Kulturë

​Dhimbja e familjarëve të të pagjeturve përmes fotografive

Published

on

Për 23 vjet radhazi, sytë e saj rrallë janë tharë nga lotët. E lodhur nga mosha e mërzia, ajo mezi ec e qëndron në këmbë. Hasime Doqi nga Klina, çdo ditë pret një lajm për djalin e saj dhe kujton amanetin që ia ka lënë ditën e 6 majit. “Para çdo feste po mërzitem shumë, shpirti po më dhemb se nuk e di ku e kam djalin”, është fjalia që shoqëron fotografinë bardh e zi.

Nënë Hasimja është pjesë e 35 fotografive të familjarëve të personave të zhdukur që janë ekspozuar në “Sheshin Skënderbeu” në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me organizim të Kryqit të Kuq.

Mes lotëve, ajo rrëfen për ditën kur pa e dëgjoi fjalët e fundit të djalit të saj, i cili e la siç thotë ajo me pasoja të mëdha.

“Djalit, eshtrat nuk po ia gjejmë askund. Djali i djalit 14 muajsh edhe ai, vdiq vëllai 47 vjet… Rrafsh që 1 muaj ditë, sytë e mi nuk janë ter asnjëherë vetëm duke qarë… Kur po vijnë këto ditë nuk po mundem të qëndrojë. Me 6 maj që ma kanë marrë në Dobërdol, edhe fjalën e fundit ma ka thënë ‘nëna jem këtë çikë amanet po ta lë’. I thash ani djali jem se kurban i çikës bëhem, por dashtë Zoti nuk ju gjen asgjë. Por, i kam dëgjuar krismat, kam qenë ulur dhe thash djemtë na i vranë. Po tash po rroj me pasoja të mëdha”, tregon e moshuara mes lotëve.

Përveç dhimbjes, ajo flet me indinjatë edhe për atë që kanë bërë institucionet për të dhe shumë familjarë të tjerë nga Kosova.

“Jo, nuk kanë punuar si duhet. Asnjë absolut, kanë punuar për karriget e veta, për neve nuk kanë punuar asgjë. Nëse kishin punuar në fillim, kështu nuk do të zgjatej. Por, nuk kanë punuar dhe na kanë hedhur kështu si ‘mishin e domit’. S’po i intereson askujt për neve edhe po duhet me u përmbajt siç mundemi”, shton ajo.

Të pakënaqur po shprehen edhe familjarë të tjerë, ku Bajram Çerkinaj nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur thekson se kjo çështje ka stagnuar tërësisht.

“Kemi pritur 30 gushtin që të mos jetë kaq punë e stagnuar apo të thuhet bash e ndalur, sikur edhe vitet e tjera ku kemi pasur një numër të madh të pagjeturve dhe sot ku kemi 1617 të pagjetur. Çka ka ndodhë brenda këtij 30 gushtit, unë të them se ky 30 gusht, unë mendoj se nuk është ka e lëshon politika duke e lëshuar të shkojë përpara për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ne nuk kemi tjetër kërkesë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të kyçen të gjithë ata njerëz që janë humanë. Edhe politika është pak më e gjerë dhe të kryejë të tjera punë. Kemi pasur shumë takime, mendimi i familjarëve është që politika të qëndrojë larg kësaj çështje që është një ankth plot 23 vjet”, deklaron ai.

Derisa sheh fotografitë e ekspozuara të familjarëve të personave të zhdukur, ai thekson se të gjitha këto tregojnë dhimbjen. Ai kërkon nga institucionet që të punohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe politika të qëndrojë larg.

“Mjerisht politika e Brukselit i përfshin të gjithë këta, edhe serbët edhe shqiptarët. Edhe Beogradi edhe Prishtina. Nuk bën grupi punues të jetë i stagnuar plot që 15 muaj nuk ka pasur takim. Pse? Se politika nuk po i len të punojë në pjesën humane, por i ka shti në ombrellën politike dhe nuk i lëshon të punojë dhe të paktën t’i kthehet një asht familjarëve”, shton ai.

Koordinatorja e programit të personave të pagjetur në kuadër të Kryqit të Kuq, Adelinë Syla shprehet se është e dhimbshme se akoma mbi 1 mijë e 600 persona figurojnë të zhdukur. Sipas saj, familjarët janë gjithmonë në pritje e ankth.

“Qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është sensibilizimi me familjarët e personave të zhdukur, përmes fotografive që i kemi realizuar. Siç e shihni fotografitë janë bardh e zi dhe anash fotografive janë thëniet, të cilat i kanë thënë familjarët e personave të zhdukur, gjatë vizitave që i kemi bërë ne si Kryq i Kuq i Kosovës… Jemi munduar që të përfshijmë të gjitha komunat me familjarët që kanë pranuar të jenë pjesë e ekspozitës. Janë gjithsejtë 35 fotografi, normalisht nuk kemi pasur mundësi t’i përfshijmë të gjithë, për shkak se edhe numri është i madh. Jemi munduar të prekim të gjitha komunat që kanë persona të zhdukur”, përfundon Syla.

Ekspozita me familjarët e personave të zhdukur do të qëndrojë e hapur deri në orën 18:00. Kujtojmë që Kosova kërkon zbardhjen e fatit edhe të mbi 1 mijë e 600 personave, në mesin e tyre edhe mbi 100 fëmijë. 

Kulturë

Armend Rexhepagiqi nderohet me “Hyjneshën në Fron” dhe mirënjohje të veçantë

Published

on

Artistit të njohur, Armend Rexhepagiqi, i është dorëzuar sot çmimi “Hyjnesha në Fron” nga Komuna e Prishtinës, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar në kulturën muzikore dhe artistike të vendit.

Ceremonia është mbajtur në kryeqytet, ku kryetari Përparim Rama ia ka ndarë gjithashtu një mirënjohje të veçantë.

Në mirënjohje thuhet: “I pakompromis që nga tingulli i parë – një zë që i flet kohës. Me stilin dhe shpirtin tënd, frymëzove breza. Fjalët e tua s’ishin thjesht – ishin zemër. Kultura shqiptare mban gjurmën tënde të pashlyeshme. Prishtina të njeh, Kosova të këndon”.

Koncerti zhvillohet në Pallatin e Rinisë më 19 korrik dhe përveç krijimtarisë tashmë të njohur, Rexhepagiqi do të interpretojë këngët e reja si: “Kutia e zezë”, “Boll m’ke dalë”, “Dyfish ma pak”, “S’o dashni”, “Ma ke n’alë” dhe “Krejt Prishtinën për ditëlindje”.

Armend Rexhepagiqi është autor i shumë hiteve të pavdekshme të muzikës shqipe dhe një nga emrat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në tekstet dhe këngët e qindra artistëve ndër vite. /Telegrafi

Continue Reading

Kulturë

Jessie J drejt rikthimit televiziv pas mastektomisë së suksesshme

Published

on

Jessie J po përgatitet për një rikthim emocional në televizion, vetëm pak javë pas një mastektomie të suksesshme pas diagnostikimit me kancer të gjirit.

Këngëtarja britanike 37-vjeçare pritet të shfaqet në një episod të veçantë të “Strictly Come Dancing” në muajin shtator, duke shënuar daljen e saj të parë publike pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Burime pranë produksionit të BBC-së kanë bërë të ditur se drejtuesit janë të entuziazmuar për pjesëmarrjen e saj, ndërsa Jessie është e përqendruar te shëndeti dhe rikuperimi i saj, por ndihet e emocionuar për t’u rikthyer në skenë, shkruan DailyMail.

Paralelisht, ajo është konfirmuar edhe për një performancë në festivalin “Radio 2 In The Park” në Chelmsford po në shtator.

Rikthimi i Jessie J pritet të jetë një moment i fuqishëm dhe frymëzues për publikun, pasi ajo jo vetëm që po sfidon kancerin me guxim, por edhe po kthehet në skenë me një mesazh të fortë për shpresën, forcën dhe qëndrueshmërinë

Continue Reading

Kulturë

Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelas

Published

on

Nelson Mandela ishte president i Afrikës Jugore dhe luftëtar i lirisë, i cili luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej të zinjve në Afrikë, posaçërisht në Afrikën Jugore dhe shumë vite të jetës së tij ai i kaloi nëpër burgje.

Mandela u lind më 18 korrik 1918 i cili gjatë jetës studioi juridikun dhe pikërisht për nder të datës së lindjes së tij Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2009 ka vendosur që 18 korriku të jetë Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës.

Datëlindja e Mandelës është edhe Ditë Ndërkombëtare e Nelson Mandelës, e shpallur nga OKB-ja si shenjë mirënjohjeje për kontributin e fituesit të çmimit Nobel për Paqe e pajtimin e arritur në këtë vend. Në këtë ditë jug-afrikanët zakonisht shënojnë ditëlindjen e liderit të tyre kundër aparteidit, i cili ishte 67 vjet në shërbim publik, kurse qytetarët bëjnë 67 minuta punë për komunitet,

Fillimisht Mandela zgjodhi rrugën paqësore për qëllimet e tij dhe të shokëve të tij.

Në vitin 1956 ai u akuzua për “tradhti të lartë” nga regjimi i atëhershëm, bashkë me 155 shokë të tjerë. Procesi zgjati deri me 1961 dhe të gjithë u liruan. Mbas lirimit ai u bë lideri i grupit të armatosur së ANC-së, Umkohnto We Sizwe.

Në vitin 1962 u burgos dhe u dënua me pesë vjet burg. Në vitin 1964 u dënua me burg të përjetshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu afrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi. Në vitin 1990 mbas një kampanje të ANC dhe presionit ndërkombëtar ai u lirua pa kushte.

Në vitin 1993 fitoi çmimin Nobel, ndërsa në vitin 1994 u zgjodh në zgjedhje demokratike president i Afrikës Jugore dhe më 9 maj u zgjodh si presidenti i parë i zi në këtë vend.

Në vitin 1999 ai dha dorëheqje dhe ishte aktiv për organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut. Në vitin 2003 kritikoi shumë Tony Blair dhe George W. Bush për intervenimin në Irak.

Mandela vdiq pas një sëmundjeje të gjatë më 5 dhjetor 2013, në shtëpinë e tij në Johanesburg.

Continue Reading

Lifestyle

Pesë ushqime të shëndetshme që duhet t’i shtoni në dietën tuaj

Published

on

Ushqimi është burimi ynë kryesor i energjisë dhe vitalitetit dhe duke ke shtuar këto 5 ushqime super të shëndetshme në dietën tuaj, do të ndiheni më energjikë dhe më të freskët gjatë gjithë ditës:

Avokado: Të pasura me acide yndyrore të shëndetshme dhe fibra, avokado është një ushqim i shkëlqyeshëm për të mbajtur nivelet e energjisë stabile gjatë gjithë ditës.

Perimet e gjelbra të freskëta: Perimet e gjelbra të freskëta janë të pasura me vitamina, minerale dhe antioksidantë që ndihmojnë në rritjen e energjisë dhe mbajtjen e trupit të shëndetshëm.

Arrat: Me përmbajtje të lartë të proteinave dhe yndyrës së shëndetshme, arrat janë një ushqim ideal për të rritur nivelin e energjisë dhe për të mbajtur stomakun e ngopur për një kohë më të gjatë.

Mjalti: Mjalti është një burim i shkëlqyeshëm i energjisë së shpejtë dhe të qëndrueshme, i cili gjithashtu ofron përfitime të mëdha për shëndetin e zemrës dhe sistemin imunitar.

Ushqimet e pasura me Omega-3: Siç janë salmoni dhe farat e linit, këto ushqime të pasura me acide yndyrore ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës dhe në përmirësimin e funksionimit të trurit, duke ndihmuar në ruajtjen e energjisë dhe vitalitetit të trupit.

Nëse integroni këto ushqime të shëndetshme në dietën tuaj të përditshme, do të ndjeni një ndryshim pozitiv të niveleve të energjisë dhe shëndetit tuaj./Ekonomia Online

Continue Reading

Të kërkuara