Lajmet

Hasani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO përcaktohet nga dialogu në Bruksel

Hasani thotë se Kosova ka bërë mirë që ka marrë pozicion pro-perëndimor duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Published

on

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk përcaktohet prej agresionit rus në Ukrainë, por nga dinamikat e brendshme që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë. Hasani thekson se Kosova nuk mund të përfitojë nga lufta në Ukrainë për t’u anëtarësuar në NATO, apo organizata të tjera ndërkombëtare, pasi Rusia nuk mund të projektojë forcë në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përdoret si njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani thotë se Kosova ka bërë mirë që ka marrë pozicion pro-perëndimor duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Çështja e anëtarësimit tonë në NATO, këtë duhet ta kuptojë çdokush se përcaktohet prej dinamikave dhe faktorëve të tjerë të brendshëm që kanë të bëjnë me raportet tona në dialogun me Serbinë. Anëtarësimi ynë në NATO është çështje e sigurisë rajonale këtu, jo çështje e sigurisë globale. Pasi ndikimi rus është shumë i dobët në këtë pjesë të botës dhe nuk mundet të projektojë forcë sepse është krejt e rrethuar me NATO-n. Anëtarësimi ynë në NATO është njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për njohje të Kosovës dhe stabilizim të marrëdhënieve me Kosovën. Nuk është diçka që kjo krizë dhe kjo luftë që ne mund të përfitojmë me anëtarësim në NATO dhe as me anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Ato janë pjesë e dinamikave të tjera që lidhen me rajonin dhe fqinjësinë tonë të afërt dhe jo Rusinë… Nuk është ajo që është e pamundur, (anëtarësimi këtë vit i Kosovës në NATO), por nuk diktohet prej faktorëve që po paraqiten. Nuk diktohet prej faktorit rus, raporteve të tyre fqinjësore si Ukraina, apo vendeve të tjera. Ajo diktohet prej raporteve tona me Serbinë, sa i përket dialogut. Anëtarësimi ynë në NATO është pjesë e atij procesi dhe është mjet si presion ndaj Serbisë nëse nuk merr vesh si të thuash ose nuk dëshiron me kuptu se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ne jemi përfitues të sigurisë nën ombrellën e NATO-s siç është Serbia”, thotë ai.

Hasani thotë se pavarësisht hezitimit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk do të ketë pasoja në integrimet evropiane. Ai shton se BE-ja dhe ShBA-ja mjaftohen me qëndrimin e Serbisë se mbështesin integritetin territorial të Ukrainës.

“Tjetër është ne çfarë dëshirojmë dhe reagimi jonë kundër Serbisë janë legjitime ndaj aleatëve tonë. Por, Serbia është vendi i vetëm në këtë pjesë të Evropës që ankoron baza ushtarake ruse dhe prezencë të konsiderueshme kineze në sferën ekonomike, të inteligjencës dhe teknologjisë së lartë. Për pasojë raportet e Perëndimit dy anët e Atlantikut janë të tilla që ata mjaftohen dhe reagimi i tyre është i tillë që janë të kënaqur me pozicionin serb për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës. Kaq… Nuk shoh se Serbia mund të ketë pasoja në integrimet evropiane ose zvarritje për shkak të reagimit. Ne mund të mendojmë siç kemi dëshirë por realiteti është ky. Nga Serbia është kërkuar të thotë atë që e ka thënë që integriteti territorial i Ukrainës nuk diskutohet dhe ajo nënkupton edhe regjimin e brendshëm kushtetues. Shikoni tash çështja e sanksioneve e tyre, Qipro nuk e bënë, nuk besoj se edhe Turqia i zbaton që është aleat i NATO-s. Qipro ka dënuar agresion e krejt, por në sanksione nuk merr pjesë”, thekson Hasani.

Madje, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk sheh ndonjë ndikim konkret të luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor dhe veçmas në Kosovë.

“Sot për sot vështirë mund të thuhet se ka ndonjë ndikim në Ballkan kjo çfarë bënë Rusia, sot për sot siç është ky raport i forcave. Pasi ndikimi rus përveç në Serbi, nuk ka qenë askund prezent. Ka qenë prezent siç po quhet ndërhyrje hibride, por ato nuk kanë qenë rezultat i vitalitetit ushtarak të shoqërisë ruse, por më shumë janë bërë me i ngadalësu, jo që kanë arritur një qëllim tjetër… Forcat e nacionalizmit serb munden në Ballkan me bë ndonjë demonstratë, apo diçka të ngjashme, por në këtë fazë dhe moment nuk mund të ketë asnjë strukturë të organizuar shtetërore të serbëve në rajon që mundet me i ndalë në mbështetje të hapur të Putinit”, deklaron ai.

Sipas tij, për vlerat euroatlantike është jetike moslejimi i prishjes së rendit ndërkombëtar që bazohet në rregulla.

“Për Perëndimin është jetike moslejimi i prishjes së rendit ndërkombëtar që bazohet në rregulla. Algoritmi i rendit të sotshëm ndërkombëtar është ndërtuar pas luftës së dytë botërore nga amerikanët, më vonë edhe evropianët e kanë fuqizuar. Ai bazohet në rregulla të qarta paraprake sa i përket të drejtës për vetëvendosje. Ajo e drejtë për vetëvendosje siç dëshiron Putini dhe siç është menduar në bashkimin sovjetik dikur dhe Millosheviqi qysh dëshironte nuk shkon me forcë për t’i treguar tjetrit se bënë kështu, ose ashtu. Perëndimi në këtë kuptim e sheh Ukrainën përveç se është shtet sipas të drejtës ndërkombëtare, ajo ka edhe një regjim demokratik që e mbron sipas standardeve të Aktit Final të Helsinkit, i cili e ruan integritetin territorial për ato shtete që sillen mirë me shtetasit e vet. Prandaj Putini thotë se gjenocid dhe ato Republikat që i njohu e ka bërë për këtë arsye, me provu një arsyetim që jam i bindur se s’ka gjyq ndërkombëtar që se pranon as vetëmbrojtjes siç e thoshte. Pasi s’ka asnjë shenjë që ka pasur represion nga ana e forcave të Ukrainës as në të kaluarën, as tani. Të gjitha analizat janë se ai ka besuar se populli i Ukrainës e përkrah Rusinë, pasi ata kanë pasur histori të përbashkët më shumë paqësore dhe jokonfliktuoze”, thotë ai.

Sanksionet e ShBA-së dhe BE-së karshi shtetit rus, Hasani i sheh si pozitive dhe thotë se po godasin elitën e shoqërisë ruse dhe financat që gjenerojnë pushtetin e presidentit Putin.

“Sanksionet e kanë goditur shumë jo vetëm atë (Putinin), pasi natyra e autokracisë personaliste është se i ke miqtë afër, oligarkët dhe i mbanë me miliarda dhe gjithë pasuria e tyre është ngrirë. Është ngrirë pasuria e industrisë që financon ushtarakët dhe tash këta i bëjnë problem të brendshëm, pasi problemin do të ketë me ata (oligarkët). Ai sheh rrezik se mund t’i vjen fundi pushtetit të tij që nuk e ka pritur. Kalkulimi kryesor i tij ka qenë se populli në Ukrainë e pret duar hapur, ka qenë i bindur pasi ashtu i ka pasur informatat e rrejshme. Tash po e sheh se ky proces mundet me u zgjatë dhe për pasojë tjetër s’ka menduar, përveç me kërcënim me armatim nuklear”, përfundon Hasani.

Pas agresionit rus në Ukrainë, ka pasur kërkesa të theksuara në Kosovë për përshpejtim të vendit në anëtarësim në NATO. Rusia ka ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë më 24 shkurt.

Lajmet

Karriera e suksesshme nis me UBT-në – Përmbyllet Akademia Verore e Qendrës së Karrierës

Published

on

Pas dy ditësh të mbushura me ligjërata, punëtori dhe sesione frymëzuese, Akademia Verore e Karrierës, e organizuar nga Qendra e Karrierës në UBT, ka përmbyllur edicionin e saj të radhës me sukses të plotë.

Ky program, i cili bashkoi studentë, profesionistë dhe përfaqësues të kompanive lidere në Kosovë, u kthye në një platformë reale për zhvillim personal dhe profesional, duke ofruar mundësi konkrete për orientim në karrierë dhe ndërtim të rrjetit profesional.

Gjatë ditëve të Akademisë:

Studentët morën pjesë në ligjërata mbi zhvillimin e karrierës dhe shkathtësitë e buta, si dhe në sesione interaktive me ekspertë të fushës së HR dhe sipërmarrjes.

Kompani si Automita, e përfaqësuar nga Qendresa Shala dhe Tenton, e përfaqësuar nga Alban Sahiti – alumnus i UBT-së, ndanë rrugëtimet e tyre frymëzuese dhe mundësitë për të rinjtë.

Ndërkohë, përfaqësues nga Gjirafa, IPKO, KosovaJobs dhe kompani të tjera ndanë përvoja të drejtpërdrejta dhe këshilla për hyrjen e suksesshme në tregun e punës.

Në përmbyllje të këtij edicioni, u theksua roli kyç që Qendra e Karrierës në UBT luan në ndërlidhjen e studentëve me tregun e punës, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për ndërtimin e një karriere të qëndrueshme dhe inovative.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Në maj morëm informacione për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Omsani, ka thënë të enjten se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim e ka bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Osmani i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.

Përgjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarim lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka nisur as Qeveria në detyrë e Kosovës, kur është pyetur se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë rëndësi strategjike për aleancën dhe ajo është e përkushtuar për stabilitet rajonal.

Megjithatë, KFOR-i nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e fundit të Osmanit dhe Trumpit, duke thënë se për to duhet referuar te institucionet e Kosovës dhe ato të SHBA-së.

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka thënë një ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë./REL

Continue Reading

Lajmet

Osmani priti në takim Anu Prattipatin

Published

on

By

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë si dhe situatën me ngërçin politik.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë”, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Sipas njoftimit, Osmani ka diskutuar me diplomaten amerikane edhe rreth vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara si dhe takimet që presidentja i ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës Trump.

Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes”, bëri të ditur institucioni i Presidencës.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata e Prishtinës e dënon në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte një ish-pjesëtar të sigurimit serb

Published

on

By

Në një njoftim për media, Gjykata Themelore në Prishtinë tha se e gjeti fajtor të pandehurin, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet S.F., për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Prokuroria e akuzoi atë se, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë me forcë në veturën e tyre një mjek me inicialet H.Sh në vitin 1998 në rrugën Drenas-Prishtinë, dhe e “kishin dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku e kishin rrahur e torturuar”.

Nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë”, sipas aktakuzës.

S.F., ka të drejtë të ankohet ndaj aktgjykimit të Themelores në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022. Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Megjithatë, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë është shqiptuar dhjetorin e vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99 u vranë mbi 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL

Continue Reading

Të kërkuara