Aktualitet

Vjosa, perla e Evropës: Ekspertët nisin studimin e luginës

Ekipi i ekspertëve nisi me shqyrtimin e përbërësve kryesorë të sistemit lumor.

Published

on

Ekipi i 30 ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë për shpalljen e lumit Vjosa një Park Kombëtar zhvilloi një ekspeditë studimore 5 ditore përgjatë vijës ujore të lumit Vjosë dhe degëve të saj me rrjedhje të lirë, përmes bashkive të Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Qëllimi i programit studimor kishte në fokus dy aspekte kryesore: së pari, njohjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë me luginën e Lumit Vjosa, të cilët do të punojnë për të siguruar mbrojtje afatgjatë të karakterit ekologjik dhe biodiversitetit të luginës me qëllim ruajtjen e integritetit të ekosistemit të saj, për të propozuar modele që do të mundësojnë zhvillimin e turizmit të gjelbër dhe forma të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në territoret përgjatë Vjosës dhe degëve të saj, dhe së dyti, prezantimin e ekspertëve me komunitetin lokal dhe anasjelltas.

Ekipi i ekspertëve nisi me shqyrtimin e përbërësve kryesorë të sistemit lumor – duke përfshirë degët, zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës. Ekipi udhëtoi drejt Përmetit deri në fshatin Konicë (në kufi me Greqinë) aty ku nis rrjedha e lumit Vjosa për në Shqipëri – për të vijuar me ndalesa përgjatë gjithë rrjedhës së Vjosës, përfshirë Tepelenën, Gjirokastrën, përroin e Kardhiqit e Zhulatit (degë me rrjedhje të lirë të Drinos), vizitë në zonën e Kalivaçit, luginën e Bënçës, Shushicës, drejt Bratajt, Selenicës, për të përfunduar në deltën e Vjosës në Adriatik (Vlorë).

Përgjatë ndalesave në zonat përreth Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Vlorës – ekipi i ekspertëve zhvilloi diskutime fillestare dhe takime konsultative me palët e interesuara, komunitetet lokale, qeverisjen vendore, OJQ-të dhe grupet e interesit, për t’u njohur me secilin prej tyre dhe për t’u prezantuar domethënien e shpalljes së Lumit Vjosë dhe degëve të saj Park Kombëtar, ndikimet e pritshme në aktivitetet e tyre.

Gjatë takimeve konsultative, grupet e interesit, përfshirë operatorët turistikë, shprehën mbështetjen dhe optimizmin e tyre për përfitimet që do të ofrojë Parku Kombëtar i lumit të egër, Vjosa.

Ky udhëtim studimor ishte hapi i parë në procesin e angazhimit me palët e interesuara. Në javët e ardhshme, takime e seminare të posaçme do të mbahen me banorët vendas dhe palët e tjera të interesuara si përfaqësuesit e biznesit, në qytetet kryesore përgjatë lumit. Fokusi i këtyre takimeve do të jetë prezantimi i vizionit të Parkut Kombëtar, veçanërisht në kuadrin e mundësive të reja që do të lindin bazuar në konservimin dhe ruajtjen e vlerave natyrore dhe socio-kulturore të luginës së Vjosës.

Pas programit studimor, grupi i ekspertëve po vijon punën për të hartuar masterplanin e detajuar që do të dokumentojë skicimin teknik për shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, në disa faza.

Masterplani do të përfshijë përcaktimin e kufijve dhe zonave të Parkut të ardhshëm Kombëtar, në faza. Ai do të përfshijë zhvillimin e një koncepti për strukturën e menaxhimit të parkut kombëtar në mënyrë efektive, me synimin që ky propozim të shërbejë si model edhe pë parqe të tjera kombëtare në Shqipëri, por jo vetëm.

Ekipi i ekspertëve do të krijojë një koncept për zhvillimin e turizmit të qendrueshmëm me lidhje të ngushtë me eko-turizmin brenda pellgut ujëmbledhës të Vjosës, si dhe do të propozojë mundësitë për financimin e qëndrueshëm të funksionimit dhe menaxhimit të parkut kombëtar.

Të gjitha këto propozime për shpalljen e Lumit të Egër Vjosa Park Kombëtar do të shoqërohen me vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social, të cilat brenda muajit dhjetor të këtij viti do t’i dorëzohen Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për të vijuar më tej me shpalljen në faza të Parkut Kombëtar./Agroweb.org

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Gjeomonumentet e Republikës së Kosovës publikohen në ProGEO

Published

on

By

Profesori nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, në bashkëpunim me Fadil Bajraktari, Cand. PhD, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, kanë publikuar artikullin shkencor me titull “New geomonuments, Republic of Kosovo” në ProGEO News, revistë dhe platformë zyrtare e International Association for the Conservation of Geological Heritage (ProGEO).

Ky publikim paraqet një kontribut të rëndësishëm shkencor dhe institucional në fushën e trashëgimisë gjeologjike, duke prezantuar monumente të reja gjeologjike (geomomumente) në Republikën e Kosovës, si dhe duke theksuar vlerat e tyre shkencore, edukative, turistike dhe mjedisore.

Artikulli synon të rrisë ndërgjegjësimin kombëtar dhe ndërkombëtar për pasurinë gjeologjike të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj në kuadër të mbrojtjes së natyrës.

ProGEO është një organizatë ndërkombëtare prestigjioze që bashkon ekspertë të gjeoshkencave, menaxherë të trashëgimisë natyrore, studiues, edukatorë dhe profesionistë të turizmit, me misionin për të promovuar dhe mbrojtur trashëgiminë gjeologjike dhe gjeodiversitetin në mbarë botën.

Organizata është e afiluar me International Union of Geological Sciences (IUGS) dhe është anëtare e International Union for Conservation of Nature (IUCN), duke luajtur një rol kyç në politikat globale të konservimit të natyrës.

Përmes këtij publikimi, autorët theksojnë nevojën për një qasje të integruar në mbrojtjen e natyrës, ku trashëgimia gjeologjike trajtohet në mënyrë të barabartë me biodiversitetin, si dhe rëndësinë e përfshirjes së institucioneve shtetërore, akademike dhe publikut në ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.

Për më shumë detaje rreth artikullit dhe aktiviteteve të ProGEO-s, vizitoni faqen zyrtare të organizatës: ProGEO

Continue Reading

Lajmet

Kompleksiteti ushtarak-operacional i inteligjencës: “Maduro jasht” nuk ishte akt lufte, por zbatim i ligjit

Published

on

By

(Operacioni special për neutralizimin e objektivave dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s përfaqëson kulmin e artit modern të zbatimit të ligjit përmes inteligjencës strategjike)

(more…)

Continue Reading

Lajmet

Eksperti i sigurisë nga UBT, Arian Kadriu, mban ligjëratë tematike në Camp Bondsteel

Published

on

By

Profesori dhe njëherit Prodekani i Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka realizuar një ligjëratë tematike në ambientet e Camp Bondsteel, në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe profesional me misionin e KFOR-it.

Ligjërata u përqendrua në temën “Kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë kombëtare në Kosovë”, duke trajtuar në mënyrë analitike zhvillimet aktuale të sigurisë, sfidat strategjike dhe rolin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në garantimin e stabilitetit dhe paqes.

Gjatë ligjëratës, Profesori Kadriu ofroi një qasje të thelluar akademike të kombinuar me përvojë praktike, duke theksuar rëndësinë e analizës së rrezikut, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit të partnerëve ndërkombëtarë në ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Continue Reading

Të kërkuara