Lajmet
Grafitet kundër Kosovës, ekspertët: Luftë speciale e Serbisë
Së fundmi, shumë rrugë të Serbisë janë mbushur me grafitë ku shkruhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Published
2 years agoon
By
UBT newsTë rrezikshme po konsiderohen grafitet në Serbi që bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Si të tilla vlerësohet se janë produkt i bashkëpunimit të ekstremit të djathtë dhe organeve serbe të sigurisë. Ekspertët e sigurisë thonë se grafitet që së fundmi janë shfaqur në masë të madhe në Serbi, kanë përmbajtje nacionaliste, ekstremiste dhe bëjnë thirrje për dhunë.
Së fundmi, shumë rrugë të Serbisë janë mbushur me grafitë ku shkruhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”. Për herë të parë ky slogan është parë në një ndeshje futbolli, në të cilën ka marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Hulumtuesi i lartë në Institutin “Octapus”, Taulant Elshani thotë se këto mesazhe janë produkt i bashkëpunimit të ngushtë të ekstremit të djathtë dhe organeve serbe të sigurisë.
“Përmes këtyre grafiteve po mendohet të tregohet se gjoja është zëri i lirë ose një shprehje e lirë e qytetarëve. Por në fakt ne mendojmë që është një bashkëpunim i ngushtë i ekstremit të djathtë dhe organeve serbe të sigurisë. Kjo është produkt absolutisht i këtij bashkëpunimi… Ideja e këtyre grafiteve është që të ndikohet në opinionin publik, që të ndikohet në psikologjinë kolektive”, thotë ai.
Madje, ai i konsideron si rrezik këto thirrje në Serbi, për çka shton se ndikojnë edhe në nxitje të urrejtjes.
“Padyshim që paraqesin rrezik, sepse nxisin. Vet përmbajtja e mesazhit është nxitja e urrejtjes. Nëse lexoni dhe shikoni, analizoni me kujdes ato mesazhe janë me përmbajtje nacionaliste, ekstremiste, ku bëhet thirrje për dhunë. Mesazhi i fundit në Beograd thotë që ‘kur ushtria të kthehet në Kosovë’, pra është një mesazh me përmbajtje të fortë nacionaliste. Mesazhi i njëjtë është paraqitur edhe në Podgoricë, pra e kemi parë ‘kur ushtria të kthehet në Kosovë’ dhe një flamur i madh i Serbisë”, shton Elshani.
Hulumtuesi i lartë në “Octapus” shton se duhet të investohet më shumë në demokratizimin e Serbisë dhe ndryshimin e klasës politike në Serbi.
Edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi deklaron se kjo është një luftë speciale e krerëve të institucioneve në Serbi.
“Kjo është një luftë speciale që kreu i qeverisë serbe, sidomos shefi i inteligjencës, i cili është edhe kështu është person non-grata, Vulini, edhe ky vet i prodhon këto me qëllim të propagandojë duke ndjellë edhe një lloj urrejtje në aspektin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës, por edhe të ndjenjës së qytetarëve tjerë përveç ekstremistëve serbë që janë në veri të Kosovës. Tek këta ndjellë që kinse do të kthehet ushtria, që realisht e dini që në kërkesën e kreut të një vendi fqinj, Serbisë edhe KFOR, por edhe nivelet evropiane edhe ShBA-të ju përgjigjen me mënyrë strikte se nuk ka më kthim prapa të asnjë strukture qoftë ushtarake, apo policore”, thotë Ibishi.
Për këto grafite ka pasur reagime të ashpra në Kosovë si dhe disa personalitete ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se thirrjen për dhunë janë të pandërprera dhe ka krahasuar këtë ngjarje me ngjarjen e vitit 1990.
“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zveza, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e lufëtarëve që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka shkruar Kurti.
Lajmet
Kriteret dhe përbërja e kandidatëve për deputetë në Kosovë
Published
52 minutes agoon
December 17, 2025By
UBTnews
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit nxorrën lista kandidatësh që përfshijnë figura politike me përvojë, emra të rinj dhe personalitete nga fusha të ndryshme si arti, gazetaria, mjekësia e fusha të tjera.
Si antarësime të reja konsiderohen edhe ata që më parë ishin deputetë të një partie tjetër, si Ardian Kastrati, Shkumbin Demaliaj, Andin Hoti.
Gjithashtu shumë kandidatë të zgjedhjeve lokale që dështuan të zgjidhen kryetar komunash në zgjedhjet lokale po tentojn të fitojnë postin e deputetit në zgjedhjet parlamentare si Refki Suma, Arbër Ismajli, Bekë Berisha, Vildane Latifi, Hajrullah Çeku dhe Uran Ismaili.

Kjo tregon se partitë politike po përdorin strategji të ndryshme për të arritur votuesit në të gjithë vendin.
Sipas ligjit për zgjedhjet në Kosovë, kandidatët për deputetë përzgjidhen nga partitë politike, koalicionet ose nismat qytetare, dhe jo nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Çdo subjekt politik paraqet një listë kandidatësh te KQZ-ja, e cila verifikohet për përputhshmëri me ligjin zgjedhor.
Lista duhet të plotësojë kriteret ligjore, përfshirë përfaqësimin gjinor, ku të paktën 30% e kandidatëve duhet të jenë nga gjinia tjetër. Përfaqësimi i grave edhe këto zgjedhje vazhdon të mbetet përreth limiteve të kuotës gjinore të përcaktuar me ligj.
Përveç kritereve ligjore, partitë vendosin edhe kriteret e brendshme të përzgjedhjes, duke marrë parasysh angazhimin dhe aktivitetin në parti, eksperiencën profesionale, popullaritetin mes qytetarëve, si dhe balancimin gjeografik dhe gjinor. Kjo siguron që lista e kandidatëve të përfshijë një kombinim të profileve të ndryshme dhe të përfaqësojë qytete dhe zona rurale.
Edhe pse sistemi zgjedhor në Kosovë është proporcional dhe i bazuar në lista kombëtare pa ndarje zyrtare rajonale, përfaqësimi gjeografik mbetet një element i rëndësishëm për partitë gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. Kandidatët shpesh identifikohen më shpesh me komunat ose zonat ku janë aktivë, duke reflektuar lidhjen e tyre lokale me votuesit.
Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të 9 shkurtit 2025, partitë kryesore mbajtën lista që përfshinin një përzierje të figurave të njohura dhe emrave lokalë nga qytete e zona rurale, gjë që ndikoi në mënyrën se si partitë u përpoqën të siguronin përfaqësim të gjerë në të gjithë vendin./FjollaGashi
Lajmet
Supremja konfirmon se pensionet nuk mund të suspendohen nga akte nënligjore
Published
2 hours agoon
December 17, 2025By
UBTnews
Gjykata Supreme ka marrë një vendim të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të pensionistëve, duke konfirmuar se këto të drejta nuk mund të kufizohen përmes rregullave nënligjore dhe se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve, por institucioneve përgjegjëse.
Lajmin e ka bërë të ditur hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, i cili ka vlerësuar se aktgjykimi përbën një hap të madh për mbrojtjen e të drejtave sociale, sigurinë juridike dhe zbatimin e parimit se suspendimi i pensionit duhet të jetë masa e fundit dhe jo masa e parë.
“Gjykata ka konfirmuar se të drejtat e pensionistëve nuk mund të kufizohen me rregulla nënligjore dhe se barra e verifikimit nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve”, ka shkruar Jakaj.
Në aktgjykim, Gjykata Supreme ka theksuar se “suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit (ultima ratio) dhe jo e para”, duke konstatuar se dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, që e trajtojnë moslajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë atë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme.
Sipas Gjykatës, ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në vendosjen e një barre disproporcionale ndaj pensionistëve, duke riafirmuar se përgjegjësia për verifikim dhe zbatim të ligjit u takon institucioneve shtetërore dhe jo qytetarëve përfitues të pensioneve.
Lajmet
Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë i kërkuari me urdhër-arrest ndërkombëtar
Published
2 hours agoon
December 17, 2025By
UBTnews
Policia e Kosovës në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, sot ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Zvicra për në Republikën e Kosovës.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi që i njëjti kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale kanosje.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve midis dy shteteve. I dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në rajonin e Prizrenit për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore.
Lajmet
Osmani në takim me Costa: Mirëpresim heqjen e pjesshme të masave të BE-së, synojmë largimin e plotë të tyre
Published
3 hours agoon
December 17, 2025By
UBTnews
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Në Bruksel u mirëprita nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.
Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kriteret dhe përbërja e kandidatëve për deputetë në Kosovë
Supremja konfirmon se pensionet nuk mund të suspendohen nga akte nënligjore
Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë i kërkuari me urdhër-arrest ndërkombëtar
Osmani në takim me Costa: Mirëpresim heqjen e pjesshme të masave të BE-së, synojmë largimin e plotë të tyre
Ambasadori britanik takohet me Kurtin, diskutojnë për zgjedhjet
Ambasadori britanik vlerëson rolin e Gjykatës Supreme në garantimin e mbarëvajtjes së proceseve zgjedhore
Të premten do të nisë instalimi i ujëmatësve digjitalë në “Breg të Diellit”
Gjykata pranon dëshminë e dhënë më herët të Antonijeviqit në rastin Banjska, aprovohet dëshmitar i ri i mbrojtjes
Kosova heq ndalesën e importit për kafshët e gjalla dhe shpezët nga Shqipëria
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
