Një përplasje e fortë brenda Shtëpisë së Bardhë ka bërë që Presidenti Donald Trump të ndryshojë shpesh deklaratat e tij publike mbi luftën në Iran. Ndërsa konflikti po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme, këshilltarët e tij po debatojnë ashpër se kur dhe si duhet të shpallet fitorja.
Disa zyrtarë po e paralajmërojnë Trumpin se shtrenjtimi i naftës mund t’i kushtojë rëndë politikisht, sidomos pas sulmeve amerikano-izraelite. Në anën tjetër, “skifterët” e administratës po i bëjnë presion që të mos e ndalë ofensivën ushtarake. Këto prapaskena, të siguruara nga Reuters, tregojnë vështirësitë e Shtëpisë së Bardhë për të menaxhuar operacionin më të madh ushtarak që nga lufta e Irakut në vitin 2003.
Situata është mjaft e ndërlikuar për Trumpin, i cili u rikthye në detyrë me premtimin për të shmangur ndërhyrjet ushtarake “të marra”. Megjithatë, dy javë pas nisjes së luftës që tronditi tregjet financiare dhe tregtinë e naftës, ai ndodhet mes disa zjarreve. Ndonëse fillimisht synimet ishin gjithëpërfshirëse, ditët e fundit Trump ka deklaruar se objektivat kryesisht janë arritur, por mesazhet e tij mbeten kontradiktore. Në një tubim në Kentucky, ai deklaroi: “Ne fituam”, por menjëherë shtoi se “nuk duam të largohemi herët pa e përfunduar punën”.
Këshilltarët ekonomikë kanë paralajmëruar se një goditje në çmimin e karburantit mund të zbehë mbështetjen e brendshme për luftën. Për këtë arsye, drejtuesit e stafit si Susie Wiles dhe James Blair po e nxisin Trumpin ta kufizojë operacionin dhe të sinjalizojë fundin e tij. Nga ana tjetër, senatorë si Lindsey Graham dhe Tom Cotton insistojnë që presioni ushtarak të vazhdojë për të parandaluar pajisjen e Iranit me armë bërthamore. Një forcë e tretë, baza populiste e Trumpit, po kërkon me ngulm shmangien e një konflikti të zgjatur.
Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, i hodhi poshtë këto raportime duke i quajtur “thashetheme”, duke theksuar se Presidenti është vendimmarrësi i vetëm dhe se ekipi është i fokusuar në përmbushjen e objektivave të operacionit “Epic Fury”.
Përtej retorikës, realiteti në terren mbetet i vështirë. Ndonëse sulmet ajrore kanë vrarë liderë të rëndësishëm iranianë dhe kanë dëmtuar arsenalin e tyre, Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar cisternat e naftës në Gjirin Persik. Mbyllja e mundshme e Ngushticës së Hormuzit mbetet kërcënimi më i madh për ekonominë botërore.
Duket se një pjesë e konfuzionit vjen nga llogaritë e gabuara, ku disa këshilltarë besonin se fitorja në Iran do të ishte po aq e shpejtë sa operacioni në Venezuelë në janar të këtij viti. Mirëpo, Irani është treguar një kundërshtar shumë më i fortë dhe më i armatosur. Ndërsa zgjedhjet e nëntorit për Kongresin po afrojnë, presioni mbi Trumpin për të gjetur një rrugëdalje “triumfuese” vetëm sa vjen e rritet. /Reuters/