Lajmet

Çka janë yndyrat e mira?

Por, çfarë është yndyra?

Published

on

Ushqimi juaj duhet të jetë i pasur me acidet Omega 3 që gjendet te produkte si peshku, lakrat e vogla apo spinaqi.

Tregjet janë plot e përplot me ushqime pa yndyrë. Gjatë të gjithë kohës jemi të bombarduar me mesazhet se yndyra na bën keq. Por, çfarë është yndyra? Përse kemi nevojë për të? A mund të jetojmë pa të? A duhet ta shmangim me çdo mënyrë? Për këto pyetje e shumë të tjera, AgroWeb ju jep përgjigje më poshtë:

Fakte interesante për yndyrnat

1. Një i rritur ka mbi 50 miliardë qeliza yndyrore në organizëm, që do të thotë se ka më shumë qeliza yndyrore në trupin e një njeriu, se sa njerëz në të gjithë planetin tonë.
2. Qelizat yndyrore ekzistojnë në të gjitha pjesët e trupit tonë përveç se tek qepallat, truri dhe në disa zona të ezofagut.
3. 1 gram yndyrë përmban 9 kalori dhe si rrjedhojë është përbërësi më kalorik që ne konsumojmë në krahasim me alkolin përshembull, që përmban 7 kalori për çdo gram, ndërkohë që proteina përmban vetëm 4 kalori.
4. Shumë prej njerëzve shtojnë mesatarisht një gram yndyrë çdo ditë, gjë që shpjegon më së miri përse moshat e mesme janë më të shëndoshë.
5. Qelizat yndyrore kanë një jetëgjatësi mesatare prej 10 vjetësh dhe çdo një sekondë 150 prej tyre, shuhen.

Yndyrnat e dëmshme

Duke lënë mënjanë faktet interesante, mungesa e yndyrnave, ose më saktë acideve yndyrore mund të çojë në dëme të pariparueshme për organizmin tonë, duke shkaktuar shqetësime të mëdha në metabolizëm. Ne përballemi me yndyrnat e këqija dhe ato të mira. Disa prej yndyrnave të këqija dhe veçanërisht yndyrnat trans, ose ato të ngopura ndikojnë negativisht në organizmin tonë. Yndyrnat e ngopura gjenden kryesisht tek produktet blegtorale, mishi dhe nënproduktet e qumështit. Mishi i viçit, i derrit, i qengjit, mishi i pulës dhe lëkura e shpendëve, qumështi me yndyrë të plotë, djathi, akullorja, vajrat tropikale (vaji i arrës së kokosit, vaji i palmës, gjalpi i kakaos) dhe dhjami i derrit janë burime të këtyre yndyrnave.

Yndyrnat e ngopura janë shkaktare të rritjes së nivelit të kolesterolit në gjak, që rrit gjasat e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2. Ushqimet që përmbajnë pjesërisht vajra vegjetalë të hidrogjenizuar kanë nivel shumë të lartë të yndyrnave trans. Këto janë yndyrnat më të këqija për organizmin tënd. Yndyrnat trans gjenden në ushqimet e skuqura, margarina, ëmbëlsirat, ushqimet e përpunuara, siç janë kokoshkat që përgatiten në mikrovalë etj. Ashtu si në rastin e yndyrnave të ngopura, yndyrnat trans mund të rrisin kolesterolin dhe të mbajnë nën fre nivelet e kolesterolit të mirë. Yndyrnat trans trefishojnë shanset që ju të prekeni nga sëmundjet e zemrës në krahasim me yndyrnat e ngopura.

Yndyrnat e mira

Tani i vjen rradha yndyrnave të mira. Njihen ndryshe si yndyrnat e pangopura, që janë të dobishme për ta mbajtur organizmin të shëndetshëm dhe plot energji.

Ngrënia e ushqimeve të pasura me yndyrna mono-të-pangopura dhe polio-të-pangopura ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës, përmirëson nivelet e kolesterolit në gjak, nivelet e insulinës dhe ekuilibron nivelet e sheqerit. Këto yndyrna janë të dobishme për organizmin, por ky i fundit nuk i prodhon ato. Megjithatë, nuk është e nevojshme që të shkoni në farmacinë më të afërt për të marrë pilulat që mendoni se ju nevojiten. Keni shumë ushqime që mund t’ju japin sasinë e nevojshme të këtyre yndyrnave, mjafton që t’i bëni pjesë të dietës suaj. Yndyrnat mono-të-pangopura ose Omega 9 mund t’i gjeni tek avokadot, ullinjtë, arrorët dhe gjalpi natyral i kikirikut. Këto yndyrna i japin trupit dhe sistemit imunitar një ndihmë të madhe.

Yndyrnat polio-të-ngopura njihen ndryshe si Omega 3 dhe acidet yndyrore Omega 6. Acidet yndyrore Omega 6 gjenden tek vajrat vegjetalë që ne i konsumojmë me bollëk. Këshillohet që ushqimi juaj të jetë më e pasur me acidet Omega 3 që gjendet tek produkte si peshku (burimi më i mirë i Omega 3) salmoni (veçanërisht ai i egri) harenga, skumbria, sardelja, goca e detit, toni, trofta e liqenit, vaji i peshkut, farat e linit, arrat, algat e detit dhe suplementet e saj, lakrat e vogla, kale, spinaqi dhe majdanozi.

Acidet yndyrore Omega 3 luftojnë inflamacionin, mbajnë nën kontroll mpiksjen e gjakut, ulin tensionin e gjakut dhe trigliceridet. Konsiderohen si një kampion i vërtetë mes acideve yndyrore.

Siç mund ta shikoni, kur vjen puna tek yndyrat, gjithçka vërtitet rreth konsumimit të ushqimit të duhur. Për fat të mirë, ushqimi shqiptar me bazë vaj ulliri organik, arra, peshk dhe perime të gjelbra është perfekte për të mbajtur një ekuilibër të acideve yndyrore në trup. Tani që e dini që nuk keni përse të keni frikë nga yndyra mos hezitoni të përfitoni gjithçka që mundeni nga ato më të shëndetshmet.

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara