Lajmet

Osmani për licencimin e FFK-s: Po shqyrtohet dosja e re e klubeve, s’do të ketë asnjë lëshim

“Përkundër federatave të tjera, nuk është vetëm futbolli ajo e cila po sfidohet me këtë proces”, tha ajo.

Published

on

Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka bërë të ditur se procesi i licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës është afër përfundimit, por se kjo do të varet nga ajo nëse dokumentacioni i ri i sjellë në këtë ministri nga ana e klubeve të futbollit është në rregull.

Për KosovaPress, Osmani ka thënë se dosja e re me dokumente të klubeve tashmë është duke u shqyrtuar nga Komision për Licencim dhe nëse ato plotësojnë kushtet e kërkuara sipas udhëzimit administrativ, atëherë FFK do të licencohet menjëherë.

“Përkundër federatave të tjera, nuk është vetëm futbolli ajo e cila po sfidohet me këtë proces. Të gjitha ato që janë licencuar kanë hasur në vështirësi të mbledhjes së dokumentacionit që kërkohet sipas udhëzimit administrativ, mirëpo Federata e Futbollit tashmë siç edhe është bërë publike, është në prag të përfundimit të të gjitha. Federata i ka plotësuar të gjitha kriteret në një formë apo tjetër, mirëpo janë klubet ato që tani nëse nuk gaboj të enjten që ishte dita e fundit e punës në institucionet publike kanë sjellë dosjen e re me të gjitha komentet të cilat i kanë pranuar nga Komisioni për Licencim dhe komisioni gjatë kësaj jave do ta trajtojë. Urojmë që dokumentet të jenë të kompletuara dhe të mos ketë nevojë për kthim prapa përsëri”, ka thënë Osmani

Në lidhje me këtë çështje, në fillim të javës së kaluar në Kosovë ishte për vizitë një delegacion nga UEFA dhe FIFA. Osmani bënë të ditur se ata u njoftuan me të gjitha detajet e licencimit të FFK-s dhe se ata i kanë dhënë mbështetje të fuqishme këtij procesi.

“Ishte takimi me përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s ku në detaje janë për procesin e licencimi dhe kjo vizitë e tyre nuk ishte vetëm për licencimin mirë ishte edhe në rastin e aktual në të cilin ka kaluar Federata e Futbollit…Është qartësuar në detaje komplet koncepti, qëllimi si dhe procesi i licencimit dhe ky proces padyshim se ka gjetur mbështetje edhe nga ana e tyre konsideruar se është në përputhje me standardet ndërkombëtare e sidomos ato evropiane për qeverisjen e sportit dhe funksionimin e një sistemi me integritet të sportit brenda një shteti”, shtoi ajo

Për shkak të mos licencimit të Federatës së Futbollit, klubet janë ankuar se po humbin miliona euro nga pamundësia për ta shfrytëzuar Ligjin e Sponsorizimit, por Osmani ua ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë lëshim në këtë proces për klubet. Sipas saj, nëse këto klube kanë fituar miliona euro nga ky ligj, atëherë ato duhet të jenë në gjendje t’i përgatisin dokumentet që kërkohen për licencim.

“Në këtë proces nuk ka lëshime, nuk ka kompromise, janë ato dokumente të cilat të gjitha klubet duhet t’i mbledhin. Ligjet në Kosovë e përcaktojnë që sponsorizimi, e drejta e përfitimi nga sponsorizimi i ka edhe ai proces disa kritere e disa standarde që duhet plotësuar dhe njëra ndër to është licenca në kuadër të ministrisë së sportit…një çështje që ngritet është që klubet të cilat pikërisht kanë përfituar me miliona nga Ligji i Sponsorizimit konsideroj që duhet t’i kenë kapacitetet për të bërë mbledhjen e këtyre dhjetë dokumenteve të cilat parashihen në kuadër të udhëzimit administrativ”, theksoi Osmani

Së fundi, kryetari i FFK-së Agim Ademi është liruar nga arresti shtëpiak, por Osmani thotë se nuk është takuar e as nuk ka pasur ndonjë kontakt me të rreth zhvillimeve të fundit. Sipas saj, kryetari nuk duhet të merret me procesin e licencimit pasi është proces teknik.

“Po besoj që me procesin e licencimit më së paku duhet të merrej presidenti i një federate aq të madhe sa futbolli duke marr parasysh se është proces shumë teknik e administrativ që do të duhej t’i bënin zyrtarë në pozita më të ulëta ose administrata e federatës së bashku me administratën e futbollit, por uroj shumë që nëse ajo ka qenë një arsye e vonesës së licencimit të federatës ta ndihmojë komunitetin që të licencohen sa më shpejtë…Jo,jo“, tha në fund Osmani.

Procesin e licencimit deri me tani Osmani bëri të ditur se e kanë kaluar 24 federata, derisa bëri thirrje qe edhe federatat tjera ta plotësojnë sa më shpejtë dokumentacionin e kërkuar për të marr licencën nga ana e Ministrisë së Sportit.

Lajmet

Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.

Postimi i plotë i Osmani në Facebook:

Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.

Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.

Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.

Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.

Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.

Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.

As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.

U prehsh në paqe, Ali Sadriu.

Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë

Published

on

By

Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

Continue Reading

Lajmet

Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur  me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.

Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.

Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

By

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Continue Reading

Të kërkuara