Aktualitet

7 informacionet e nevojshme për një strategji marketingu

Published

on

Fushatat e suksesshme të marketingut nuk shfaqen papritmas. Por faza e planifikimit është veçanërisht e rëndësishme.

Fillimi i një strategjie të re marketingu është emocionues. Ju filloni me ide të reja kreative, shikoni markën tuaj duke u aplikuar në kontekste dhe mënyra të reja, dhe me shpresë të shihni përfitime të cilat i bëjnë kolegët dhe eprorët tuaj të lumtur.

Por fushatat e suksesshme të marketingut nuk shfaqen papritmas. Duhet të bëni shumë punë për ekzekutimin e tyre, por vlera e vërtetë e çdo strategjie qëndron në fazën e planifikimit.

Para se të finalizoni një strategji, sigurohuni se keni këto shtatë informacione.

Qëllimin tuaj kryesor

Kjo është e qartë, apo jo? Të fitoni më shumë konsumatorë dhe para. Por marketingu ka më shumë nuanca se aq. Ju duhet të gërmoni më thellë në zonën specifike të marketingut në të cilën po punoni; për shembull, a po provoni të shtyeni më shumë qarkullim në faqen tuaj të internetit? A po provoni të fitoni më shumë shkëmbime? Apo thjeshtë dëshironi që marka juaj të bëhet më e njohur? Atëherë, identifikoni gjërat specifike: A po kërkoni të arrini një përqindje të veçantë të rritjes? A po punoni brenda një periudhe specifike të kohës? Sa më specifikë që jeni këtu, aq më mirë.

Audiencën tuaj të shënjestruar

Ju gjithashtu duhet të njihni audiencën tuaj të shënjestruar, dhe dua të them me të vërtetë t’a njihni atë. Nuk është e mjaftueshme të keni një hamendje të arsyeshme se kush mund të jetë i interesuar në produktin tuaj; ju duhet t’a dëshmoni, me kërkime dhe të dhëna objektive, që ata janë të interesuar në produktin tuaj, dhe sigurohuni se asnjë demografikë tjetër nuk përshtatet më mirë për qasjen tuaj. Pastaj, kuptoni se çfarë ju pëlqen atyre; përdorni sondazhe ose kërkime ekzistuese të tregut për të hyrë brenda kokës së konsumatorit tuaj mesatar dhe ndërtoni strategjinë tuaj nga aty.

Konkurrencën tuaj

Ju gjithashtu duhet t’a dini se kush është konkurrenca juaj dhe çfarë strategji përdorin ata, për shumë arsye. Bëni disa kërkime të shpejta në Google nëse nuk i keni të njohura kompanitë e ngjajshme me tuajën, dhe identifikoni disa nga konkurrentët tuaj më të famshëm. Çfarë strategji po përdorin ata? Ku ndryshojnë qëllimet dhe audienca e tyre me tuajën? Çfarë faktorë dallues mund t’i përdorni për të tërhequr më shumë audiencën tuaj të përbashkët? Ju mund të fitoni inspirim nga këtu, dhe gjtihashtu të gjeni shtytje kreative se si të planifikoni dhe shënjestroni fushatat tuaja.

Opsionet tuaja mesatare

Pa marrë parasysh se cilat janë qëllimet, audienca dhe konkurrenca juaj, ju do të keni mundëësi të shumta kur vjen puna te shpërndarja e mesazhit tuaj. A do të provoni një qasje tradicionale reklamuese, ose do të kërkoni diçka më të brendshme, si përmbajtje e marketingut ose optimizimin e motorëve të kërkimit? Cilat platforma të medias sociale do të zgjedhni? Mundësitë janë të pafundme këtu, kështu që sigurohuni të peshoni përparësitë dhe të metat e secilës mundësi në mënyrë tërësore para se të vendosni për një mundësi të fundit.

Opsionet tuaja të mesazhit

Pastaj, vendosni : Cili është mesazhi kryesor që dëshironi të jepni? Për çfarë dëshironi të jetë e njohur marka juaj? Çfarë ndjenja dëshiron që përdoruesit të kenë kur të hasin në ju? Çfarë do të mbajnë në mend ata nga produkti ose shërbimi juaj? Kjo do të kërkojë vëmendje të veçantë në profilin psikologjik të audiencës tuaj, por gjtihashtu një shkallë të kreativitetit.

Çmimi

Pastaj, ju duhet të dini përafërsisht se sa do të kushtojë fushata juaj. Disa mundësi janë më të shtrenjta se tjerat, kështu që varësisht nga madhësia dhe shtrirja e buxhetit në të cilin po punoni, strategjia juaj ideale dhe strategjia e mesazhit mund të mos jetë një mundësi e realizueshme. Nëse kjo është çështja, provoni t’a zvogëloni atë. A mund të kurseni para duke zgjedhur një kanal më të vogël të shpërndarjes, dhe të shkallëzoheni më vonë?

Kthimi i projektuar

Në fund, ju duhet të konsideroni kthimin e projektuar, dhe e kam ruajtur këtë për fund sepse është e vështirë të tregoni saktësisht se sa do të përfitojë marka juaj nga strategjia deri sa të jetë duke funksionuar. Në një mënyrë, ky është qëllimi i fundit që duhet t’a vendosni për strategjinë tuaj; Sa të ardhura po shpresoni të fitoni, krahasuar me ato që po ju kushtojnë? Kjo pyetje e kthimit është më e rëndësishmja kur zhvilloni strategjinë tuaj të marketingut, kështu që kushtoni vëmendje atij sapo të fillojë strategjia juaj.

Këto informacione nuk janë gjithëpërfshirëse; në fakt, edhe me këto baza, ju duhet ende të bëni kërkime shtesë, të mësoni praktikat më të mira dhe të konsideroni qasje alternative, por këto janë elementet thelbësore që i duhen çdo strategjie të marketingut. Përderisa fitoni më shumë përvojë si një tregtar, disa nga këto të dhëna mund të qëndrojnë në përputhje ( për shembull, audienca juaj e shënjestruar mund të mos ndryshojë nëse qëndroni në të njëjtën pozitë), dhe disa prej tyre do të bëhen më të lehta që të bëni kërkime dhe të kuptoni, duke ardhur pothuajse në mënyrë natyrale tek ju.

Ende, është një ide e mirë të kontrolloni këtë listë gjatë fazës tuaj të planifikimit që të siguroheni se keni prekur çdo pikë. (Samuel Edwards/ Entrepreneur)

Continue Reading

Vendi

Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Published

on

By

Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.

Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit nga 6 marsi, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje.

“Të konstatojë që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin
brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij
Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja
e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex
constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të
zhvillohen brenda 45 ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66
[Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u tha në vendim.

Vendimi vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.

Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë./REL/

 

Continue Reading

Aktualitet

Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës

Published

on

By

Media shtetërore iraniane, Press TV, duke cituar një “zyrtar të lartë të sigurisë politike”, njoftoi se Irani ka hedhur poshtë një propozim të Shteteve të Bashkuara që synonte përfundimin e konfliktit aktual, raporton BBC.

Megjithëse burimi mbetet anonim, raportohet se qëndrimi zyrtar i Teheranit është i prerë: “Irani do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe kur të plotësohen kushtet e tij.” Zyrtarët iranianë kanë theksuar vazhdimisht se kërkojnë një përfundim të plotë të luftës dhe jo thjesht një armëpushim të përkohshëm.

Pesë kushtet e Iranit

Sipas raportimeve, pala iraniane ka paraqitur pesë kërkesa kyçe për arritjen e një marrëveshjeje:

  1. Ndalimi i plotë i agresionit: Pushimi i menjëhershëm i të gjitha sulmeve dhe atentateve nga ana e armikut.
  2. Garanci sigurie: Krijimi i mekanizmave konkretë që sigurojnë që lufta të mos i imponohet përsëri Republikës Islamike.
  3. Dëmshpërblimet: Pagesa të garantuara dhe të përcaktuara qartë për dëmet e luftës dhe reparacionet.
  4. Zgjidhja rajonale: Përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës të përfshira në rajon.
  5. Sovraniteti detar: Njohja ndërkombëtare dhe garancitë mbi të drejtën sovrane të Iranit për të ushtruar autoritet mbi Ngushticën e Hormuzit.

Pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për të vijuar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, Teherani i ka cilësuar propozimet amerikane si “të tepërta” dhe të papranueshme në formën e tyre aktuale. /BBC/

 

Continue Reading

lajme

Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një vendim me rëndësi të veçantë për pensionistët kontributpagues, përmes të cilit shpallet i paligjshëm kufizimi kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore.

Ky vendim vjen pas shqyrtimit të një konflikti administrativ kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku Gjykata ka shfuqizuar nenin që kërkonte që dëshmitë për shkollim të lartë të ishin fituar para datës 1 janar 1991.

Sipas arsyetimit zyrtar, ky kufizim i vendosur përmes një udhëzimi administrativ nuk ka pasur bazë në ligjin për skemat pensionale dhe ka tejkaluar kompetencat ligjore të ministrisë.

Gjykata vlerëson se e drejta në pension duhet të lidhet me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore, e jo me kohën kur dikush ka përfunduar shkollimin.

Ky rregull deri më tani ka krijuar dallime të pajustifikuara dhe ka përjashtuar një kategori të tërë pensionistësh nga e drejta për një pension më të lartë bazuar në kualifikimin e tyre profesional.

Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme konfirmon se kushti i vendosur ishte arbitrar dhe diskriminues, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit.

Ky vendim u mundëson pensionistëve kontributpagues që të gëzojnë gradën e tyre arsimore pa u kushtëzuar nga data e diplomimit, duke siguruar që lartësia e pensionit të jetë në përputhje me përgatitjen e tyre profesionale dhe kontributet e dhëna gjatë viteve të punës.

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave

Published

on

By

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në fund të muajit të ardhshëm do të përballet me pyetjet e deputetëve evropianë lidhur me pretendimet për bashkëpunimin e saj me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në të cilën do të marrë pjesë komisionarja Kos është caktuar për 20 prill.

Partia Popullore Evropiane (EPP), si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dëgjimore. Megjithatë, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë (REL), në vend të një seance të jashtëzakonshme do të mbahet një mbledhje e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, e cila do ta zëvendësojë takimin e planifikuar më herët për 16 mars.

Ai takim, edhe pse ishte planifikuar javë më parë, u anulua nga Kos duke u thirrur në një agjendë të ngarkuar. Anulimi ndodhi menjëherë pasi dolën informacione të reja lidhur me biografinë e saj.

Komisionarja evropiane për Zgjerim nga Sllovenia është përballur me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave, e njohur si UDB-a, pasi më 10 mars në ambientet e Parlamentit Evropian u promovua libri me titull “Komisionarja” i autorit slloven, Igor Omerza. Në këtë libër paraqiten dokumente për të cilat autori pretendon se dëshmojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.

Komisioni Evropian mohon që Kos të ketë bashkëpunuar me strukturat e sigurisë së ish-Jugosllavisë. Zyrtarët e KE-së i referohen një procesi të gjerë dhe të detajuar verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia për postin e komisionares.

“Parlamenti Evropian e miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionarët. Komisioni për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 13 mars.

Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (UDB) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, ndërsa në vitin 1966 u riemërtua në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit.

UDB-a ishte e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të saj në dekadat që pasuan ishte e përqendruar në ndjekjen dhe veprimin kundër pjesëtarëve të diasporës që konsideroheshin kundërshtarë të interesave të Jugosllavisë.

Akuzat se Kos ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate e Sllovenisë për komisionare evropiane.

Kos i mohon vazhdimisht këto akuza, ndërsa mbledhja e re e 20 prillit do të jetë mundësia e parë që ajo të shprehet pas fakteve të reja të publikuara në libër, të cilat kanë nxitur një valë të re akuzash. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara