Lajmet

A i mban Toka tetë miliardë njerëzit?

Si mund ta ndajmë botën ashtu siç duhet?

Published

on

Popullsia e botës i ka kaluar sërish shifrat rekord, gjë që vazhdon të rëndojë burimet natyrore. Problemi faktik është konsumi tej masës, thonë ekspertët. Si mund ta ndajmë botën ashtu siç duhet?

Këtë mes nëntori numri i njerëzve mbi Tokë do e ketë kaluar shifrën rekord prej tetë miliardë vetësh, duke shënuar një rritje me një miliard tjetër brenda pak më shumë se një dhjetëvjeçari. 

“Rritja e popullsisë së botës është një histori suksesi që ia vlen të tregohet”, thotë Sara Hertog, eksperte për popullsinë tek Kombet e Bashkuara (KB) në New York.

Që prej vitit 1950, mesatarja e jetëgjatësisë është rritur me 25 vjet. Njëkohësisht ka rënë niveli i lindjeve, shoqëruar me akses më të mirë tek kujdesi shëndetësor dhe planifikimi familjar, si dhe me mundësi më të mëdha arsimimi për vajzat dhe gratë. Por ky sukses ka çmimin e vet: çdo njeri i vetëm që i shtohet botës rëndon më shumë burimet e limituara biologjike të planetit. Në një raport aktual të OKB-së, rritja e popullsisë cilësohet si një nga arsyet kryesore për shkatërrimin e mjedisit dhe shtimin e emisioneve të dioksidit të karbonit.

“Humbja e shumëllojshmërisë biologjike, ndryshimi i klimës, ndotja e ambientit, prerja e pyjeve, sasia e kufizuar e ujit dhe ushqimit, janë të gjitha probleme që ashpërsohen edhe më shumë nga rritja e madhe dhe e vazhdueshme e popullsisë”, thotë Population Matters, një organizatë joqeveritare me qendër në Mbretërinë e Bashkuar.

Vendet më të pasura të botës konsumojnë më shumë

Është shumë e lehtë që t’ia vesh fajin rritjes së madhe të popullsisë, sidomos në vendet në zhvillim në Jugun e globit, thotë ekspertja për popullsinë Hertog, në bisedë me Deutsche Welle-n. Është “gabim” të presësh që ngadalësimi i rritjes së popullsisë të jetë zgjidhja e vetme për të përballuar rreziqet para të cilave ndodhet baza jonë e jetës. 

“Më vendimtare se sa rritja e popullsisë janë të ardhurat në rritje, të cilat nxisin shtimin e konsumit dhe ndotjen e mjedisit që shkaktohet prej tij”, shpjegon Hertog. Ajo kujton se vendet më të pasura të botës harrxojnë për frymë sasinë më të madhe të burimeve, edhe po qe se rritja e popullsisë ngadalësohet ose bën mbrapaktheu.

Vendet në zhvillim në Afrikë, në jug të Saharasë dhe në pjesë të Azisë, vende me të ardhura të ulëta që pritet të kenë zhvillim të madh në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, janë përgjegjëse vetëm për një pjesë të vogël të emisioneve të dioksidit të karbonit dhe konsumimit të burimeve.

Nëse njerëzit e botës do të jetonin sot siç jetojnë qytetarët e SHBA-së, atëherë ne do të na duheshin për çdo vit burimet e pesë globeve, thotë organizata ambientaliste Global Footprint Network. Kurse banorët e Nigerisë përdorin vetëm 70 përqind të burimeve natyrore ekzistuese, dhe India me 1.3 miliard banorët e saj harrxhon vetëm 80 përqind të burimeve. 

“Ne kemi jetuar jashtë mundësive tona”

Ekspertët kërkojnë me ngulm që të kërkojmë zgjidhje të tjera, sepse popullsia e botës vazhdon të rritet: Kombet e Bashkuara vlerësojnë se deri në vitin 2050 popullsia e botës do të arrijë në 9,7 miliardë vetë, kurse deri në vitin 2100 mund të arrijë në 11 miliardë.

Bota ka burime të mjaftueshme për të ushqyer tetë miliardë vetë, thotë Vanessa Pérez-Cirera, drejtuese e sektorit për ekonominë ndërkombëtare në institutin World Resources Institute. Ajo mund të ushqejë edhe tetë miliardë të tjerë, me kusht që format aktuale të shfrytëzimit të tokës të riorganizohen nga e para dhe të përshtaten, thotë Pérez-Cirera.

“Burimet i kemi, por duhen përpjekje të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike për t’i dërguar burimet aty ku nevojiten”, thotë Pérez-Cirera në një intervistë me Deutsche Welle-n, zhvilluar në kuadër të konferencës për klimën që mbahet në Egjipt.

Puna është si i ndajmë burimet me njeri-tjetrin, thotë Sylvia Lorek, profesore për ekonominë e konsumit në Universitetin e Helsinkit dhe drejtore e institutit studimor gjerman për një Europë me zhvillim të qendrueshëm (Sustainable Europe Research Institute). Për këtë ne duhet të shtrojmë në pyetje modelin aktual të konsumit, sidomos në Veriun e Globit.

“Ne kemi jetuar prej kohësh përtej mundësive tona”, thotë Lorek për Deutsche Welle-n. Profesorja mendon se ne nuk do të jemi në gjendje të ruajmë për një kohë të gjatë mënyrën aktuale të jetesës.

Sa më shumë njerëz të kërkojnë të jetojnë sipas stilit perëndimor të jetesës me konsum të lartë, aq më e vështirë do të jetë për Tokën që të rigjenerojë burimet e domosdoshme biologjike të jetës, florën, faunën, ujin dhe tokën e pastër. Për të plotësuar nevojat e popullsisë së botës, ne na duhen aktualisht çdo vit pa pushim 175 përqind e burimeve ekologjike të botës, vlerëson Global Footprint Networks.

Ne duhet të mësojmë të jetojmë mirë duke konsumuar më pak

Lorek thekson po ashtu se një pjesë e madhe e konsumit të tepruar nuk është zgjedhje e bërë vetë, por vjen nga mënyra si është ndërtuar shoqëria dhe nga vlerat që na përcillen. Në media, reklama, filma dhe televizion njerëzve u krijohet përshtypja se “mirëqënia financiare është gjëja më e rëndësishme në jetë”. 

Vitet e kaluara Lorek dhe studiuese dhe studiues të tjerë kanë vëzhguar se si njerëzit që shijojnë një standard relativisht komfort jetese mund të mësojnë “të jetojnë duke pasur më pak”, pa hequr dorë nga cilësia e jetës. Gjatë këtyre vëzhgimeve ata janë përqëndruar në tri fusha, të cilat janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të emisioneve të dioksidit të karbonit dhe harxhimit të burimeve: mënyrën si hamë, si jetojmë dhe si lëvizim.

Këshillat që ata japin tingëllojnë të njohura për të gjithë ata që ndjekin debatin për klimën: më pak konsum prodhimesh shtazore dhe ushqim me bazë më të madhe bimore, si dhe më pak udhëtime ajrore dhe transport individual me mjete të motorizuara. Po ashtu duhet bërë ristrukturimi i qyteteve. Çështja kryesore këtu është të ngrihen ndërtesa me energji eficiente dhe ndërtesa që të ofrojnë mundësi të tjera për vilat njëfamiljarëshe dhe ekonomitë shtëpiake me një anëtar, sepse këto harxhojnë më shumë sipërfaqe për frymë dhe më shumë energji duke shkaktuar shtimin e emisioneve të dioksidit të karbonit për këtë mënyrë shoqërore jetese.   

Ekuilibrat e reja globale “të vendosen së bashku si shoqëri

Por vetëm shifrat dhe faktet që flasin vetë nuk mjaftojnë për të bindur vendimmarrësit politikë dhe shoqërinë për ndryshimet që duhen bërë patjetër në mënyrën tonë të jetesës, thotë profesorja.

“Të bësh vetëm atë që thotë shkenca, është njësoj sikur të jetosh në “diktaturë ekologjike”, mendon Lorek. Ne duhet “të ngremë së bashku si shoqëri një mënyrë të ekuilibruar jetese”, vetëm kështu mund të vendoset më shumë drejtësi në konsumin e burimeve midis kombeve të varfëra dhe atyre të pasura.

Kështu mund të arrihet që të sigurohet që çdo njeri të ketë një minimum cilësie jetese dhe të hiqet njëkohësisht mundësia, që vetëm pak njerëz të konsumojnë sasinë më të madhe të burimeve të limituara të botës. Sepse kjo, do të ishte “e rrezikshme për kohezionin shoqëror”, thotë i bindur Lorke.

Pérez-Cirera thotë, se nuk është puna se të gjithë duhet të kenë një stil jetese, por e rëndësishme është të tregosh se standardi “shpresëdhënës dhe tërheqës” i jetës është i mundshëm, edhe po t’i vësh kufi konsumit të tepruar.

“Unë mendoj se pretendimet duhet të ndryshojnë”, thotë ajo. “Nuk është aspak realiste, të japim mesazhin se çdo gjë që vlerësojmë tani do të kemi mundësi ta shijojmë edhe në të ardhmen”. Por vendimmarrësit politikë duhet ta kuptojnë se zhvillimi ekonomik është i mundshëm, por përqendrimi nuk duhet bërë tek sasia por tek cilësia. “Ne duhet të tregojmë patjetër se mund të bësh jetë të pëlqyeshme edhe me më pak gjëra.” 

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara