Lajmet

3 mijë amerikanë aplikuan për t’u bashkuar me forcat e armatosura të Ukrainës

E konfirmuan nga ambasada ukrainase.

Published

on

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë pranuar rreth 3 mijë aplikime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u bashkuar në luftën kundër trupave pushtuese ruse, konfirmoi një zyrtar i ambasadës ukrainase.

Kur Matthew Parker, një veteran amerikan me 22 vjet shërbim në ushtrinë amerikane dëgjoi se forcat ruse kishin pushtuar Ukrainën, ai mendoi për një ushtar ukrainas që kishte shërbyer së bashku me të në forcat amerikane në Irak, dhe kështu vendosi se donte të ndihmonte ukrainasit të mbrojnë atdheun e tyre.

“Bashkë me mua në Irak ishte një ushtar nga Ukraina. Ai u bë shtetas amerikan, u bashkua me ushtrinë dhe më tregoi për shtëpinë e tij. Ai më tregoi për familjen e tij dhe sa krenarë ishin. Mbaj mend që më tregonte për motrën e tij të vogël. Tani mendova se duke shkuar në Ukrainë, ndoshta mbroj nënën e tij, motrën e tij të vogël ose shtëpinë e tij. Ndoshta në njëfarë mënyre të vogël, i them faleminderit që shërbeu duke bërë diçka të tillë”, tha ai.

Parker, i cili ka luftuar në Bosnje dhe Irak, nuk është i vetëm. Një përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Uashington tha se 3 mijë vullnetarë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së vendit që njerëzit të shërbejnë në një batalion ndërkombëtar që do të ndihmojë në rezistencën ndaj forcave pushtuese të Rusisë.

Në një video emocionuese të postuar në Telegram të enjten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu referua një legjioni ndërkombëtar prej 16 mijë vullnetarësh të huaj, të cilëve ai tha se u kërkohet të bashkohen me mbrojtjen e Ukrainës, Evropës dhe botës.

“Ne nuk kemi asgjë për të humbur përveç lirisë sonë”, tha presidenti.

Apeli i Zelenskyt bëri jehonë në Facebook nga forcat e armatosura të Ukrainës, të cilët theksuan se ata po kërkojnë njerëz me përvojë luftarake që po qëndrojnë me Ukrainën kundër pushtimit rus. Qeveria tashmë ka hequr përkohësisht kërkesat për viza për vullnetarët.

Për Parkerin, një baba flokë thinjur me katër fëmijë të rritur, vendimi për të shkuar dhe për të luftuar në Ukrainë erdhi edhe përpara apelit të Zelenskyy.

Fillimisht, ai dhe 12 veteranë, burra me të cilët shërbeu gjatë viteve, planifikuan të hipnin në një avion për në Poloni, të shkonin në kufirin ukrainas dhe të regjistroheshin për njësitë e mbrojtjes territoriale së bashku me vullnetarë të tjerë ukrainas.

Kjo u qartësua edhe më tej, pasi Zelensky bëri thirrje për formimin e legjionit ndërkombëtar dhe qeveria ukrainase përcaktoi një procedurë për njerëzit që duan të ndihmojnë.

“Po të mos kishte procedurë, do të ishte një proces paraqitjeje në kufi. Ndoshta duke mos ditur të flasësh gjuhën dhe duke u përpjekur të bindësh dikë. Në këtë mënyrë, ata e njohin përvojën tonë. Ata i dinë stërvitjet tonë. Ata mund të na dërgojnë në vendet ku kanë nevojë për ne”, tha ai.

“Ajo që ukrainasit po luftojnë është një nga luftërat më poshtëra, ata po përballen me dikë që nuk respekton ligjin ndërkombëtar, që nuk kujdeset për gratë dhe fëmijët dhe ne kemi luftuar me njerëz të tillë më parë. Ne do të ndalojmë një ngacmues që po lëndon gratë dhe fëmijët”, tha Parker.

Parker tha se ai po lë biznesin e tij të trajnimit të sigurisë në Karolinën e Jugut, familjen e tij dhe tre qen dhe do të niset për në Ukrainë sa më shpejt që javën e ardhshme.

“Presidenti rus, Vladimir Putin, tashmë ka marrë Krimenë. Gjë që nuk duhej lejuar kurrë. Kjo ishte një dobësi e organizmit ndërkombëtar. Ai nuk mund të lejohet të marrë pjesën tjetër të Ukrainës”, tha ai./UBTNews/

Rajoni

REL: Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave

Published

on

By

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në fund të muajit të ardhshëm do të përballet me pyetjet e deputetëve evropianë lidhur me pretendimet për bashkëpunimin e saj me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), në të cilën do të marrë pjesë komisionarja Kos është caktuar për 20 prill.

Partia Popullore Evropiane (EPP), si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dëgjimore. Megjithatë, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë (REL), në vend të një seance të jashtëzakonshme do të mbahet një mbledhje e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, e cila do ta zëvendësojë takimin e planifikuar më herët për 16 mars.

Ai takim, edhe pse ishte planifikuar javë më parë, u anulua nga Kos duke u thirrur në një agjendë të ngarkuar. Anulimi ndodhi menjëherë pasi dolën informacione të reja lidhur me biografinë e saj.

Komisionarja evropiane për Zgjerim nga Sllovenia është përballur me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave, e njohur si UDB-a, pasi më 10 mars në ambientet e Parlamentit Evropian u promovua libri me titull “Komisionarja” i autorit slloven, Igor Omerza. Në këtë libër paraqiten dokumente për të cilat autori pretendon se dëshmojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.

Komisioni Evropian mohon që Kos të ketë bashkëpunuar me strukturat e sigurisë së ish-Jugosllavisë. Zyrtarët e KE-së i referohen një procesi të gjerë dhe të detajuar verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia për postin e komisionares.

“Parlamenti Evropian e miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionarët. Komisioni për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 13 mars.

Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (UDB) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, ndërsa në vitin 1966 u riemërtua në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit.

UDB-a ishte e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të saj në dekadat që pasuan ishte e përqendruar në ndjekjen dhe veprimin kundër pjesëtarëve të diasporës që konsideroheshin kundërshtarë të interesave të Jugosllavisë.

Akuzat se Kos ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate e Sllovenisë për komisionare evropiane.

Kos i mohon vazhdimisht këto akuza, ndërsa mbledhja e re e 20 prillit do të jetë mundësia e parë që ajo të shprehet pas fakteve të reja të publikuara në libër, të cilat kanë nxitur një valë të re akuzash. /REL/

 

Continue Reading

lajme

Dardanët gati për “Finalen” e Bratisllavës: Sot seanca e fundit para nisjes drejt Sllovakisë

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur sot përgatitjet në tokën amtare para njërës prej ndeshjeve më përcaktuese në historinë e saj të deritashme. Nën dritat e kampit stërvitor, “Dardanët” kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore përpara udhëtimit drejt Bratisllavës, ku nesër mbrëma do të kërkojnë biletën për finalen e madhe të “play-off”-it për Botërorin 2026.

Përzgjedhësi Franco Foda ka shfrytëzuar këtë seancë për të analizuar detajet e fundit taktike. Burime brenda kampit bëjnë me dije se vëmendja kryesore i është kushtuar disiplinës në mbrojtje dhe tranzicionit të shpejtë, duke analizuar me kujdes pikat e forta të Sllovakisë. Foda është parë mjaft kërkues ndaj lojtarëve, duke insistuar në përqendrim maksimal për çdo fazë të lojës.

Përtej aspektit teknik, ajo që bie në sy është harmonia e plotë brenda grupit. Atmosfera në kampin e Dardanëve përshkruhet si jashtëzakonisht pozitive. Lojtarët reflektojnë një unitet të fortë dhe një motiv të lartë, duke e parë këtë sfidë jo vetëm si një ndeshje futbolli, por si mundësinë e artë për të realizuar ëndrrën e madhe të një populli: kualifikimin në Kupën e Botës.

Përballja e nesërme në gjysmëfinalen e “play-off”-it vlerësohet si vendimtare. Një rezultat pozitiv në Bratisllavë do t’i hapte rrugën Kosovës drejt finales që do të përcaktonte fatin e tyre për verën e vitit 2026.

Continue Reading

Vendi

Konjufca takon ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë; rikonfirmohet bashkëpunimi për çështje rajonale

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

Pjesë e këtij takimi ishin diskutimet rreth partneritetit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike.

Gjithashtu u rikonfirmua mbështetja e Malit të Zi për nevoja për bashkëpunim të ngushtë në çështje rajonale

“Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e forcimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike. U theksua mbështetja e Malit të Zi për Republikën e Kosovës dhe nevoja për bashkëpunim të ngushtë në çështje rajonale”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

 

Continue Reading

Lajmet

Ngritët aktakuzë ndaj tetë të pandehurve për keqpërdorime me certifikata të armëve

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar ngritjen e aktakuzës ndaj tetë personave të përfshirë në vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare.

Sipas njoftimit, personat e akuzuar dyshohen për pranim ryshfeti në sektorin privat, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve që lidhen me aftësimin për përdorimin e armëve të zjarrit.

Hetimet e zhvilluara kanë zbuluar se i pandehuri F.G., në cilësinë e menaxherit në poligonin “R….”, dyshohet se ka pranuar shumën prej 600 eurove nga një kandidat për t’i siguruar certifikatën e aftësimit pa u nënshtruar trajnimit dhe provimeve të parapara me ligj. Në këtë veprimtari, ai pretendohet se është ndihmuar në vazhdimësi nga i pandehuri M.G., i cili ka mundësuar pajisjen e kandidatëve me dokumentacion në kundërshtim me procedurat ligjore.

Ndërkaq, në poligonin “D….” në Prizren, instruktorët S.B., R.M., dhe H.N. akuzohen se kanë shënuar të dhëna të rreme në dokumente zyrtare, duke nënshkruar certifikata për persona që nuk kanë ndjekur trajnimet teorike dhe praktike. Po ashtu, administratorja e këtij poligoni, B.G., dyshohet se ka plotësuar kërkesat për provim me të dhëna të kandidatëve dhe ka nënshkruar në emër të tyre pa prezencën e tyre fizike.

“Të pandehurit F.G. dhe M.G., ekziston dyshim i bazuar mirë për veprën penale ‘’Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat’’ nga neni 309 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërkaq, të pandehurit S.B., R.M., dhe H.N., për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 390 i KPRK-së, sipas njoftimit të Prokurorisë.

Përveç këtyre, aktakuza përfshin edhe të pandehurit B.H., S.B., dhe B.G. për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe rasteve të posaçme të falsifikimit të dokumentit.

“Ndërsa të pandehurit B.H., S.B., dhe B.G., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit” nga neni 391 KPRK-së”, sipas njoftimit.

Prokuroria bën të ditur se këto veprime bien ndesh me nenin 12 të Ligjit për Armë dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u bazuar në provat e mbledhura gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Continue Reading

Të kërkuara