Lajmet

Hovenier: ShBA beson në Lajçakun dhe Borrellin si ndërmjetësues të dialogut

Ai tha se zbatimi i marrëveshjes së bazike dhe aneksit të saj nga të dyja palët, mbetet pritshmëri e ShBA-së.

Published

on

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen ndaj Bashkimit Evropian si ndërmjetësues të dialogut. Mbështetje konkrete ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i dha sot (e mërkurë) edhe ndërmjetësve evropianë të dialogut, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Në samitin e Paqes dhe Demokracisë (KDPS), Hovenier tha se vetëm normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi i sjell dy vendet më pranë institucioneve trans-atlantike. Derisa theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e shohin dialogun e lehtësuar nga BE si më të mirën dhe si të vetmen mënyrë për të avancuar dhe arritur integrimin e plotë evropian dhe paqe e prosperitet të qëndrueshëm në rajon.

E siç tha ai, zbatimi i marrëveshjes së bazike dhe aneksit të saj nga të dyja palët, mbetet pritshmëri e ShBA-së.

“Ne po përpiqemi të mbështesim secilin vend këtu për t’u transformuar, për t’u bërë një kontribues i sigurisë dhe jo një burim problemesh dhe destabiliteti. Kjo do të thotë se do të vazhdoni të shihni mbështetjen e plotë amerikane për dialogun e lehtësuar nga BE. ShBA ka besim të plotë në Bashkimin Evropian, në lehtësimin e saj të dialogut, dhe se ShBA ka besim të plotë te përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike. Dhe, këtu nuk dua të flas me fjalë. Është e rëndësishme për të gjithë akterët në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë ‘poker’ me letrat që u janë shpërndarë. Dhe për të mbajtur parasysh këtë vizion që punon drejt marrëdhënies së normalizimit, duke punuar drejt zbatimit komplet dhe të plotë të [marrëveshjes së] Ohrit dhe aneksit të zbatimit të saj nga të dyja palët që është pritshmëria jonë, zbatimi i plotë nga të gjithë, është rruga përpara, e sjell Kosovën shumë më afër këtij vizioni që ne ndajmë për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, tha Hovenier, dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtoi akuza ndaj Lajçakut, që e cilësoi si ndërmjetësues të njëanshëm.

Ai theksoi se ShBA-ja dhe vendet transatlantike e mbështesin paqen dhe angazhohen për të, sikurse bën në Bosnje dhe në Kosovë, porse shtoi se njerëzit e rajonit duhet të jenë udhëheqës në avancimin e vziionit të tyre.

“Unë kam qenë dëshmitar i dorës së parë i fuqisë, kapacitetit të aleancave transatlantike dhe strukturave evropiane dhe partneriteteve që ne ndërtuam së bashku kur mobilizuam forcat tona për t’i dhënë fund spastrimit etnik apo dhunës në Bosnje apo këtu në Kosovë. Herë pas here, pa pushim, Aleancat Translatike, angazhimi diplomatik, veprimet e NATO-s, aktiviteti dhe vendimet e BE-së janë dëshmuar në elementë thelbësorë dhe të rëndësisë kritike të angazhimit të diplomacisë dhe sigurisë në ndjekjen e paqes. Por ne nuk mund ta arrijmë këtë, ne mund ta mbështesim atë, ne mund ta lehtësojmë atë, por njerëzit e rajonit duhet të jenë udhëheqës në shikimin dhe avancimin e vizionit të tyre dhe ne jemi të gatshëm të qëndrojmë plotësisht në mbështetje të një vendi të fuqishëm dhe kuptimplotë”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet në institucionet evropiane dhe transatlantike.

“Procesi zyrtar i anëtarësimit në BE është duke u zhvilluar për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Këto janë ndryshime. Dhe ndërsa sfida kryesore aktuale për arritjen e këtij vizioni të një Evrope krejtësisht të lirë dhe në paqe, që përfshin Ballkanin Perëndimor në opinionet tona, padyshim që lufta brutale e gjithanshme që Putin po bën tani për Ukrainën, siç e thashë tashmë në fjalim, Ballkani Perëndimor mbetet një element thelbësor, jo vetëm kritik, por absolutisht thelbësor i vizionit. Evropa nuk është e tërë pa Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të qartë. Pra, ndërsa ky rajon është qartësisht pjesë qendrore e Evropës, sot jam po aq i sigurt sa kam qenë ndonjëherë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet në institucionet evropiane dhe transatlantike”, vijoi ai.

Edhe pse sfidat e sigurisë dhe politike sot nuk ndihen si në epokën e Millosheviqit, Hovenier theksoi se një dështim për të arritur marrëdhënie të normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë është dhe mbetet pengesë e madhe për avancimin e rajonit.

“Qëllimi i SHBA-së mbetet shumë, shumë i qartë, kjo marrëveshje aktuale, kjo përpjekje për të avancuar marrëdhëniet e normalizuara është një hap i përkohshëm drejt një qëllimi eventual të njohjes reciproke mes këtyre dy vendeve, kjo duhet të ndodhë, nuk mund të keni paqe të qëndrueshme pa të. Por një dështim për të avancuar, një dështim për të arritur marrëdhënie të normalizuara është dhe mbetet një pengesë e madhe për avancimin e këtij rajoni në institucionet evropiane dhe euroatlantike me të gjitha pasojat shoqëruese, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për rajonin”.

Ambasadori amerikan u shpreh se janë duke punuar shumë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë, që të kenë të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Sipas tij, ShBA-ja pret që ta sheh Kosovën “të zërë vendin e saj të merituar, si një vend i mesëm i vogël i Ballkanit Perëndimor, vend që njihet nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar për atë që është, një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran, kjo është e padiskutueshme”.

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara