Bota

Rutte thotë se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të sillte pasoja të mëdha për NATO-n

Published

on

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se një fitore e Rusisë kundër Ukrainës do ta minonte fuqinë parandaluese të aleancës më të madhe ushtarake në botë dhe do t’i kushtonte asaj triliona euro për ta rikthyer besueshmërinë.

NATO-ja është duke e rritur praninë përgjatë krahut lindor me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainës, pasi i ka dërguar atje mijëra trupa dhe pajisje për ta frenuar Moskën nga përhapje e luftës së saj edhe në territoret e ndonjërit prej 32 anëtarëve të aleancës.

Nëse Ukraina humb, atëherë për ta rikthyer fuqinë frenuese të pjesës tjetër të NATO-s, çmimi do të jetë shumë, shumë më i lartë sesa ai që po e shqyrtojmë në këtë kohë në lidhje me rritjen e shpenzimeve dhe të prodhimit tonë industrial”, tha Rutte.

Nuk do të jenë miliarda shtesë; do të jenë triliona shtesë”, shtoi ai, duke folur në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Rutte nguli këmbë se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet “të rrisin, e jo ta zvogëlojnë mbështetjen” që janë duke ia dhënë asaj, pothuajse tre vjet pas fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia.

Ne duhet ta ndryshojmë trajektoren e luftës”, tha Rutte, duke shtuar se Perëndimi “nuk mund të lejojë që në shekullin e XXI-të një shtet ta pushtojë një shtet tjetër dhe të përpiqet ta kolonizojë atë”.

Në Evropë është duke u rritur frika se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të kërkojë t’i japë fund shpejt luftës duke mbajtur bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në kushte që janë të pavolitshme për Ukrainën, por Rutte u duk i kujdesshëm për të mos i bërë gjërat me nxitim.

Nëse kemi marrëveshje të keqe, ajo do të nënkuptonte se do ta shihnim presidentin e Rusisë duke festuar me liderët e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës, dhe këtë nuk mund ta pranojmë”, tha ish-kryeministri holandez.

Ky do të ishte një gabim i madh gjeopolitik”, shtoi Rutte.

I dërguari i ri i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i kritikoi aleatët që flasin për vazhdimin e luftës dhe vijojnë të mos i rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes, sipas udhëzimeve të NATO-s.

Ai tha se amerikanët mendojnë se është “skandaloze” që administrata Biden nuk pranoi të bisedojë me Putinin.

Liderët e NATO-s kanë janë pajtuar që çdo shtet anëtar duhet t’i shpenzojë të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetet e tyre ushtarake.

Aleanca vlerëson se 23 vende do ta arrijnë këtë cak këtë vit, megjithëse pothuajse një e treta do të mbetet prapa. Polonia dhe Estonia shpenzojnë më së shumti në bazë të PBB-së.

Nuk mund t’i kërkoni popullit amerikan ta zgjerojë ombrellën e NATO-s, kur anëtarët e tanishëm nuk po paguajnë pjesën që u takon atyre”, tha Grenell.

Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj Putinit, për të cilin shpesh ka folur me admirim.

Më 22 janar, Trumpi, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, paralajmëroi Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” nëse nuk e ndalë shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.

Një ditë më herët, ai sugjeroi se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës.

Dhe më 20 janar, në ditën e parë pas marrjes së mandatit të ri, Trump tha se Putini po e “shkatërron” Rusinë duke mos pranuar të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022./REL/

Bota

Kremlini: Shpresojmë që raundi i ri i bisedimeve Rusi–Ukrainë të mbahet këtë javë

Published

on

By

Kremlini ka shprehur se raundi i ardhshëm i bisedimeve të rinovuara të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës shpresojnë të zhvillohet brenda kësaj jave, teksa përgatitjet për takimin po vazhdojnë.

Shpresojmë që bisedimet të zhvillohen këtë javë. Sapo të jemi gati, do të bëjmë një njoftim në lidhje me kohën“, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference për shtyp.

Megjithatë, Peskov theksoi se pala ruse nuk pret përparime të mëdha në këtë fazë, duke përmendur kompleksitetin e situatës në Ukrainë. Ai theksoi se edhe marrëveshjet për shkëmbimin e të burgosurve përbëjnë një arritje të rëndësishme në kontekstin aktual.

Zgjidhja për Ukrainën është shumë komplekse. Nuk presim ndonjë përparim të llojit të mrekullueshëm. Edhe marrëveshjet për shkëmbimin e të burgosurve janë tashmë një rezultat pozitiv“, u shpreh Peskov.

I pyetur për një afat kohor të mundshëm për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare, Peskov u shpreh se është e pamundur të bëhen parashikime në këtë fazë.

Nuk do të vlerësoja fare afatet kohore të mundshme. Varet nga shumë faktorë dhe çdo parashikim tani do të ishte i gabuar”, shtoi ai.

Deklaratat e Kremlinit vijnë pas njoftimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili tha të hënën në mbrëmje se një raund i ri bisedimesh midis Kievit dhe Moskës do të mbahet në Turqi të mërkurën.

Deri tani, janë zhvilluar dy raunde të bisedimeve të drejtpërdrejta paqeje në Stamboll, përkatësisht më 16 maj dhe më 2 qershor. Në takimin e fundit, palët ranë dakord për një shkëmbim të ri të të burgosurve, duke u fokusuar në kthimin e të rinjve, të plagosurve rëndë dhe të trupave të rreth 6.000 ushtarëve nga secila anë.

Continue Reading

Aktualitet

E papritur, Trump po e largon SHBA-në nga UNESCO-ja

Published

on

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump ka vendosur të tërheqë SHBA-në nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), pas një shqyrtimi të pjesëmarrjes amerikane në agjenci.

“Trump ka vendosur të tërheqë SHBA nga UNESCO – e cila mbështet kauza kulturore e sociale të zgjuara dhe përçarëse që janë në kundërshtim me politikat e shëndosha për të cilat votuan amerikanët në nëntor”, tha zëvendëszëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, për The New York Post.

“Ky President do ta vërë gjithmonë Amerikën në radhë të parë, dhe do të sigurojë që anëtarësimi i vendit tonë në të gjitha organizatat ndërkombëtare të jetë në përputhje me interesat tona kombëtare”, shtoi ajo.

Shqyrtimi i administratës identifikoi probleme me politikat e UNESCO-s për Diversitetin, Barazinë dhe Përfshirjen, dhe atë që e pa si një paragjykim pro-palestinez dhe pro-Kinë.

Ky veprim është një goditje për agjencinë me seli në Paris, e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore për të promovuar paqen përmes bashkëpunimit ndërkombëtar në arsim, shkencë dhe kulturë.

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Refugjatët ndajnë përvojat e tyre jetësore me studentët e UBT-së në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë

Published

on

Në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, UBT mirëpriti një aktivitet të veçantë, në të cilin studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të dëgjojnë rrëfime autentike nga persona që kanë përjetuar realitetin e të qenurit refugjatë.

Të ftuarit, të cilët ishin pjesë e programit mbështetës të organizatës JRS (Jesuit Refugee Service), ndanë historitë e tyre personale – duke folur për vendet prej nga vijnë, për sfidat dhe vështirësitë me të cilat janë përballur gjatë rrugëtimit të tyre për të gjetur siguri, si dhe për përvojën e tyre me JRS që nga momentet e para të largimit nga vendlindja.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur, të ngrohtë dhe miqësore, ku zërat e refugjatëve u dëgjuan me vëmendje, ndjeshmëri dhe respekt të thellë nga ana e studentëve dhe stafit të UBT-së. Përmes këtij dialogu të drejtpërdrejtë, pjesëmarrësit patën mundësinë të kuptojnë më thellë aspektet humanitare, psikologjike dhe sociale të krizave të migrimit dhe sigurisë globale.

Ky aktivitet kontribuoi në ndërtimin e empatisë, ndërgjegjësimit ndërkulturor dhe edukimit qytetar, duke shërbyer si një platformë e fuqishme për të nxitur reflektim mbi përgjegjësinë kolektive për të mbështetur të drejtat dhe dinjitetin e çdo individi.

Fotografitë e huazuara nga: JRS Kosovo 

Continue Reading

Bota

Vajza katërvjeçare vdes nga uria në Gaza

Published

on

Katërvjeçarja, R.Z  ka ndërruar jetë ditë më parë në një spital në Gazën qendrore nga ndërlikimet e shkaktuara nga uria dhe kequshqyerja, raporton CNN.

Nëna saj ka theksuar se para luftës, ajo ishte plotësisht e shëndetshme, por pas luftës, shëndeti i saj filloi të përkeqësohej për shkak të kequshqyerjes.

“Ne nuk kemi asgjë për ta forcuar atë”, ka thënë nëna e vajzës.

Sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, të paktën 76 fëmijë dhe dhjetë të rritur kanë vdekur nga kequshqyerja në Gaza që nga fillimi i konfliktit në tetor 2023.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e këtyre vdekjeve ndodhën pasi autoritetet izraelite shtrënguan bllokadën në fillim të marsit.
Vajza ishte një nga të paktën katër fëmijët që vdiqën në tre ditët e fundit, përfshirë një foshnjë tre muajshe. Gaza ka regjistruar 18 vdekje të lidhura me urinë në 24 orët e fundit, duke reflektuar një krizë humanitare në thellim, sipas ministrisë së shëndetësisë.

“Fytyrat tona po ndryshojnë, trupat tanë po tkurren. Jemi të panjohshëm nga lodhja, sikur po veniten dhe po vdesim ngadalë”, tha një anëtar i ekipit të Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut nga Gaza.

Continue Reading

Të kërkuara