Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se institucionet e sigurisë në Kosovë janë të vetëdijshme për qëllimet e politikës së Serbisë dhe të përgatitura për çdo skenar të mundshëm, pas tensioneve të krijuara pas arrestimit të zyrtarit serb Igor Popoviq.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, sidomos të institucioneve të tyre. Nuk është që gjithmonë kanë qenë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë”, tha Hoxha.
Ai shtoi se gjendja e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës është e qetë dhe stabile, me përjashtim të pjesës veriore, ku vazhdon të ketë tensione për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë nga Beogradi përmes grupeve kriminale dhe ekstremiste.
“Situata e sigurisë është e qetë dhe stabile, përveç veriut të vendit, ku vazhdon të jetë e brishtë. Ky destabilitet është pasojë e ndërhyrjeve të politikës së Serbisë, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes grupeve kriminale dhe ekstremiste, nxit tensione në atë pjesë të territorit tonë,” tha ai.
Deklaratat e Hoxhës vijnë pas komenteve të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pas arrestimit të Popoviqit, paralajmëroi se “Serbia do të përgjigjet ashpër”, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “po kërkon konflikt dhe po e dërgon rajonin drejt destabilizimit”.