Lajmet

​Prokurori: Selimi organizoi sulme ndaj 12 stacioneve policore, e ndihmuan Thaçi dhe Veseli

Ata kanë shpalosur disa nga provat për veprat me të cilat ngarkohen ish-drejtuesit e UÇK-së.

Published

on

Në fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prokurorët e Zyrës së Specializuar në Hagë, në deklaratën hyrëse kanë shpalosur disa nga provat për veprat me të cilat ngarkohen ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Prokurori i Specializuar, Matthew Holling, është shprehur se të akuzuarit mbanin poste që u bënin të mundur që të zbatonin dhe të vinin në jetë siç pretendon qëllimin kriminal të përbashkët dhe të ushtronin kontroll efektiv.

Prokurori Halling përmendi edhe një sulm kundër 12 stacioneve të policisë serbe, për çka tha se ky sulm ishte organizuar nga Rexhep Selimi dhe ndihmuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Në vitin 1997, UÇK-ja arriti një pikë që UÇK mund të kryente sulme të shenjestruar në disa objektive serbe në të njëjtën kohë, shembull në vitin 1997, UÇK ndërmori një sulm të njëkohshëm kundër 12 stacioneve të policisë me granate hedhëse, provat do të tregojnë se ky sulm u organizua nga Rexhep Selimi dhe se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ndihmuan për të siguruar armët e përdorura. Sulmi është përjetësuar në komunikatën numër 37 të UÇK-së”, tha ai.

Në vazhdim të deklaratës hyrëse të ZPS-së, u paraqiten me harta zonat operative, duke u ndalur te baza e shtabit të përgjithshëm.

Prokurori Matthew Halling ka thënë se këto zona ishin: Zona e Drenicës, Pashtrikut, Dukagjinit, Llapit, Nerodimes dhe Karadakut. Ai tha se në Zonën e Pashtrikut gjendje numri më i madh i qendrave të ndalimit të përmendura në aktakuzë, në këtë çështje gjyqësore.

“Zona e Drenicës është zona e vendndalimeve të akuzuara më herët të aktakuzës si Likoci, ndërsa është edhe zona ku gjenden edhe qendrat e mëvonshme në aktakuzë si Çirezi, Baica dhe zona të tjera që janë të përmendura në aktakuzë. Zona e dytë ishte zona e Pashtrikut.. Në këtë zonë gjendej numri më i madh i qendrave të ndalimit të përmendura në aktakuzë në këtë çështje gjyqësore, duke përfshirë këtu Drenocin, Llapushnikun, i cili gjendet në cep të Pashtrikut dhe Drenicës”, tha ai.

Prokurori i Specializuar, Matthew Halling tha po ashtu se Jakup Krasniqi merrej me komunikatat dhe ndihmohej nga Hashim Thaçi.

“Krasniqi merrej me komunikata ndihmohej dhe suportohej nga Thaçi, e njëjta pjesë e intervistës të Selimit përshkruan se si informohej shtabi i përgjithshëm, normalisht për përmbajtjen e këtyre komunikatave përpara se ato të nxirreshin”, u shpreh ai.

Sipas tij, gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.

Halling prezantoi edhe një organogram të strukturës së UÇK-së të nëntorit 1998, duke iu referuar të dhënave, që sipas ZPS-së, u gjetën në shtëpinë e Jakup Krasniqit.

Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusseparaqiti disa komunikata të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

“Që nga komunikatat më të hershme duke vazhduar edhe në periudhën e aktakuzës ku katër të akuzuarit kishin role kyçe në çdo kohë përkatëse, shtabi i përgjithshëm ndoqi një politikë të shenjestrimit të pamëshirshëm të kundërshtarëve me dhunë dhe vdekje. Komunikata e parë e ditur e shtabit të përgjithshëm doli në nëntori 1994….Komunikata njoftonte një sulm të UÇK dhe deklaronte ‘ informojmë se edhe rastet të mëparshme të atentateve në Kosovës kundër okupatorëve dhe tradhtarëve, janë kryer me njësi tona të armatosura. Poshtë okupatorët dhe tradhtarët’ kjo politikë u përsërit në mënyrë edhe më të qartë vazhdimisht nëpër komunikata gjatë viteve 96/97, 98. Komunikatat shpallnin ekzekutimet e të ashtu-quajturve kolaboracionistë dhe tradhtarë dhe se informonin se masat e tilla do të vijonin”, theksoi ai.

