Personat që vuajnë nga alergjitë sezonale po përballen me më shumë polen dhe për periudha më të gjata, për shkak të ngrohjes globale. Por, ekspertët paralajmërojnë se kjo krizë klimatike po shkakton edhe ngjarje ekstreme të alergjive, duke përfshirë edhe ato që rrezikojnë jetën, ka raportuar BBC.
Më 21 nëntor të vitit 2016, në Melbourne të Australisë, rreth orës 18:00, ajri u bë i rrezikshëm për jetën. Njerëz, që nuk kishin pasur më herët probleme me frymëmarrjen, përfunduan në spital.
Ambulancat nuk arrinin t’i shërbenin të gjithë pacientëve, ndërsa 10 vetë humbën jetën.
Një studente 20-vjeçare vdiq në oborrin e shtëpisë, ndërsa prindërit përpiqeshin ta shpëtonin.
Ngjarja u identifikua si “astma nga stuhitë”, një fenomen kur grimcat e polenit shpërbëhen nga stuhitë me shi dhe shtrihen në ajër në formë të imët, duke hyrë në mushkëritë e njerëzve dhe duke shkaktuar reaksione të forta alergjike.
“Ka qenë një ngjarje masive. E paprecedentë. Katastrofale”, ka treguar profesori Paul Beggs nga Macquarie University, i cili e ka studiuar këtë fenomen në detaje.
Po pse po ndodh kjo më shpesh tani?
Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike zgjerojnë sezonin e polenit dhe po rrisin intensitetin e tij.
“Ngrohja e dimrave, fillimi i hershëm i pranverës dhe zgjatja e vjeshtës po bëjnë që njerëzit të jenë të ekspozuar ndaj polenit për më gjatë”, ka thënë Elaine Fuertes, studiuese në Imperial College në Londër.
Sidomos një bimë është kthyer në “armikun numër 1” për alergjitë: ambrozia. Një bimë mund të lëshojë një miliard grimca poleni. Në SHBA, mbi 50 milionë njerëz vuajnë nga alergjia ndaj saj.
Fuertes paralajmëron se “sezoni do të nisë më herët, do të zgjasë më shumë e do jetë më intensiv për ata që kanë simptoma, ndërsa do të rritet rreziku për sensibilizim të njerëzve që më parë nuk kishin alergji”.
Rritja e dyoksidit të karbonit
Nivelet më të larta të dyoksidit të karbonit në atmosferë po bëjnë që bimët të prodhojnë më shumë polen dhe atë në mënyrë më agresive.
“Sa herë që rrisnim dyoksidin e karbonit, bimët e ambrozisë rriteshin më shumë dhe prodhonin më shumë polen”, ka thënë profesori Lewis Ziska nga Universiteti i Columbias. Madje, ka prova që ky polen është më alergjik sesa më parë.
Kjo është krizë globale dhe pritet të përkeqësohet. Përveç SHBA-së dhe Australisë, edhe në Evropë numri i personave me alergji nga ambrozia është rritur ndjeshëm. Në Hungari, 60% janë të ndjeshëm ndaj saj, në Danimarkë 20% dhe në Holandë 15%.
Një studim ka parashikuar që deri në vitin 2050, sasia e polenit nga ambrozia do të katërfishohet, ndërsa sezoni i polenit do të zgjasë deri në dy muaj më shumë. Zjarret e shpeshta pyjore, të lidhura me ndryshimet klimatike, përkeqësojnë simptomat e alergjive dhe astmës.
Çfarë mund të bëhet rreth kësaj çështje?
Ekspertët sugjerojnë disa zgjidhje:
Ulja e emetimeve të karbonit është mënyra më e mirë për ta parandaluar përkeqësimin.
Largimi i bimëve problematike si ambrozia ka dhënë rezultate. Në vitet ’30, qyteti i Chicagos punësoi qindra persona për të shkulur ambrozitë, dhe prodhimi i polenit u përgjysmua. Evropa, Berlini dhe Zvicra kanë marrë masa konkrete për të gjetur dhe eliminuar këtë bimë.
Planifikimi i kujdesshëm urban, duke shmangur mbjelljen e pemëve që prodhojnë shumë polen në qytete. Monitorimi i përditshëm i nivelit të alergjenëve në ajër, që njerëzit të informohen për temperaturat apo reshjet.
“Ne kemi studimet që tregojnë se kjo po ndikon në shëndetin e njerëzve, dhe kjo është vetëm fillimi”, ka përfunduar Beggs.