Lajmet

Vaksina kundër HPV-së, kërkohet më shumë informim për prindërit mbi rëndësinë e saj

Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve intime dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur.

Published

on

Vaksina kundër virusit Human Papiloma (HPV), ka filluar të aplikohet në Kosovë për vajzat e klasave të gjashta qe nga shkurti, por ajo nuk po përfillet si duhet në mungesë të informimit të mjaftueshëm të prindërve mbi rëndësinë e saj. Në QKUK thonë se vaksinimi kundër HPV-së është i rëndësishëm, derisa nga komuna e Prishtinës thonë se deri më tash janë vaksinuar gjithsej 120 nxënës në tri shkolla.

Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve intime dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës, andaj vaksina kundër këtij virusi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave. Për momentin në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë vetëm klasat e gjashta në marrjen e kësaj vaksine.

Gjinekologia pranë Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK), Pranvera Zejnullahu tregon për rëndësinë e kësaj vaksine, pasi me këtë fitohet imuniteti te vajzat dhe parandalohet paraqitja e formave para-kanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës.

“Pikë së pari, e di që është fillimi i vaksinimit dhe ka shumë pak informacione. Duhet të them se infeksioni me HPV është infeksioni më i shpeshtë në të gjithë botën, në kuadër të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Besohet që gjatë jetës, mbi 80 për qind, gjatë jetës e marrim një herë këtë virus. Disa tipa të viruseve që quhen tipa onkogjenike ose me risk të lartë, janë dokumentuar dhe shkencërisht të vërtetuar që janë shkaktarë kryesorë të tipave të caktuara të kancerit, posaçërisht te gratë në kancerin e qafës së mitrës, vagjinës, por nuk përjashtohen edhe karcinomat të tjerë te djemtë, tek organet gjenitale mashkullore, gjithashtu të gojës dhe të faringut… Është me rëndësi të vaksinohen kundër HPV, sepse duke marrë këtë vaksinë, ne bëjmë një imunitet të fituar te vajzat, por ka edhe shtete të caktuara që vaksinojnë edhe djemtë dhe në të cilën pastaj mundohemi që të parandalojmë paraqitjen e formave para-kanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës. Kjo është tendenca për të paralajmëruar sëmundje para-kanceroze dhe kanceroze që shkaktohen nga tipat onkogjene të këtij virusi”, tha Zejnullahu.

Drejtori komunal i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku ka bërë të ditur se deri më tani janë vaksinuar gjithsej 120 nxënës të klasave të gjashta në tri shkolla.

“Human Papilloma Virus është një vaksinë, e cila mbron infeksionin nga HPV, i cili është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës. 99 për qind të kancerit të qafës së mitrës te femrat e shkakton ky virus, ndërsa kanceri i qafës së mitrës sot vazhdon të jetë kanceri i dytë në nivel global te femrat pas kancerit të gjirit, ndërsa në vendet e zhvilluara është kanceri numër një. Kjo vaksinë mbron mbi 90 për qind nga infeksioni me këtë virus. Ne kemi filluar para një jave në Prishtinë dhe janë vaksinuar 120 nxënës të tri shkollave. 1:39 Ne nuk kemi pasur doza për përfshirjen edhe të fëmijëve të tjerë, do të përfshihen vetëm klasat e gjashta. 01:53 Qëllimi i vaksinimit është vaksinimi para periudhës seksualisht jo aktive të femrave, duke parasysh se ajo krijon një imunitet dhe pastaj kur të hyni në jetën aktive seksuale të keni mbrojtje ndaj kësaj sëmundjeje”, ka thënë Sadiku.

Sekretari i Këshillit të prindërve, Enver Balaj, thotë se prindërit nuk kanë informacione të mjaftueshme rreth vaksinës HPV. Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet të shqyrtojnë mundësinë e vaksinimit të të gjithë fëmijëve për shkak të kontrolleve mjekësore të pamjaftueshme.

“Jam në dijeni dhe shumë pak kam informacione rreth vaksinës HPV, por mendoj që është shumë e domosdoshme të vaksinohen të gjithë fëmijët tonë edhe me HPV dhe kundër hepatitit C. 00:38 Te ne në Kosovë nuk ka shumë kontrolle. Mendoj që shumë e rrugës do të ishte ndërmarrja e një iniciative në këtë lëmi. 00:58 Kishte qenë mirë që Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë të ndërmarrin një iniciativë për të shqyrtuar mundësinë për t’i vaksinuar të gjithë fëmijët e Kosovës, sepse te ne nuk ka kontrolle, as prindërit nuk kanë, as fëmijët. Është shumë e rrugës të ndërmerret kjo iniciativë dhe të veprohet diçka në këtë lëmi”, është shprehur ai.

Edhe drejtori i shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, Ismet Gashi, thotë se prindërit kanë mungesë të informimit mbi vaksinën kundër HPV-së, në mënyrë që ata ta kuptojnë rëndësinë e saj. Ai thotë se me Qendrën familjare në Fushë Kosovë janë dakorduar që të bisedojnë serish me prindërit në lidhje me këtë çështje.

“Vaksinimi është kryer para një jave, mirëpo është një numër i vogël i nxënësve pasi kanë hezituar të marrin këtë vaksinë. Ndoshta ka qenë edhe një mungesë e informimit të mjaftueshëm qoftë përmes mediave apo formave të tjera të informimit që ata ta kuptojnë peshën dhe rëndësinë e kësaj vaksine. Krejt qëllimi është që të mbrohet shëndeti i fëmijëve tanë. 07:57 Dilema ka qenë gjithherë dhe është një propagandë negative, e cila menjëherë i ka frikësuar pak sado kjo mëdyshje pastaj ka mbetur pezull dhe ata kanë hezituar të marrin këto vaksina. Ndoshta mungesa e mjaftueshme e profesionalizmave që të na bindin se vërtet ka rëndësi dhe vlerë kjo vaksinë. Të gjitha paralelet, por një grup i vogël i nxënësve në disa paralele kanë hezituar të marrin vaksinën… Kam biseduar edhe me drejtorin e Qendrës familjare në Fushë Kosovë dhe jemi dakorduar që pas dy-tri javësh edhe njëherë do të bashkëbisedojmë me prindër”, tha Gashi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për vaksinim kundër HPV-së për ta parandaluar kancerin e qafës së mitrës dhe sëmundjeve tjera. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vaksinat kundër HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Vendi

UBT feston fundvitin 2025 duke nderuar përkushtimin dhe sukseset e përbashkëta

Published

on

UBT organizoi ceremoninë tradicionale të fundvitit 2025, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment të veçantë mirënjohjeje dhe falënderimi për angazhimin dhe për të shënuar sukseset e përbashkëta të këtij viti akademik.

 “UBT është një institucion që ndërtohet mbi përkushtimin, inovacionin dhe besimin në dije. Çdo vit që përmbyllim është një dëshmi e rrugëtimit tonë të përbashkët dhe e guximit për të menduar përtej kufijve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e certifikatave të mirënjohjes për stafin që ka shërbyer me përkushtim për 10 dhe 20 vjet në UBT. Me duartrokitje të gjata, u nderuan profesionistët që për më shumë se një dekadë kanë kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e institucionit, ndërsa një vlerësim i posaçëm iu nda Murat Retkocerit, për 20 vite angazhim dhe besnikëri institucionale.

Në mesin e të nderuarve për 10 vite përkushtim u përfshinë:
Alfred Marleku, Bekim Selimi, Beni Kizolli, Blerta Vula Rizvanolli, Blerton Abazi, Dafina Tmava, Ferid Selimi, Gent Hasimja, Gezim Radoniqi, Hysen Ahmeti, Ilir Zylfiu, Mirlinda Jashanica Gashi, Safete Veliu Rexhepi, Saranda Demolli, Sema Kazazi Karahoda, Valon Hoti dhe Visar Krelani.

Nën organizimin e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, studentët dhe profesorët e UBT-së sollën performanca të kuruara me profesionalizëm, duke dëshmuar talentin, kreativitetin dhe energjinë rinore që e karakterizon universitetin. Interpretimet muzikore dhe prezantimet artistike krijuan një atmosferë të veçantë festive, duke e shndërruar sallën në një hapësirë frymëzimi dhe gëzimi kolektiv.

Ceremonia e fundvitit 2025 u mbyll me mesazhe bashkimi, falënderimi dhe optimizmi për vitin që vjen, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së për të vazhduar rrugën e ekselencës akademike dhe inovacionit. Ky vit shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm në historinë e institucionit, çerek shekulli nga themelimi i UBT-së, si dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vizionit afatgjatë të tij.

Continue Reading

Lajmet

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Rajoni

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara