Aktualitet

Moti për sot

IHMK ka njoftuar se temperaturat do të lëvizin ndërmjet -1 -1 gradë Celsius.

Published

on

Gjatë ditës së sotme parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se temperaturat do të lëvizin ndërmjet -1 -1 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 12-14 gradë Celsius.

“Do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 – 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-14 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së. 

Aktualitet

Sot mbahet seanca për rastin “Banjska”, pas shtyrjes për mungesë të dëshmitarit

Published

on

Të hënën pritet të vazhdojë seanca gjyqësore në rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, pasi ajo ishte shtyrë të premten për shkak të mungesës së një dëshmitari kyç të Prokurorisë.

Dëshmitari i identifikuar si A2, i cili ishte paraparë të dëshmonte gjatë ditës së premte, nuk ishte i pranishëm, çka bëri që gjyqtari Arben Hoti ta shtyjë shqyrtimin gjyqësor për të hënën.

“Konstatoj se për shkak të mungesës së dëshmitarit nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor”, deklaroi Hoti.

Të akuzuarit përballen me akuza për terrorizëm dhe vepra të rënda penale, që lidhen me sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Procesi gjyqësor ka nisur më 17 prill, dhe deri tani disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dëshmuar në këtë rast.

Continue Reading

Kulturë

​Trembëdhjetë vjet nga vdekja e poetit Ali Podrimja

Published

on

Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetin Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë, kurse u raportua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik.

Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.

Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë.

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005.

Continue Reading

Aktualitet

Tentimi i 50-të për konstituim të Kuvendit

Published

on

Deputetët e zgjedhur do t’i drejtohen edhe sot Kuvendit të Kosovës, në tentimin e tyre të 50 për ta konstituuar atë.

Gjatë fundjavës kryetari i VV-së, Albin Kurti u takua me homologun e tij të Nisma-s, Fatmir Limajn, takim ky që u spekulua që do ta zgjidh ngërçin institucional, megjithëse u tha se nga ky takim nuk doli gjë e frytshme.

Megjithëse nëse ka përparim në rrugën për të funksionalizuar kuvendin, do të kuptohet sot nga ora 11:00.

Continue Reading

Aktualitet

IKD: Çdo vendim i “ministrave – deputetë” mund të shfuqizohet në gjykatë

Published

on

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se ushtrimi i njëkohshëm i pozitave të ministrit dhe deputetit bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme që bëri të qartë se nuk mund te jesh edhe ministër edhe deputet.

Melos Kolshi nga IKD-ja tha se çdo vendim i marrë nga 27 marsi e tutje nga ministrat në detyrë që janë njëkohësisht deputetë, mund të shfuqizohet në gjykatë, njësoj si rasti i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave.

“Nuk mundet një individ të ushtrojë edhe pozitën e deputetit, edhe ministrit në detyrë, apo kryeministrit në detyrë, për arsye që këto bien ndesh njëra me tjetrën. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme, duke thënë dhe duke ruajtur parimin e ndarjes së pushteteve: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duke treguar se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ nuk duhet të ushtrohen nga i njëjti individ”, tha Kolshi.

Ai shprehu shqetësim për komentet publike të zyrtarëve qeveritarë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, duke i cilësuar ato si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Ai tha se nga institucionet, në këtë rast nga Qeveria në detyrë, pritet vetëm ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Continue Reading

Të kërkuara