Aktualitet

Rreth një mijë pacientë vuajnë nga skleroza multiple në Kosovë

Në Klinikën e Neurologjisë janë të regjistruar 600 pacientë për trajtim nga kjo sëmundje

Published

on

Në Kosovë mendohet se rreth një mijë pacientë vuajnë nga skleroza multiple, ndërsa në Klinikën e Neurologjisë janë të regjistruar 600 pacientë për trajtim nga kjo sëmundje.

Kështu u tha në konferencën e organizuara nga Shoqata e Neurologjisë së Kosovës dhe Klinikës së Neurologjisë me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Sklerozës Multiple me temën “Qasjet aktuale në diagnostikimin dhe menaxhimin e pacientëve me sklerozë multiple”.

Kryetari i Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës, Afrim Blyta u shpreh se në mungesë së Sistemit Informativ Shëndetësor nuk dihet saktë numri i pacientëve që kanë telashe me sklerozën multiple.

Blyta u shpreh se kjo sëmundje kryesisht prek moshat e reja dhe mund të shkaktojë paaftësi të konsiderueshme fizike dhe mendore.

“Numri i pacientëve me sklerozë multiple krahasuar me sëmundjet e tjera është relativisht i vogël ne mendojmë që kemi rreth diku 1 mijë pacientë që janë edhe pse për shkak të mungesës të Sistemit Informativ Shëndetësor këto janë më tepër vlerësime të përafërta sesa që kemi të dhëna ekzakte, por në bazë të numrit të atyre të cilët janë në regjistrin e Klinikës, ky numër shkon deri në 600, normalisht ka raste kur trajtohen edhe diku tjetër dhe nuk janë pjesë e regjistrave kombëtar për trajtimin e sklerozës multiple. Problematika me sklerozën mutliple është se e prek moshën e re. Në esencë fillon në kohën kur një person i ri në fillimin e decenies së tij të tretë dikur pas moshës 20 vjeçare. Për fat të keq dhe nëse nuk trajtohet si duhet ecuria e sëmundjes e bënë që herët apo vonë ka mundësi të vijë deri tek paaftësia e konsiderueshme jo vetëm fizike por edhe mendore”, u shpreh ai.

Derisa tha se kryesisht femrat janë më të prekur me këtë sëmundje, Blyta u shpreh se tashmë Kosova ofron terapi të avancuar për pacientët me sklerozë multiple.

“Nëse e krahasojmë situatën me 10 apo 15 vite kur ne me të vërtetë nuk kemi qenë në gjendje me bë asgjë në përjashtim të terapisë simptomatike kur japim ilaçe apo medikamente me përmirësua një simptomë por jo me trajtu dhe mjeku në mënyrë esenciale në këto vitet e fundit është bërë një shpërthim i jashtëzakonshëm dhe sot ne në Kosovë në Klinikën e Neurologjisë në kuadër të programit kombëtar për trajtimin e sklerozës multiple kemi në dispozicion medikamentet të cilat janë më të avancuara dhe këtu jemi me standarde regjionale për trajtimin e sklerozës multiple”, theksoi Blyta.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jusuf Ulaj duke e konsideruar si një sëmundje mjaftë serioze sklerozën multiple theksoi nevojën që kanë këta pacientë edhe në aspektin psikologjik.

“Konsideroj se është mjaftë e rëndësishme që pacientët tanë me një sëmundje mjaftë serioze të shohin që ne bashkërisht mendojmë për problemin e tyre që është problem mjaft serioz dhe problematik. Pra, prezenca jonë është një mbështetje e madhe psikologjike për ata pacientë të cilët përpos problemit organik që kanë në faza të avancuara invaliditeti dhe vdekja e hershme është edhe mbështetja e shëndetit të tyre mental, i cili gjithmonë është i atakuar. Uroj që kjo ditë të shënohet si është më së miri me prezantime të duhura, të cilat do të jenë gjithmonë në përmirësimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për këtë problem serioz”, theksoi Ulaj.

Kurse, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi u shpreh se gjatë kësaj jave për një monitorim të këtyre pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje kanë lansuar programin elektronik të menaxhimit.

“E di që i kemi borxh po e them publikisht Klinikës së Neurologjisë prej doktor Nexhmedin Shalës sepse u kemi zënë disa hapësira për trajtimin e infarktit akut të miokardit dhe do të bëjmë çmos që vitin e ardhshëm të fusim në projekt shtimin apo zgjerimin e kapaciteteve me shtretër për Klinikën e Neurologjisë. Tash së fundmi duke iu falënderuar edhe mbështetjes të shërbimeve teknike por edhe vetë juve kemi lansuar programin elektronik të menaxhimit të pacientëve me sklerozë multiple, që do të mundësojë një ndjekje dhe monitorim më të avancuar dhe më të suksesshëm të pacientëve që vuajnë nga skleroza multiple”, u shpreh ai.

Vendi

Studentët e Psikologjisë në UBT vizitojnë Qendrën për Zhvillim, duke u njohur nga afër me shërbimet në shëndetin mendor

Published

on

Disa studentë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën udhëheqjen e profesoreshës Dr. Adelina Ahmeti Pronaj, realizuan një vizitë studimore në Qendrën për Zhvillim, me qëllim thellimin e njohurive praktike në fushën e shëndetit mendor dhe shërbimeve multidisiplinare.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me gamën e gjerë të shërbimeve që ofrohen në qendër, duke përfshirë mbështetjen psikologjike, sociale dhe edukative, të orientuara drejt nevojave të individit dhe familjes. Përmes prezantimeve profesionale dhe diskutimeve të hapura me stafin e qendrës, studentët u njohën me mënyrën se si funksionon bashkëpunimi ndërprofesional në trajtimin e rasteve komplekse në shëndetin mendor.

Një theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së punës ekipore mes psikologëve, punëtorëve socialë, pedagogëve dhe profesionistëve të tjerë, si një element kyç për ofrimin e një mbështetjeje gjithëpërfshirëse dhe efektive. Studentët u njohën gjithashtu me praktikat etike, qasjet bashkëkohore të ndërhyrjes dhe sfidat që shoqërojnë punën me individë dhe familje në nevojë.

Kjo përvojë praktike u vlerësua si jashtëzakonisht e vlefshme nga studentët, pasi shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike të përvetësuar në auditorë dhe praktikës reale në terren. Vizita nxiti reflektim profesional, rriti ndjeshmërinë shoqërore dhe forcoi përkushtimin e studentëve për të kontribuar në të ardhmen në fushën e shëndetit mendor.

Aktivitete të tilla dëshmojnë angazhimin e UBT-së për t’u ofruar studentëve një arsim cilësor, të orientuar drejt praktikës dhe nevojave reale të shoqërisë, duke i përgatitur ata për sfidat profesionale dhe për rolin e tyre si profesionistë të përgjegjshëm në shërbim të komunitetit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Punëtori statistikore për studentët e Psikologjisë në UBT me ligjëruese nga ShBA

Published

on

Fakulteti i Psikologjisë në UBT, nën organizimin e Asst. Prof. Elona Krasniqi, organizoi me sukses një punëtori statistikore me ligjëruese të ftuar Besjana Krasniqi, kandidate doktorante në Psikologji Zhvillimore të Aplikuar në Universitetin e Maryland, Baltimore County (UMBC), ShBA, si dhe pjesë e Laboratorit për Zhvillimin e Fëmijëve, Familjes dhe Shkollës.

Punëtoria u zhvillua në kuadër të lëndës Metodologji e Avancuar Kërkimore dhe ishte i dedikuar për studentët e programit master në Psikologji. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte avancimi dhe praktikimi i njohurive statistikore, me fokus në përdorimin e modeleve parashikuese përmes analizave të regresionit.

Gjatë punëtorisë, studentët u angazhuan në mënyrë aktive përmes ndërveprimeve dinamike, shembujve konkretë nga kërkimi empirik, testimit të hipotezave kërkimore duke përdorur programin SPSS, si dhe interpretimit të rezultateve statistikore. Ky format praktik u mundësoi studentëve të lidhin teorinë me aplikimin real në kërkimin shkencor.

Ky aktivitet kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe profesionale të studentëve, duke promovuar njëkohësisht rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me studiues dhe profesionistë nga institucione prestigjioze. Punëtoria është në përputhje me planin strategjik të UBT-së për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore profesionale, si në nivel institucional ashtu edhe në atë kombëtar.

Continue Reading

Vendi

Burim Bajraktari ndan përvojën ndërkombëtare me studentët e Dizajnit në UBT

Published

on

Javën e kaluar, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u mbajt një ligjëratë me karakter edukativ dhe profesional, e organizuar për studentët e vitit të tretë të programit Dizajn i Integruar – specializimi Enterier. Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Semiotikë dhe Estetikë, nën udhëheqjen e profesoreshës Ardita Rizvanolli.

I ftuar ishte Burim Bajraktari, Arkitekt Kryesor dhe CEO i studios arkitekturore MODIUM, i cili ndau me studentët përvojën e tij shumëvjeçare profesionale në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Bajraktari ka përfunduar studimet pasuniversitare në Kingston University London në vitin 2011 dhe ka ndërtuar karrierën e tij përmes angazhimeve profesionale në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ligjëratës, ai prezantoi rrugëtimin e tij profesional, duke filluar nga projektet e hershme të vizualizimit 3D, themelimi i shërbimeve arkitekturore në vitin 2008, si dhe procesin e ribrandimit strategjik në vitin 2015, i cili çoi në krijimin e studios MODIUM. Sot, kjo studio njihet për qasjen e saj bashkëkohore, dizajnet e qëndrueshme dhe trajtimin estetik të hapësirës.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive, ku studentët patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të njihen më nga afër me sfidat, mundësitë dhe realitetin e profesionit të arkitektit dhe dizajnerit të enterierit. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke i motivuar studentët për zhvillimin e mëtejmë të aftësive të tyre kreative dhe profesionale.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së në ofrimin e përvojave praktike dhe frymëzuese për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe sfidat e industrisë së dizajnit dhe arkitekturës.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT vizituan SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë

Published

on

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën organizimin e profesoreshës Besarta Sadriu dhe profesor Emrush Thaçi, realizuan një vizitë me karakter humanitar dhe edukativ në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.

Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me punën fisnike të institucionit, i cili ofron mbështetje për fëmijët pa përkujdesje prindërore, si dhe sensibilizimi i studentëve për përgjegjësinë sociale dhe empatinë profesionale.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me funksionimin e SOS Fshatit, programet psiko-sociale të ofruara për fëmijët, si dhe rolin e psikologut në mbështetjen emocionale dhe zhvillimore të tyre. Kjo përvojë praktike dhe interaktive u shndërrua në një mësim të vlefshëm për studentët, duke i nxitur të reflektojnë mbi rëndësinë e mbështetjes emocionale dhe përgjegjësisë profesionale në punën me fëmijët.

Në kuadër të kësaj vizite, studentët dhe profesorët e UBT-së dhuruan një donacion simbolik, si shprehje solidariteti dhe përkrahjeje për fëmijët dhe stafin e SOS Fshatit. Ky veprim thekson angazhimin e UBT-së për të kombinuar dijen akademike me vlerat humanitare, duke promovuar ndjeshmëri sociale dhe përkushtim profesional tek studentët.

Vizita u vlerësua pozitivisht nga të dyja palët, duke shprehur dëshirën që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim zhvillimin e vlerave etike, sociale dhe profesionale te gjeneratat e reja të psikologëve.

Continue Reading

Të kërkuara