Aktualitet

Zelensky: Ka nisur beteja për Donbasin

Mbi 100,000 njerëz të bllokuar në Mariupol.

Published

on

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia ka nisur ofensivën e gjerë në rajonin e Donbasit.

Mediat ukrainase kanë raportuar më 19 prill për bombardime të fuqishme në rajonin Donjeck, përkatësisht në Marinka, Sllavjanska dhe Kramatorsk.

“Ne mund të konfirmojmë tani se trupat ruse kanë nisur betejën për Donbasin, të cilën e kanë përgatitur për kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani është e dedikuar në këtë ofensivë”, ka thënë Zelensky në llogarinë e tij në Telegram më 18 prill.

“Nuk ka rëndësi sa trupa ruse janë dërguar atje, ne do të luftojmë. Ne do të mbrojmë veten. Do ta bëjmë këtë çdo ditë”, ka thënë ai.

Zelensky ka falënderuar mbrojtësit ukrainas, të gjitha qytetet e Donbasit, përfshirë Mariupolin, por edhe qytetet në rajonin e Harkivit, të cilat “mbrojnë fatin e gjithë shtetit”.

Zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë thënë më herët se Rusia duket se ka nisur ofensivë të re, pas një serie të sulmeve me raketa në infrastrukturë ushtarake në qytetin perëndimor të Lvivit, si pasojë e të cilave kanë vdekur të paktën shtatë njerëz.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se ka parë “shenja të një ofensive të re në rajonin lindor” dhe në fokus duket se janë rajonet e Harkivit dhe Donjeckut.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, ka raportuar po ashtu për ofensivën.

“Ne humbëm kontrollin e qytetit Kremina. Ka luftime në rrugë”, ka thënë ai, duke përmendur se evakuimet nuk janë më të mundshme.

“Çdo orë situata po përkeqësohet”.

Përveç shtatë të vrarëve në Lviv, 11 të tjerë janë dërguar në spital për trajtim, kanë thënë zyrtarë qeveritarë të Lvivit më 18 prill.

Lvivi dhe pjesa tjetër perëndimore e Ukrainës është prekur më pak nga sulmet, në krahasim me pjesën tjetër të shtetit.

Rusia ka thënë se përmes sulmeve në Lviv ka shkatërruar një depo të madhe me armë të huaja, që janë dërguar së fundi në Ukrainë.

Aeroplanët rusë kanë goditur qendrën ukrainase të logjistikës “ku ka pasur armë të huaja, të dërguara në Ukrainë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane në gjashtë ditët e fundit” dhe “i kanë shkatërruar ato”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Ai ka thënë se municioni është shkatërruar edhe në rajonin e Kievit.

Mbi 100,000 njerëz të bllokuar në Mariupol

Ndërkohë, vazhdimi i rrethimit të Mariupolit në juglindje të Ukrainës ka rezultuar me viktima të konsiderueshme civile dhe shkatërrim të një pjese të madhe të infrastrukturës.

Ukraina ka akuzuar Rusinë është duke zbatuar taktikat e luftërave sikurse në Çeçeni dhe Siri, pavarësisht pretendimeve të Moskës në nisje të pushtimit se “Rusia nuk do të godasë qytete dhe as nuk do të kërcënojë popullsinë ukrainase”.

Vlerësohet se 100,000 njerëz kanë mbetur brenda qytetit, pa ushqim, ujë, ngrohje apo rrymë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.

Para luftës, Mariupoli ka pasur 450,000 banorë.

Biden s’ka plan të vizitojë Kievin

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 18 prill se presidenti amerikan, Joe Biden nuk ka plane për të vizituar Kievin.

Zelensky i ka bërë thirrje Bidenit që të demonstrojë mbështetjen amerikane në luftimet kundër Rusisë, duke udhëtuar drejt kryeqytetit ukrainas, mirëpo zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se nuk ka plane që presidenti amerikan të shkojë atje.

Zelensky ka thënë më 17 prill se ai mendon që Biden do të bëjë një vizitë të tillë, mirëpo ka thënë se vendimi i përket presidentit amerikan dhe do të varet nga situata e sigurisë.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se në vend në Bidenit, ka shumë mundësi që Kievin ta vizitojnë zyrtarë të lartë amerikanë, sikurse Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken apo Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Gjeomonumentet e Republikës së Kosovës publikohen në ProGEO

Published

on

By

Profesori nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Hazir S. Çadraku, në bashkëpunim me Fadil Bajraktari, Cand. PhD, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, kanë publikuar artikullin shkencor me titull “New geomonuments, Republic of Kosovo” në ProGEO News, revistë dhe platformë zyrtare e International Association for the Conservation of Geological Heritage (ProGEO).

Ky publikim paraqet një kontribut të rëndësishëm shkencor dhe institucional në fushën e trashëgimisë gjeologjike, duke prezantuar monumente të reja gjeologjike (geomomumente) në Republikën e Kosovës, si dhe duke theksuar vlerat e tyre shkencore, edukative, turistike dhe mjedisore.

Artikulli synon të rrisë ndërgjegjësimin kombëtar dhe ndërkombëtar për pasurinë gjeologjike të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj në kuadër të mbrojtjes së natyrës.

ProGEO është një organizatë ndërkombëtare prestigjioze që bashkon ekspertë të gjeoshkencave, menaxherë të trashëgimisë natyrore, studiues, edukatorë dhe profesionistë të turizmit, me misionin për të promovuar dhe mbrojtur trashëgiminë gjeologjike dhe gjeodiversitetin në mbarë botën.

Organizata është e afiluar me International Union of Geological Sciences (IUGS) dhe është anëtare e International Union for Conservation of Nature (IUCN), duke luajtur një rol kyç në politikat globale të konservimit të natyrës.

Përmes këtij publikimi, autorët theksojnë nevojën për një qasje të integruar në mbrojtjen e natyrës, ku trashëgimia gjeologjike trajtohet në mënyrë të barabartë me biodiversitetin, si dhe rëndësinë e përfshirjes së institucioneve shtetërore, akademike dhe publikut në ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.

Për më shumë detaje rreth artikullit dhe aktiviteteve të ProGEO-s, vizitoni faqen zyrtare të organizatës: ProGEO

Continue Reading

Lajmet

Kompleksiteti ushtarak-operacional i inteligjencës: “Maduro jasht” nuk ishte akt lufte, por zbatim i ligjit

Published

on

By

(Operacioni special për neutralizimin e objektivave dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s përfaqëson kulmin e artit modern të zbatimit të ligjit përmes inteligjencës strategjike)

(more…)

Continue Reading

Lajmet

Eksperti i sigurisë nga UBT, Arian Kadriu, mban ligjëratë tematike në Camp Bondsteel

Published

on

By

Profesori dhe njëherit Prodekani i Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka realizuar një ligjëratë tematike në ambientet e Camp Bondsteel, në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe profesional me misionin e KFOR-it.

Ligjërata u përqendrua në temën “Kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë kombëtare në Kosovë”, duke trajtuar në mënyrë analitike zhvillimet aktuale të sigurisë, sfidat strategjike dhe rolin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në garantimin e stabilitetit dhe paqes.

Gjatë ligjëratës, Profesori Kadriu ofroi një qasje të thelluar akademike të kombinuar me përvojë praktike, duke theksuar rëndësinë e analizës së rrezikut, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit të partnerëve ndërkombëtarë në ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Continue Reading

Të kërkuara