Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 7 mars, nga viti 1993-1999

Published

on

 7 marsi i vitit 1993 ishte ditë vikendi pa ngjarje të rëndësishme.

 

 7 mars 1994

 Lajmi kryesor: Policia serbe vrau një shqiptar në Fushë-Kosovë

“Dje, në Fushë-Kosovë, në orën 15:00, policia serbe vrau Faik Malokun (1938) nga fshati Krushevc i Obiliqit.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Fushë-Kosovë njoftoi se dy policë serbë të dehur, hynë në kafe-çajtoren “Lokomotiva”, në rrugën kryesore të Fushë-Kosovës, dhe gjatë legjitimimit të qytetarëve që gjendeshin aty, pa ndonjë shkas shtinë me revole dhe vranë Faik Adem Malokun dhe plagosën rëndë Xhevat Bejzakun (20) nga Fushë Kosova, i cili gjendet në Spitalin e Prishtinës.

Dëshmitarët thanë se i ndjeri u tha policëve se nuk kishte letërnjoftimin me vete dhe u shpjegoi atyre se ishte vendës dhe një qytetar i njohur. Gjatë këtij shpjegimi, policia e qëlloi dy herë me revole dhe e vrau Faik Malokun.

Një dëshmitar tha se i riu Xhevat Bejzaku, i nacionalitetit rom, u përpoq të evitonte këtë tragjedi. Gjatë ndërhyrjes ai u qëllua nga policia dhe u plagos rëndë.

Merret vesh se polici që shtiu i pari me armë është nga një fshat i Fushë-Kosovës.

Fushë-Kosova ka qenë qendër e agresionit të Serbisë kundër Kosovës.

Në Fushë-Kosovë janë formuar shumica e grupeve ekstremiste radikale serbe dhe prej aty janë iniciuar dhe shpallur aksionet serbe kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve.

Siç dihet, në Fushë-Kosovë, më 1987 filloi ngritja e Milosheviqit.

Vrasja e djeshme në Fushë-Kosovë është e dyta gjatë një jave në Kosovë. Më 28 shkurt në Han të Elezit ushtria serbe vrau Selman Pajazit Dacin, derisa po shkonte në shtëpinë e tij”.

 

Lajme të tjera: 

Kremtohet Dita e Mësuesit;

Paralajamërohet dëbimi i më se 200 mijë refugjatëve nga Gjermania;

KSBE-ja kërkoi përtëritjen e punës së misionit në Kosovë;

Shqipëria protestoi ashpër kundër veprimeve të forcave kufitare serbe;

 

Në rubrikën “Represioni në Kosovë”, jepen këto lajme:

Malishevë: – Pardje, rreth orës 8 të mëngjesit, policia serbe e postkomandës së Kijevës, arrestoi Xhevat Kryeziun, imam i xhamisë në fshatin Bubavec të Malishevës.

Xhevat Kryeziu u dërgua në qendrën e sigurimit në Pejë. Siç kemi informuar, Xhevat Kryeziun, policia serbe e pat arrestuar në shtëpinë e tij edhe dy javë më parë.

Nuk janë njoftuar shkaqet e këtyre marrjeve nëpolici.

Istog: Më 4 mars, policia serbe në Banjë të Pejës, me pretekst të kërkimit të armëve mori në pyetje Halit Bajraktarin, Tahir Bajraktarin – kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Kashicë, dhe Adem dhe Xhelal Ibrahimaj.

Më 5 shkurt, policia serbe nën pretekst të dorëzimit të armëve ftoi edhe Selim e Qerim Ibrahimajn që të dy nga fshati Kashicë të Istogut.

Më 3 mars, rreth orës 21 në Gjurakovc, një polic serb theu banesën e Mark Tanushit, ish-komandant i milicisë në Banjë të Pejës dhe u vendos në të së bashku me familjen e tij.

Të gjitha mobilet dhe orenditë që gjendeshin në banesën e Mark Tanushit u hodhën në rrugë.

Mitrovicë: – Më 4 shkurt, në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë, policia serbe bastisi famniljen e Jusuf Spahiut, ish-oficer i APJ-së. Pas bastisjes, policët morën me vete Jusufin, i cili në organet e policisë në Mitrovicë u mbajt deri në orën 20:00.

Inspektorët e pyetën Jusufin për aktivitetin e tij politik dhe rreth aktivitetit të partive politike.

Më 5 shkurt rreth orës 8 të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi disa familje në fshatin Suhadoll të Mitrovicës. U bastis familja e Abdyl Mahmutit, me ç’rast kërkuan djalin e tij Bekimin, i cili gjendet në Gjermani. Pas bastisjes, policët i lanë ftesën Abdyl Mahmutit që të lajmërohet në lokalet e policisë në Mitrovicë më 9 mars.

Policët shkuan edhe në lagjen Ibishi në fshatin Suhadoll, me ç’rast bastisën shtëpitë e vëllezërve Ibish, Brahim dhe Nexhmedin Ibishi. Gjatë bastisjes policët u sollën me vandalizëm, me ç’rast shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar shumë orendi.

E njëjta ekspeditë rreth orës 10 në të njëjtin fshat, bastisi edhe familjen e Fevzi Paçaradës. Edhe në familjen Paçarada policët u sollën me vandalizëm duke thyer e demoluar shumë orendi.

Më 5 shkurt rreth orës 9, policia serbe bastisi familjen e Ismajl Malokut në Mitrovicë. Policët kërkonin për të arrestuar djalin e Ismajlit, Bekim Malokun, i cili nuk gjendej në shtëpi.

Deçan: – Dje, rreth orës 10, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Isa Shehajt në fshatin Prilep të Deçanit. Nga Isa Shehaj, policët kërkuan të dorëzojë një revole. Pas bastisjes, policët morën me vete Isain, i cili në stacionin e policisë në Deçan u mbajt dhe u rah brutalisht për dy orë.

Isa Shehaj u lirua me kusht që të lajmërohet sërish në stacionin e policisë.

Podujevë: Më 5 shkurt, rreth orës 12 në Podujevë policia serbe mori Behram Ukellin nga Shaajkovci i Podujevës, i cili pa kurrfarë shkaku u keqtrajtua në stacionin e policisë në Podujevë.

Më 6 shkurt, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Liman Dudit në fshatin Llaushë të Podujevës. Meqë në shtëpinë e Limanit nuk u gjet kurrfarë arme, policët pas bastisjes morën me vete Limanin dhe djalin e tij Bedri Dudin, të cilët u mbajtën rreth dy orë në stacionin e policisë në Podujevë.

Jepen edhe këto lajme:

Në Han të Elezit ushtria serbe bllokoi rrugët;

Në komunën e Gllogovcit vazhdon përhapja e sëmundjeve ngjitëse;

Turne i karatesë për nder të 8 Marsit;

 

7 mars 1995

 Lajmet kryesore kanë të bëjnë me Ditën e Mësuesit:

Kryetari Rugova uroi për Ditën e Mësuesit;

Mbrëmë u shënua Dita e Mësuesit;

Sindikata e Pavarur e Arsimit uroi mësuesit për Ditën e tyre;

Kryetari i SBASHK-ut priti delegacionin “Ballkan Peace Team” dhe përfaqësuesen e Tilburgut për Paqe.

 

Lajme të tjera:

M.Robinson: “Reagimi zinxhiror” i shqiptarëve do të shkaktonte që nga Serbia të mbetet “Beogradi i madh”

Dr. Bukoshi: Nga pavarësia nuk heqim dorë me asnjë kusht;

  1. Demaçi foli në një mbledhje të nëndegës së UNIKOMB-it në Schafhausen;

Njoftohet fillimi i bisedimeve të autoriteteve të Bonit e Beogradit rreth kthimit të refugjatëve shqiptarë;

Në vijën Tivar – Bari udhëtuan mbi 50 mijë veta;

Shqiptarët në Mal të Zi frikësohen nga mobilizimi me dhunë;

Polici dhunues në paraburgim;

Njoftohet për plagosjen e një polici serb afër Pejës;

Policia ndërhyri në një punkt të shkollës së mesme në Mitrovicë;

Në Gjakovë u shpërndanë 600 ftesa për rekrutim;

Policia kërkoi një ish-polic shqiptar;

Të burgosurit kërkojnë kontakt me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar;

Dhuna e përditshme në Kosovë;

Në Klinë policia ndërpreu një ndeshje futbolli;

Shoqata “Teuta” në Stokholm grumbulloi mjete për muajin e solidaritetit;

Reagimet në Suedi rreth skandalit me veprimtarinë e kriminelit Arkan;

Këshilli Ministror i UE-së shpreh shqetësim për mandatin e UNPROFOR-it në Kroaci;

Dy piktorë shqiptarë ekspozuan në Frankfurt mbi Majnë;

Shtatë të rinj shqiptarë nga Rahoveci u dërguan në Gjykatën ushtarake në Nish;

SHBA mund të dërgojnë më shumë trupa në Maqedoni;

Sonja Biserko dhe Gazmend Pula rreth dialogut serbo-shqiptar;

 

 7 mars 1997

Lajmi kryesor: Konferencë me gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës,dr Ibrahim Rugova

Lajme të tjera:  Deklaratë e partive politike shqiptare;

Reagime pas arritjes së marrëveshjes së partive politike në Shqipëri

Reagimet në botë për marrëveshjen e presidentit Berisha me partitë politike;

Tre diplomatë të OSBE-së arritën dje në Tiranë;

Kongresisti Engëll në misionin e OSBE-së në Shqipëri;

Masa arresti kundër disa ushtarakëve;

Në afërsi të Otrantos u zu një barkë me 50 shqiptarë;

Shtatë ushtarë shqiptarë kërkuan strehim politik në Greqi;

Banka Botërore dhe FMN-ja të gatshme për të ndihmuar Shqipërinë;

Gjermania e shqetësuar lidhur me perspektivën e refugjatëve shqiptarë;

Beogradi kritikon raportet e Elizabet Renit për Kosovën.

 

Dhuna e përditshme në Kosovë

Prishtinë, 7 mars (QIK)

Istog: – Më 3 mars, në polici u thirr Daut Ferataj nga Uça e Istogut. Preteksti nuk dihet.

Më 5 mars, në pyetje në polici, në lidhje me shpërndarjen e fletushkës “Çlirimi” në fshatin e tij, u mor Feriz H. Blakaj nga Vrella.

Më 6 mars në pyetje u mor edhe Imer Osmanaj nga Trubhoci. Preteksti nuk dihet.

Prishtinë: – Dje rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë policore bastisi me pretekst të kërkimit të armëve shtëpinë e Halil Canollit në Marec. Në mungesë të Halilit, në polici u morën peng tre djemtë e tij, ndërsa Halilit iu la thirrja që të paraqitet në polici. Gjatë bastisjes policia nuk gjeti asgjë, por mori vetëm një libër të Adem Demaçit.

Junik: – Dje dhe pardje, në policinë e Deçanit u mor në pyetje Athem Krasniqi, aktivist i LDK-së në Junik. Ai u pyet për aktivitetin e LDK-së, Këshillit të Financimit dhe për organizimin politik në fshatin e tij.

Podujevë: -Më 5 mars, rreth mesditës, në rrugën Kërpimeh – Pollatë, një inspektor i sigurimit serb me një veturë civile ka shëtitur duke ndalur në çdo 100 metra dhe duke komunikuar me toki-uoki. E tërë kjo ka zgjatur rreth dy orë.

Po këtë ditë, rreth orës 13, u morën në stacioni e policisë në Podujevë Xhevdet A. Kosumi (17) dhe Ferit M. Kosumi (16) me pretekst se gjoja ata “paskan bërë ushtrime”. Në të vërtetë, ata ishin duke luajtur në ara, kur policia i ndaloi. Nga frika Xhevdeti provoi të ikte, por pasi policët shtinë në ajër, ai u ndal. Policët e rrahën në vendin e ngjarjes Xhevdetin dhe pastaj bashk me Feritin i dërguan në polici ku i mbajtën deri në orën 17. Pas kësaj policët bastisën shtëpitë e tyre deri ka hora 22. Xhevdeti dhe Feriti në polici u pyetën për armë dhe u keqtrajtuan rëndë fizikisht. Ndërsa së bashku me Mujë Kosumin ata u urdhëruan që të paraqiten në polici edhe të nesërmen.

7 mars 1998

 

Lajmet e orës 12:00:

Lajmi kryesor: Pas sulmit të armatosur, vazhdon aksioni i “pacifikimit” të Drenicës

Gjendja në Drenicë, sidomos në fshatrat Prekaz i Ulët e në Llaushë të Skënderajt është shumë e rëndë. Rajoni po mbahet në gjendje të shtetrrethimit të plotë. Nuk lejohet hyrja e njerëzve, as e veprimtarëve politikë, as a atyre humanitarë, as hyrja e mjekëve, as shkuarja e gazetarëve shqiptarë e të huaj. Me një fjalë aksioni terrorist serb vazhdon, sot në një formë të re. Pra është gënjeshtër e kulluar deklarata e policisë serbe se aksioni i forcave serbe ka përfunduar.

Burimet nga një fshat afër Prekazit dhe nga Llausha i thanë QIK-ut në mëngjes se nga mbrëmja dhe sot nuk kishte sulme të armatosura. Mirëpo banorët kanë mbetur të ngujuar dhe pa ushqime. Të plagosurit janë pa kurrfarë ndihme. Ka shumë kufoma nëpër dhoma, oborre, rrugë e ara. Në Llaushë, ku pas plagosjes së pardjeshme vdiq Miftar Rreci, i cili vdiq dje, kufoma ka mbetur e pavarrosur. Mund të paramendohet se çfarë situate është në Prekaz.

Qëndrimi i regjimit serb është i tmerrshëm. As pas bombardimeve dy ditëshe nuk ka lejuar kurrëfarë ndihme për njerëzit e plagosur, për gratë, për pleqtë, fëmijët.

QIK-ut i tha mbrëmë një burim se punëtorët e spitalit të Skënderajt kanë mbetur të ngujuar, pa guxuar të dalin qe disa ditë.

Ndërkohë forcat serbe po veprojnë me të gjitha mënyrat në favor të spastrimit etnik, të largimit të njerëzve nga vatrat e tyre. Rreth 5000 shqiptarë: gra, fëmijë e pleq janë vendosur në fshatrat e Mitrovicës e të Vushtrrisë.

Gjatë natës dhe sot ka pasur lëvizje të forcave serbe, në funksion të ripërtritjes. Nga Mitrovica në Skënderaj në orën 7:30 kanë shkuar 6 xhipa dhe një veturë “Niva” me targë të Kragujevcit e të Kralevës nga Serbia. Në këto automjete shkuan dhjetëra serbë me mjekërra dhe flokë të gjata. Ndërsa në orën 9:30 nga Skënderaj për në Mitrovicë shkuan tre autobus me policë. Pra ka ndërrim ose ripërtritje të forcave. Nga Prishtina për në Mitrovicë ka fluturuar shpesh një helikopterr, ndërsa gjatë ditës së djeshme mbi Drenicë kanë qenë të shpeshta fluturimet e aeroplanëve.

Do të thotë nuk janë të sakta njoftimet e regjimit serb që e shpalli të përfunduar sulmin terrorsitik kundër fshatit Prekaz. Lajmi i rrejshëm dhe ndërprerja e përkohshme e sulmeve me armë të rënda mund të jenë në funksion të mashtrimit të opinionit ndërkombëtar pasa reagimit të tij të fuqishëm. Mirëpo, duhet të shpresohet se bashkësia ndërkombëtare është mësuar me gënjeshtrat e regjimit serb dhe të kryetarit të tashëm të Jugosllavisë së vetëshpallur Sllobodan Millosheviq.

Policia serbe sot e mban nën kontroll të rreptë jo vetëm Drenicën, por edhe komunat rreth saj. Në Vushtrri, përshembull sot janë ndaluar një ekip i gazetarëve të huaj.

 

Lajmet e tjera: Skënderaj kërkon mbrojtje e ndihmë; Dihet identiteti i së paku 25 të vrarëve në Prekaz e në Llaushë; U liruan tre të arrestuar nga familja Jashari; Shtëpia e shëndetit në Skënderaj jashtë funksionit; Rrezik nga sulmet prej ajri; Në Mitrovicë mbi 2000 të ikur nga Drenica; Mjekët e Kosovës protestojnë sot para Zyrës Amerikane në Prishtinë; Prishtinë: Policët qarkullojnë me vetura civile – serbët kërkojnë vetorganizim; Mbrëmë në Prishtinë, u shti me armë ndaj gazetarëve; Istog: U morën në polici kryetari i Degës së LDK-së, disa akivistë politikë dhe qytetarë; Lëvizje të shtuara ushtarake në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri; Stacionim i ushtrisë së Maqedonisë në Bardh; Human Rights Uoç kërkon nga Tribunali i Hagës të bëjë hetime për krime lufte në Kosovë; Kuk: Milosheviqi duhet të ndërprejë konfliktin e përgjakshëm në Kosovë.

 

Lajmer e orës 15:00:

 Lajmi kryesor: U arrestuan Këshilltari i Kryetarit Rugova dhe dy anëtarë të Kryesisë së LDK-së

Prof. Dr. Alush Gashi, Këshilltar për shëndetësi dhe çështje humanitare i Kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe dr. Rexhep Gjergji e Basri Musmurati, anëtarë të Kryesisë së LDK-së u arrestuan sot nga policia serbe në Vushtri bashkë me vozitësin Lulzim Makolli.

Këshilltari Gashi dhe drejtuesit e LDK-së ishin nisur për në Mitrovicë e Skënderaj me qëllim që të njoftoheshin me gjendjen më të re në këtë pjesë të Kosovës pas aksioneve terroristike të forcave serbe në disa fshatra të Drenicës deh largimit të disa mijëra shqiptarëve nga vatrat e tyre.

 

Lajmet e tjera: M. Ollbrajt: “Është e patolerueshme ajo që po ndodhë në Kosovë”; Hollbruk: Qeveria e SHBA-ve po përgatit sanksione të fuqishme; SHBA-të dhe NATO nuk parashikojnë veprime ushtarake në Kosovë; NATO ndjek me shqetësim situatën politike dhe ushtarake lidhur me Kosovën; Solana: “Jam tepër i preokupuar nga situata në Kosovë”; Sofja përgatit deklaratë rajonale për Kosovën; Shtypi botëror mbi çështjen e Kosovës.

 

Lajmet e orës 18:00:

Dr. Rugova: Mund të ketë masakër në Kosovë; Lëvizje të forcave serbe në Skënderaj e rrethinë; Konferencë shtypi: Prekazi e Llausha mbahen të rrethuara – sulmohen shtëpitë e Jasharajve; Dëshmi tronditëse të Mahie Kodrës; SHBA-të kërkojnë hetuesi të pavarur për të vrarët në Kosovë; SHBA-të dhe NATO nuk parashikojnë veprime ushtarake në Kosovë;

NATO ndjek me shqetësim situatën politike dhe ushtarake lidhur me Kosovën; Shtypi botëror mbi çështjen e Kosovës; Mediumet ruse: “Milosheviqi doemos duhet të bisedojë me Rugovën”; Në Shkup protestuan 100 mijë shqiptarë; Ministri turk i mbrojtjes mbështet dërgimin e forcave paqeruajtëse në Kosovë.

 

“Gënjeshtrat e eprorit të policisë serbe” është një artikull që shpërfaq rrenat serbe. Për ta parë nga prizmi i sotëm si ka qenë propaganda serbe në atë kohë, po e sjellim lajmin të plotë:

Lubinko Cvetiq, kolonel i policisë serbe dhe Velko Odaloviq dhanë sot një konferencë për gazetarë, në të cilën u përpoqën të justifikonin askionin terroristik të forcave serbe në Drenicë dhe masakrimin e disa familjeve shqiptare.

Në ngjarjet më të reja që ndodhën në fshatin Prekaz i Ulët të Skënderajt, “policia nuk ka hyrë në bazat terroriste. Jemi përpjekë që me të gjitha mjetet e tjera të pengojmë terroristët në kryerjen e aktiviteteve terroriste, por në këtë drejtim nuk kemi pasur rezultate”, tha ai dhe shtoi se “terrorizmi është në ekspansion, gjë që e konfirmojnë edhe ngjarjet më të reja në fshatin Likoshan dhe në Prekaz të Ulët”.

Duke komentuar aksionin e forcave serbe më 28 shkurt në fshatin Likoshan, ai tha se atë ditë u vranë 4 dhe u plagosën 2 policë.

“Pjesëtarët e MPB-së duke iu përgjigjur këtyre sulmeve vranë 16 terroristë dhe kapën 9 persona”, tha ai.

Ai shtoi se deri më tash janë identifikuar 13 veta: Muhamet (Isuf) Islami, Naser (Muhamet) Islami (1958), Basri Fazliu, Hamzë Ahmeti, Erhan Ahmeti, Driton Ahmeti, Lumni Ahmeti, Ahmet Ahmeti, Gani Ahmeti, Naim Ahmeti, Elmi Ahmeti, ndërsa për 3 persona të vrarë nuk është përcaktuar identiteti.

Ai tha se janë marrë në arrest 9 persona: Alush Neziri, Sheremet Neziri, Feriz Neziri, Bedri Kurmali, Nuredin Nura, Izet Nura, Bislim Nuraj, Xhevat Nuraj dhe Abedin Nura. Disa janë liruar kurse një numër i tyre te të cilët është gjetur sasi armësh dhe municioni e mjetesh shpërthyese, është caktuar paraburgimi.

Në vazhdim, koloneli i policisë serbe foli për aksionin serb në Prekaz. Ai tha se më 5 mars në mëngjes në rajonin e Skënderajt “nga ana e terroristëve është kryer një sulm nga prita kundër pjesëtarëve të policisë, të cilët gjendeshin në kryerjen e detyrave të rregullta”. Me atë rast 2 pjesëtarë të policisë u plagosën lehtë. “Pjesëtarët e MPB-së kthyen zjarrin dhe vazhduan të ndjekin terroristët, të cilët ikën në fshatin Prekaz i Ulët. Në atë fshat ndodhi një konflikt i pjesëtarëve të policisë me terroristët”. Sipas tij policia kishte njohuri se në Prekaz “gjendet edhe bërthama e bandave terroriste, të cilat i udhëheqte terroristi i njohur Adem Jashari”.

Eprori i policisë serbe tha se “në përleshje me terroristët dy policë u vranë, kurse 4 u plagosen lehtë. Atëherë u vranë rreth 20 terroristë. Me atë rast gjithashtu u gjet një arsenal armatimi i bombave të dorës dhe i mjeteve shpërthyese”.

Pos Adem Jasharit janë identifikuar edhe pesë persona tjerë: Nazmi Jashari (1967) Mitrovicë, Faik Jashari, Sinan Jashari, Ali Jashari dhe Qazim Jashari.

Eprori i policisë serbe tha se “aksioni në Prekaz të Ulët është duke vazhduar”.

Në vazhdim gazetarët shtruan shumë pyetje.

Eprori serb tha se gazetarëve nuk u është lejuar shkuarja në Drenicë për shkaqe sigurie.

Një gazetar pyeti se a ka qenë aksion i policisë i planifikuar që më parë, ndërsa ai u përgjigj se aksioni nuk ka qenë e planifikuar.

Një gazetar pyeti se a kanë marrë pjesë helikopterët e ushtrisë në aksionet e Drenicës dhe përse nuk u lejohet automjeteve të organizatave humanitare të shkojnë në Prekaz.

“MPB ka një numër helikopterësh që kryekëput shfrytëzohen për aktivitete humanitare. Në këtë aksion kanë marrë pjesë helikopterët në evakuimin e të plagosurve. Sa i përket ushtarëve të ushtrisë jugosllave, në këtë aksion pjesëtarët e UJ-së nuk kanë marrë pjesë”, tha ai.

Duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, ai tha se “të gjithë terroristët nuk i kemi likuiduar”.

A është e saktë edhe më tutje shifra për 2 policë të vrarë dhe 20 shqiptarë?-ishte një pyetje tjetër.

“2 policë janë vrarë e 7 policë janë plagosur dhe janë likuiduar 26 terroristë”, tha ai.

A do të lejoni komisionin e ekspertëve ndërkombëtar për identifikimin e trupave të të vrarëve? – pyeti një gazetar tjetër.

“Këtë punë e bëjnë profesionistët e rregullt nga institucionet shëndetësore tona dhe nuk ka nevojë për ekspertë të huaj”, tha ai.

Anëtarë të familjes Jashari kanë qenë shumë të masakruar, pardon, familjes Ahmeti, disave u ishin nxjerrë sytë, organet e brendshme, si ka mundur të ndodhë kjo? – pyeti një gazetar.

“Edhe me këtë rast dua të theksoj se MPB-ja demanton në mënyrë energjike trillimet dhe gënjeshtrat në disa media të vendit dhe të huaja për torturimet e të arrestuarëve dhe të personave të marrë në arrest. Edhe me këtë rast po theksoj se policia serbe kurrë nuk është shërbyer dhe as që do të shërbehet me mjete të tilla”, tha ai.

 

Lajme të tjera: Përforcime të postblloqeve të policisë në Skënderaj; Në spitalin e Pejës janë dërguar mbrëmë një i vrarë dhe një i plagosur nga Broja e Drenicës;

 

Lajmet e orës 20:00:

Lajmi kryesor: KMDLNJ publikoi një listë me emrat e 34 viktimave të terrorit serb në Drenicë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë publikoi sot pasdite një listë të njerëzve të vrarë në tri ditët e fundit në Prekaz, Skënderaj dhe Llaushë.
Sipas kësaj liste, në Llaushë janë vrarë Sadik Kaqkini (46) e Miftar Rrecaj (43), ndërsa në Prekaz janë vrarë: Habib Jashari,
Gruaja e Halit Jasharit, Faik Jashari, Hajzer Zymer Jashari (29), Murtez Zymer Jashari (16), Ali Jashari, Zukë Jashari (67), Vajza (12) e Zenë Jasharit, Sherif Jashari, Shaban Jashari (72), Qemajl Sherif Jashari, Qazim Jashari, Naim Zukë Jashari, Halit Jashari (60), Fehmi Muhamet Lushtaku, Gruaja (43) e Zenë Jasharit, Gruaja e Halit Jasharit, Valdet Zenë Jashari (13), Adile Jashari (gruaja e Ademit), Adem Shaban Jashari (42), Djali i Qazim Jasharit, Hamit Jashari (60), Gruaja (94) e Maliq Jasharit, Isak Feriz Halili (65), tre anëtarë të familjes së Sabit Jasharit, (nëna, vëllai dhe motra), si dhe një i vrarë i paidentifikuar, i shënuar me shenjën NN.
Hamide Jasharaj (70) nga Prekazi ka vdekur nga pasojat e shokut me rastin e arrestimit të familjes së saj.
Ndërsa, në Skënderaj janë vrarë: Një grua me mbiemrin Gashi me dy fëmijët e saj, Shukrije Gashi (12) dhe Gazmend Gashi (16).

 

Lajme të tjera: Ollbrajt: Nuk mohojmë edhe nderhyrjen me armë në qoftë se do të duhet;

Mjekët kosovarë organizuan një protestë para Zyrës Amerikane në Prishtinë; Kofi Anan tha se është tejet i brengosur për zhvillimet në Kosovë; Superfuqitë dhe fuqitë rajonale në Ballkan lidhur me zhvillimet më të reja në Kosovë; Zëdhënësi i Komisioneres së OKB-së për Refugjatë shpreh shqetësim për gjendjen në Kosovë; Në komunën e Obiliqit 778 shqiptarë të larguar nga Drenica; Kanalet TV dhe radiostacionet kanë dhënë raporte dramatike nga Kosova; Në Kosovë bëhet fjalë për kërkesën e drejtë për shtetësi të popullit shqiptar; Nëndega IX-l e LDK-së në Taslixhe ka rezervuar një banesë për vëllezërit nga Drenica; Prokurori i Beogradit kërcënon për shkak të Kosovës disa masmedia serbe; Të ikur nga Drenica janë vendosur edhe në Prizren e në Pejë.

 

 7 mars 1999

Lajmi kryesor: Prishtinë: Lagjja “Emshiri” po mbahet e rrethuar nga policia serbe

 

Prishtinë, 7 mars (QIK) – Forca të mëdha të policisë serbe po mbajnë të bllokuar lagjen “Emshiri” të Prishtinës, në pjesën jugore të qytetit.

Një banor i kësaj lagjeje i deklaroi QIK-ut, me telefon, se kjo lagje është rrethuar që në orën 7:00 të mëngjesit. Në të gjitha udhëkryqet e lagjes janë stacionuar grupe policësh, me automjete të blinduara. Që prej vendosjes nën rrethim në lagje janë dëgjuar të shtëna me armë automatike, prandaj druhet se mund të ketë edhe viktima. Ka njoftime se policia serbe ka filluar të futet nëpër shtëpitë e shqiptarëve.

Të gjithë banorët e lagjes kanë mbetur të mbyllur në shtëpitë e veta. Vetëm ndonjë grua, aty-këtu, ka mundur të dalë nga lagjja. Ka njoftime se policia ka arrestuar disa banorë të lagjes. Deri tash dihet se ndër të arrestuar është edhe Jakup Sahit) Shala.

Për sa është marrë vesh nga komunikimi me telefon, rrethimi i kësaj lagjeje është bërë me pretekst se diku afër kësaj lagjeje është shtënë në dy policë serbë, por njoftime të konfirmuara për këtë nuk ka.

Përveç në këtë lagje, edhe në pjesët tjera të Prishtinës sot ka koncentrim të shtuar të forcave policore serbe. Rrugëve të qytetit janë parë të defilojnë automjete luftarake me policë në gjendje gatishmërie.

Lajme tw tjera: Vushtrri: Snajperistët serbë plagosën një shqiptar në Druar; Dje dhe sot u sulmuan disa fshatra të Podujevës; Vushtrri: Një plak vdiq gjatë ikjes nga fshati Druar; Vushtrri: Policia keqtrajtoi disa qytetarë shqiptarë; Lipjan: Vazhdoi edhe mbrëmë thyerja e lokaleve të shqiptarëve; Vazhdojnë arrestimet e shqiptarëve në Han të Elezit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

REL: Gjykata Speciale hap një tjetër përplasje me aleatët

Published

on

Aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale hapën një tjetër front mosmarrëveshjesh mes politikës kosovare dhe aleatëve perëndimorë.

Këtë herë, përplasjet nuk kufizohen te Qeveria e Albin Kurtit.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila për vite e kritikoi kryeministrin për tensionet me partnerët ndërkombëtarë, tani kundërshton publikisht qëndrimet e diplomatëve perëndimorë dhe vlerësimin e Bashkimit Evropian se ndryshimet ligjore bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Analistët dallojnë në vlerësimet nëse politika kosovare po bëhet më e gatshme t’i kundërshtojë qëndrimet e aleatëve perëndimorë.

Daniel Serwer, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, sheh një prirje të tillë, të cilën e lidh me përpjekjet në rritje për të afirmuar sovranitetin e Kosovës.

“Po, mendoj se kjo po bëhet politikisht më e pranueshme, e nxitur nga një interesim gjithnjë e më i madh për të pohuar sovranitetin”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.

Ai i sheh mosmarrëveshjet për Gjykatën Speciale në një kontekst më të gjerë, ku përfshin edhe përplasjet e mëhershme të Qeverisë Kurti me aleatët lidhur me veriun e Kosovës.

“Sipas mendimit tim, PDK-ja ka arsye të mira për ta sfiduar Gjykatën Speciale. Nuk është e habitshme që po e bën këtë – së bashku me Vetëvendosjen”, thotë ai.

Por, Lulzim Peci, drejtor i Institutit për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), nuk i sheh kundërshtimet publike të përfaqësuesve të PDK-së si dëshmi të ndryshimit të orientimit të politikës së jashtme të Kosovës.

Sipas tij, përgjegjësinë për këtë politikë e ka Qeveria, ndërsa deklaratat e një partie opozitare nuk përbëjnë qëndrim zyrtar të shtetit.

“Derisa Qeveria nuk merr hapa konkretë për zbatimin e ligjit, situata do të mbetet në pikën e përplasjes verbale. Në momentin kur Qeveria ndërmerr veprime për zbatimin e ligjit, ky do të jetë një hap drejt përplasjes”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë i nxiti mosmarrëveshjet e reja?

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë – të njohura si Gjykata Speciale – shpallën fajtorë për krime lufte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke i dënuar me burgim nga 13 deri në 25 vjet.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Shtetet e Bashkuara kërkuan respektimin e tij dhe shmangien e retorikës nxitëse, ndërsa Bashkimi Evropian bëri thirrje për respektimin e pavarësisë së gjykatës.

Kryeministri Kurti e cilësoi aktgjykimin si “padrejtësi të papranueshme”, por reagimet më të drejtpërdrejta ndaj diplomatëve perëndimorë erdhën nga PDK-ja, e cila ishte në pushtet kur u krijuan kushtet për themelimin e gjykatës në vitin 2015.

Kryetari i saj, Bedri Hamza, u kërkoi ambasadorëve të vendeve aleate të kontribuojnë në, siç tha ai, pasqyrimin e drejtë të situatës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkoi më tej, duke kritikuar direkt ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves, pasi ai theksoi se dënimet në Hagë lidhen me përgjegjësinë penale individuale.

“Mos na qitni hi syve”, shkroi Çitaku në rrjetet sociale, duke pretenduar se UÇK-ja ishte cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe se aktgjykimi nuk mund të reduktohej në përgjegjësinë e katër individëve.

Trupi gjykues konstatoi pjesëmarrjen e katër të akuzuarve në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por theksoi se procesi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së apo synimin e saj për pavarësinë e Kosovës.

Përplasjet u thelluan pas 6 tetorit, kur Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga PDK-ja.

Ndryshimet parashohin, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të gjykatës, dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim dhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.

Bashkimi Evropian deklaroi se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe kërkoi respektimin e mandatit dhe pavarësisë së gjykatës, si dhe garantimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.

Por, deputeti i PDK-së dhe iniciuesi i ndryshimeve, Përparim Gruda, e kundërshtoi këtë vlerësim.

“Jemi të bindur që ky ligj nuk e shkel asnjë obligim që Kosova e ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi ai më 7 tetor.

Çitaku tha se “është normale” që me aleatët të ketë mospajtime.

“Është shumë e rëndësishme të diskutojmë”, tha ajo.

 

Nga përplasjet për veriun te Gjykata Speciale

Mospajtimet me aleatët perëndimorë, që luajtën rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe mbështetën shtetndërtimin e saj, nuk janë të reja për Qeverinë Kurti.

Në vitet e fundit, ato u përqendruan kryesisht te veprimet e institucioneve të Kosovës në veriun me shumicë serbe – përfshirë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në vitin 2023 dhe mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia.

Qeveria i arsyetoi këto veprime me ushtrimin e sovranitetit dhe shtrirjen e sundimit të ligjit, ndërsa partnerët perëndimorë kritikuan mungesën e koordinimit dhe rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve.

Vetë Kurti këmbëngulte se marrëdhëniet me aleatë nuk nënkuptojnë pajtim për çdo çështje.

Por, mosmarrëveshjet shkuan përtej shkëmbimit të deklaratave, duke sjellë edhe pasoja diplomatike.

Në vitin 2023, Bashkimi Evropian vendosi masa ndaj Kosovës, duke pezulluar vizitat e nivelit të lartë dhe pjesë të bashkëpunimit financiar.

Vitin e kaluar, SHBA-ja pezulloi nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën.

PDK-ja ishte ndër partitë që kritikuan zëshëm Qeverinë Kurti për, siç thuhej, dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët.

 

Mes kundërshtimit dhe ruajtjes së raporteve me aleatët

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, zëvendëskryetar i parë i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, thotë se reagimet e fundit të partisë së tij duhet të mirëkuptohen.

Ai kujton se partnerët perëndimorë kishin mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara më 2015 dhe, sipas tij, duhet të tregojnë mirëkuptim edhe për ndryshimet e tanishme në ligj.

“Nëse atëherë është mbështetur dhe përkrahur, do të duhej edhe tash të ketë përkrahje dhe mbështetje”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai thekson rëndësinë e ruajtjes së komunikimit të kujdesshëm dhe institucional me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne, si çdoherë, rreth situatave që kanë qenë po aq të komplikuara, mbase edhe më të komplikuara, e kemi ruajtur gjakftohtësinë dhe komunikimin. Do të duhej të rikthehemi pikërisht tek ajo formë dhe mënyrë e komunikimit”, thotë ai.

Lutfi Haziri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se përplasjet e viteve të fundit tani po marrin një dimension tjetër, me përfshirjen e PDK-së.

“Dhomat e Specializuara e kanë nxjerrë në sipërfaqe këtë raport edhe me PDK-në. Pak a shumë është zgjerim i këtyre raporteve të kushtëzuara”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai paralajmëron se vazhdimi i përplasjeve mund të nxisë kërkesa të tjera politike, deri te zhbërja e Dhomave të Specializuara.

Sipas tij, Kosova duhet të shmangë përplasjet verbale dhe të rikthejë mirëbesimin me aleatët, ndërsa edhe BE-ja t’i trajtojë shqetësimet për funksionimin e gjykatës.

Për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, përplasjet e tanishme janë pasojë e vendimeve të vitit 2015, kur partia e saj kishte kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Atëherë ne e kemi përballuar presionin. Edhe tash e përballojmë. Tash, le ta bëjë luftën PDK-ja. Le t’i bëjnë ballë presionit institucionet shtetërore”, thotë Kadrijaj.

 

A mund të ketë pasoja për Kosovën?

Të mërkurën, më 15 tetor, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ia përcolli presidentes Justina Shiroka Pula për dekretim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Presidentja ka tetë ditë kohë për të vepruar.

Por, mbetet e paqartë se si do të ndikojnë ndryshimet ligjore në funksionimin e gjykatës dhe në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët perëndimorë.

Për Pecin, rreziku kryesor nuk qëndron te deklaratat e politikanëve, por te mundësia që mosmarrëveshjet të shndërrohen në përplasje institucionale.

Dhomat e Specializuara funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës, ndërsa mandati dhe pavarësia e tyre mbështeten edhe në dispozitat kushtetuese dhe në detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Sipas Pecit, nëse institucionet e Kosovës ndërmarrin hapa për zbatimin e dispozitave që kufizojnë kompetencat e gjykatës, mosmarrëveshjet me Bashkimin Evropian mund të thellohen.

Një tjetër pikë e mundshme përplasjeje, sipas tij, është kërkesa eventuale që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara t’i vuajnë dënimet në Kosovë.

Një ditë më herët, më 14 tetor, Qeveria themeloi edhe një grup punues për hartimin dhe koordinimin e një strategjie shtetërore për procedurat e apelit në Hagë, me synim bashkërendimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike.

Megjithatë, krijimi i këtij grupi nuk nënkupton vetvetiu zbatimin e ndryshimeve ligjore që kundërshtohen nga BE-ja.

Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me mosmarrëveshjet me partnerët perëndimorë.

Peci vlerëson se një moment tjetër vendimtar për zhvillimin e këtyre raporteve mund të jetë rezultati i apelit për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

“Nëse aktvendimi do të jetë lirues, kjo çështje mbyllet me kaq. Por, nëse nuk është lirues, atëherë do të fillojë përplasja edhe më e madhe”, thotë ai.

Serwer, në anë tjetër, thekson rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të Kosovës me BE-në dhe NATO-n, veçanërisht për pozitën e saj ndërkombëtare dhe sigurinë.

“Kosova duhet të sigurojë që marrëdhëniet e saj me BE-në dhe NATO-n të mbeten të forta. Kjo është e vështirë kur Prishtina këmbëngul në pohimin e sovranitetit të saj, por konsultimet dhe koordinimi mund të shmangin shumë nga kurthet dhe problemet e mundshme”, thotë ai.

Për momentin, BE-ja nuk ka të paralajmëruar ndonjë masë konkrete ndaj Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, kundërshtimet e saj u shoqëruan me paralajmërime për rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit në procesin e integrimit evropian.

“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, më 12 tetor.

Burimi: Bekim Bislimi, gazetar i Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.​

Continue Reading

Lajmet

Rama për protestat: Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë

Published

on

 

Kryeministri shqiptar, Edi Rama përmes një video i ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe qëndresë përballë protestave të shoqëruara me akte dhune, duke kundërshtuar çdo ide për të bërë lëshime në këmbim të qetësisë.

“Motra dhe vëllezër, durim! Durim, se edhe kjo do të kalojë! Durim, se pasi kjo të kalojë do të dalim, siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, tha Rama.

Kryeministri theksoi që përparimi i Shqipërisë dhe i Tiranës është rezultat i punës këmbëngulëse dhe jo i rastësisë.

“Mos harroni se e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu, e kemi sjellë Tiranën deri këtu, dhe këtë nuk e ka sjellë as koha, nuk e kanë sjellë as rrethanat apo rastësia. Këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse për të ecur përpara. Dhe kush thotë ‘le të përkulemi përballë dhunës për pak qetësi’, gabon. Gabon, sepse të përkulesh përballë dhunës për pak qetësi, do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës për pak qetësi dhe e dimë të gjithë se nuk ka arritur asgjë”, ka thënë Rama.

Burimi: Kosovapress

Continue Reading

Lajmet

Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave, BE: Kosova një hap para drejt anëtarësimit në SEPA

Published

on

Bashkimi Evropian në Kosovë ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës.

Në njoftimin e BE-së thuhet se me këtë Kosova shënon një hap para drejt anëtarësimit në SEPA.

“Me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi dje, Kosova ka bërë një hap tjetër drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, tha Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.

“Ky është një lajm i mirë! Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transferet e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”.

Burimi: Ekonomia Online

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmon nënën – arrestohet

Published

on

 

Një person ka sulmuar nënën e tij në Lipjan.

Sipas Policisë së Kosovës, “është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar-me probleme psikike, pasi që kishte sulmuar fizikisht nënën e tij”.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Continue Reading

Të kërkuara