistë për “Turkiye Today”, Rama u shpreh se Kosova mbetet “makthi” i Vuçiqit. Ai hodhi poshtë edhe pretendimet e presidentit serb se Turqia ka ambicie “neo-osmane” në rajon, duke marrë si shembull vonesat në projektet e restaurimit nga agjencia turke TIKA në Shqipëri. Sipas Ramës, nëse Turqia do të kishte ambicie të tilla, projektet do të përfundonin shumë më shpejt.

“Çfarë neo-osmanizmi? Jam i sigurt që presidenti i Serbisë mund ta shohë se Turqia ka investuar më shumë në Serbi sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku”, deklaroi Rama. Kjo ishte një përgjigje ndaj akuzave të Vuçiqit të tetorit të kaluar, i cili pretendonte se Turqia po “ëndërron Perandorinë Osmane” pas shitjes së dronëve Skydagger Kosovës, duke e portretizuar këtë si kërcënim për integritetin territorial të Serbisë.

Rama ironizoi qasjen e Vuçiqit, duke vlerësuar njohuritë e tij, por duke theksuar se emocionet ndaj Kosovës po ia humbin arsyen. “Presidenti Vuçiq është dikush me njohuri të mëdha dhe intuitë të shkëlqyer, por ai ka makthin e tij: Kosovën. Kaq është. Pikë. Kur makthi i pushton emocionet, ai arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Megjithatë, Rama nënvizoi se pavarësisht mosmarrëveshjeve për Kosovën, Vuçiqi mbetet një lider me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet bashkëpunim mbi objektiva të përbashkëta rajonale.

Në fund, kryeministri rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Tiranës zyrtare: “Kosova është e pavarur; është republikë dhe ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova gjendet nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, raporton Ekonomia online.

/Ekonomia online/

 

Continue Reading

Lajmet

Konferenca e përbashkët: PDK dhe AAK nesër në Kuvend

Published

on

By

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë konferencës, Arian Tahiri bëri të ditur se Aleanca i është përgjigjur pozitivisht ftesës së PDK-së dhe shprehu shpresën se njësoj do të veprojnë edhe subjektet e tjera politike.

Ai i bëri ftesë publike kryesuesit të seancës, Avni Dehari, si dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se po e pengojnë konstituimin e Kuvendit përmes mosftimit të seancës, e cila sipas tij është obligim ligjor e kushtetues që të thirret çdo 48 orë. Deputeti i PDK-së konfirmoi se partia e tij do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit të premten nga ora 11:00, duke pritur që aty t’i bashkohen edhe tjerët.

Nga ana e tij, Besnik Tahiri i Aleancës konfirmoi gjithashtu praninë e subjektit të tij në Kuvend në të njëjtin orar. Ai bëri me dije se në koordinim me partitë e tjera opozitare i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit Avni Dehari për një takim koordinues, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Përfaqësuesi i AAK-së nënvizoi se po dëshmohet një fillim i shpërbërjes së institucioneve, prandaj do të ndjekin të gjitha rrugët institucionale përpara se të ndërmarrin hapa të tjerë politikë në shërbim të kthimit të rendit kushtetues./E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen mijëra euro te i dyshuari për spiunazh në Dragash

Published

on

By

Shtetasi i Kosovës, Fehim Sali, i cili u arrestua të enjten në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale.

Në kuadër të hetimeve, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar një urdhërkontroll në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

Përmes një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale: 39,500 euro para të gatshme; 500 dinarë para të gatshme; 4 telefona celularë; Dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Prokuroria Speciale njoftoi se brenda afatit të përcaktuar ligjor do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë konfirmuan se mbeten të angazhuara plotësisht për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore lidhur me zbardhjen e këtij rasti. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria ndan 100 mijë euro për DokuFestin

Published

on

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për mbështetjen e realizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.

Vendimi është marrë në mbledhjen e 32-të të Qeverisë, të mbajtur më 13 gusht 2026.

Sipas Qeverisë, mbështetja financiare për DokuFestin konsiderohet investim në promovimin ndërkombëtar të Kosovës, pasi festivali çdo vit sjell në Prizren artistë, profesionistë të industrisë së filmit, media dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se DokuFesti krijon mundësi për prezantimin e kulturës, krijimtarisë dhe identitetit të Kosovës para publikut ndërkombëtar.

Qeveria vlerëson se festivali, përmes shtrirjes dhe reputacionit të tij ndërkombëtar, kontribuon edhe në promovimin e Kosovës si vend me skenë të zhvilluar kulturore, potencial turistik dhe kreativ, si dhe në diplomacinë publike e kulturore të vendit.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendime për emërimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese në institucione dhe agjenci të ndryshme shtetërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kapitull i ri për Lakers: Shitje rekord prej 12.5 miliardë dollarësh

Published

on

By

Klubi i njohur i basketbollit, Los Angeles Lakers, pritet të shitet për shumën rekord prej 12.5 miliardë dollarësh, në një marrëveshje historike që do të ndryshojë pronësinë e një prej skuadrave më ikonike të NBA-së.

Blerësit e rinj pritet të jenë Josh Kushner, themelues i kompanisë së investimeve “Thrive Capital”, dhe Bob Iger, ish-drejtori ekzekutiv i “Disney”. Ata janë në proces të marrjes së aksioneve kontrolluese të klubit.

Më parë, Mark Walter, i cili mori shumicën e aksioneve të Lakers nga familja Buss, kishte investuar rreth 10 miliardë dollarë në klub. Marrëveshja e tij u miratua nga Bordi i Guvernatorëve të NBA-së në tetor të vitit 2025.

Kushner dhe Iger kanë shprehur kënaqësinë për mundësinë e drejtimit të Lakers, duke theksuar synimin për të ruajtur traditën e klubit dhe për ta rikthyer atë në majat e basketbollit amerikan. /A.M/

 

Continue Reading

Të kërkuara