Lajmet

4 mënyra të lehta për t’i dhënë jetë flokëve të dëmtuar

Published

on

Thënia se flokët janë gjysma e bukurisë është bërë fakt i njohur. Kujdesi për ta zë një pjesë të rëndësishme të ditës dhe të shpenzimeve për shumicën e njerëzve.

Për disa, eksperimentimi me stile të ndryshme është mënyra për të pasur pamje tërheqëse, ndërsa për të tjerët, ruajtja e flokëve natyralë dhe të shëndetshëm është një sfidë e përditshme.

Pavarësisht preferencave, të gjithë kërkojnë një gjë të përbashkët: flokë të shëndetshëm. Flokët e dëmtuar, të thatë, me maja dyshe apo të djegur janë problematikë e të pakëndshëm. Për ta parandaluar këtë, zgjidhja më e mirë është përdorimi i metodave natyrale dhe të buta.

Më poshtë janë katër mënyra të thjeshta për të rikthyer shkëlqimin dhe shëndetin flokëve, të cilat mund t’i provoni në shtëpi.

1. Maskë me kos dhe vaj ulliri: Ky trajtim është ideal për flokët e thatë, të dëmtuar nga boja apo tharësja. Ai i hidraton menjëherë.

Përbërësit:

60 ml kos

1 lugë gjelle vaj ulliri

Udhëzimet:

Përzieni mirë përbërësit. Aplikoni maskën në pjesën e majave të flokëve e lëreni të veprojë 10-15 minuta. Lani flokët me ujë dhe shampo si zakonisht. Përsëritni trajtimin 1-2 herë në javë për rezultate të dukshme.

2. Maskë me vezë dhe mjaltë: Mjalti dhe veza janë të pasura me proteina dhe aminoacide që parandalojnë këputjen e flokëve dhe minimizojnë majat dyshe.

Përbërësit:

1 të verdhë veze

1 lugë çaji mjaltë

Udhëzimet:

Përzieni përbërësit dhe aplikojeni tek majat e flokëve. Lëreni maskën të thahet për dy orë. Lani flokët me ujë dhe shampo si zakonisht.

3. Maskë me vaj kokosi: Vaji i kokosit është një hidratues natyral i shkëlqyer për flokët.

Përbërësit:

60 ml vaj kokosi

Udhëzimet:

Ngrohni vajin për disa sekonda në mikrovalë ose shkrijeni në duar. Lyeni majat e flokëve dhe lëreni të veprojë gjatë gjithë natës. Mëngjesin tjetër, lani flokët si zakonisht.

Përdoreni edhe pas dushit, duke aplikuar pak vaj tek majat për efekt zbutës, por kujdes mos te teproni që të mos yndyrosen flokët.

4. Maskë me erëza dhe uthull molle: Uthulla i jep flokëve shkëlqim dhe i zbut majat dyshe.

Përbërësit:

250 ml ujë

Disa gjethe nenexhik, sherebelë dhe rozmarinë

2 lugë gjelle uthull molle

Udhëzimet:

Vendosni ujin dhe erëzat në zjarr mesatar dhe lëreni të ziejnë 10 minuta. Pasi të ftohet, kullojeni dhe shtoni uthullën e mollës. Lyeni pjesën problematike të flokëve ose majat e tyre gjatë dushit, pas larjes me shampo. Mbani maskën për 1 minutë e shpëlajeni me ujë të bollshëm.

Këto metoda natyrale do t’ju ndihmojnë të keni flokë më të shëndetshëm, të hidratuar dhe me shkëlqim pa u dëmtuar. /A.Z/UBT News/

Lajmet

Kalaja e Prizrenit mbyllet përkohësisht për vizitorët

Published

on

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht për vizitorët, për shkak të fillimit të punimeve për zbatimin e masave emergjente.

Sipas njoftimit, mbyllja do të zgjasë dy javë, duke filluar nga 25 gushti 2026.

Vendimi është marrë nga Njësia Menaxhuese e Kalasë së Prizrenit, me miratimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, me qëllim krijimin e kushteve të sigurta gjatë zhvillimit të punimeve.

Ministria ka bërë të ditur se për çdo ndryshim sa i përket afatit të mbylljes dhe rihapjes së kalasë për vizitorë, publiku do të njoftohet me kohë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Gjilan nën dyshimin për dhunim

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një grua ka raportuar se para dy deri në tre muajsh, derisa ndodhej në shtëpinë e një personi në Gjilan, ai dyshohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj.

I dyshuari është identifikuar dhe arrestuar nga Policia. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Rasti po hetohet nga autoritetet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

I shkaktoi plagë vetes me armë në Pejë, konfiskohet AK-47

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një person është gjetur në Pejë me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, në rrethana ende të panjohura.

Rasti është raportuar më 24 gusht, rreth orës 14:10. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur të dyshuarin, i cili është dërguar për tretman mjekësor. Sipas mjekëve, ai është jashtë rrezikut për jetë.

Gjatë kontrollit në një automjet-kombi, policia ka gjetur dhe konfiskuar një AK-47, e cila dyshohet se është përdorur nga i dyshuari, si dhe 11 fishekë dhe një gëzhojë.

Pas konsultimit me prokurorin dhe intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti mbetet nën hetim./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë për spiunazh ndaj BIA-s serbe dhe shantazh me incizime

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit F.Sh., i cili ngarkohet me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri vepronte si pjesë e strukturave të inteligjencës së Serbisë.

“F.Sh., nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si ‘BIA’, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij”, thuhet në aktakuzë.

Organet e hetuesisë bëjnë të ditur se i akuzuari ka grumbulluar informacione me rëndësi shtetërore dhe i ka bartur ato te zyrtarët e BIA-s.

“I pandehuri F.Sh. akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria Speciale.

Përveç spiunazhit, F.Sh. ngarkohet edhe për dobi financiare të kundërligjshme përmes kërcënimit ndaj një personi me inicialet A.J., me një vlerë që e kalon shumën e 13 mijë eurove.

“Gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro. F.Sh. i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin”, bëhet e ditur në aktakuzë.

Çështja penale tashmë i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri F.Sh. ndodhet nën masën e paraburgimit. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara