Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale, mesazhet e tri kampioneve të sportit, në disiplinat e atletikës, peshëngritjes dhe boksit, ndërsa ritheksoi thirrjen e vazhdueshme për të bërë mamografinë falas.
Atletja Luiza Gega, Kampione Evrope në Atletikë tha se tetori rozë është një kujtesë për të gjitha gratë se shëndeti është gara më e rëndësishme që mund të fitohet.
“Jam mësuar që gjithmonë të vrapojë pas qëllimeve, po asnjë fitore nuk ka kuptim pa kujdesin për veten. Kontrolli i gjirit nuk është frikë, është forcë, është një hap i vogël që mund të shpëtojë jetë. Prandaj bëje pjesë të rutinës tënde kujdesu për veten, vrapo për jetën”, tha Gega.
Enkileda Carja, kampione Evrope në Peshëngritje iu bashkua këtij apeli për të gjitha gratë dhe vajzat në kryerjen e mamografive falas gjatë tetorit rozë, teksa shtoi se në peshëngritje mësohet çdo ditë se si të ngremë më shumë, po ka një peshë që duhet ta ndahet, pra, atë të përgjegjësisë për shëndetin”.
“Tetori rozë më kujton se forca nuk është fizike, është forcë që përballesh me frikën që të mos anashkalosh shëndetin, të kujdesesh për trupin që të mban në këmbë çdo ditë. Bëje për veten, për ata që të duan, për jetën. Një kontroll i vogël sot mund të shpëtojë nga një peshë e rëndë nesër”, pohoi Carja.
Ajo pohoi se kanceri i gjirit nuk zgjedh moshë, profesion apo stil jete, prandaj kontrolli i rregullt është një raund që secila prej nesh duhet ta fitojë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e ka shtrirë fushatën e saj sensibilizuese jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit, përmes mamografive stacionare apo njësive lëvizëse në qytete të ndryshme të vendit.
Tetori Rozë është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, që synon rritjen e kujdesit dhe vëmendjes për diagnostikim të hershëm dhe trajtim në kohë të kësaj diagnoze./S.K/KP/