Sport

“2023-ta, vit i zhvillimit të hovshëm sportiv”, Osmani: Sivjet investojmë në infrastrukturë

Kështu e cilëson vitin 2023 në një intervistë zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.

Published

on

2023-ta po konsiderohet të ketë qenë viti me zhvillimin më të hovshëm të sportit, si për zhvillimin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Kështu e cilëson vitin 2023 në një intervistë zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani. Ajo mbi të gjitha vlerëson ndryshimet në infrastrukturën ligjore, duke përfshirë projektligjin e ri për sport, i cili parasheh fuqizimin e strukturës sportive ku përfshihet edhe Agjencia për Sport si organi më i ri në këtë fushë.

“Ligji parasheh fuqizim të strukturës sportive, përkundër se bashkëpunimi ka ekzistuar vazhdimisht me federatat, klubet, akterët e jashtëm, mirëpo përmes ligjit sqarohet saktësisht roli, përgjegjësitë, detyrat dhe kompetencat e secilës palë, secilit akterë që është brenda sistemi tonë. Përtej kësaj, parasheh edhe riorganizim të strukturës institucionale, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vazhdon të mbetet zëri kyç i sportit në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mirëpo parashihet edhe themelimi i Agjencisë për Sportin i cili do të ketë rol ekzekutiv në zbatim të politikave sportive në kuadër të vendit tonë, pastaj themelimi i Inspektoratit për Sport i cili kryesisht do të jetë i fokusuar te çështja e inspektimit të infrastrukturës sportive”, thotë Osmani.

Osmani zbulon se me këtë ligj, për herë të parë parashihet kompensimi financiar i sportistëve, të cilët kanë kontribuar në kohën e okupimit.

“Një risi e veçantë është që ligji po ashtu krijon bazë për njohjen e kontributit të ish-sportistëve dhe trajnerëve të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë gjatë kohës së okupimit gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta në Kosovë, një kërkesë e kahmotshme e komunitetit sportiv. Tani, ne kemi krijuar bazë e cila më në detaje do të shtjellohet edhe përmes akteve nën ligjore, të cilat do të hartohen në momentin që ligji votohet në Parlament…Do të ketë kompensim edhe për ta, tani për mënyrën e identifikimit për shkak se e dimë që është një numër i madh, ne kemi pasur disa tentativa edhe gjatë vitit të kaluar që së bashku me federatat të fillojmë të bëjmë një listë të këtyre emrave. Disa i njohim, i dimë të gjithë, por ka edhe shumë të tjerë që nuk janë shumë prezentë në komunitet apo edhe në mediat sportive brenda vendit në përgjithësi. Përveç identifikimit, do të gjendet edhe formula përmes së cilës do të bëhet edhe kompensimi i kontributit që e kanë dhënë”, deklaron Osmani.

Vitin e kaluar, Osmani e konsideron si vit kyç për zhvillimin e sportit në Kosovë që kulmoi me fitimin e të drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Konsiderojmë që 2023-ta deri më tani viti kyç i zhvillimit të sportit në vend për shkak se kryesisht fokusi apo mobilizimi dhe investimi ka qenë te zhvillimi i brendshëm i sportit dhe ne këtë e kemi më së shumti për nevojë tani për shkak se me zhvillim të brendshëm do të arrijmë të kemi edhe rezultate ndërkombëtare e paraqitje të shkëlqyeshme në arenat sportive ndërkombëtare. Siç e dimë, Kosova është shpallur shteti nikoqir i Lojërave Mesdhetare 2030, një moment historik që komplet politikën sportive e vendosë brenda një kornize kohore të caktuar për gjashtë vjet, deri më 2030, e cila prek pastaj të gjitha komponentët e sportit…Procesi i licencimit është pothuajse i përmbyllur. Sot, kemi 37 federata sportive të licencuara nga pesë apo gjashtë sa i kishim në fillim të vitit, proces ky i cili e ka ngritur standardin e qeverisjes”, thekson Osmani.

Kritikave se MKRS-ja nuk ka bërë investime të mëdha në infrastrukturë, Osmani iu përgjigjet duke thënë se janë gjetur shumë shkelje ligjore në projektet e viteve të kaluara dhe se është dashur rregullimi i tyre. Ajo shton se 2024-ta do të jetë vit i shumë investimeve në infrastrukturën sportive.

“Ne nuk mund të themi që nuk ka lëvizje, mirëpo duhet ta kemi të qartë se për të thënë unë sot që e kemi nisur, e kemi bërë. Shumë lehtë kemi mundur ta vendosim edhe ne një gurthemel kudo në njërën nga këto investimet tona, por të cilat nuk kanë pasur projekt, nuk kanë pasur tokë të ndarë për ndërtim. Jemi siguruar dhe do të vazhdojmë me qasjen e njëjtë edhe gjatë viteve në vazhdim që para se ta vendosim një gurthemel, planifikimi të jetë i qartë, buxheti të jetë aty, procedurat administrative të jenë të përfunduara në mënyrë që të mos hasim prapë në vështirësi…Siç edhe e dini, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është ministria me rritjen më të madhe të buxhetit për 2024 me votimin e Ligjit të Buxhetit në Kuvend dhe kjo po bëhet, pjesa më e madhe e atij buxheti padyshim se shkon në infrastrukturën e sportit”, shton Osmani.

2024-ta do të jetë vit që në Kosovë sjell pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit, dhe kjo sipas Osmanit do të ndikojë në rritjen e investimeve në renovimin dhe ndërtimin e palestrave të reja.

“Përveç rinovimit të shtatë palestrave kryesore në vend, parashihet edhe ndërtimi i palestrave të reja, është një në Prishtinë e cila veçse është në kod buxhetor në Ligjin e Buxhetit…projekt ky, i cili do të zbatohet në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Basketbollit dhe Federatën e Basketbollit përbrenda vendit tonë. Qasja për investimet e reja, do të jenë investime lokale, të cilat do t’i shërbejnë komunitetit, të cilat do të shfrytëzohen nga klubet, qytetarët, ndërsa renovimi i palestrës së Pallatin të Rinisë dhe Sporteve, salla e djegur, që edhe kjo është pjesë e Lojërave Mesdhetare, do të jetë hapësira, e cila do të shfrytëzohet për organizime edhe më të mëdha, të cilat synojmë t’i kemi në të ardhmen”, thotë Osmani.

Gjatë vitit 2023, Osmani thekson gjithashtu se përmes subvencioneve të ndryshme, për sektorin e sportit, MKRS ka ndarë mbi 12 milionë euro.

“Ministria e Sporti ka ndarë mbi 12 milionë euro subvencionim për sektorin e sportit, duke përfshirë memorandumet e bashkëpunimit me federatat, memorandume të veçanta për programe dhe aktivitete specifike, duke përfshirë thirrjet publike për klubet dhe organizatat sportive, si dhe sportistë dhe individë të tjerë, për shkak se thirrjet nuk i targetojnë federatat sportive, mirëpo pjesën tjetër të komunitetit”, bën të ditur Osmani.

Vëmendje të veçantë MKRS po i kushton edhe projektit “Sporti në Shkolla”, i cili, sipas Osmanit, synon shtrirjen e aktivitetit sportiv brenda klasave në shkollat fillore dhe të mesme.

Sport

Arba Hasanaj renditet e pesta në Lojërat Olimpike për të Rinj “Dakar 2026”

Published

on

By

Xhudistja kosovare, Arba Hasanaj, e ka përfunduar në vendin e pestë garën në Lojërat Olimpike për të Rinj “Dakar 2026”, në kategorinë deri në 78 kilogramë.

Hasanaj regjistroi tri fitore gjatë garës, duke qenë shumë pranë fitimit të një medaljeje olimpike.

15-vjeçarja zhvilloi një paraqitje të mirë në këtë ngjarje të rëndësishme sportive, por në fund mbeti pa medalje, duke u renditur në pozitën e pestë.

Federata e Xhudos e Kosovës e ka përgëzuar Hasanajn për paraqitjen dhe suksesin e arritur në këtë garë olimpike.

D.L

Continue Reading

Sport

Zhegrova mbetet jashtë listës së UEFA-s, Juventusi nuk mund ta zëvendësojë Locatellin me kosovarin

Published

on

By

Edon Zhegrova nuk do të mund të përfshihet në listën e Juventusit për garat e UEFA-s në vend të Manuel Locatellit, për shkak të rregulloreve të organizatorit të garave evropiane.

Këtë e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i klubit torinez, Giovanni Carnevali, gjatë mbledhjes së aksionarëve, duke sqaruar se Locatelli, si futbollist i formuar në Itali, mund të zëvendësohet vetëm nga një lojtar që plotëson të njëjtin kriter.

“Locatelli është lojtar i formuar në Itali dhe mund të zëvendësohet vetëm nga një lojtar i formuar në Itali. Pra, Ekhator dhe jo Zhegrova”, ka deklaruar Carnevali.

Mesfushori italian pritet të mungojë deri në muajin mars për shkak të lëndimit. Për këtë arsye, Juventusi ka vendosur të shfrytëzojë mundësinë që ofron UEFA për ndryshimin e listës në rast të lëndimeve serioze.

Zhegrova nuk ishte përfshirë në listën fillestare të Juventusit për garat evropiane në fillim të sezonit. Jashtë saj kishte mbetur edhe Jeff Ekhator, sulmuesi i transferuar nga Genoa gjatë verës, i cili në atë kohë ishte i lënduar.

Megjithatë, Ekhator është rikthyer në dispozicion dhe ishte pjesë e skuadrës në fitoren 2:0 ndaj Napolit, të dielën në “Allianz Stadium”.

Kështu, Juventusi ka vendosur që në listën e UEFA-s ta përfshijë sulmuesin e lindur në vitin 2006, duke lënë sërish jashtë Edon Zhegrovën.

Pavarësisht mungesës së gjatë të Locatellit, futbollisti kosovar nuk do të ketë mundësi të paraqitet me Juventusin në vazhdimin e garave evropiane.

D.L

Continue Reading

Sport

Emily Ibanez shkëlqen në Botërorin e të rriturve, zë vendin e pestë dhe vendos shtatë rekorde botërore për të reja

Published

on

By

Peshëngritësja 15-vjeçare që përfaqëson Kosovën, Emily Ibanez, ka regjistruar një rezultat të jashtëzakonshëm në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rritur, që po mbahet në Kinë.

Ibanez u rendit në vendin e pestë në dygarësh, në kategorinë deri në 69 kilogramë, duke ngritur gjithsej 240 kilogramë. Ajo ishte garuesja më e re në këtë kampionat.

Para saj përfunduan vetëm dy peshëngritëse nga Koreja e Veriut, një nga Kolumbia dhe një nga Bjellorusia.

Peshëngritësja kosovare garoi në Grupin B, që është grupi i dytë më i fortë, dhe jo në mesin e garueseve më të mira të Grupit A.

Në disiplinën e shkëputjes, Ibanez u rendit e teta me rezultatin më të mirë prej 106 kilogramësh, ndërsa në shtytje përfundoi e gjashta, me 134 kilogramë.

Përveç rezultatit të përgjithshëm, 15-vjeçarja vendosi edhe shtatë rekorde botërore për të reja brenda një dite. Ajo arriti rekorde në shkëputje, shtytje dhe në total, në kategorinë deri në 69 kilogramë. Këto rekorde përfshijnë peshëngritëset e moshës 13 deri në 17 vjeç.

Medaljen e artë në këtë kategori e fitoi Song Kuk-hyang nga Koreja e Veriut, me gjithsej 275 kilogramë në dygarësh. Ajo vendosi tri rekorde botërore: 122 kilogramë në shkëputje, 153 në shtytje dhe 275 në total.

Emily Ibanez ka lindur në Spanjë dhe për shumë vite ka jetuar në Kanada. Ajo vjen nga një familje e peshëngritësve, ndërsa babai i saj është nga Kuba. Prej këtij viti, Emily dhe vëllai i saj, Brayan Ibanez, përfaqësojnë Kosovën.

Së fundmi, ajo kishte fituar tri medalje të arta në Kampionatin Evropian për juniorë dhe U23.

Ndërkohë, Brayan Ibanez ishte paraparë të garonte të hënën në Botëror, por u tërhoq për shkak të një sëmundjeje.

Të mërkurën, në garë për Kosovën do të paraqitet edhe Kianoush Rostami, i cili përfaqëson vendin tonë që nga viti i kaluar.

Kampionati Botëror në Ningbo të Kinës ka nisur më 27 tetor, ndërsa deri më tani në renditjen e medaljeve dominon Koreja e Jugut, me gjashtë të arta, tri të argjendta dhe tri të bronzta.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova mëson kundërshtarët për UEFA Women’s Nations League 2027

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e femrave ka mësuar kundërshtarët për edicionin e ardhshëm të UEFA Women’s Nations League 2027.

Shorti është tërhequr të martën në Nyon të Zvicrës, ku Kosova është vendosur në Grupin 4 të Ligës B, së bashku me Slloveninë, Turqinë dhe Hungarinë.

“Dardanet” do të synojnë të paraqiten sa më mirë në këtë edicion, pasi siguruan avancimin në Ligën B duke e përfunduar në vendin e parë Grupin C2 në kampanjën e kaluar.

Ndërkohë, Kosova nuk arriti të kualifikohej në plejofin e Botërorit të vitit 2027, që do të mbahet në Brazil, pasi u eliminua nga Austria në raundin e parë.

Edhe Përfaqësuesja e Shqipërisë ka mësuar kundërshtarët e saj. Ajo do të garojë në Grupin 1 të Ligës B, ku do të përballet me Belgjikën, Rumaninë dhe Serbinë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara