Aktualitet

Rama: Kandidati apo kandidatja për President, jo nga grupi parlamentar i PS-së

Rama: Diskutuam për procesin e identifikimit të kandidaturës për presidentin apo presidenten e re të Republikës.

Published

on

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, kandidati apo kandidatja për president të Republikës nuk do të jetë nga grupi parlamentar i PS-së.

Pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, pasditen e sotme, Rama u shpreh se, “sot ne u mblodhëm për vënien në zbatim të vendimeve që morëm në Kongres dhe për këtë arsye do të mbledhim dhe Asamblenë Kombëtare në fund të javës së parë të majit”.

Ashtu sikundër, shtoi Rama, “diskutuam për procesin e identifikimit të kandidaturës për presidentin apo presidenten e re të Republikës, pasi ditët po kalojnë dhe momenti i fillimit të procesit zyrtarisht po afron”.

I pyetur nëse ka identifikuar një person që plotëson pritshmëritë, Rama u shpreh se, “po ta kishim identifikuar do ta kishim publikuar”.

“Ndërkohë që nuk kuptoj ç’do me thënë më të votuarit, sepse ne nuk kemi bërë votim, ne kemi mbledhur propozimet, dhe ajo çka ne e kemi thënë publikisht dhe sot në mbledhjen e Kryesisë është një vendim i konsoliduar është se kandidati apo kandidatja nuk do të jetë nga grupi parlamentar i PS”, theksoi Rama.

Rama u shpreh se, “të gjitha këto historitë e profileve, të kritereve, të fushave janë mekanizma për të krijuar mjegull gjatë rrugës. Ndërkohë që është shumë e qartë që nuk është se janë mbledhjet për profilet që nxjerrin kandidaturën për presidentin e Republikës, sepse pavarësisht nga fusha dhe pavarësisht nga çfarë mund të shkruajmë, është absolutisht e panevojshme të shkojmë në një drejtim që thjesht është për të konsumuar kohën deri ditën kur del emri”.

“Kushtetuta ka nevojë për një garant. Republika ka nevojë për një figurë që të mishërojë normalitetin e bashkëjetesës mes palësh dhe komunitetesh me besime të kundërta, me bindje të ndryshme, me prejardhje të ndryshme, me opinione të ndryshme. Dhe patjetër që e gjithë kjo bashkësi shqiptare ka nevojë për një pikë referimi. Dhe në fund të fundit për një shqiptar apo shqiptare të denjë që gjithsekush do të donte që ta konsideronte një person, me të cilin e lidh një urë respekti”, theksoi ai.

I pyetur nëse ka marrë PS ndonjë sinjal nga PD për të negociuar, Rama tha se, “nuk ka akoma një proces”.

“Kemi dëgjuar edhe raportin e bërë nga komisioni i posaçëm që kemi ngritur. E kam thënë dhe e përsëris që është shumë e qartë vija e kuqe për ne. Ne nuk bëjmë asnjë negociatë dhe nuk kemi asnjë komunikim për të bërë në funksion të së ardhmes, me atë që në funksion të politikës është përfaqësues i botës së përtejme”, tha Rama.

I pyetur nëse presidenti i ri mund të vijë edhe përtej territorit shqiptar, Rama u shpreh se, “do të ishte shumë mirë të vinte, por Kushtetuta jonë ka një pengesë në këtë aspekt. Është një kushtetutë e bërë në një kohë tjetër dhe ka parashikuar që president i Republikës nuk mund të zgjidhet dikush që në 10 vitet e fundit nuk jeton në Shqipëri. Kështu që kjo në një farë mënyre e kufizon, në mos e eliminon fare mundësinë e një presidenti që vjen nga jashtë territorit zyrtar të Republikës së Shqipërisë”.

I pyetur për deklaratën e bërë prej tij në parlamentin e Kosovës se ka ardhur koha për të pasur një president të përbashkët, Rama theksoi se, “ne do të kishim vënë Hashim Thaçin president, me siguri edhe do të ishte një president i shkëlqyer për Shqipërinë, edhe për Kosovën, dhe do ta kishim votuar me bindjen dhe me kënaqësinë më të madhe, por fatkeqësisht Hashim Thaçi nuk është i pranishëm për momentin në jetën e bashkësisë shqiptare si një qytetar i lirë, sepse ndaj tij po zhvillohet një proces, i cili mos bëni ta them se çfarë procesi është”.

Për qëndrimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut për negociatat, Rama u shpreh se, “nuk kam asnjë surprizë”.

“Unë i kam thënë ato që kam pasur për të thënë lidhur me këtë proces. Unë nuk jam optimist për rezultatin e negociatave që po zhvillohen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Dhe sikundër e kemi ndarë dhe me shqiptarët përmes Këshillimit Kombëtar dhe bazuar edhe në opinionin që kemi marrë nga qytetarët tanë. Nëse në fund të këtij 6-mujori me Presidencën franceze ky ngërç nuk zgjidhet, ne do të ndryshojmë kursin dhe do të kërkojmë me insistim nga të gjithë që të na ndajnë dhe s’ka arsye fare pse Shqipëria të shikohet e lidhur më tutje me Maqedoninë e Veriut, jo për shkak të Maqedonisë së Veriut, por për shkak të një absurdi bullgar që lidhet me problematika që s’kanë lidhje fare me Shqipërinë dhe që faktikisht, është një absurd që nxjerr në pah një problem të madh të brendshëm të BE. Shpresoj që rizgjedhja e presidentit Macron do t’i japë një shtysë proceseve të brendshme të BE dhe uroj që presidenti Macron do të jetë i motivuar dhe do të jetë në gjendje që të përdorë më shumë forcë në çuarjen përpara të këtyre proceseve, së bashku me kancelarin e ri gjerman, sepse ndryshe situata e brendshme e BE do të jetë shumë problematike. Jo thjesht në raport me ne, por në raport me shumë aspekte të tjera që janë dhe më të mëdha sesa aspektet që lidhen me pjesën tonë, por që sigurisht, për ne aspekti që lidhet me pjesën tonë janë më të rëndësishme kjo nuk diskutohet, sepse fillimisht vjen interesi i Shqipërisë, interesi ynë kombëtar, pastaj të gjitha të tjerat”, tha Rama.

Për vullnetin e grupit parlamentar të PS në lidhje me emrin e presidentit të ri, Rama tha se, “grupi parlamentar i PS nuk ka shprehur ndonjë vullnet. Grupi parlamentar i PS ka kontribuar me propozime”.

“Dhe ka bërë shumë propozime, nga më të ndryshmet. Kështu që aty ku janë bërë nga 3 propozime nga çdo deputet ka edhe nga brenda, ka edhe nga jashtë grupit parlamentar të PS, dhe është gjëja më e bukur dhe më natyrale. Dhe nuk shoh ndonjë problem me vullnetin e grupit. Ndërkohë që po ju përsëris, në kryesi sot ka qenë i konsoliduar opinioni që kjo nuk është radha e një presidenti që del nga grupi parlamentar i PS”, vuri në dukje ai.

I pyetur se edhe sa do e presë PS për negociata kreun e grupit parlamentar të PD, Alibeaj, Rama u shpreh se, “është një proces që po e ndjek komisioni që kemi ngritur”.

“Dhe me sa unë dëgjova nuk ka problem afatesh. Po ndërtohet procesi. Por natyrisht që do presim deri në momentin kur do duhet pastaj të fillojmë procesin dhe të kemi emra. Kështu që nëse ata nuk do të sjellin asnjë kontribut, është zgjedhja e tyre, nuk ka këtu ndonjë dramë të madhe. Nuk do ishte hera e parë në fakt. Mbase e kundërta është e vërteta, do ishte hera e parë që do sillnin një kontribut gjithë këto vite. Ndërkohë ne, kur ishim në opozitë, jo vetëm herën e parë kur kishim si të thuash deri në njëfarë momenti vota në proces, po edhe herën e dytë, kur s’kishim vota dhe kur e dinim shumë mirë që në fund gjasat ishin të gjitha që do dilte një kandidat partizan i PD-së, ne ishim aty dhe dhamë kontributin tonë, sepse kjo është jeta e opozitës. Opozita nuk është në parlament që të imponojë vullnetin e vet. Opozita është në parlament që të kërkojë rrugë për të dhënë kontributin e vet. Që të mundohet që të bindi pjesën tjetër, por që jo domosdoshmërisht, arrin ta bindë pjesën tjetër. S’ka asnjë dramë këtu”, theksoi ai.

Për mospranimin e Komisionit të Rithemelimit në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, Rama tha se, “me botën e përtejme PS nuk ka asnjë lidhje”.

“Dhe as nuk negocion, as nuk komunikon, as nuk bën asgjë. Dhe sa herë do na jepet mundësia do t’i themi të gjithë atyre që gabimisht kujtojnë se përfaqësuesi i botës së përtejme është akoma gjallë se në fakt gjallimi i tij fizik është diçka tjetër dhe gjallesa politike është diçka krejt tjetër. Dhe nuk është koha u them gjithë atyre që ndjekin përfaqësuesin e botës së përtejme, për ta turpëruar Shqipërinë në këtë farë feje, pavarësisht se janë një pakicë e cila do vazhdojë të rrudhet, se nuk ka asnjë shans tjetër përveç se të rrudhet, nëse do vazhdojë t’i shkojë mbrapa përfaqësuesit të botës së përtejme”, përfundoi Rama.

Continue Reading

Vendi

Punëtori statistikore për studentët e Psikologjisë në UBT me ligjëruese nga ShBA

Published

on

Fakulteti i Psikologjisë në UBT, nën organizimin e Asst. Prof. Elona Krasniqi, organizoi me sukses një punëtori statistikore me ligjëruese të ftuar Besjana Krasniqi, kandidate doktorante në Psikologji Zhvillimore të Aplikuar në Universitetin e Maryland, Baltimore County (UMBC), ShBA, si dhe pjesë e Laboratorit për Zhvillimin e Fëmijëve, Familjes dhe Shkollës.

Punëtoria u zhvillua në kuadër të lëndës Metodologji e Avancuar Kërkimore dhe ishte i dedikuar për studentët e programit master në Psikologji. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte avancimi dhe praktikimi i njohurive statistikore, me fokus në përdorimin e modeleve parashikuese përmes analizave të regresionit.

Gjatë punëtorisë, studentët u angazhuan në mënyrë aktive përmes ndërveprimeve dinamike, shembujve konkretë nga kërkimi empirik, testimit të hipotezave kërkimore duke përdorur programin SPSS, si dhe interpretimit të rezultateve statistikore. Ky format praktik u mundësoi studentëve të lidhin teorinë me aplikimin real në kërkimin shkencor.

Ky aktivitet kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe profesionale të studentëve, duke promovuar njëkohësisht rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me studiues dhe profesionistë nga institucione prestigjioze. Punëtoria është në përputhje me planin strategjik të UBT-së për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore profesionale, si në nivel institucional ashtu edhe në atë kombëtar.

Continue Reading

Vendi

Burim Bajraktari ndan përvojën ndërkombëtare me studentët e Dizajnit në UBT

Published

on

Javën e kaluar, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u mbajt një ligjëratë me karakter edukativ dhe profesional, e organizuar për studentët e vitit të tretë të programit Dizajn i Integruar – specializimi Enterier. Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Semiotikë dhe Estetikë, nën udhëheqjen e profesoreshës Ardita Rizvanolli.

I ftuar ishte Burim Bajraktari, Arkitekt Kryesor dhe CEO i studios arkitekturore MODIUM, i cili ndau me studentët përvojën e tij shumëvjeçare profesionale në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Bajraktari ka përfunduar studimet pasuniversitare në Kingston University London në vitin 2011 dhe ka ndërtuar karrierën e tij përmes angazhimeve profesionale në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ligjëratës, ai prezantoi rrugëtimin e tij profesional, duke filluar nga projektet e hershme të vizualizimit 3D, themelimi i shërbimeve arkitekturore në vitin 2008, si dhe procesin e ribrandimit strategjik në vitin 2015, i cili çoi në krijimin e studios MODIUM. Sot, kjo studio njihet për qasjen e saj bashkëkohore, dizajnet e qëndrueshme dhe trajtimin estetik të hapësirës.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive, ku studentët patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të njihen më nga afër me sfidat, mundësitë dhe realitetin e profesionit të arkitektit dhe dizajnerit të enterierit. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke i motivuar studentët për zhvillimin e mëtejmë të aftësive të tyre kreative dhe profesionale.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së në ofrimin e përvojave praktike dhe frymëzuese për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe sfidat e industrisë së dizajnit dhe arkitekturës.

Continue Reading

Vendi

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT vizituan SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë

Published

on

Studentët e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën organizimin e profesoreshës Besarta Sadriu dhe profesor Emrush Thaçi, realizuan një vizitë me karakter humanitar dhe edukativ në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.

Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me punën fisnike të institucionit, i cili ofron mbështetje për fëmijët pa përkujdesje prindërore, si dhe sensibilizimi i studentëve për përgjegjësinë sociale dhe empatinë profesionale.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me funksionimin e SOS Fshatit, programet psiko-sociale të ofruara për fëmijët, si dhe rolin e psikologut në mbështetjen emocionale dhe zhvillimore të tyre. Kjo përvojë praktike dhe interaktive u shndërrua në një mësim të vlefshëm për studentët, duke i nxitur të reflektojnë mbi rëndësinë e mbështetjes emocionale dhe përgjegjësisë profesionale në punën me fëmijët.

Në kuadër të kësaj vizite, studentët dhe profesorët e UBT-së dhuruan një donacion simbolik, si shprehje solidariteti dhe përkrahjeje për fëmijët dhe stafin e SOS Fshatit. Ky veprim thekson angazhimin e UBT-së për të kombinuar dijen akademike me vlerat humanitare, duke promovuar ndjeshmëri sociale dhe përkushtim profesional tek studentët.

Vizita u vlerësua pozitivisht nga të dyja palët, duke shprehur dëshirën që bashkëpunime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim zhvillimin e vlerave etike, sociale dhe profesionale te gjeneratat e reja të psikologëve.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Në UBT u ndanë certifikatat për ekipin kosovar pjesëmarrës në “FIRST Global Challenge”

Published

on

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në UBT, në prani të drejtuesve të institucionit, mentorëve, prindërve të anëtarëve të ekipit, si dhe përfaqësuesve të komunitetit akademik, u ndanë certifikatat për ekipin kosovar që mori pjesë në garën ndërkombëtare të robotikës FIRST Global Challenge në Panama.

Ekipi i përfaqësuesve të Kosovës ishte i përbërë nga Leona Hajrizi, Amar Rama, Ardi Krosa dhe Marta Çerkini, të cilët nën mentorimin e Elita Hajrizit demonstruan përkushtim, profesionalizëm dhe përfaqësuan denjësisht Kosovën në këtë garë prestigjioze.

Në fjalën e saj gjatë ceremonisë, mentore Elita Hajrizi theksoi sfidat me të cilat u përball ekipi, sukseset dhe angazhimin dinjitoz të treguar gjatë garës:

“Ekipi ynë përballoi sfida të shumta, por me përkushtim, bashkëpunim dhe punë të palodhur, arritëm të përfaqësojmë Kosovën me krenari. Kjo garë na dha mundësinë të tregojmë profesionalizmin tonë dhe të krijojmë miqësi ndërkombëtare që do të mbeten të paharrueshme”.

Gjithashtu, gjatë ceremonisë u certifikuan edhe mentorët e tjerë Ylli Rexhaj, Redon Rexhepi dhe Argjend Jetullahu, për ndihmën dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë procesit.

Ekipi shprehu falënderime të veçanta për UBT, si mbështetës kryesor i të rinjve të Kosovës, si dhe për mentorët, stafin administrativ dhe ekipin e mediave që dokumentoi gjithë aktivitetet e ekipit. Po ashtu, falënderime iu drejtuan familjeve të ekipit, të cilat kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj gjatë gjithë këtij udhëtimi.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, shprehu mirënjohje të thellë për punën dhe vullnetarizmin e treguar nga studentët dhe nxënësit, të cilët po dëshmojnë suksese të jashtëzakonshme në fushën e robotikës.

Ky sezon i FIRST Global Challenge ishte një eksperiencë e paharrueshme për ekipin kosovar, i cili përveç njohurive teknologjike dhe robotike, fitoi edhe miqësi të reja dhe përvoja të çmuara ndërkombëtare. Team Kosova përfundoi sezonin me energji dhe pasion, duke premtuar rikthim edhe në sezonin e ardhshëm për të përfaqësuar vendin me krenari.

Continue Reading

Të kërkuara