Lajmet
DW: Kosova hyn në paqartësi juridike për institucionet
Published
5 months agoon
By
UBTnewsPas përfundimit të afatit që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë deputetëve që të konstituonin Kuvendin e Kosovës, deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025.
Dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan, duke shënuar kështu plot 54 tentime pa rezultat. Shkaku: mungesa e konsensusit politik. Tani është mbyllur afati 30-ditor që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënë afat deputetëve për ta përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit. Deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025, kur Gjykata Kushtetuese caktoi masën e përkohshme deri në një vendim përfundimtar të saj.
Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit të këtij viti.
Fati i themelimit të institucioneve të reja i paqartë
Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje me 48 mandate, këmbëngulte me kandidaten e saj për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, emër ky i papranueshëm për partitë tjera politike opozitare të deritashme, PDK, LDK, AAK dhe një pjesë e pakicave, përfshirë edhe listën Srpska.
Edhe dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan.
“Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke akuzuar partitë e deritashme opozitare si bllokuese të konstituimit të Kuvendit.
”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.
Akuza për Vetëvendosjen
Kryetari i partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si bllokuese të procesit, tha se “Kosova tani nuk ka më një shtet funksional.
“Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, tha Krasniqi.
Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si njeri që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, e akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese
“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, tha Abdixhiku.
Ambasadori gjerman: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve
Që nga 15 prilli, kur nisën tentimet e deputetëve për konstituim të Kuvendit dhe dështonin radhazi, organizatat joqeveritare dhe ato të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje vazhdimisht deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe diplomat të BE-së. Madje në seancën e së premtes ata ishin brenda sallës së Kuvendit, duke shpresuar që deputetët ta vënë përpara interesin për shtetin, e jo për partitë politike.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se “Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë”, duke theksuar nevojën pastaj “për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin. Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se “klasa politike po dështon përballë qytetarëve”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve.
“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurtdhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha Rohde.
“Ky është një karton i kuq për klasën politike”, vuri në dukje ambasadori gjerman. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u bëri thirrje politikanëve të Kosovës “që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës”.
“Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha Hargreaves.
Dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës
Gjykata Kushtetuese, pasi vendosi masën e përkohshme, tha se “nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.
Presidentja Vjosa Osmani iu drejtua më 22 korrik Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.
Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj më 22 korrik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike. Paqartësia për pasojat juridike vazhdon, ndërsa, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të ketë institucione të reja. /DW
Lajmet
Salah në radarët e Al-Hilal, Liverpooli gati për një verë vendimtare
Published
3 hours agoon
December 22, 2025By
UBT News
Mohamed Salah vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, dhe ndërsa ai është i angazhuar me Egjiptin në Kupën e Kombeve të Afrikës, ku debuton kundër Zimbabvesë, nga prapaskena vijnë sinjale për interes konkret nga Al-Hilal i drejtuar nga Simone Inzaghi.
Sulmuesi 33-vjeçar ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2027 dhe mbetet një ikonë e klubit, me 250 gola dhe 117 asistime në 421 ndeshje, si dhe një listë të gjatë trofesh madhorë.
Në të njëjtën kohë, Liverpooli po shikon nga e ardhmja duke u futur fuqishëm në garë për Antoine Semenyo të Bournemouth. Sulmuesi ganez, i lindur në vitin 2000, ka një klauzolë lirimi prej 65 milionë paundësh dhe po ndiqet gjithashtu nga Manchester City dhe Manchester United, çka e bën betejën për firmën e tij edhe më të ashpër.
Merkatoja saudite mbetet aktive edhe në fronte të tjera. Al-Ittihad po ndjek Nuno Tavaresin e Lazios, ndërsa dy emra të mëdhenj si Karim Benzema dhe N’Golo Kanté, me kontrata deri në qershor 2026, janë në radar të Paris FC. Interesi për Benzeman shtrihet edhe nga Benfica e Fenerbahçe, duke treguar se merkatoja e janarit pritet të sjellë lëvizje të bujshme./S.K/KP/
Lajmet
Zgjatet orari i shërbimeve në Qendrat për Pajisje me Dokumente gjatë festave
Published
3 hours agoon
December 22, 2025By
UBTnews
Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka njoftuar se është marrë vendim për zgjatjen e orarit të shërbimeve në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente.
Sipas njoftimit, orari i punës do të zgjatet deri në ora 18:00 për periudhën nga 23 dhjetor 2025 deri më 15 janar 2026. Po ashtu, dita e shtunë, më 27 dhjetor 2025, do të jetë ditë pune dhe shërbimet do të ofrohen sipas të njëjtit orar të zgjatur.
“Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qasjes në shërbime për qytetarët dhe bashkatdhetarët, duke marrë parasysh fluksin e shtuar gjatë festave të fundvitit dhe kthimit të mërgimtarëve në vend. Agjencia e Regjistrimit Civil, në koordinim me njësitë përkatëse në nivel lokal, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi, duke siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore, me korrektësi dhe brenda afateve të përcaktuara me ligj”, tha njoftim.
ARC mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve sa më të qasshme dhe efikase për të gjithë qytetarët.
Lajmet
Plagoset një person në Pejë, arratiset i dyshuari
Published
3 hours agoon
December 22, 2025By
UBTnews
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka njoftuar se sot në Pejë ka ndodhur një vrasje në tentativë, ku një person ka mbetur i plagosur.
Sipas tij, viktima është jashtë rrezikut për jetë.
“Para pak çastesh ka ndodhur një vrasje në tentativë në Pejë, ku një person është plagosur nga arma e zjarrit, ndërkaq personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me autorizimin e prokurorit të shtetit janë duke u grumbulluar të gjitha provat dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar. I njëjti është identifikuar, ndërsa i plagosuri është dërguar për tretman mjekësor dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë”, tha Nikçi.
Lajmet
KPK aprovon kërkesën e Besim Kelmendit, e liron nga detyra e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
Published
3 hours agoon
December 22, 2025By
UBTnews
Me gjashtë vota për, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka aprovuar kërkesën e Besim Kelmendit për lirim nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme i pranishëm nuk ishte vet Kelmendi, për shkak se nuk gjendej në Kosovë, por kërkesën e tij për lirim nga pozita e ka lexuar Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj.
Në letrën e dërguar, Kelmendi ka thënë se kërkesa për lirim nga pozita erdhi si një reflektim i vullneti të tij për të mbështetur reformën në sistemin prokruorial dhe për të kontribuuar në përmirësimin e gjendjes në Këshill.
Më pas, ai propozoi që në pozitën e u.d Kryeprokurorit të Shtetit të caktohet Agron Qalaj. Kundër këtij propozoi votoi anëtari Dardan Vuniqi.
Salah në radarët e Al-Hilal, Liverpooli gati për një verë vendimtare
Zgjatet orari i shërbimeve në Qendrat për Pajisje me Dokumente gjatë festave
Plagoset një person në Pejë, arratiset i dyshuari
KPK aprovon kërkesën e Besim Kelmendit, e liron nga detyra e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
Hapen sportelet në kufirin me Kroacinë, procedurat mund të ngadalësohen nga sistemi i ri i BE-së
Kosova pranon armatimin kundërtank nga Gjermania
Sonte finalja e Superkupës së Italisë, Rrahmani pranë një tjetër trofeu të madh
Një gazetar i BBC-së i bëri Putinit një pyetje. Mikrofoni iu hoq menjëherë.
Reuters: Kosova shkon në zgjedhje ndërsa bllokimi politik kërcënon fondet jetike
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
