Lajmet

Nga kujtimet e luftës te skena e “Oscarit”

Published

on

Filmi më i ri i regjisores kosovare Blerta Basholli, “Dua”, është vepra e dytë e saj që i është dorëzuar Akademisë së Filmit për t’u marrë në konsideratë për çmimet “Oscar 2027”. Në një intervistë të fundit për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, Basholli ka treguar se të qenit shqiptare në Kosovë gjatë asaj periudhe e bënte të ndihej e vogël, dhe sikur i përkiste një shtrese më të ulët shoqërore

Filmi i dytë artistik i regjisores nga Kosova, bazohet në përvojat e saj personale gjatë rritjes në Kosovë në fund të viteve ’90 dhe rrëfen historinë e një vajze adoleshente me të njëjtin emër, e cila jeton nën hijen e luftës dhe tensioneve etnike, ndërsa përballet me sfidat e moshës së adoleshencës.

Në një intervistë të fundit për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, Basholli ka treguar se të qenit shqiptare në Kosovë gjatë asaj periudhe e bënte të ndihej e vogël, dhe sikur i përkiste një shtrese më të ulët shoqërore.

“Gjithmonë jam ndier e vogël duke qenë shqiptare në Kosovë gjatë kohës së okupimit, edhe pse ne ishim shumicë. Gjithmonë ndiheshim më pak të rëndësishëm, sepse shpesh na kërkohej të flisnim serbisht ose nuk kishim shkolla, ose edhe kur i kishim, nuk kishim kabinete të mira, sepse nxënësit serbë kishin marrë pjesët e shkollës ku ndodheshin kabinetet e fizikës dhe biologjisë. Gjithmonë të krijohej ndjenja se vije nga një shtresë më e ulët. Në njëfarë mënyre mendoja: ‘Nuk do të mund të bëj asgjë, nuk do të mund të shkoj askund, nuk do të mund të udhëtoj’, sepse ne nuk mund të udhëtonim lirshëm atëkohë”, ka thënë ajo. Ka shpjeguar se edhe kur dikush shkonte në një koncert, të gjithë mblidheshin rreth tij për ta pyetur si kishte qenë. Ka rrëfyer se vetë nuk kishte qenë kurrë në një koncert para luftës.

“Për mua ishte shumë e rëndësishme të tregoja atë që kemi kaluar, mënyrën se si njerëzit përpiqen të jetojnë edhe në rrethana të tilla dhe si përpiqen ta ndryshojnë realitetin e tyre. Doja t’ia tregoja dhe t’ia rrëfeja këtë botës. Por gjithashtu sepse mendoj se kjo histori lidhet me shumë adoleshentë sot që ende jetojnë në zona konflikti, fatkeqësisht”, ka deklaruar regjisorja për dramën e saj.

Filmi zhvillohet në periudhën e luftës së Kosovës, e cila zgjati nga viti 1998 deri në vitin 1999, kur presidenti i atëhershëm serb Slobodan Milosheviq ia hoqi Kosovës statusin e vetëqeverisjes. Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët e Kosovës u përballën me shtypje të gjerë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi kundër kontrollit jugosllav dhe serb.

Filmi i parë i Bashollit – “Hive” (i lansuar në vitin 2021) – ishte kandidatura e Kosovës për çmimet “Oscar” dhe arriti të futet në listën e ngushtë të Akademisë në vitin 2022. Tani, regjisorja shpreson që historia të përsëritet edhe me filmin “Dua”.

“Është shumë e rëndësishme, sigurisht, kur realizon filmin e parë. ‘Hive’ ishte kandidati i Kosovës për ‘Oscar’ dhe arriti në listën e ngushtë të Akademisë. Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe një kënaqësi e madhe. Kur nisa realizimin e filmit të dytë, fillimisht mendova se nuk do të kishte shumë presion dhe se do të punoja si për çdo film tjetër. Por mendoj se ishte një presion shumë i madh, veçanërisht sepse filmi bazohej në jetën time. Kur krijon diçka kaq personale, disa gjëra bëhen më të lehta, por në të njëjtën kohë shumë të vështira, sepse nuk e di nëse je vetëm ti që je kaq e lidhur emocionalisht me të apo nëse publiku do të arrijë të lidhet dhe ta përjetojë historinë. Fakti që ‘Dua’ është sërish kandidatura e Kosovës për ‘Oscars’ është një nder dhe një kënaqësi e madhe. Tani duhet të punojmë fort dhe të zhvillojmë fushatën promovuese”, është shprehur Basholli.

Sipas regjisores, filma të tillë janë gjithashtu një burim frymëzimi për njerëzit dhe kineastët që jetojnë në Kosovë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që historitë tona të tregohen. Kemi shumë histori për të rrëfyer dhe ato kanë rëndësi. Për një vend kaq të vogël dhe për kinematografinë e tij është shumë e rëndësishme të realizohen filma dhe vepra artistike. Tani që po flasim për filmin, është e rëndësishme që këto histori të udhëtojnë, që njerëzit t’i shohin, të informohen dhe, shpresojmë, edhe t’i shijojnë filmat tanë. Por në të njëjtën kohë, kjo është shumë e rëndësishme edhe për kineastët në Kosovë, sepse ndonjëherë ekziston ndjenja se, për shkak se je nga një vend i vogël, nuk mund të bësh shumë. Unë besoj se mundesh, nëse punon fort, e do atë që bën dhe e bën me pasion. Sigurisht, nuk kemi buxhete të mëdha, por kemi histori të mëdha dhe zemra të mëdha. Prandaj besoj se është e mundur. Këta filma, jo vetëm ‘Dua’ dhe ‘Hive’, por edhe shumë filma të tjerë, po frymëzojnë njerëzit dhe kineastët që jetojnë këtu”.

“Dua” e nisi furishëm rrugëtimin me premierë botërore në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes, në majin e sivjetmë. Historia e sinqertë, e përshkruar me sytë dhe ndjesinë e një adoleshenteje të fundviteve të shekullit të kaluar, do të arrinte të merrte vëmendje tek mori çmimin “SACD”. Është çmimi për skenar që ndahet nga seksioni paralel i Festivalit të Cannes, “Semaine de la Critique” (Java e Kritikës)./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga roje sigurie në model, 24-vjeçari bëhet viral gjatë Javës së Modës në Londër

Published

on

Një ditë e zakonshme pune gjatë Javës së Modës në Londër ndryshoi papritur jetën e 24-vjeçarit Soufian Boucetta, i cili po punonte si roje sigurie në një sfilatë të stilistes Simone Rocha.

Boucetta, me origjinë nga Girona e Spanjës dhe që jeton në Londër, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve për pamjen e tij. Një prej tyre publikoi një video të tij në rrjetet sociale, duke shkruar me shaka se koleksioni ishte i bukur, por vëmendjen e kishte marrë roja i sigurisë. Videoja u bë shpejt virale dhe mori më shumë se 900 mijë shikime.

Boucetta ka treguar se gjatë kohës që ishte në punë kishte vënë re se njerëzit po e shikonin, por nuk e kishte imagjinuar se dikush do ta publikonte në Instagram. Kur përfundoi ndërrimin dhe u kthye në shtëpi, zbuloi se videoja ishte shpërndarë gjerësisht.

Pas suksesit të videos, ai mori oferta dhe interesim nga agjenci modelingu në Milano, Paris dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vendosi të qëndrojë në Britani dhe nënshkroi kontratë me agjencinë londineze PRM.

Para se të punonte në sektorin e sigurimit, Boucetta ishte marrë me ndërtimtari. Gjatë punës si roje sigurie kishte pasur mundësi të punonte edhe me figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë Rihanna-n, Dwayne “The Rock” Johnson, Jason Statham dhe Aaron Pierre.

Edhe pse vazhdon të punojë herë pas here në sektorin e sigurisë, 24-vjeçari tashmë ka nisur përgatitjet për karrierën e re. Ai po ushtron ecjen në pasarelë dhe ka realizuar setet e para profesionale fotografike, ndërsa synon që në të ardhmen t’i përkushtohet plotësisht modelingut.

Boucetta ka treguar se gjatë viteve shpesh kishte marrë komente nga njerëzit për gjatësinë dhe pamjen e tij, madje thotë se disa herë deri në 15 persona në ditë i kishin sugjeruar të merrej me modeling.

Ajo që nisi si një video e publikuar rastësisht gjatë një dite pune, tashmë i ka hapur një kapitull të ri në karrierë. Boucetta thotë se është i emocionuar për botën e modelingut dhe për mundësitë që mund t’i sjellë kjo kthesë e papritur./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ermonela Jaho në Prishtinë, sonte mbahet edicioni i nëntë i “Ta Zbardhi Ftyrën”

Published

on

Sopranoja e njohur shqiptare Ermonela Jaho do të jetë figura qendrore e edicionit të nëntë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Mbrëmja do të mbahet sonte, më 6 tetor, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Jaho do të shoqërohet nga pianistja e njohur Lule Elezi. <Link url=”https://kultplus.com/ardiane-pajaziti-edicioni-i-nente-i-ta-zbardhi-ftyren-me-sopranon-e-famshme-ermonela-jaho/” title=”Burimi: KultPlus”/>

Programi do të zhvillohet në dy pjesë. Fillimisht, Jaho do të bashkëbisedojë me publikun për rrugëtimin e saj artistik, sfidat dhe sukseset në skenën ndërkombëtare të operës, ndërsa pjesa e dytë do t’i kushtohet performancës së saj.

Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe talentja e re Anna Krasniqi, e cila do të performojë nën përcjelljen e pianistes Lule Elezi.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, ka thënë se përgatitjet për aktivitetin janë drejt përfundimit dhe se pjesëmarrja e sopranos Jaho përbën një moment të veçantë për këtë edicion.

Gjatë nëntë viteve, në kuadër të “Ta Zbardhi Ftyrën” janë prezantuar artistë të njohur, përfshirë Sislej Xhafën, Imer Kutllovcin, Flaka Gorancin, Erza Muqollin, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketën, Elbenita Kajtazin, Enon Pecin dhe Blenard Azizajn.

Mbrëmja organizohet nga KultPlus dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Ministria e Punëve të Jashtme, Universiteti i Prishtinës, PriBank dhe Radio Televizioni i Kosovës. Aktiviteti do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Skënderaj i kërkuari për krime lufte ndaj popullatës civile

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës maj-qershor të vitit 1998 në rajonin e Skënderajt.

Arrestimi i të dyshuarit  erdhi pas një pune të jashtëzakonshme hetimore nga njësitë përkatëse policore.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje për procedo të mëtejshme ligjore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një grua në Podujevë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një gruaje, trupi i së cilës është gjetur pa shenja jete pasditën e së dielës në Podujevë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 18:30. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë përkatëse policore për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të vdekjes. Rasti po trajtohet nga organet e rendit si “Hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara