Lajmet

Hajdari: Ndoshta mund të shprehet nevoja për shqyrtim të TVSh-së dhe akcizës në karburante

Ajo paralajmëroi kontroll më rigoroz të tregut të karburanteve pas ngritjes së çmimeve.

Published

on

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka apeluar tek qytetarët se s’ka vend për panikë për furnizim me grurë dhe karburante.

Në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Hajdari paralajmëroi kontroll më rigoroz të tregut të karburanteve pas ngritjes së çmimeve, derisa theksoi se disa tregtarë nuk po funksionojnë në konkurrencë të shëndoshë. Megjithatë e la si mundësi të hapur që të ardhmen të diskutohet nevoja për shqyrtim të TVSh-së dhe akcizës në karburante.

“Është rrugë e lirë nga Shqipëria, është rrugë e lirë nga Maqedonia e Veriut, ndoshta javën e kaluar kishte ngadalësim nga Shqipëria, por me autoritetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut jemi siguruar se s’ka vend për t’u shqetësuar dhe manipuluar në treg se s’ka stoqe […] Jam e njoftuar nga sinjalizuesit se shpesh disa tregtarë nuk funksionojnë në konkurrencë të shëndoshë po kanë marrëveshje të përbashkëta. Unë nuk paragjykoj por këto sinjale po i marr dhe do t’i shikoj me Autoritetin e Konkurrencës […] Deri më tash kemi diskutuar për marzhën tregtare 2 me 8 dhe kemi diskutuar për rritjen e stoqeve të rezervës shtetërore. Këto dy valë jemi, është diskutuar në tavolinë akciza, por vet naftëtarët janë më shumë të interesuar të shkojmë në marzhën dy me tetë […] Ndoshta të ardhmen ka me u shpreh nevoja me shqyrtuar TVSh-në dhe akcizën, por tash për tash jemi në këtë valë”, tha ajo.

Ministrja tregoi edhe angazhimin e saj konkret për sigurimin e stoqeve me grurë.

“Nuk e di pse vjen ky panik kur nuk ka rrezik për mbyllje të kufijve dhe stoqeve. Ndoshta për grurin që Ukraina është një prej shteteve eksportuese, por Kosova nuk ka eksportuar nga Ukraina, nuk lidhet direkt. Kemi shtete mike, si Kroacia, Italia, Bullgaria, Turqia nga ku atje marrim grurë. Jemi në kontakt me MPJD-në, ambasadat dhe ministrat përkatës, homologët anë që bisedojmë. Edhe në qoftë se ata e ndalin eksportin për disa prej produkteve, marrëveshjet ndërministrore ministër-ministër e lejojnë Kosovën të rrisë mundësinë e stoqeve dhe rezervave shtetërore në këtë rast”, shtoi Hajdari.

Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar rifreskimin e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë, pas agresionit në Ukrainë dhe krijimin e një fond humanitar për Ukrainën.

Kryediplomatja u shpreh optimiste se viti 2022 do të jetë “interesant” për njohjet e reja, derisa, foli edhe për emërimin e ambasadorëve.

“Momentalisht kanë kaluar në komisionin parlamentar tre ambasadorë politik. Është ambasadori që duhet të shkojë në Turqi, Maqedoni të Veriut dhe në Norvegji. Këto janë procedurat që janë konifenciale deri në momentin e aprovimit […] Procesi (për njohje të reja) është i mirë” theksoi Gërvalla duke shtuar se “mua më bënë optimiste se viti 2022 do të jetë interesant edhe në këtë aspekt”.

Lajmet

​Rutte: Putin, pengesa kryesore për paqen në Ukrainë

Published

on

Shefi i NATO-s Mark Rutte, akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se është pengesa kryesore për paqen në Ukrainë.

I pyetur pse është kaq e vështirë të përfundojë lufta në Ukrainë, Rutte tha se arsyeja është Putin, i cili është gati të sakrifikojë 1.1 milion qytetarë të tij.

“Këtë vit, përparimi i tij (i Putin) ka qenë minimal: fitime territoriale të papërfillshme, më pak se një për qind e territorit ukrainas që nga fillimi i vitit, dhe, sipas vlerësimeve tona, deri në 1.1 milion njerëz janë vrarë ose plagosur në anën ruse”, tha Rutte duke shtuar se disa vende evropiane kanë deklaruar se janë gati të ofrojnë forca, nëse është e nevojshme.

“Po punohet për të përcaktuar strukturën e saktë të Koalicionit të Gatshëm: Si do të ndodhte vendosja? Çfarë do të ndodhte në tokë, në det, në ajër? Të gjithë këta elementë janë ende duke u përpunuar”, shtoi Rutte.

Ai tha se respekton shumë presidentin e SHBA-së Donald Trump pasi ai është i vetmi që ka arritur ta sjellë Putin në tryezën e negociatave dhe i vetmi që mund ta detyrojë të bëjë paqe.

“Edhe pse Trump e ka humbur durimin disa herë, kreu i NATO-s nuk pret që SHBA-ja të tërheqë mbështetjen për Ukrainën”, tha ai në gazetën gjermane Bild./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Sllovakia paralajmëron se BE rrezikon besimin në Ballkanin Perëndimor

Published

on

Presidenti sllovak Peter Pellegrini tha se vonesat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit rrezikojnë të gërryejnë besimin në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Beograd pas bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Pellegrini paralajmëroi se vonesat e zgjatura mund t’i bëjnë njerëzit në rajon të braktisin perspektivën evropiane, një zhvillim që ai tha se do të dobësonte sigurinë dhe besueshmërinë afatgjatë të BE-së.

“Bashkimi Evropian po luan me besimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha Pellegrini.

Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten në faza të ndryshme të procesit të pranimit në BE. Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë përfshirë në integrimin evropian për më shumë se dy dekada.

Mali i Zi dhe Serbia po zhvillojnë zyrtarisht negociata pranimi me BE-në, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hapën bisedimet në vitin 2022.

Bosnja dhe Hercegovina iu dha statusi i kandidatit në të njëjtin vit, por ende nuk ka filluar negociatat, ndërsa Kosova mbetet i vetmi vend në rajon pa status kandidati.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë vazhdimisht se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron brenda bllokut, por ndarjet e brendshme dhe ritmi i ngadaltë i reformave kanë vazhduar të pengojnë procesin e zgjerimit/S.K/KP/Anadollu/

Continue Reading

Lajmet

Supremja shqyrton ankesën ndaj dënimit me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën

Published

on

Në Gjykatën Supreme të Kosovës, sot në orën 09:00, mbahet seanca për shqyrtimin e ankesës së ushtruar kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kishte vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës.

Krivaqa ishte dënuar më 4 gusht 2023 me burgim të përjetshëm për vrasjen e rëndë të Marigona Osmanit, një rast që kishte tronditur opinionin publik.

Seanca e sotme në Supreme pritet të përcaktojë nëse vendimi i Apelit do të mbetet në fuqi apo nëse çështja do të kthehet në rishqyrtim.

Marigona Osmani ishte 18 vjeçe kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Published

on

Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, sot në orën 09:30 mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e viktimës, Liridona Ademaj.

Seanca pritet të shënojë një zhvillim të rëndësishëm në këtë proces, i cili ka zgjuar interes të madh publik për shkak të rrethanave të rënda të rastit dhe ndjeshmërisë që ka shkaktuar në opinion.

Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjekura, ndërsa familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi të plotë dhe zbardhje të të gjitha rrethanave të ngjarjes./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara