

Lajmet
PE miraton rezolutën për Kosovën
Teksti i kësaj rezolute u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiParlamenti Evropian (PE) ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës.
Teksti i kësaj rezolute, u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.
Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.
Në tekstin e rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.
“Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës, në të cilën u bëhet ftesë të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që deri më tani nuk e kanë dënuar këtë sulm, ta bëjnë një gjë të tillë.
Përmes rezolutës së PE-së u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë në uljen e tensioneve, të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të veprojnë në zbardhjen e të gjitha fakteve lidhur me sulmin në Banjskë.
“Bëjmë ftesë që BE-ja të mbështesë hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e [misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit] EULEX-it, duke nënvizuar rëndësinë që kryesit e këtyre sulmeve të mbahen përgjegjës dhe të përballen me drejtësinë pa vonesa. Ftohen autoritetet e Kosovës që të paraqesin të gjitha dëshmitë lidhur me incidentin, Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë”, thuhet në tekstin e rezolutës të votuar nga deputetët evropianë.
Teksti i rezolutës po ashtu i bën ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.
“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, përfshirë por jo edhe të kufizuara, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Millan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit në Banjskë. Ai veçse gjendet nën sanksione të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar nën dyshime për krim të organizuar.
PE-ja, përmes kësaj rezolute, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen.
Po ashtu, kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.
“Bëhet ftesë për autoritetet në Serbi dhe mediat që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrim etnik’ apo ‘pogrom’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi”, thuhet në rezolutë.
Përmes kësaj rezolute po ashtu bëhet ftesë për një rol më pro-aktiv të BE-së në dialogun për normalizimin e raporteve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit – të arritur më herët gjatë vitit – përderisa shprehet keqardhje për rinisjen e fushatës nga Serbia për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe pengesave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nga Kosova kërkohet që të ketë dialog me serbët në Kosovës dhe të organizojë sa më shpejt zgjedhje të reja lokale në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në disa pika të kësaj rezolute shprehet keqardhje për sjelljen e autoriteteve të Serbisë, të udhëhequra nga presidenti Aleksandar Vuçiq, që sipas eurodeputetëve, destabilizojnë tërë rajonin.
Përmes kësaj rezolute, po ashtu kërkohet që të largohen masat ndëshkuese që BE-ja vendosi ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri, që nisën në fund të majit.
“Shprehim keqardhje për masat negative të cilat Këshilli ka ndërmarrë ndaj Kosovës dhe kërkojmë që ato të hiqen sa më parë që të jetë e mundur. Kërkohet nga Këshilli dhe Komisioni Evropian që të rifillojnë kontaktet e nivelit të lartë me presidenten dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në tekstin e rezolutës së miratuar.
Po ashtu, eurodeputetët kërkojnë që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.
“Rikujtojmë se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 janari i vitit 2024”, thuhet në tekst.
Eurodeputetët po ashtu dënojnë përpjekjet e Rusisë për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçmas në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkohet që të hetohet roli i mundshëm i Rusisë në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar më herët se po hetohet roli i mundshëm i Rusisë në këtë sulm./REL
Lajmet
Sërish s’ka konstituim të Kuvendit, Nisma pret sinjal pozitiv nga LVV-ja
Published
6 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për të 49-tën herë me radhë për të konstituuar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Seanca e së shtunës u mbajt mes paralajmërimeve se më vonë gjatë ditës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohet me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për dalje nga ngërçi politik.
Seanca e radhës do të mbahet më 21 korrik në orën 11:00.
Para seancës, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që sot të ndodhë takimi dhe të ketë vullnet poliitk nga Kurti.
“Ne presim që sot të zhvillohet takimi. Jemi në afatet e fundit kushtetuese. Unë pres një sinjal pozitiv nga ky takim, që besoj që sot do të ndodhë, dhe vulllnet politik nga lideri i LVV-së”, tha ajo për gazetarët.
Sipas Izmakut, partia e saj pret që Limaj të bëhet kryeparlamentar dhe LVV-ja të udhëheqë Qevernë.
Ajo tha se nuk ka ofertë tjerët, por shtoi se kjo është alternativa e vetme që vendi të dalë nga ngërçi dhe shteti të ketë institucione.
Izmaku po ashtu pretendoi se Limaj ka mbështetjen edhe të deputetëve e partive të tjera.
Deputeti nga AAK-ja, Lah Brahimaj, para nisjes së seancës pretendoi se Nisma, LVV-ja dhe Lista Serbe veçse kanë një marrëveshje në parim. Ai tha se kjo mbështetet në sjelljen e tyre, pasi pas çdo dështimi të seancës, deputetët e Nismës, LVV-së dhe Listës Serbe lëshojnë sallën plenare, ndërkaq partitë e tjera jo.
Sipas tij, AAK-ja nuk ka vota për Limajn kryeparlamentar.
Nga PDK-ja kishte qëndrime të ndryshme para nisjes së seancës. Nait Hasanaj tha se nuk do ta votonte Limajn për kryeparlamentar, por Fadil Nura tha se partia e tij ka interes që vendi të ketë institucione sa më shpejt.
“Shpresoj që PDK-ja do t’ia japë voton Fatmir Limajt”, tha ai.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
LVV-ja, si parti fituese e zgjedhjeve, e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kryeparlamentarit, e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të organit ligjvënës. Megjithatë, Haxhiu është konsideruar si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja që kanë kërkuar nga LVV-ja të ndryshojë propozimin, ndërkaq LDK-ja ka thënë se nuk do të votojë asnjë emër të partisë fituese për këtë post.
Lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka obliguar deputetët që brenda 30 ditësh – deri më 26 korrik – të zgjedhin kreun e ri të Kuvendit dhe më pas të votojnë nënkryetarët, duke përmbyllur kështu konstituimin e organit ligjvënës.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se partia e saj qëndron në kërkesën që Limaj të zgjidhet kryeparlamentar.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.
“Por, nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja. Situata është e paparashikueshme”, ka thënë mes tjerash ajo.
Teksa afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese po afrohet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët gjatë javës paralajmëroi se nëse këto ditë nuk konstituohet Kuvendi, atëherë javën e ardhshme e para e shtetit do t’i drejtohet Kushtetueses.
Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë argumentojnë se ndryshimi i votimit nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, për kryeparlamenetarin – nga i hapur në të mbyllur – është jokushtetues. Por, LVV-ja argumenton të kundërtën.
LVV-ja kërkon që për Albulena Haxhiun të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.
Lajmet
Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona
Published
8 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi u arrestua të premten në pikën kufitare të Bërnjakut.
Arrestimi i Popoviqit vjen pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur “organizatë terroriste” dhe duke krahasuar veprimet e saj me ato në Rripin e Gazës. Fjalimi u mbajt në një ceremoni përkujtimore.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ndaj Popoviqit është iniciuar procedurë për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”, ndërsa gjatë ndalimit i janë sekuestruar edhe dy telefona.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se “institucionet e sigurisë nuk do të tolerojnë ofendimet dhe shtrembërimet e historisë së Kosovës”, duke shtuar se ndaj Popoviqit do të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndërkohë, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”, Petar Petkoviq, reagoi duke e cilësuar arrestimin si “të padrejtë” dhe pretendoi se Popoviq “vetëm tha të vërtetën”./BetimipërDrejtësi
Lajmet
14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj
Published
8 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Policia e Kosovës ka ndaluar një të mitur 14-vjeçar në Ferizaj, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe posedim të sprejit, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Sipas njoftimit zyrtar, reagimi i policisë erdhi pas marrjes së një informacioni se një person i mitur po mbante me vete armë zjarri dhe sprej. Njësia policore ka ndërhyrë menjëherë, ka identifikuar të dyshuarin dhe e ka ndaluar në vendngjarje.
Gjatë kontrollit fizik, tek i mituri janë gjetur një armë zjarri pa fishekë dhe një sprej, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit kujdestar, 14-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetimet do të vazhdojnë.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të tillë për të garantuar sigurinë publik.
Lajmet
Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit
Published
8 hours agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të dyzet e nëntë herë (49), në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë duke filluar nga ora njëmbëdhjetë.
Vazhdimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj pesë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Vazhdimet e deritanishme të seancës për konstituimin e legjislaturës së re kanë dështuar pasi koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.
Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.

Sërish s’ka konstituim të Kuvendit, Nisma pret sinjal pozitiv nga LVV-ja

Raportohet për të paktën 26 të vrarë në Gazë

Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona

14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj

Trump nënshkruan projektligjin historik për kriptovalutat

Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit

Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit

Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT

UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore