Lajmet

Një vështrim kritik mbi albumin e ri të The Weeknd

The Weeknd u kujdes për të krijuar një aventurë gati kinematografike.

Published

on

Abel Tesfaye, i cili tashmë nuk ka nevojë për prezatim, u rikthye dhe publikoi albumin e tij të 5-të “Dawn FM”. Me produksion ambicioz për të rikthyer atmosferën e viteve ‘80 duke kombinuar elemente të RnB, Synth Pop, synth Wave dhe Dance Music. Një album i cili vazhdoi në hapa të njëjtë sikur “After Hours”, album ky i publikuar pothuajse dy vite më parë.

Për të thënë se albumi “Dawn FM” është i mirë do të ishte një nënvlerësim, pasi që The Weeknd kujdeset për të krijuar një aventurë gati kinematografike, qoftë me përfshirjen e komedianit Jim Carrey, i cili tregon dhe shpjegon qëllimet e albumit apo edhe faktit se dhuron mesazhe koherente ndërlidhëse, të cilat dallohen menjëherë. Dhe ne trajtohemi me shijen e këtij projekti në këngën e parë “Dawn FM”, e cila përfshin një instrumental me sintë, daulle klasike dhe Jim Carreyn si narrator, duke detajuar se është e rëndësishme ta pranojmë veten, fatin tonë dhe të mos nxitohemi, gjithashtu duke shtuar se albumi është komercial dhe se ja vlen të jetë argëtues.

Më pas kemi këngën e parë të plotë nga the Weeknd i cili performon shumë mirë dhe del energjik në kengën hapëse “Gasoline”. Ai kërkon mirëkuptim, dikë që ta pranojë, dhe të mos kenë shqetësime së bashku, ndërkohë që këndon me zë më të rëndë, e cila është ndryshe pasi që albumi merr një kahje më të lehtë pas kësaj. Mesazhi i dërguar dhe performanca vokale na tregon se ai po fillon nga e përfundoi me albumin e fundit. Në “How Do I Make You Love me”, Abel përforcon influencat e viteve ’80 me një instrumental të ngarkuar me sintë të ndryshëm, të cilët i japin jetë refrenit ku vazhdimisht këndon dhe shtron pyetjen “How Do I Make You Love Me”, ndërkohë në vargje ai ka në mendje një vajzë e cila e tërheq dhe dëshiron ta bëjë për vete, duke e pyetur dhe treguar se çfarë ka mundësi t’i tregojë si dhe ta ndihmojë, dhe në mënyrën si e diskuton dhe e zhvillon këtë propozim pothuajse, ai tingëllon i vendosur dhe me pasion dhe e shndërron këngën gati në një thirrje drejt tij.

“Take My Breath Away” është njëra nga këngët teke më virale dhe vazhdon të jetë fantastike, e gjen The Weeknd në formën më të mirë me refren madhështor, si dhe performancë hyjnore në vokalet pasuese. Kënga “Sacrifice” është një ndër këngët më të bukura deri më tani, qoftë për ritmin që ka, falë Abel i cili ecën mbi një instrumental që tingëllon ngjashëm si të ishte nga albumi i njohur i Daft Punk, “Discovery”, normalisht me të gjitha komplimentet e mundshme, duke ditur efektin që “Discovery” vazhdon të ketë 20 vjet pas publikimit, dhe Abel tashmë dihet që inspirohet nga Daft Punk edhe pas bashkëpunimit me dyshen franceze. Refreni hipnotizues i kombinuar me efekte në zërin e tij dhe instrumentali i pasur e nderojnë Daft Punk në mënyrën më të mirë të mundshme.

“A tale by Quincy Jones” është një ndër momentet më të prekshme me legjendën e muzikës Jazz që detajon jetën e tij, duke u rritur pa nënë prej moshës 7-vjeçare, me një njerkë të ligë si dhe efektin që kjo pati tek ai në lidhjet e përfshira, dhe në një mënyrë, The Weeknd dhe Quincy janë shpirtra të afërt duke ditur dhe dëgjuar telashet që kanë pasur në lidhjet romantike si dhe në vetë familjet e tyre. Pas kësaj kemi një moment tjetër të mrekullueshëm me këngën “Out Of Time”. Abel ndanë traumat që ka kaluar, me një person të cilën e ka ndihmuar dhe ka qenë afër saj. Ai largohet shkaku i këtyre telasheve edhe pse ajo i lutet që ai të qëndrojë bashkë me të, dhe gjërat ndryshojnë ajo ka një të dashur, me The Weeknd, i cili ndodhet në dyshime për ta pranuar faktin se e ka humbur, por në të njejtën kohë i thotë se e pret dhe pret momentin kur ai do të gabojë që të rikthehen. Dhe nëse zëri i tij në kulmin e formës nuk është mjaftueshëm, sintet të cilët përsëriten pasi ai përfundon fjalitë e mbështesin zërin e tij në mënyrën më të bukur duke i dhënë këngës një ndjenjë magjie, magjie ku dëgjuesi fluturon dhe dhe arrin një nivel tjetër kënaqësie, i rrethuar nga tinguj klasikë si dhe bukuri të hapësirës, gjë që mund të thuhet për të gjithë albumin. Pas kësaj pjese të parë, albumi fillon të humbasë pak energjinë dinamike që ka.

Kënga “Here We Go Again” e cila është një nga më të trishtat nga ana e The Weeknd, dhuron një performancë shumë të fortë edhe elastike, ajo flet për një rikthim ngjarjesh në lidhjen që ka me një vajzë, ndoshta nuk është i duhuri dhe e pyet se si ra në dashuri me dikë aq të thjeshtë. Është një moment i fuqishëm, por nuk mendoj se ndihmohet nga Tyler, The Creator i cili thotë disa vargje duke folur për temën e trajtuar, megjithatë energjia e tij nuk është më e larta, gjithashtu nuk merr shumë kohë, diku rreth 30 sekonda. E kuptoj rolin mbështetës që shërben, por mendoj se mund të ishte thënë më mirë. “Best Friends” po aq sa këngët e mëparshme trajton stilet e njejta por është më e thjeshtë dhe nuk godet njëlloj si të lartpërmendurat. Por një lëvdatë e madhe është tema e trajtuar me The Weeknd i cili e sheh vetëm si shoqe një vajzë dhe janë në konflikt se çfarë duan të bëjnë dhe çfarë jo. Ndërkohë “Is There Someone Else” dhe “Starry Eyes” përmbushin njëra-tjetrën shumë mirë me përfundimin e së parës, më pas në hyrjen e së dytës, rikthejnë eksperiencën e të fluturuarit në hapsirë. Pjesa e fundit përgjithësisht është e mirë.

“Don’t Break My Heart” rikthen këndimin me zë më të rëndë, e cila e ndihmon shumë një këngë të llojit të tillë, duke u larguar nga stereotipi i zërit më të hollë. Sintët kryesorë të cilët e mbulojnë zërin e tij, dhurojnë një ndjenjë humbjeje dhe pasigurie gjë e cila e forcon këngën. Por ” I heard you are married ” dështon të lë shumë gjurmë, për disa arsye. 1. The Weeknd nuk tregohet shumë energjik si dhe interesant. 2. Kënga merr kohë deri sa fillon dhe pasi fillon Abel nuk merr kreun në mënyrën më dominuese si më parë. 3. Lil Wayne i cili është artisti i 2-të pas Tyler, The Creator me nderin për të bashkëpunuar, por dhuron një nga performancat më të dobëta dhe zhgënjyese, duke mos qenë gati as në ritëm dhe efektet në zërin e tij i shkaktojnë dridhje përgjatë kohës që eshtë në mikrofon dhe gati pasiguri. Fatmirësisht kjo nuk është e gjatë dhe 2 këngët e fundit, e përmbyllin në mënyrën më të mirë.

“Less Than Zero” vazhdon në trajektoren fantastike me The Weeknd, i cili prek dhe sqaron shetësimet personale dhe frikësimet që ka, dhe mënyra e përfshirjes së refrenit të performuar live, në incizimim e studios është çfarë e shndërron gati në një himn të trishtë por me energji euforike. Me të vërtetë është gjeniale dhe ndryshe çfarë arriti me një version ndryshe. Teksti e mbështet dhe sqaron se gjithmonë do të jetë më pak se 0 për faktin se nuk do të përballet me të vërtetën, cila do qoftë ajo. Dhe në këngën e fundit, Jim Carrey rikthehet në ” Phantom Regret ” në rolin e poetit, ai flet për vlerësimin e jetës, të jetosh pa keqardhje, pa frikë dhe me lumturi, të udhëtosh drejt dritës dhe të gjesh paqen me veten, dhe e përmbyllë albumin në mënyrën e duhur duke na lënë tē pyesim se si The Weeknd do të vazhdojë në të ardhmen. Ai ka njoftuar se potencialisht do të ketë një album të tretë me të njejtin stil, dhe kjo u jep dashamirësve të drejtë të jenë optimistë. Ky është një përmirësim i dukshëm prej “After Hours” dhe Abel vazhdon të jetë lideri që rikthen muzikën e viteve ’80. Me çfarëdo dhe kurdo që të kthehet prapë, ai na lë në kulmin e karrierës së tij me një krijim magjepsës dhe të mrekullueshëm./UBTNews

Nota finale: 8/10

Ulis Hamiti, Media dhe Komunikim në UBT

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara