Polici, Muhamed Lika, mbeti i vrarë mbrëmjen e 1 prillit në hyrje të banesës së tij në Kaçanik. I dyshuari për vrasjen e tij gjendet ende në arrati.
Këtë për Klankosova e konfirmoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. Veseli po ashtu shtoi se ende nuk dihen motivet e kësaj vepre të rëndë.Rreshteri Muhamet Lika u qëllua për vdekje mbrëmjen e së martës në Kaçanik.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00, në afërsi të banesës së tij. Rastin mbrëmë e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, që pohojnë se incidenti ka ndodhur në rrugën “Idriz Seferi”.
Viktima Lika ishte duke hyrë ndërtesën ku banon, në momentin kur ndodhi sulmi me armë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt tha për Gazetën Express se në vendngjarje kanë arritur njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, i cili ka transportuar viktimën në Qendrën e Mjekësisë në Kaçani, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, gjë që është konfirmuar nga mjekët.
“Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Si pasojë e plagëve të marra pjesëtari i policisë ka ndërruar jetë, kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, deklaron policia.
Rrethanat e vdekjes janë akoma të paqarta.
“Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacione lidhur me të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti”, tha ai.