Lajmet

​8 milionë euro buxhet këtë vit për Shërbimin Korrektues

Dibranii flet edhe për projektet në vitin 2024 dhe për buxhetin prej 8 milionë euro.

Published

on

14 zyrtarë korrektues në dy vitet e fundit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Prej tyre disa kanë përfunduar në burg, disa janë larguar nga puna e disa të tjerë janë ballafaquar me organet e ndjekjes. Kështu deklaron drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, i cili thotë se gjatë dy viteve kanë qenë 120 raste të parandalimit të futjes së substancave narkotike dhe telefonave në burgjet e Kosovës. Në një intervistë ai flet edhe për projektet në vitin 2024 dhe për buxhetin prej 8 milionë euro.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se viteve paraprake kanë munguar projektet madhore për shkak të buxhetit. Më tej, zotohet se viti 2024, do të ketë rekord të investimeve kapitale.

“Në investimet kapitale për vitin tjetër (2024), përveç ndërtimit të burgut të ri që është burgu i Prizrenit, ndërtimi i burgut të grave në Lipjan, renovimi i burgut të Gjilanit, ndërtimi i shtëpisë së nënave atje, renovimi i teatrit të burgut të Dubravës, është edhe zgjerimi i kapaciteteve në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Si asnjëherë më parë vetëm në vitin 2024, planifikohen të investohen 8 milionë euro investime kapitale. Pothuajse të gjitha këto projekte që i përmenda më lartë janë projekte dy ose trivjeçare”, deklaron Dibrani.

Udhëheqësi i burgjeve të Kosovës, konsideron se viti i kaluar ka qenë ndër më të suksesshmit për ndalimin e kontrabandës.

“Për dallim prej viteve të kaluara edhe vitin që po e lëmë pas, kemi shënuar rekord në raport me parandalimet e futjes së kontrabandës brenda institucioneve. Dukuri e cila është vështirë të eliminohet apo të vije deri tek niveli zero, sepse ka lloj-lloj mënyrash apo metodash të cilat edhe familjarët por edhe personat e tjerë, fatkeqësisht edhe raste të izoluara, kur stafi tentojnë ta fusin kontrabandën brenda. Por ajo që është e rëndësishme është se prapë edhe vitin që lamë pas kemi shënuar rekord në raport me parandalimin e futjes së kontrabandës brenda institucioneve korrektuese. Kryesisht tek familjarët dhe kompanitë që furnizojnë institucionet tona me artikuj të ndryshëm…Vetëm dy vitet e fundit kemi 120 raste të parandalimit të futjes së kontrabandës, kryesisht janë narkotikë dhe telefona, ka edhe dukuri të tjera negative”, shprehet ai.

Përveç parandalimit në futjen e kontrabandës, ka raste kur të burgosurit ndihmohen nga vetë zyrtarët korrektues.

“Në dy vitet e fundit kemi 14 raste kur zyrtarët korrektues përfshirë mbikëqyrës, mbikëqyrës të lartë dhe oficerë janë përfshirë në dukuri negative apo edhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ka prej tyre që kanë përfunduar në burg, ka prej tyre që janë larguar nga puna, ka prej tyre që janë duke u ballafaquar edhe me organet e ndjekjes”, thekson ai.

Gjatë këtij viti, drejtori i burgjeve të Kosovës thekson se do të mbyllen dy burgje.

“Ne kemi dy burgje të cilat nuk i plotësojnë standardet më të mira evropiane për të funksionuar. Është burgu i Pejës dhe Burgu i Prizrenit për shkak të vjetërsisë dhe infrastruktura nuk i plotëson kriteret apo nevojat të cilat i kemi si shërbim. Ne kemi vendosur që këto dy burgje të mbyllen dhe të ndërtohet një burg i ri i cili i shërben të gjithë rajonit të Dukagjinit, përfshirë Gjakovën, Sukarekën, Prizrenin, Rahovecin, Ferizaj, Shtimen sepse nuk do të jetë vetëm qendër e paraburgimit, ku do të jetë edhe qendër korrektuese, në një masë do ta lehtësojë edhe Burgun e Dubravës , sepse familjarët nga vise të ndryshme, vise të largëta të Kosovës do ta kenë më të lehtë vizitimin e tyre në burgun e Prizrenit”, deklaron Dibrani.

Teksa flet për projektet që do të zhvillohen gjatë këtij viti, Dibrani thotë se do të ndërtohet edhe burgu i grave me standardet më të larta ku do të ketë edhe ndarje të veçantë.

Drejtori i ShKK-së, Ismail Dibrani është optimist që Kuvendi do të miratojë marrëveshjen me shtetin danez.

“Unë besoj që kjo do të kalojë sepse unë kam marrë pjesë vet në komision në parlament dhe është votuar nga të gjitha partitë. Me aq sa e kam përcjellur edhe seancën kur është shtyrë, sepse nuk është kundërshtuar marrëveshja, sepse janë kërkuar nga disa deputetë informacione shtesë dhe po shpresojë që kjo marrëveshje do të rikthehet në parlament dhe do të kalojë. Sepse nga kjo marrëveshja fiton Kosova, natyrisht përveç të mirave materiale, sepse ju e dini që ne nga kjo marrëveshje i përfitojmë gjashtë milionë euro për energji të ripërtërishme si vend dhe 15 milionë euro buxhet vjetor, aq sa e kemi pasur afërsisht deri më tani për krejt Shërbimin Korrektues të Kosovës, përfshirë 2700 të burgosur dhe afër 1700 staf korrektues, përfitojmë të njëjtin buxhet për një burg i cili ka kapacitet 300 shtretër. Përveç kësaj në këtë burg do të zbatohet rendi shtëpiak danez dhe ne do të marrim praktikat më të mira të sistemit danez”, përfundon Dibrani.

Marrëveshja me shtetin danez parasheh transferimin e 300 të burgosurve në Kosovë. Dibrani thotë se gjatë vitit të kaluar janë realizuar shumë projekte të ngritjes profesionale të stafit, është përmirësimit të infrastrukturës por edhe themelimin e Institutit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Po ashtu, përmend edhe hapjen e konkursit ‘vetëm gra’, ku janë punësuar 50 oficere korrektuese. Tutje thekson se prioritete për këtë vit mbeten kompletimi i infrastrukturës, ndërtimi i burgjeve të reja, renovimi i burgjeve të vjetra dhe ngritja profesionale e stafit.

Vendi

UBT organizon edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore

Published

on

By

UBT do të organizojë edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore, një platformë akademike që bashkon studiues, shkencëtarë, profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve nga fusha të ndryshme, me qëllim avancimin e kërkimit shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Konferenca do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, duke vazhduar traditën e kësaj platforme ndërdisiplinore, e cila u mundëson studiuesve dhe profesionistëve të prezantojnë punën e tyre shkencore, të diskutojnë zhvillimet e fundit në fushat përkatëse dhe të krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim akademik.

Programi përfshin një gamë të gjerë fushash, ndër të cilat mjekësia dhe infermieria, shkencat farmaceutike dhe natyrore, stomatologjia, shkencat kompjuterike, inxhinieria, mekatronika, robotika, siguria e informacionit, arkitektura, planifikimi hapësinor, drejtësia, shkencat politike, gazetaria, media dhe komunikimi, menaxhmenti, ekonomia, psikologjia, arsimi, bujqësia, shkenca dhe teknologjia e ushqimit, arti, dizajni dhe muzika.

Përmes këtij programi të gjerë, konferenca synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet disiplinave të ndryshme, duke nxitur dialogun shkencor dhe duke promovuar qasje të reja për adresimin e sfidave bashkëkohore. Një rëndësi e veçantë i kushtohet gjithashtu mbështetjes së studiuesve në fillim të karrierës akademike dhe stafit të ri akademik, duke u ofruar mundësi për prezantimin e hulumtimeve dhe zhvillimin e aftësive për publikim sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë edicioneve të deritanishme, konferenca ka krijuar një bazë të gjerë ndërkombëtare të pjesëmarrjes dhe prezantimeve shkencore, me pjesëmarrje të mbi 1 mijë folësve dhe prezantuesve, dhe përfaqësim nga mbi 30 shtete të botës.

Përmes edicionit të vitit 2026, UBT synon të vazhdojë forcimin e profilit të tij si institucion i arsimit të lartë me orientim drejt kërkimit shkencor, transferimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke krijuar hapësirë për ide të reja, rezultate shkencore dhe partneritete që lidhin universitetet me profesionistët dhe sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

 

Continue Reading

Lajmet

EOQ Congress 2026 në UBT: Liderët evropianë të cilësisë diskutojnë transformimin, inovacionin dhe udhëheqjen reziliente

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni plenar i Liderëve Evropianë të Cilësisë, ku ekspertë ndërkombëtarë diskutuan mbi rolin e udhëheqjes në transformimin organizativ, arritjen e ekselencës dhe ndërtimin e organizatave të qëndrueshme në një mjedis biznesi gjithnjë në ndryshim.

Sesioni, i moderuar nga Tiia Tammaru, mblodhi përfaqësues të komunitetit evropian të cilësisë, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi mënyrat se si cilësia mund të shërbejë si nxitës i transformimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së ndikimit organizativ.

Gjatë sesionit, u trajtuan këto tema:

Pierre Girault, president i AFQM-së, Francë – Fjalë përshëndetëse, të cilit iu nda edhe Certifikata nga EOQ.

Dr. Ing. Florian Weymar – “Udhëtimi i udhëheqjes: Cilësia si nxitës i transformimit”.

Dr. Patricia Carvalho – “Nga ekselenca te ndikimi: Mësime nga udhëheqja në fushën e cilësisë”.

Diskutimet vunë në pah rëndësinë e udhëheqjes efektive në përballimin e ndryshimeve teknologjike dhe sfidave të reja të biznesit, duke theksuar se cilësia nuk kufizohet vetëm në përmbushjen e standardeve, por përbën një element thelbësor të transformimit dhe zhvillimit afatgjatë të organizatave.

Në vazhdim të programit të Kongresit, u zhvillua edhe dialogu ndërmjet përfaqësuesve kombëtarë të EOQ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, me fokus në shkëmbimin e perspektivave dhe forcimin e bashkëpunimit global në fushën e cilësisë. Përmes këtyre diskutimeve, EOQ Congress 2026 në UBT vazhdoi të krijojë hapësirë për shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare dhe promovimin e qasjeve bashkëkohore ndaj cilësisë, udhëheqjes dhe inovacionit.

Continue Reading

lajme

Kosova mirëpriti Kongresin më të madh evropian të cilësisë – EOQ Congress 2026

Published

on

By

Përfundoi Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), i cili për tri ditë mblodhi në Kosovë përfaqësues të institucioneve, ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë, për të diskutuar mbi rolin e cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sesioni përmbyllës i kongresit shërbeu si një moment reflektimi mbi përfundimet dhe mesazhet kryesore të këtij edicioni, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë si themel për inovacionin, besimin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kuadër u prezantuan përfundimet e kongresit me temën “Congress Conclusions: What Prishtina 2026 Has Taught Us”, si dhe mesazhi “Prishtina Quality Message 2026: The Future through Quality”, i cili thekson rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më cilësore dhe të qëndrueshme.

Një moment i veçantë ishte ceremonia e dorëzimit të flamurit të EOQ-së dhe prezantimi i kongresit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Belgjikë, duke simbolizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e komunitetit evropian për avancimin e cilësisë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), përcolli mesazhin për një komunitet të bashkuar të cilësisë dhe përgjegjësi të përbashkët në avancimin e standardeve dhe praktikave cilësore.

Ndërkaq, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, president dhe rektor i UBT-së, president i Quality Kosova dhe nënkryetar i EOQ-së, përmbylli kongresin me mesazhin “From Prishtina to the Future through Quality”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shndërrimit të ideve e diskutimeve në iniciativa konkrete për të ardhmen.

 

Organizimi i Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Kosovës si hapësirë e dialogut profesional, shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përmes këtij organizimi, UBT dhe Quality Kosova kontribuuan në avancimin e diskutimeve mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror. Me mesazhin “Nga Prishtina drejt së ardhmes përmes cilësisë”, Kongresi EOQ 2026 përmbylli punimet duke riafirmuar rëndësinë e vizionit të përbashkët, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit për një të ardhme më cilësore dhe të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë

Published

on

By

Më 24 dhe 25 tetor 2026, në Kampusin e UBT-së në Lipjan, do të zhvillojë punimet Konferenca Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore dhe profesionale vjen si një platformë e mirëfilltë që synon të bashkojë komunitetin akademik, stomatologët, teknikët dentarë dhe profesionistët e fushës, me qëllim promovimin e inovacionit, bashkëpunimit ndërprofesional dhe edukimit të vazhdueshëm.

Përmes prezantimit të njohurive të reja shkencore, përvojave klinike dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike, konferenca synon të adresojë sfidat dhe mundësitë bashkëkohore në stomatologji. Ngjarjeve të tilla u jepet një vlerë e veçantë edhe përmes akreditimit zyrtar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës, ku pjesëmarrësit aktivë do të shpërblehen me 20 pikë EVP, ndërsa ata pasivë me 15 pikë EVP.

Lidhur me këtë ngjarje, Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Ass. Dr. Agim Prokshaj, ka theksuar:

“Si fakultet, mbetemi të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional, duke besuar se bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe praktikës klinike është thelbësor për të ardhmen e stomatologjisë. I ftoj të gjithë kolegët, profesionistët dhe studentët të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ndërtimin e bashkëpunimeve të reja dhe avancimin e profesionit tonë. Ju mirëpresim në UBT!”

Për të gjithë të interesuarit, regjistrimi i pjesëmarrësve në kampus zhvillohet më 23 tetor prej orës 14:00 deri në 17:00, si dhe më 24 tetor nga ora 09:00 deri në 17:00, ndërsa procedurat e aplikimit dhe pagesës realizohen sipas udhëzimeve zyrtare të organizatorëve.

 

Continue Reading

Të kërkuara