Ferdinandusse trajtoi edhe komunikatën 59, për të cilën më pas Hashim Thaçi kishte deklaruar se nuk e kishte lëshuar shtabi i përgjithshëm i UÇK-së. Sipas tij, komunikata 59 akuzoi në mënyrë të rrejshme një individ të caktuar se ishte kolaboracionistë.

“Komunikata 59 akuzoi në mënyrë të rrejshme një individ të caktuar se ishte kolaboracionistë nga që siç thotë tregojnë provat anëtarët e shtabit të përgjithshëm, përfshirë Hashim Thaçin, donin që ky person të bëhej objekt keqtrajtimi në mos vdekjeje. Në një intervistë televizive të shkurtit të vitit 2019, Hashim Thaçi pretendohej se kjo komunikatë nuk ishte lëshuar nga shtabi i përgjithshëm i UÇK se ishte lëshuar nga individë keqdashës pa dijenin e shtabit të përgjithshëm të UÇK dhe se në përgjithësi disa prej komunikatave dhe deklaratave të shtabit të përgjithshëm të UÇK, nuk ishin lëshuar nga shtabi i përgjithshëm por nga ‘banhova’ persona të panjohur jashtë shtetit për të përçarë UÇK dhe për të përmbjellur konfuzion”, u shpreh ai.

Prokurori i Speciales, Alan Tieger foli edhe për një delegacion humanitar në fshati Çirez, të cilët pretendon se u keqtrajtuan.

“Ditë më vonë më 20 shtator 1998, 13 anëtarë të delegacionit humanitar në një vizitë në Çirez u arrestuan u ndaluan, u keqtrajtuan nga pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë këtu Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin. Më 23 shtator drejtoria e Policisë Ushtarake në UÇK nxori një deklaratë për shtyp duke deklaruar se policia ushtarake e UÇK-së kishte arrestuar 13 citoi ‘sindikalistë përfaqësues të partisë institucionaliste në Çirez për dhe citoj sërish’ luftën e tyre përçarëse partizane robëruese institucionaliste dhe kundër luftës së UÇK dhe duke vënë në rrezik statusin politik të Kosovës. Provat do të tregojnë gjithashtu se Hashim Thaçi i tha anëtarëve të delegacionit të arrestuar se UÇK nuk e njihte Parlamentin e Kosovës”, tha ai.

Prokurori i ZPS-së thotë se kanë prova që në mes prillit 98 dhe gusht 99, anëtarë të UÇK-së, kanë hequr lirinë qindra individëve pa proces të rregullt ligjor.

“Provat do të tregojnë se mes prillit 98 dhe gusht 99, anëtarë të UÇK-së nën komandën dhe kontroll të akuzuarit u hoqën lirinë qindra individëve pa proces të rregullt ligjor. Ka më së paku 400 incidente sa i takon ndalimit të personave për të cilat ngren akuza me aktakuzë ku përfshinë persona që janë të mbajtur të ndaluar në vende të ndryshme. Këto viktima përfshinin persona që punonin pylltari, bujqësi, gazetarë persona që punonin për ndërmarrje shtetërore, mësues dhe të tjerë”, u shpreh Prokurori.

Prokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale përmendi tri fshatra, ku pretendohet se janë mbajtur njerëz e më pas disa prej tyre janë vrarë. Bëhet fjalë për Llapushnikun, Zllashin dhe Kleçkën.

“Do të dëgjoni prova të transferimeve që kanë ndodhur për të ndaluarit nga Likoci drejt Llapushnikut, Drenocit drejt Malishevës, Budakov-Semetisht dhe nga Bubul në Kostërc. Në gusht 98 të paktën 8 të ndaluar i transferuan nga Bare drejt Bajgorës. Në të njëjtin muaj një delegacion i shtabit të përgjithshëm ku ishte edhe Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqit shkruan drejt Bajgorës ku shtabi i përgjithshëm në mënyrë formale emëroi udhëheqjen e lartë të shtabit të zonës operative të Llapit, në maj dhe qershor 99 të ndaluarit u transferuan nga fabrika e metalit në Kukës në vendndodhjen e UÇK në Cahan dhe në stacionin e Mupit në Prizrenit, rreth kësaj kohe Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u panë në fabrikën e metalit në Kukës”, tha ai.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Në sallën e gjyqit ku mbahej seanca gjyqësore të pranishëm ishin edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët edhe njëherë u deklaruan të pafajshëm për veprat që ngarkohen.

E sot në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës mbajtën protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit, si dhe luftën e UÇK-së. Ndërsa, dje në Prishtinë u mbajt një marsh.

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara