Aktualitet

​Pendarovski: Propozimi i modifikuar francez është i pranueshëm

Sipas presidentit Pendarovski, “kompromisi kalimtar e zgjidh bllokadën aktuale”.

Published

on

Në kabinetin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut është mbajtur seanca e 16-të e Këshillit të Sigurimit, ku në rend dite ishte propozimi i modifikuar i presidencës franceze për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian (BE).

Në seancë, përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, me ftesë të presidentit Stevo Pendarovski, mori pjesë edhe zv/kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Presidenti Pendarovski tha në një deklaratë për mediet pas seancës se bëhet fjalë për një çështje të rëndësisë strategjike për vendin, duke shtuar se kjo ka shkaktuar polarizim politik në Maqedoninë e Veriut.

Vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez nuk do të jetë as një triumf historik, siç do të donin të thoshin njëra palë, as një dështim apo debakël historik, siç thonë ata në palën tjetër. Për mendimin tim, është një kompromis kalimtar për një nga fazat e integrimit evropian, në të cilin tre elementë janë të rëndësishëm dhe për këtë, për mendimin tim, propozimi është i pranueshëm në këtë fazë dhe në këtë format”, tha Pendarovski.

Ai u shpreh se fillimisht, me propozimin francez hiqet bllokada bullgare për eurointegrimet, e cila zgjat më shumë se dy vjet, ndërsa propozimi lejon hapjen formale të negociatave pas 17 vitesh pritje.

Së dyti, mundëson një proces skriningu, i cili është një fazë e detyrueshme para negociatave për grupet e kapitujve dhe, së treti, ajo që është më e rëndësishmja, me aspak nuk e cenon identitetin maqedonas sepse për përcaktuesin kryesor themelor, për gjuhën maqedonase, në propozim ka një formulim të qartë, pa fusnota”, tha Pendarovski.

Sipas presidentit Pendarovski, “kompromisi kalimtar e zgjidh bllokadën aktuale”, por ai u shpreh se në kuadër të propozimit është paraparë një bllokadë e re, e cila do të jetë bllokadë e brendshme.

Në parim, askush këtu në vend nuk është kundër hyrjes së bullgarëve në Kushtetutë, por polarizimi i brendshëm e bën të pamundur konsensusin për këtë çështje. Ky kusht, për mendimin tim, është dobësia më e madhe e propozimit. Edhe pse ndryshimet kushtetuese do të jenë në rendin e ditës pas skriningut ose sipas disa vlerësimeve të ekspertëve, në fillim të vitit 2024. Nuk pretendoj se në negociatat gjatë dy viteve të fundit nuk ka mundur të arrihet diçka më cilësore në disa aspekte, por ato do të ishin detaje, jo çështje thelbësore”, tha Pendarovski.

Aktualitet

UBT dhe Binance bashkë në një ngjarje unike për Blockchain dhe sigurinë në kripto

Published

on

Në kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, pjesë e Global UBT Fest 2025, në hapësirat e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një aktivitet i veçantë me Binance, që mblodhi së bashku studentë, profesorë, profesionistë të fushës dhe të interesuar të tjerë për të diskutuar dhe mësuar më shumë rreth temave aktuale në teknologjinë Blockchain dhe kriptovaluta.

Hapjen solemne të ngjarjes e bëri Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjive të reja si Blockchain në arsim, ekonomi dhe sektorë të tjerë strategjikë të zhvillimit.

Në vijim, eksperti Sandro Slukan mbajti një prezantim tematik rreth “Themeleve të Kriptovalutave, sigurisë në kripto dhe mënyrave për mbrojtjen e vetes në botën digjitale”, duke ofruar njohuri të rëndësishme praktike për të rinjtë që duan të angazhohen në këtë fushë.

Pjesë e programit ishte edhe paneli diskutues me temën “Integrimi i Blockchain në institucione”, i udhëhequr nga Rektori Hajrizi, ku morën pjesë Sandro Slukan dhe Polina Brottier, përfaqësuesë nga kompania globale Binance. Paneli solli perspektiva konkrete për aplikimin institucional të teknologjisë Blockchain në administratë, arsim dhe biznese.

Ngjarja vazhdoi me një prezantim të veçantë nga Polina Brottier, me temën “Karriera dhe vullnetarizmi në Binance: Qasjet më të mira”, ku ajo ndau me studentët përvojat dhe mundësitë që ofron Binance për të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit.

Gjithashtu u prezantua edhe projekti “Angels Binance”, ku Betim Cakiqi nga Kosova tregoi përvojën e tij si vullnetar në këtë platformë ndërkombëtare, duke dëshmuar se të rinjtë tanë mund të bëhen pjesë aktive e skenës globale të inovacionit.

Ky aktivitet ishte një mundësi unike për pjesëmarrësit që të kuptojnë më thellë potencialin transformues të Blockchain-it dhe të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me ekspertë të industrisë.

Continue Reading

Aktualitet

​Rritet dukshëm numri i operacioneve në vena në Klinikën e Kirurgjisë

Published

on

Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës është rritur dukshëm numri i operacioneve në vena, në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare.

Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, janë operuar 244 pacientë që kanë qenë në lista të pritjes, njofton QKUK.

Kjo shifër është dukshëm më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, falë edhe investimeve që janë bërë në këtë klinikë.

Gjatë vitit 2024 ishin kryer 225 operacione në vena dhe bazuar në ritmin e punës së gjysmë vitit, por edhe planin e punës së klinikës, pritet që ky numër të rritet edhe më tutje.

Continue Reading

Bota

Irani u kërkon evropianëve të heqin dorë nga kërcënimet për rikthimin e sanksioneve

Published

on

By

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u ka bërë thirrje fuqive evropiane t’i ndalin kërcënimet ndaj Teheranit, përfshirë paralajmërimet për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.

Diplomati kryesor i Teheranit shkroi të premten në X se u tha homologëve të vet nga Britania, Franca, Gjermania, si dhe shefes së politikës së jashtme të BE-së, gjatë një bisede të përbashkët telefonike se Evropa “duhet të veprojë me përgjegjësi” dhe të heqë dorë nga “politikat e shteruara kërcënuese dhe të trysnisë”.

Ai tha se BE-ja dhe grupi evropian i quajtur E3 nuk kanë “asnjë bazë morale apo ligjore” për të aktivizuar “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve të OKB-së kundër Iranit.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, u tha ministrave të tjerë të BE-së se E3-ja është e gatshme t’i rivendosë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse Teherani nuk shpreh “angazhim të fortë, të dukshëm dhe të qartë”.

Evropianët përsëritën të njëjtin qëndrim gjatë bisedës me Araqchin, sipas një burimi diplomatik francez të cituar nga Reuters, i cili tha se Irani nuk u përball me trysni për të arritur një marrëveshje “të verifikueshme dhe të qëndrueshme” me Shtetet e Bashkuara.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) – kufizimet e afatgjatë të OKB-së ndaj shitjes së armëve, ndaj bankave dhe teknologjisë bërthamore, u hoqën 10 vjet më parë.

Qeveritë evropiane mund ta përdorin akoma mekanizmin e marrëveshjes për “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve para afatit të 15 tetorit.

Irani pezulloi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i bombarduan objektet e tij bërthamore muajin e kaluar.

Evropianët po ushtrojnë trysni për të rikthyer punën e inspektorëve bërthamorë të OKB-së në Iran, duke synuar ta parandalojnë Teheranin nga riorganizimi i programit të tij bërthamor pas dëmeve të shkaktuara nga sulmet.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Kina dhe Rusia – mbështetës të kamotshëm të Iranit në këto negociata – nuk mund të vënë veto për rikthimin e sanksioneve.

Megjithëse dritarja formale për aktivizimin e mekanizmit mbyllet në tetor, qeveritë evropiane mund të zgjedhin ta shtyjnë këtë hap pas këtij afati për të mbajtur derën hapur për bisedime të mëtejshme.

Negociatorët iranianë dhe amerikanë ishin planifikuar të takoheshin në Oslo javën e kaluar, por takimi u shty, dhe duket se nuk është caktuar një datë e re.

Çdo rund i ri bisedimesh është i mundur vetëm kur pala tjetër është e gatshme për një marrëveshje të drejtë, të balancuar dhe të dobishme bërthamore për të dyja palët”, shkroi Araqchi në X.

Gjatë një konference për shtyp këtë javë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ndërsa Irani dëshiron të angazhohet në bisedime, ai nuk është “për ngut” për t’u takuar, duke theksuar se “ne i shkatërruam objektet e tyre” në sulmet e 22 qershorit mbi objektet bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz./REL

Continue Reading

Aktualitet

Lëndohen pesë persona në një aksident zinxhirorë

Published

on

Pesë persona kanë marrë lëndime trupore si pasojë e një aksidenti mes pesë veturash sot rreth orës 12:00 në magjistralen Prishtinë-Pejë, konkretisht në Sllatinë.

Lajmin e ka bërë të ditur Luljeta Mehmeti nga zyra për media e Policisë së Kosovës. Sipas saj, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor, ndërsa njësitë policore janë duke e trajtuar rastin.

“Duke u bazuar në të dhënat fillestare nga tereni, ju informojmë se me datën 18.07.2025 rreth orës 12:00 në drejtimin Prishtinë- Pejë, respektivisht në fshatin Sllatinë, është raportuar për një aksident trafiku zinxhiror ku të përfshira kanë qenë pesë (5) vetura. Lidhur me rastin të gjitha njësitë relevante duke përfshirë edhe ato mjekësore, kanë dal në vendin e ngjarjes. Si pasojë e këtij aksidenti, deri me tani raportohet për pesë (5) persona të lënduar të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor. Njësitë kompetente policore janë duke e trajtuar rastin për procedurat e mëtejme”, ka thënë Mehmeti. /Telegrafi

Continue Reading

Të kërkuara