Lajmet

Berger: Tregu i përbashkët rajonal është projekt historik që duhet jetësuar

Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane flet për çështjet që duhen zgjidhur në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

Published

on

Deutsche Welle: Është krijuar përshtypja se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë humbur besimin te BE-ja. Në fillim të gushtit ju ishit për vizitë në rajon. A është kjo edhe përshtypja juaj? 

Miguel Berger: BE-ja po bën shumë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Për shembull me Planin e Ekonomisë dhe Investimeve, i cili kap shuma prej disa miliardë dollarësh dhe ka në fokus, ndër të tjera, transformimin ekologjik dhe dixhital dhe konektivitetin. BE-ja është dhe do të mbetet partnerja më e afërt dhe më e besueshme e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ka njëfarë zhgënjimi, por gjatë udhëtimit tim në rajon përjetova edhe një afri dhe një interes të madh për BE-në. Por ne, domethënë BE-ja, duhet ta bëjmë të qartë se e marrim seriozisht rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Kjo është arsyeja se përse është kaq e rëndësishme që negociatat e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

Le të qëndrojmë shkurtimisht te vizita juaj në rajon me rastin e fillimit të detyrës së Christian Schmidt-it, si Përfaqësues i Lartë i OKB-së, në Bosnjë-Hercegovinë. Institucioni i tij nuk pranohet nga Republika Srpska. A nuk është ky një “mission impossible”.

Christian Schmidt është i legjitimuar duke u emëruar nga Komiteti Drejtues i Këshillit të Zbatimit të Paqes si Përfaqësues i Lartë në Bosnjë-Hercegovinë dhe gëzon mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Shpresojmë që të gjitha palët ta pranojnë, sepse është në interes të popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të stabilitetit të vendit, dhe të punojnë me të në mënyrë konstruktive. Vitet e fundit kanë treguar se kur ka vullnet politik, ka edhe përparim. Kujtoj këtu, për shembull, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në qytetin e Mostarit, në dhjetor 2020. Bosnja dhe Hercegovina duhet t`i kapërcejnë bllokadat ekzistuese, të zbatojnë reformat dhe të përparojnë në rrugëtimin për BE. Qytetarët e saj e meritojnë këtë dhe Christian Schmidt-i do të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim.

Gjermania e mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE përmes Procesit të Berlinit. Por vitet e fundit nuk u arritën përparime të mirëfillta në këtë drejtim. Çfarë sugjerimesh keni për qeverinë e re në mënyrë që ky afrim të ndodhë me të vërtetë.

Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të promovuar bashkëpunimin rajonal duhet parë si një mbështetës i procesit të zgjerimit të BE-së. Ritmi i integrimit të rajonit në BE është vërtet i pakënaqshëm. Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian e modifikoi procedurën e zgjerimit, në mënyrë që t’i japë më shumë dinamikë procesit të zgjerimit, por edhe reformave të nevojshme. BE-ja i mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor edhe financiarisht. Në përgjigje të situatës së vështirë që krijoi pandemia në rajon, në prill 2020, rajonit iu dha një paketë ndihmash emergjente, në shumën prej 3.3 miliardë euro. Në Tetor 2020, Komisioni Evropian prezantoi një Plan Ekonomie dhe Investimesh, me një vëllim të përgjithshëm deri në 9 miliardë euro, për rimëkëmbjen afatmesme ekonomike të Ballkanit Perëndimor. E gjitha kjo nënvizon se BE-ja vazhdon të jetë shumë e angazhuar dhe ofron stimuj të ndryshëm për të promovuar proceset e reformave në Ballkanin Perëndimor, si edhe për të promovuar integrimin e vendeve në BE.

Qarkullojnë disa ide për zgjidhje të ndërmjetme për Ballkanin Perëndimor, si për shembull, krijimi i një Hapësire të përbashkët Ekonomike të lidhur me BE-në. Sa e hapur është qeveria gjermane ndaj kësaj ideje?

Qeveria Federale e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjidhjet e përkohshme që po propozohen nuk janë alternativa të vërteta dhe nuk kërkohen as nga qeveritë dhe as nga qytetarët e rajonit. Në të njëjtën kohë, ne shohim potencial të madh për rajonin, me anë të zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal. Përparimi në këtë fushë, siç është sidomos zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal deri në vitin 2024, e mbështet rrugën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kohët e fundit e riemërtuan nismën e tyre nga “Mini-Shengen” në “Ballkan të Hapur”. Çfarë mendoni ju për këtë nismë?

Ne duam forcim të qëndrueshëm të bashkëpunimit midis të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këtë qasje po ndjekim në Procesin e Berlinit. Në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, për shembull, janë bërë shumë përparime në gjashtëshe, edhe me mbështetjen e BE-së. Në parim, natyrisht, çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur. Por, nga ana tjetër, është e rëndësishme që bashkëpunimi rajonal të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë kam parasysh si zhvillimin e ideve dhe nismave të reja, ashtu edhe zbatimin e tyre. Kjo është një qasje, për të cilën janë zotuar pjesëmarrësit në “Procesin e Berlinit” dhe të cilën e promovon edhe BE -ja.

Pra, Open Ballkan, bie ndesh me nismën e Tregut të Përbashkët Rajonal?

Për ne është vendimtare që në samitin e fundit të Procesit të Berlinit, më 5 korrik, krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të kancelares Merkel, riafirmuan përpjekjet e tyre për të jetësuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Ky është një projekt vërtet historik, për të cilin u zotuan të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje, në nëntor 2020. Në këtë kontekst, me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal RCC, janë duke u negociuar të katra marrëveshjet e reja, përfshi edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti dhe një marrëveshje për njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale. Këto janë marrëveshje që do të sjellin përmirësime reale për njerëzit në rajon, për shembull, nuk do të nevojiten më viza për udhëtimet midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi nuk i janë bashkuar nismës për Ballkanin e Hapur, sepse kanë frikë se Serbia do të jetë tepër e privilegjuar. A është e justifikuar kjo frikë?

Për ne është vendimtare të avancojmë punën për Tregun e Përbashkët Rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Tregu i Përbashkët Rajonal, i cili do të krijohet deri në vitin 2024, është parakushti kryesor për zbatimin me sukses të Planit Ekonomik dhe Investues të BE -së në rajon.

Dialogu Kosovë-Serbi nuk duket se po bën ndonjë përparim për momentin. Çfarë mund të bëhet për ta ringjallur atë?

Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt. Mungesa e përparimeve po e dëmton zhvillimin dhe përparimin mungesa e përparimeve në zhvillimin dhe stabilitetin e tyre. Prandaj përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është shumë i rëndësishëm. I dërguari special i BE -së për dialog, Miroslav Lajčák dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, kanë mbështetjen tonë të plotë. Ata janë duke bërë pikërisht atë që tani për tani është e drejtë: T’i ulin të dyja palët në bisedime. Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar çështjen e trajtimit të së kaluarës me Serbinë si parakusht për bisedime të suksesshme. Çfarë do t’i propozonit ju Presidentit serb?

Një parakusht i rëndësishëm është që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet. Vetëm mbi këtë bazë mund të bëhet pajtimi. Unë e theksova këtë edhe në diskutimet e mia në rajon. Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballjen me të kaluarën.

Më 6 tetor do të ketë një tjetër samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Slloveni. Cilat janë pritshmëritë tuaja ?

Ne presim një sinjal të qartë se rruga evropiane e rajonit do të vazhdojë. Prandaj ne shpresojmë shumë që do të arrijmë t’i shmangim pengesat aktuale në mënyrë që të fillojmë më në fund negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë që është  miratuar qysh në Mars 2020. Zgjidhja është në tryezë – në qershor ajo u mbështet shprehimisht nga 26 shtete anëtare të BE-së.DW

Continue Reading

Vendi

UBT feston fundvitin 2025 duke nderuar përkushtimin dhe sukseset e përbashkëta

Published

on

UBT organizoi ceremoninë tradicionale të fundvitit 2025, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment të veçantë mirënjohjeje dhe falënderimi për angazhimin dhe për të shënuar sukseset e përbashkëta të këtij viti akademik.

 “UBT është një institucion që ndërtohet mbi përkushtimin, inovacionin dhe besimin në dije. Çdo vit që përmbyllim është një dëshmi e rrugëtimit tonë të përbashkët dhe e guximit për të menduar përtej kufijve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e certifikatave të mirënjohjes për stafin që ka shërbyer me përkushtim për 10 dhe 20 vjet në UBT. Me duartrokitje të gjata, u nderuan profesionistët që për më shumë se një dekadë kanë kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e institucionit, ndërsa një vlerësim i posaçëm iu nda Murat Retkocerit, për 20 vite angazhim dhe besnikëri institucionale.

Në mesin e të nderuarve për 10 vite përkushtim u përfshinë:
Alfred Marleku, Bekim Selimi, Beni Kizolli, Blerta Vula Rizvanolli, Blerton Abazi, Dafina Tmava, Ferid Selimi, Gent Hasimja, Gezim Radoniqi, Hysen Ahmeti, Ilir Zylfiu, Mirlinda Jashanica Gashi, Safete Veliu Rexhepi, Saranda Demolli, Sema Kazazi Karahoda, Valon Hoti dhe Visar Krelani.

Nën organizimin e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, studentët dhe profesorët e UBT-së sollën performanca të kuruara me profesionalizëm, duke dëshmuar talentin, kreativitetin dhe energjinë rinore që e karakterizon universitetin. Interpretimet muzikore dhe prezantimet artistike krijuan një atmosferë të veçantë festive, duke e shndërruar sallën në një hapësirë frymëzimi dhe gëzimi kolektiv.

Ceremonia e fundvitit 2025 u mbyll me mesazhe bashkimi, falënderimi dhe optimizmi për vitin që vjen, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së për të vazhduar rrugën e ekselencës akademike dhe inovacionit. Ky vit shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm në historinë e institucionit, çerek shekulli nga themelimi i UBT-së, si dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vizionit afatgjatë të tij.

Continue Reading

Lajmet

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Rajoni

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara