Stuhitë e fuqishme, breshëri dhe erërat e forta që përfshinë vendin ditëve të fundit kanë lënë pas pasoja të rënda në parcelat bujqësore dhe pronat private në disa rajone të Kosovës. Komunat si Suhareka, Istogu, Lipjani, Skenderaj, Vitia dhe Rahoveci janë përballur me goditjet më të mëdha, ku sipërfaqe të tëra të tokave të punuara janë dëmtuar pothuajse tërësisht.
Kjo situatë e përsëritur natyrore nuk përfaqëson vetëm një goditje të drejtpërdrejtë financiare për familjet e bujqve, por ngre një alarm serioz edhe për stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë kosovare.
Përballë kësaj gjendjeje ku komisionet komunale të vlerësimit të dëmeve shpesh përballen me buxhete të pamjaftueshme për dëmshpërblim, ekspertët bëjnë thirrje për një ndryshim rrënjësor të qasjes institucionale.
Pasojat e drejtpërdrejta në treg dhe rreziku nga importi i huaj
Ndikimi i këtyre goditjeve klimatike shtrihet shumë më larg se vetëm në arat e dëmtuara. Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, bën të ditur se vala e fundit e motit të ligë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme duke goditur më së shumti pemishtet, vreshtat, perimet në fushë të hapur, misrin si dhe kulturat foragjere, ku në mjaft zona prodhimi është humbur pothuajse tërësisht.
“Kjo nënkupton më pak produkte vendore në treg, çmime potencialisht më të larta për konsumatorët dhe presion shtesë mbi fermerët, të cilët e kanë më të vështirë të konkurrojnë me produktet e importit,” paralajmëron Rusinovci.
Ai nënvizon se përveç humbjes drastike të sasisë, është dëmtuar rëndë edhe cilësia e produkteve, gjë që ua ul automatikisht vlerën në treg dhe e rrit varësinë e vendit nga ushqimi i huaj.
Sipas tij, nëse këto ngjarje natyrore përsëriten çdo vit pa masa mbrojtëse, “rreziku për tkurrjen e prodhimit vendor bëhet real.”
Në planin afatgjatë, kjo pasiguri e vazhdueshme ul gatishmërinë e fermerëve për të investuar, ngadalëson zhvillimin e të gjithë sektorit dhe dobëson seriozisht sigurinë ushqimore të Kosovës.
Nga masat parandaluese te sigurimet: Çfarë duhet të bëjë shteti
Për t’i bërë ballë kësaj sfide komplekse, profesori Rusinovci thekson se Kosova duhet të kalojë nga reagimet momentale te një strategji kombëtare me investime afatgjata për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Meqenëse efektiviteti i sistemeve raketore kundër breshërit mbetet i diskutueshëm në komunitetin shkencor, ai insiston se fokusi i shtetit duhet të zhvendoset te mbrojtja direkte në terren.
“Në vend që të fokusohemi vetëm te sistemi raketor, Kosova duhet të ndërtojë një sistem të integruar të menaxhimit të rrezikut në bujqësi,” shprehet ai, duke propozuar subvencionimin e rrjetave mbrojtëse për pemishte e vreshta, ndërtimin e serrave moderne, investimet në sisteme adekuate të ujitjes e kullimit, si dhe forcimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm meteorologjik.
Krahas infrastrukturës, ai e sheh si domosdoshmëri jetike mbështetjen e fermerëve përmes sigurimeve bujqësore, të cilat parandalojnë falimentimin financiar pas një sezoni të humbur.
Duke marrë parasysh se numri i bujqëve të siguruar në Kosovë mbetet ende shumë i ulët, kërkohet që shteti të subvencionojë një pjesë më të madhe të primieve dhe të bashkëpunojë me kompanitë e sigurimeve për krijimin e pakove më të përballueshme.
“Mesazhi kryesor është se fatkeqësitë natyrore nuk mund të shmangen, por dëmet e tyre mund të zvogëlohen ndjeshëm përmes politikave të mirëplanifikuara, investimeve në masa parandaluese dhe mbështetjes së vazhdueshme për fermerët. Në këtë mënyrë mbrohet jo vetëm prodhuesi, por edhe siguria ushqimore dhe ekonomia e Kosovës,” përmbyll Rusinovci. /E.A/

Foto; Prof- Imer Rusinovci