Aktualitet

8 muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit, institucionet ende pa përgjigje rreth fatit të tij

Rexhepi është parë në Novobërde me datën 8 prill dhe nga aty me asgjë nuk dihet për fatin e tij.

Published

on

Megjithëse kanë kaluar 8 muaj nga dita kur është zhdukur biznesmeni Bedri Rexhepi, familja akoma nuk ka një përgjigje për vendndodhjen ose fatit të tij.

Informacionet të cilat deri tani kanë familjarët janë se Bedri Rexhepi me datën 8 prill 2021 është parë në Novobërde dhe nga aty me asgjë nuk dihet për fatin e tij.

Familjaret të dëshpëruar në institucione kanë deklaruar që edhe pas shumë kontakteve me prokurorë të rastit akoma nuk kanë një përgjigje se ku gjendet familjari i tyre.

Sipas tyre, përgjigjet janë të njëjta nga ana e prokurorisë se janë duke ndërmarrë veprime por që këto, sipas tyre, më shumë po mbesin vetëm si deklarata për të arsyetuar mos punën e tyre.

“Rasti nga fillimi është neglizhuar nga ta dhe tani përkundër faktit që një person bazuar në prova e kanë në paraburgim as nga ai nuk kanë arritur të nxjerrin asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me fatin e familjarit tonë”, deklaroi i vëllai i Bedriut, Vedat Rexhepi.

lajme

Haxhiu kërkon hetim nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se pret që të gjithë dëshmitarët e ftuar të përgjigjen para Komisionit Hetimor të formuar pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt.

Haxhiu i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që pa vonesa të nisë hetimet penale për veprimet apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në këtë rast. Ajo sqaroi se Komisioni Hetimor shërben si mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument përfundimtar për t’ia deleguar organit të ndjekjes.

Ndërsa vlerësoi pezullimin e kryeprokurores, prokurores së rastit dhe 11 zyrtarëve policorë, Haxhiu shprehu shqetësimin për mungesën e masave nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komuna e Pejës ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke theksuar se ky rast duhet të shërbejë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. /E.A/

Continue Reading

lajme

AUV asgjëson mbi 21 tonë mish te “ELKOS” dhe bllokohet mishi me salmonelë nga Brazili

Published

on

By

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka asgjësuar 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi, në kuadër të zbatimit të urdhëresës së Inspektoratit Veterinar.

Bazuar në këtë urdhëresë, operatori ekonomik “ELKOS SH.P.K.” ka vazhduar procesin e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve ushqimore nga tregu. Si rezultat, më 30 tetor 2026 janë asgjësuar 21,226 kg produkte nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së, ku përfshihen mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore. Këto veprime pasojnë urdhrin fillestar për ndalimin dhe asgjësimin e 3,130 kg kofshë pule të ngrira me prani myku.

Përveç këtij rasti, AUV-i ka ndaluar shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen e dy lotëve të mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania “Apetit”, pasi në të është konstatuar prania e bakterit “Salmonella Minnesota”.

Po ashtu, AUV ka asgjësuar edhe 5.56 tonë misër të importuar nga Serbia për shkak të nivelit të lartë të Aflatoksinës. Agjencia bëri me dije se procesi i gjurmueshmërisë dhe kontrollit po vazhdon për çdo produkt që paraqet ndryshime cilësore apo rrezik për shëndetin e konsumatorëve. /E.A/

Continue Reading

Opinione

Gazetaria në kohë krizash: E vërteta, etika mbi sensacionalizmin dhe përgjegjësia profesionale e gazetarit përballë situatave të ndjeshme

Published

on

By

Shkruan: Musa Sabedini 

“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuajë flakët. Kurse gazetari duhet t’u tregojë një milion njerëzve se kush e ndezi shkrepësen dhe pse” – David Randall

Njohuritë juridike, verifikimi rigoroz i fakteve, respektimi i etikës profesionale, mbrojtja e viktimave dhe kontrolli i emocioneve janë ndër shtyllat themelore të raportimit profesional në kronikën e zezë dhe në situatat me ndjeshmëri të lartë. Etika është busulla që duhet ta orientojë gazetarin në çdo rrethanë, duke përcaktuar kufijtë ndërmjet interesit publik dhe cenimit të dinjitetit njerëzor, ndërmjet informimit dhe sensacionalizmit, si dhe ndërmjet të drejtës për të ditur dhe përgjegjësisë për të mos dëmtuar. Gazetaria profesionale nuk e ushqen frikën, por e informon shoqërinë; nuk prodhon gjykime, por kërkon dhe prezanton fakte; nuk i shërben zhurmës, por së vërtetës. Sepse gazetaria pa etikë e humb besueshmërinë, ndërsa gazetaria pa verifikim e rrezikon vetë të vërtetën.

“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuajë flakët. Kurse gazetari duhet t’u tregojë një milion njerëzve se kush e ndezi shkrepësen dhe pse” – David Randall

Kjo thënie e gazetarit dhe autorit britanik David Randall përmbledh në mënyrë domethënëse kompleksitetin e profesionit të gazetarit. Për dallim nga shumë profesione të tjera, gazetaria nuk përfundon me konstatimin e një ngjarjeje. Ajo kërkon të zbulojë rrethanat, të verifikojë faktet, të identifikojë burimet, të analizojë përgjegjësitë dhe, mbi të gjitha, t’i ofrojë publikut një pasqyrë sa më të saktë të asaj që ka ndodhur.

Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe kur gazetari përballet me ngjarje kriminale, tragjedi njerëzore, vrasje, dhunë, aksidente me pasoja fatale, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, abuzime apo situata të tjera me ndjeshmëri të lartë shoqërore.

Të raportosh për një konferencë shtypi, një aktivitet institucional apo një deklaratë politike është një proces që ka specifikat e veta profesionale. Por të raportosh nga një vendngjarje kriminale, të mbledhësh informacione në rrethana të tensionuara, të komunikosh me dëshmitarët, institucionet dhe familjarët e viktimave, ndërkohë që duhet të ruash saktësinë, paanshmërinë dhe maturinë, është një sfidë krejt tjetër.

Pikërisht këtu dallohet gazetari që vetëm transmeton informacionin nga gazetari që e kupton thellësisht përgjegjësinë e profesionit të tij.

 

Kriza si test i vërtetë i profesionalizmit gazetaresk?

Në kohë krizash, qytetarët kërkojnë përgjigje. Ata duan të dinë çfarë ka ndodhur, kush është i përfshirë, cilat janë pasojat dhe çfarë po bëjnë institucionet kompetente.

Në këto rrethana, mediat dhe gazetarët marrin një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në informimin e publikut, transparencën institucionale dhe llogaridhënien.

Mirëpo, pikërisht në momentet kur publiku kërkon informacion të menjëhershëm, gazetari duhet të tregojë se nuk është rob i presionit kohor, i konkurrencës mediatike apo i numrit të klikimeve.

Gazetaria profesionale nuk është garë për të publikuar e para një fotografi, një emër, një pretendim apo një informacion të pakonfirmuar. Nuk është garë për tituj tronditës dhe interpretime të pambështetura në fakte.

Është përgjegjësi publike.

Gazetari duhet të jetë i përgatitur fizikisht, psikologjikisht, emocionalisht dhe intelektualisht. Duhet të jetë vigjilent, këmbëngulës, i pranishëm në terren, i kujdesshëm në komunikim dhe i aftë të përballojë situata që shpesh janë të paparashikueshme.

Përgatitja profesionale nuk nënkupton vetëm njohjen e teknikave të intervistimit apo shkrimit të lajmit. Ajo përfshin edhe kulturën e përgjithshme, njohuritë juridike, edukimin mediatik, aftësinë analitike dhe kontrollin e emocioneve.

 

Kronika e zezë: ku njohuritë juridike bëhen domosdoshmëri profesionale?

Raportimi për vrasjet, vrasjet e rënda, plagosjet, dhunën në familje, dhunimet, grabitjet, trafikimin, korrupsionin dhe format e tjera të kriminalitetit kërkon njohuri më të thelluara sesa ato që ofron gazetaria e zakonshme informative.

Gazetari duhet t’i njohë dallimet ndërmjet personit të dyshuar, të ndaluarit, të arrestuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit. Këto nuk janë sinonime dhe nuk mund të përdoren në mënyrë të pakujdesshme vetëm për ta bërë titullin më tërheqës.

Një person i dyshuar nuk është person i dënuar. Një aktakuzë nuk është aktgjykim. Një arrestim nuk dëshmon fajësi dhe një deklaratë e dhënë në polici nuk përbën domosdoshmërisht një përfundim të pakontestueshëm të një procedure penale.

Gazetari që nuk i kupton këto dallime rrezikon të prodhojë dezinformim, të cenojë reputacionin e individëve dhe të krijojë perceptime të gabuara te publiku.

Prandaj, njohja e terminologjisë juridike nuk duhet të konsiderohet privilegj i gazetarëve që mbulojnë gjykatat. Ajo duhet të jetë pjesë e përgatitjes themelore të secilit gazetar që raporton për çështje kriminale.

 

Prezumimi i pafajësisë – parim që nuk duhet të negociohet?

Një ndër gabimet më të shpeshta në raportimet për kronikën e zezë është shpallja e parakohshme e fajësisë përmes titujve, formulimeve dhe interpretimeve të gazetarëve.

Shprehjet si “vrasësi”, “dhunuesi”, “krimineli” apo “hajni”, kur ndaj personit nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor që përcakton fajësinë, mund të përbëjnë shkelje serioze të standardeve profesionale dhe etike.

Gazetari nuk është prokuror, gjykatës apo organ hetimor. Ai ka të drejtë dhe detyrim të informojë, të hulumtojë, të kërkojë përgjegjësi dhe të analizojë veprimet institucionale, por nuk mund të marrë rolin e organeve të drejtësisë.

Kjo nuk nënkupton se gazetari duhet të jetë pasiv apo të kufizohet në komunikatat zyrtare. Përkundrazi, ai duhet të jetë këmbëngulës në kërkimin e fakteve, por gjithmonë brenda kufijve të ligjit, etikës dhe interesit publik.

Pavarësia editoriale nuk e përjashton përgjegjësinë juridike dhe etike.

 

Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave: ndjeshmëria nuk duhet të shndërrohet në sensacionalizëm?

Raportimi për dhunën në familje dhe veçanërisht për dhunën ndaj grave përbën një nga fushat më të ndjeshme të gazetarisë.

Në shumë raste, mediat publikojnë hollësi të panevojshme për viktimën, raportet e saj familjare, jetën private, komunikimet personale dhe rrethanat e ngjarjes. Ndonjëherë, këto detaje nuk kanë asnjë vlerë të mirëfilltë informative, por publikohen për të rritur interesimin e lexuesve.

Kjo qasje mund të shkaktojë viktimizim të përsëritur, të cenojë dinjitetin e viktimës dhe të ekspozojë familjarët ndaj presionit publik.

Gazetari duhet të bëjë dallimin ndërmjet asaj që është interesante për publikun dhe asaj që është realisht në interes të publikut.

Jo çdo informacion që sigurohet duhet të publikohet. Jo çdo hollësi që gjendet në një dosje hetimore ka vlerë për lexuesin.

Veçanërisht në fazat fillestare të hetimit, duhet treguar kujdes i shtuar me deklaratat e personave të përfshirë. Ato mund të ndryshojnë, të sqarohen apo të kundërshtohen gjatë procedurave të mëtejshme.

Gazetari duhet t’i verifikojë pretendimet përmes burimeve të pavarura, dokumenteve dhe institucioneve kompetente, duke mos e trajtuar asnjë deklaratë të vetme si të vërtetë përfundimtare.

Mbrojtja e viktimës nuk është pengesë për informimin. Është pjesë e gazetarisë me përgjegjësi.

 

12 orët e para: kur nxitimi mund të prodhojë dëm profesional?

Një nga problemet që e vërej në raportimet e mediave online është nxitimi për të publikuar informacione menjëherë pas ndodhjes së një ngjarjeje kriminale.

Presioni për të qenë i pari, për të marrë më shumë lexime dhe për të mos mbetur prapa konkurrencës, shpesh i shtyn redaksitë të publikojnë të dhëna që nuk janë verifikuar mjaftueshëm.

Orët e para të një hetimi janë veçanërisht të ndjeshme. Informacionet mund të jenë të pjesshme, dëshmitë mund të jenë kontradiktore dhe rrethanat e ngjarjes ende të paqarta.

Një deklaratë fillestare mund të ndryshojë. Një pretendim mund të rezultojë i pasaktë. Një person që fillimisht është përmendur si i përfshirë mund të mos ketë asnjë përgjegjësi në ngjarje.

Kjo është arsyeja pse gazetari duhet të tregojë maturi dhe të mos e ngatërrojë shpejtësinë me profesionalizmin.

Nuk është e domosdoshme që çdo informacion të publikohet brenda minutës. Është shumë më e rëndësishme që informacioni i publikuar të jetë i saktë.

Nga përvoja ime profesionale, hulumtimi dhe verifikimi i çdo detaji përpara publikimit janë ndër garancitë më të rëndësishme të gazetarisë së besueshme.

 

Burimet, dokumentet dhe verifikimi: mos e ngatërroni besueshmërinë me autoritetin?

Gazetari duhet të ndërtojë raporte profesionale me policinë, prokurorinë, gjykatat, institucionet dhe burimet e tjera të informacionit.

Por komunikimi me një zyrtar nuk duhet të konsiderohet automatikisht garanci e plotë për vërtetësinë e çdo informacioni.

Edhe burimet zyrtare duhet të trajtohen me standarde verifikimi.

Dokumentet e nënshkruara, vendimet institucionale, aktet procedurale dhe komunikatat zyrtare mund të jenë burime me rëndësi të veçantë, por gazetari duhet të kuptojë përmbajtjen, kontekstin dhe kufijtë e tyre.

Një dokument mund të konfirmojë se një procedurë ka filluar, por jo domosdoshmërisht se pretendimet e paraqitura në të janë vërtetuar.

Një deklaratë e policisë mund të konfirmojë arrestimin, por jo fajësinë e personit.

Prandaj, gazetari duhet të krahasojë burimet, të kërkojë konfirmime të pavarura dhe të mos i publikojë pretendimet si fakte të përfunduara.

Ekziston një shprehje amerikane që e përmbledh mjaft mirë këtë parim: “Edhe kur nëna të thotë të dua, verifikoje.”

Në gazetari, besimi është i rëndësishëm, por verifikimi është i domosdoshëm.

 

Viktimat, të miturit dhe tragjeditë familjare: dinjiteti njerëzor mbi interesin komercial?

Një nga provat më të vështira për një gazetar është raportimi për vdekjet, vetëvrasjet, vrasjet e grave, dhunimet, aksidentet me pasoja fatale dhe tragjeditë që përfshijnë fëmijë.

Në këto raste, gazetari nuk duhet të harrojë se përtej një lajmi ekziston një familje, një histori njerëzore dhe njerëz që po përballen me dhimbje të jashtëzakonshme.

Publikimi i fotografive të viktimave, identifikimi i panevojshëm i tyre, intervistimi i familjarëve në gjendje shoku dhe përshkrimi i detajuar i mënyrës së vdekjes mund të shkaktojnë pasoja të rënda.

Raportimi për vetëvrasjet, për shembull, kërkon shmangien e hollësive mbi metodat, vendndodhjet dhe elementet që mund të nxisin imitimin e veprimeve të tilla.

Kur në ngjarje përfshihen të mitur, mbrojtja e identitetit dhe interesit më të mirë të fëmijës duhet të jetë përparësi.

Gazetari duhet ta kuptojë se jo gjithçka që mund të fotografohet, regjistrohet apo zbulohet duhet të bëhet publike.

Etika profesionale fillon pikërisht aty ku gazetari është në gjendje të heqë dorë nga një informacion apo fotografi që nuk i shërben interesit publik.

 

Gazetari nuk është hetues, por duhet të ketë mendësi hulumtuese?

Shpesh e kam theksuar se gazetari duhet të jetë një lloj hetuesi në kuptimin profesional të fjalës, por kjo nuk do të thotë se ai duhet t’i marrë kompetencat e policisë apo prokurorisë.

Gazetari duhet të hulumtojë, të krahasojë deklaratat, të kërkojë dokumente, të analizojë kundërthëniet, të identifikojë mospërputhjet dhe të kërkojë përgjigje nga institucionet.

Ai duhet të jetë i aftë të dallojë një pretendim nga një fakt, një indicie nga një provë dhe një dyshim nga një përfundim juridik.

Mendësia hulumtuese është një nga cilësitë më të rëndësishme të gazetarit profesionist.

Megjithatë, gazetari nuk duhet të ndërhyjë në prova, të pengojë veprimet hetimore, të zbulojë pa arsye identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo të publikojë informacione që mund të rrezikojnë sigurinë e personave të përfshirë.

Detyra e tij është të informojë dhe të kërkojë llogaridhënie, jo të pengojë drejtësinë.

 

Emocionet dhe paragjykimet: dobësia që mund ta dëmtojë gazetarinë?

Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja kur raportojmë për vrasje, dhunime, plagosje, aksidente, trafikim, korrupsion apo tragjedi familjare.

Gazetari është njeri dhe përjeton emocione. Ai mund të tronditet nga një skenë kriminale, të preket nga rrëfimi i një viktime apo të ndiejë revoltë përballë një padrejtësie.

Por ekziston një dallim thelbësor ndërmjet ndjeshmërisë njerëzore dhe paragjykimit profesional.

Emocionet nuk duhet të shndërrohen në përfundime gazetareske. Revolta personale nuk mund të zëvendësojë provën. Simpatia për njërën palë nuk mund të ndikojë në paraqitjen e fakteve.

Gazetari duhet të ruajë aftësinë për të raportuar me dinjitet, edhe kur tema është emocionalisht e rëndë.

Kjo nuk kërkon mungesë ndjenjash, por vetëkontroll, pjekuri dhe integritet profesional.

 

Media online dhe kurthi i klikimeve: shpejtësia nuk është vlerë nëse dëmton të vërtetën?

Mediat online dhe televizive funksionojnë në një mjedis ku koha ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme.

Publiku kërkon lajme në kohë reale, ndërsa redaksitë përballen me presionin e konkurrencës dhe të audiencës.

Megjithatë, problemi shfaqet kur shpejtësia shndërrohet në kriterin kryesor të suksesit dhe kur titulli bombastik vlerësohet më shumë sesa përmbajtja e verifikuar.

Titujt që shpallin fajtorë, krijojnë panik, dramatizojnë situata të paqarta apo përdorin terma të ekzagjeruar nuk e ndihmojnë informimin publik.

Një titull duhet të jetë tërheqës, por para së gjithash duhet të jetë i saktë.

Një lajm mund të jetë ekskluziv pa qenë sensacional. Mund të jetë i fuqishëm pa qenë tronditës. Mund të tërheqë vëmendjen pa e cenuar dinjitetin e askujt.

Mediat duhet ta kuptojnë se besueshmëria nuk ndërtohet me një klikim, por me vite pune të përgjegjshme.

 

Siguria e gazetarit në terren: përgatitje fizike, psikologjike dhe profesionale?

Raportimi nga mjediset konfliktuoze, protestat, trazirat, fatkeqësitë natyrore, vendngjarjet kriminale dhe situatat e rrezikshme kërkon përgatitje të veçantë.

Gazetari duhet të dijë si të veprojë në një mjedis të pasigurt, si të vlerësojë rrezikun, si të komunikojë me ekipin dhe si të mbrojë veten dhe burimet e tij.

Përgatitja fizike është e rëndësishme, por nuk mjafton. Po aq e rëndësishme është përgatitja psikologjike, njohja e protokolleve të sigurisë, aftësia për të ruajtur qetësinë dhe për të marrë vendime të shpejta pa rrezikuar jetën.

Gazetari nuk duhet ta dëshmojë profesionalizmin duke u ekspozuar ndaj rrezikut të panevojshëm.

Asnjë fotografi, incizim apo ekskluzivitet nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e gazetarit.

 

Njohuritë juridike dhe etika – pjesë e domosdoshme e formimit të gazetarit?

Gazetaria bashkëkohore kërkon më shumë sesa aftësi për të shkruar një lajm të mirë.

Ajo kërkon njohjen e ligjeve, procedurave, institucioneve dhe terminologjisë juridike.

Gazetari që raporton për gjykatat duhet të kuptojë funksionimin e sistemit gjyqësor, rolin e prokurorit, avokatit mbrojtës, trupit gjykues, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese.

Duhet të dijë çfarë përfaqëson një kallëzim penal, një aktakuzë, një masë paraburgimi, një aktgjykim dhe një vendim të formës së prerë.

Po ashtu, duhet të njohë kufijtë ndërmjet interesit publik, privatësisë, mbrojtjes së burimeve dhe përgjegjësisë për publikimin e informacioneve.

Këto njohuri nuk e shndërrojnë gazetarin në jurist, por e bëjnë atë më të aftë për ta ushtruar profesionin me saktësi dhe përgjegjësi.

 

Përvoja profesionale dhe kontributi im në trajtimin e raportimit për situatat e ndjeshme?

Të gjitha këto çështje nuk janë vetëm vlerësime teorike apo parime të përgjithshme të gazetarisë. Ato burojnë edhe nga përvoja ime profesionale, hulumtimet, angazhimi në gazetari dhe puna ime akademike.

Për t’i trajtuar më gjerësisht këto problematika, në vitin 2023 kam botuar librin tim me titull:

“Mediat, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”.

Në këtë botim kam trajtuar një spektër të gjerë temash që lidhen me raportimin profesional, etik dhe juridik.

Kam analizuar raportimin për vrasjet, vetëvrasjet, plagosjet, aksidentet, dhunën në familje, dhunimet, ngacmimin seksual, trafikimin me qenie njerëzore, prostitucionin, korrupsionin, ryshfetin, vjedhjet, grabitjet, krimet e luftës, terrorizmin, gjenocidin, rrëmbimet, pengmarrjet, krimet kibernetike dhe shumë kategori të tjera të veprave penale.

Vëmendje të veçantë i kam kushtuar raportimit për të miturit, personat me aftësi të kufizuara, personat me probleme të shëndetit mendor, viktimat e dhunës dhe familjet e prekura nga tragjeditë.

Një pjesë e rëndësishme e librit trajton raportet ndërmjet mediave, policisë, prokurorisë dhe gjykatave, si dhe nocionet juridike që gazetarët i përdorin në punën e përditshme.

Kam trajtuar gjithashtu procedurat hetimore, veprimet policore, kallëzimin penal, obduksionin, ngritjen e aktakuzës, raportimin nga seancat gjyqësore, rolin e avokatëve mbrojtës, trupin gjykues, fjalët përfundimtare dhe llojet e aktgjykimeve.

Përfshirja e këtyre temave në një botim profesional ka për qëllim të ndihmojë gazetarët që të mos mbeten vetëm në nivelin e raportimit sipërfaqësor, por të zhvillojnë njohuri më të thelluara për çështjet që trajtojnë.

Gazetaria kërkon përgatitje të vazhdueshme. Njohuritë juridike, etike dhe profesionale nuk janë luks, por domosdoshmëri.

 

Gazetaria ka nevojë për karakter, jo vetëm për shpejtësi?

Në fund, dua të theksoj se gazetaria profesionale nuk matet vetëm me numrin e lajmeve të publikuara, me shpejtësinë e raportimit apo me audiencën që arrin një medium.

Ajo matet me saktësinë e informacionit, me guximin për të kërkuar të vërtetën, me aftësinë për të mbrojtur interesin publik dhe me respektimin e dinjitetit njerëzor.

Gazetari duhet të jetë i guximshëm, por jo i pamatur; kritik, por jo paragjykues; këmbëngulës, por jo ndërhyrës; emocionalisht i ndjeshëm, por profesionalisht i paanshëm.

Nuk është gjithmonë e lehtë të raportosh për një vrasje, një tragjedi familjare, një rast dhune apo një krim të rëndë. Por pikërisht në këto situata shfaqet niveli i përgatitjes dhe integritetit të gazetarit.

Gazetaria nuk duhet të prodhojë frikë, panik dhe gjykime të parakohshme. Ajo duhet të prodhojë informim, transparencë, vetëdije dhe përgjegjësi shoqërore.

Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe kur secili mund të publikojë një pretendim në hapësirën digjitale, gazetari profesionist duhet të mbetet pikë referimi për verifikimin, besueshmërinë dhe të vërtetën.

Sepse publiku nuk ka nevojë për një gazetar që vetëm e informon se çfarë ka ndodhur. Ka nevojë për një gazetar që e ndihmon të kuptojë se çfarë ka ndodhur, çfarë dihet, çfarë ende nuk dihet dhe kush duhet të japë përgjegjësi.

E vërteta nuk duhet të jetë viktimë e shpejtësisë, etika nuk duhet të jetë peng i klikimeve dhe gazetaria nuk duhet ta humbë misionin e saj përballë sensacionalizmit.

 

Hulumto, verifiko dhe raporto – detaji dhe motivi si thelbi i gazetarisë profesionale?

Filozofia ime profesionale në gazetari mbështetet vazhdimisht në një maksimë themelore: “Hulumto, verifiko dhe raporto”. Këto tri veprime përbëjnë boshtin e një gazetarie të përgjegjshme, të besueshme dhe të mbështetur në fakte. Megjithatë, përtej tyre, një rëndësi të veçantë në ndërtimin e çdo raporti, kronike apo analize informative kanë detajet dhe motivet.

Jam i bindur se detaji është shpirti i çdo raportimi, sepse pikërisht përmes tij një ngjarje merr kuptim, kontekst dhe dimension të plotë informativ. Një kronikë pa detaje të verifikuara rrezikon të mbetet sipërfaqësore, ndërsa një raportim që nuk arrin të identifikojë dhe analizojë motivet e mundshme, aty ku faktet dhe rrethanat e lejojnë, shpesh nuk arrin t’ia shpjegojë publikut thelbin e ngjarjes.

Gazetari duhet të shkojë përtej asaj që shihet në sipërfaqe, të zbërthejë rrethanat, të krahasojë dëshmitë, të analizojë dokumentet dhe të kërkojë përgjigje për pyetjet thelbësore: çfarë ndodhi, si ndodhi, pse ndodhi dhe cilat rrethana e paraprinë ngjarjen?

Natyrisht, motivi nuk duhet të shpallet si fakt pa u konfirmuar nga dëshmitë, dokumentet apo organet kompetente. Detaji e ndërton kronikën, verifikimi ia garanton besueshmërinë, ndërsa analiza e motiveve i jep asaj thellësi profesionale. Kjo është gazetaria që mbroj dhe promovoj: jo raportimi i shpejtë i një ngjarjeje, por zbërthimi i saj përmes fakteve, saktësisë dhe përgjegjësisë ndaj publikut.

 

(Autori është gazetar dhe ligjërues në UBT, si dhe autor i librit “Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari“, botuar në vitin 2023)

 

Continue Reading

Lajmet

Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn vazhdojnë edhe sot në Prishtinë

Published

on

Protestat kundër femicidit dhe për drejtësi për Arlinda Zekajn do të vazhdojnë edhe sot në Prishtinë, ku është paralajmëruar një protestë kombëtare me kërkesa për llogaridhënie institucionale dhe mbrojtje më të madhe për gratë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta do të mbahet nga ora 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes kundër dhunës ndaj grave.

Protesta e sotme vjen pas pesë ditësh radhazi të mobilizimit qytetar, gjatë të cilave protestuesit kanë kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e saj.

Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Rasti ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet për shkak të dhunës dhe kërcënimeve.

Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e grave, trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë institucionale në parandalimin e femicidit.

Përmes protestës së sotme, organizatorët synojnë të vazhdojnë mobilizimin kundër dhunës ndaj grave dhe të kërkojnë drejtësi për viktimat.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara