Bota

Dhoma e Përfaqësuesve miraton një plan afatshkurtër për financimin e qeverisë

Published

on

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, miratoi të martën një plan afatshkurtër për financimin e qeverisë, ndërsa afrohet afati i 14 marsit.

Buxheti afatshkurtër u miratua me 217 vota pro dhe 213 kundër, me një republikan që votoi kundër dhe një demokrat që votoi në mbështetje të buxhetit. Sidoqoftë, projektbuxheti duhet të miratohet në Senat për t’u nënshkruar më pas në ligj nga Presidenti Trump.

Vota kundër do të dëmtojë popullin amerikan dhe shkatërrojë vrullin e jashtëzakonshëm që ka krijuar Presidenti Trump gjatë 51 ditëve të fundit”, tha për mediat të martën pasdite zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Projektligji për buxhetin afatshkurtër kërkon 60 vota që të marrë miratimin në Senat, çka nënkupton që republikanët duhet të sigurojnë vota mes ligjvënësve demokratë. Dhoma e Përfaqësuesve është pushim gjatë gjithë javës, duke ushtruar trysni mbi senatorët për miratimin e variantit të saj.

Jemi të përgatitur që ta shqyrtojmë në Senat dhe të sigurohemi që të premten qeveria të jetë e hapur. Por do të varet nga demokratët nëse kjo ndodh apo jo”, tha për median të martën udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, John Thune.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, arriti që të sigurojë mbështetje brenda ligjvënësve republikanë për miratimin e buxhetit afatshkurtër. Ai tha për shtypin se buxheti 7-mujor ishte një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të axhendës së Presidentit Trump për të eliminuar humbjet dhe abuzimet buxhetore përmes Departamentit të Efikasitetit në Qeveri, shkurtimisht DOGE.

Na lejon që të ecim përpara duke ndryshuar madhësinë dhe fushëveprimin e qeverisë federale. Në Uashington po ndodh një zhvendosje sizmike. Është një moment krejt ndryshe nga sa më parë. Detyra e DOGE është gjetja e abuzimeve masive, shpërdorimeve dhe abuzimit. Kemi një Shtëpi të Bardhë të përkushtuar për kthimin në një situatë të përgjegjshme fiskale”, tha zoti Johnson.

Por nga ana tjetër, kritikët dhe disa analistë thonë se DOGE pretendon për abuzime në shkallë të gjerë për të fituar mbështetje për shkurtimet e thella të programeve dhe zyrave federale.

Më herët të martën, Nënpresidenti JD Vance foli me ligjvënësit në Kongres për të siguruar mbështetje për buxhetin. Ligjvënësi Thomas Massie ishte i vetmi republikan kundër, pavarësisht thirrjes së Presidentit Trump në rrjetin “TruthSocial” se nëse ai votonte kundër do të përballej me sfidues në zgjedhjet e ardhshme për Dhomën e Përfaqësuesve.

Buxheti afatshkurtër u jep kohë ligjvënësve që të arrijnë kompromis për variantet e projektbuxhetit të Senati dhe Dhomës së Përfaqësuesve, një mjet kyç për vënien në jetë të axhendës së Presidentit Trump për politikën e brendshme.

Pikëpyetjet shtrohen rreth zbatimit të planit të Presidentit Trump të vitit 2017 për shkurtimin e taksave dhe pagesa e borxhit amerikan pa shkurtuar programet kryesore për amerikanët.

Donald Trump, Elon Musk dhe republikanët e Senatit e dinë se matematika e tyre për uljen e taksave të miliarderëve nuk do të funksionojë pa ulur këto përfitime jetike”, u tha gazetarëve të martën udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Udhëheqja e Senatit ka propozuar miratimin e shkurtimit të taksave përmes një projektligji të veçantë më vonë gjatë vitit.

Bota

Yulia Svyrydenko emërohet kryeministre e Ukrainës

Published

on

By

Kuvendi i Ukrainës e ka emëruar Yulia Svyrydenkon kryeministre të vendit, në kuadër të riformatimit më të më madh të kabinetit qeveritar në këtë shtet në vjetët e fundit, me qëllim të përmirësimit të menaxhimit në periudhë lufte.

Svyrydenko, 39-vjeçare, e ka marrë detyrën nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, me kërkesë për rritje të prodhimit të brendshëm të armëve dhe ringjallje të ekonomisë së Ukrainës, të varur në mënyrë të konsiderueshme nga kreditë.

Në fjalimin para Kuvendit, Zelensky ka thënë se pret që Qeveria të rrisë numrin e armëve që prodhohen brenda territorit dhe që brenda gjashtë muajve ato jenë të shpërndara në fushëbetejë te 50 për qind e ushtarëve.

Ai e ka përmendur edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me aleatët, si një prej synimeve kryesore të riformatimit më të madh qeveritar prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 2022.

Svyrydenko është teknokrate me përvojë, e cila ka shërbyer si zëvendëskryeministrja e parë e Ukrainës prej vitit 2021. Ajo është zotuar se do të veprojë “me shpejtësi dhe vendosmëri”.

Lufta nuk lë hapësirë për vonesa”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – dikur Twitter.

“Prioritetet tona për gjashtë muajt e parë janë të qarta: furnizime të qëndrueshme për ushtrnë, zgjerim të prodhimit të brendshëm të armëve dhe përforcim të kapaciteteve teknologjike për forcat tona mbrojtëse”.

Svyrydenko është e njohur brenda qarqeve të administratës amerikane, pasi ajo e ka negociuar marrëveshjen për qasjen e Shteteve të Bashkuara në minerale e rralla të Ukrainës.

Këto negociata konsiderohen kryesore në përforcim të marrëdhënieve në mes të Kievit dhe Uashingtonit.

Duke iu adresuar ligjvënësve të enjten, Zelensky ka thënë se do të ketë edhe marrëveshje tjera që do të arrihen me SHBA-në, por ka përmendur diçka specifike.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Continue Reading

Bota

Senati e kalon planin e Trumpit për shkurtimin e ndihmave amerikane në botë në vlerë 9 miliardë dollarë

Published

on

By

Me 51 vota pro dhe 48 kundër senatorët e kaluan kërkesën e Trumpit për të shkurtime në vlerë prej 9 miliardë dollarësh nga shpenzimet tashmë të miratuara nga Kongresi.

Shumica e shkurtimeve janë për programe që ndihmojnë vendet e huaja për t’i luftuar sëmundjet, luftërat dhe fatkeqësitë natyrore, por plani gjithashtu ndalon plotësisht 1.1 miliardë dollarët që Korporata për Transmetimet Publike do t’i merrte gjatë dy vjetëve të ardhshme.

Trump dhe shumë nga republikanët e tjerë argumentojnë se shpenzimet për transmetimet publike janë të panevojshme dhe e kritikojnë mbulimin e lajmeve të tyre si të njëanshëm.

Paketa të veçanta për anulime të fondeve nuk kanë kaluar prej dekadash, pasi ligjvënësit kanë hezituar ta dorëzojnë kontrollin kushtetues mbi shpenzimet. Por, republikanët e Trumpit, të cilët kanë shumicë të ngushtë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë treguar pak dëshirë për t’i kundërshtuar politikat e tij që nga fillimi i mandatit të dytë në janar.

Nëntë miliardë dollarët në fjalë përfaqësojnë një shumë goxha të vogël në krahasim me buxhetin federal prej 6.8 trilionë dollarësh, dhe janë vetëm një pjesë e vogël e fondeve të miratuara nga Kongresi që administrata Trump ka mbajtur pezull teksa synon shkurtime të mëdha, shumë prej të cilave të urdhëruara nga Departamenti për Efikasitetin Qeveritar (DOGE) i drejtuar nga miliarderi Elon Musk.

Sipas ligjvënësve demokratë, deri në mesin e qershorit, Trump kishte bllokuar 425 miliardë dollarë financime të miratuara më parë nga Kongresi.

Megjithatë, Trump dhe mbështetësit e tij kanë premtuar më shumë kërkesa për “anulim fondesh”, në përpjekje për ta tkurrur qeverinë federale.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin për anulimin e fondeve muajin e kaluar me 214 vota pro dhe 212 kundër, pa ndryshuar kërkesën e Trumpit. Katër republikanë iu bashkuan 208 demokratëve për të votuar kundër.

Por, pasi disa senatorë republikanë shprehën shqetësim për shkurtimet në programet globale shëndetësore, drejtori i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin, Russell Vought, tha të martën se PEPFAR, një program global për luftën kundër HIV/AIDS-it i nisur në vitin 2003 nga Presidenti George W. Bush, do të përjashtohej nga shkurtimet.

Ky ndryshim e uli shumën e shkurtimeve nga 9.4 miliardë në 9 miliardë dollarë, gjë që kërkon një votim tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve para se masa të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e Trumpit.

Anulimet e fondeve duhet të miratohen deri të premten. Përndryshe, kërkesa do të skadojë dhe Shtëpia e Bardhë do të detyrohet të ndjekë planet e shpenzimeve të miratuara nga Kongresi.

Dy nga 53 senatorët republikanë – Lisa Murkowski nga Alaska dhe Susan Collins nga Maine – iu bashkuan demokratëve në votimin kundër legjislacionit.

Nuk ke pse të shkatërrosh të gjithë Korporatën për Transmetimet Publike”, tha Murkowski në një fjalim në Senat.

Ajo shtoi se administrata Trump nuk kishte dhënë garanci që lufta kundër sëmundjeve si malaria dhe poliomieliti në mbarë botën do të vazhdojë. Mbi të gjitha, Murkowski tha se Kongresi duhet të ruajë rolin e tij në vendosjen e mënyrës se si shpenzohen fondet federale./REL

 

Continue Reading

Bota

Sulmi i Izraelit në Damask, reagon Presidenti i Sirisë: Nuk kemi frikë nga lufta

Published

on

By

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka thënë të enjten se mbrojtja e qytetarëve druzi dhe të drejtave të tyre është “prioriteti ynë”, derisa Izraeli u zotua se do t’i shkatërrojë forcat qeveritare siriane që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë.

Në fjalimin e tij të parë televiziv pas bombardimeve të fuqishme izraelite mbi Damask të mërkurën, Sharaa iu drejtua druzëve të enjten duke thënë se “ne e kundërshtojmë çdo përpjekje për t’ju tërhequr në duart e ndonjë pale të jashtme”.

Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. Ne e kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë, por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit”, tha ai.

Ai shtoi se populli sirian nuk ka frikë nga lufta dhe se është i gatshëm të luftojë nëse rrezikohet dinjiteti i tyre.

Sulmet ajrore izraelite shkatërruan një pjesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë dhe goditën pranë Pallatit Presidencial, pasi Izraeli u zotua se do t’i “shkatërrojë” forcat qeveritare që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë dhe kërkoi tërheqjen e tyre.

Bombardimet shënuan një përshkallëzim të madh nga ana e Izraelit kundër administratës së udhëhequr nga Sharaa. Ato ndodhën pavarësisht afrimit të Sharaas me SHBA-në dhe kontakteve të administratës së tij me Izraelin në fushën e sigurisë.

Duke përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë të maskuar dobët, Izraeli tha se nuk do t’i lejojë ata t’i zhvendosin forcat në jug të Sirisë dhe është zotuar se do ta mbrojë pakicën druzi në këtë pjesë të vendit nga sulmet, pasi u nxit edhe nga thirrjet e pakicës druzi brenda vetë Izraelit.

Ndërkohë, SHBA-ja tha se luftimet do të ndalen së shpejti.

Jemi pajtuar për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj gjendje situatë shqetësuese dhe të tmerrshme sonte”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën mbrëma.

Të mërkurën, zyrtarë të Qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druzi shpallën një armëpushim të ri pas luftimeve disaditore.

Autokolonat e forcave qeveritare filluan të tërhiqen nga qyteti i Suveidës, por nuk është ende e qartë nëse marrëveshja e re – e shpallur nga Ministria e Brendshme e Sirisë dhe nga një udhëheqës fetar druzi përmes një video-mesazhi – do të zbatohet.

Një armëpushim i mëparshëm i shpallur një ditë më parë dështoi shumë shpejt.

Sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.

Përshkallëzimi më i fundit në Siri nisi me rrëmbime dhe sulme hakmarrëse ndërmjet fiseve vendëse sunite beduine dhe fraksioneve të armatosura druzi në provincën jugore.

Forcat qeveritare që ndërhynë për të rivendosur rendin u përplasën më pas me forcat druzi.

Sekti fetar druzi u formua në shekullin e 10-të si një degë e ismailizmit, që është vetë një degë e Islamit shiit. Më shumë se gjysma e rreth 1 milion druzëve në botë jetojnë në Siri.

Pjesa tjetër jeton kryesisht në Liban dhe Izrael, përfshirë edhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli i mori nga Siria gjatë luftës së Lindjes së Mesme më 1967 dhe e aneksoi në vitin 1981.

Nuk janë publikuar të dhëna zyrtare për viktima që nga e hëna, kur Ministria e Brendshme siriane tha se ishin vrarë 30 njerëz.

Por, vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se deri të mërkurën në mëngjes janë vrarë mbi 300 njerëz, përfshirë katër fëmijë, tetë gra dhe 165 ushtarë e forca sigurie.

Continue Reading

Bota

Komisioni Evropian propozon buxhet prej 2 trilionë eurosh

Published

on

By

Komisioni Evropian e ka propozuar të mërkurën një buxhet prej 2 trilionë eurosh për Bashkimin Evropian për periudhën 2028–2034, duke vendosur theks të ri mbi konkurrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen.

Ky është një buxhet që i përgjigjet ambicies së Evropës, që përballet me sfidat e saj dhe që forcon pavarësinë tonë“, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para gazetarëve në Bruksel.

Buxheti është më i madh. Është më i zgjuar dhe më i mprehtë. Ai jep rezultate për qytetarët dhe bizneset tona, për partnerët tanë dhe për të ardhmen tonë“, shtoi ajo.

Komisioni tha se propozimi përfaqëson 1.26% të Prodhimit Kombëtar Bruto të Bashkimit Evropian me 27 vende anëtare, një matës i madhësisë së ekonomisë, krahasuar me 1.13% në buxhetin e tanishëm shtatëvjeçar.

Buxheti i ri duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare dhe të nënshkruhet nga Parlamenti Evropian.

Propozimi përfshin 451 miliardë eurosh për Fondin e ri të Konkurrueshmërisë Evropiane, i fokusuar në forcimin e industrisë së mbrojtjes, nxitjen e inovacionit dhe mbështetjen e tranzicionit të industrisë drejt energjisë së pastër në të gjithë bllokun.

Propozimi ndan 131 miliardë euro në veçanti për mbrojtjen dhe hapësirën, një rritje e pesëfishtë në krahasim me shkallën e tanishme, sipas komisionit.

Gjithashtu, parashikohen 302 miliardë euro për të mbështetur fermerët dhe të paktën 218 miliardë euro për rajonet më pak të zhvilluara të Evropës, si dhe 200 miliardë euro për programe globale.

Shumica e fondeve për buxhetin vijnë nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.

Megjithatë, komisioni propozoi disa mënyra për t’i rritur fondet drejtpërdrejt për buxhetin, përfshirë një taksë të re ndaj kompanive që bëjnë biznes në Evropë dhe që kanë një qarkullim vjetor neto mbi 100 milionë euro në një vend të BE-së.

Disa vende të BE-së dhe ligjvënës e kritikuan menjëherë këtë propozim.

BE-ja është e rëndësishme për mirëqenien tonë, por buxheti i propozuar është shumë i lartë“, tha ministri holandez i Financave, Eelco Heinen.

Parlamenti Evropian, nga ana tjetër, tha se propozimi i komisionit nuk ishte mjaftueshëm i madh.

Nuk mund të bëjmë më shumë me më pak. Prioritetet e reja kërkojnë burime të reja dhe duhura, jo shkurtime të prioriteteve ekzistuese“, tha Siegfried Mureșan, eurodeputet i qendrës së djathtë dhe negociator për buxhetin e ardhshëm të BE-së.

Debatet për buxhetin janë ndër më të vështirat në politikën e BE-së, sepse nxjerrin në pah ndarjet politike dhe ekonomike mes vendeve anëtare.

Bisedimet në muajt në vijim pritet të theksojnë tensionet politike mes përpjekjeve për të rritur financimet për prioritetet e reja dhe ruajtjen e investimeve tradicionale në bujqësi dhe zhvillim rajonal./REL

Continue Reading

Të kërkuara