Lajmet

27 vjet nga rënia e komandantit Ismet Jashari

Published

on

Sot mbushen 27 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari. Ai ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai u lind në Orizare të Kumanovës më 16 prill 1967. Ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.

Më 24 gusht në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Continue Reading

Lajmet

Historike për futbollin kosovar: Benfica hap shkollën e saj të futbollit në Prishtinë

Published

on

Gjatë një interviste në emisionin Dueli Sportiv në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, njoftoi se Benfica, një nga klubet më të njohura të futbollit në botë, do të hapë shkollën e saj të futbollit në Prishtinë.

Rektori Hajrizi theksoi se ky bashkëpunim u arrit pas një viti pune intensive dhe vlerësimi të potencialit që Kosova dhe UBT ofrojnë në aspektin e infrastrukturës, teknologjisë dhe profesionalizmit.

“Ata e kanë parë potencialin tonë dhe mundësitë moderne që ofrojmë. Kemi filozofi të përbashkët, të njëjtat standarde dhe një vizion të qartë për zhvillimin e sportit modern”, deklaroi ai.

Në intervistë, Prof. Hajrizi zbuloi se Benfica ka zgjedhur UBT-në si partner zyrtar, duke u bazuar në standardet e larta të trajnimit, laboratorëve sportivë dhe stafit profesional që posedon institucioni.

Ai shtoi se shkolla e Benficës në Kosovë do të funksionojë me të njëjtat metoda, trajnerë të licencuar dhe filozofi trajnimi si në Portugali, duke ofruar kështu mundësi reale për zhvillimin e talenteve të rinj dhe pozicionimin e Kosovës si një qendër rajonale të futbollit modern.

“Synimi ynë është që Kosova të bëhet pikë referimi për rajonin, me të njëjtat standarde profesionale që i kërkon një klub si Benfica. Kjo është një arritje që e kemi ndërtuar me përkushtim dhe që do të sjellë ndikim afatgjatë në sport dhe edukim”, tha Rektori Hajrizi.

Ky projekt pritet të shënojë një kapitull të ri për futbollin kosovar, duke sjellë për herë të parë filozofinë dhe ekspertizën e një klubi elitë botëror në Prishtinë, në bashkëpunim me një institucion akademik që ndërthur teknologjinë, edukimin dhe sportin.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen tre persona për sulm fizik në Novobërdë, viktima merr tretman mjekësor

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, tre persona janë arrestuar pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në rrahje.

Në raport thuhet se viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Novobërdë / 25.10.2025 – 23:00. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që dyshohet se janë përfshirë në një rrahje. Si pasojë, viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar në tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet prokurori nën dyshimin e veprës ‘marrja e ryshfetit’ në Prizren

Published

on

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas njoftimit, në bashkëpunim edhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës.

Prokuroria Speciale thotë se së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Dy të arrestuar për vjedhjen e bizhuterive në muzeun e Luvrit në Paris

Published

on

Mediat franceze kanë njoftuar se dy të dyshuar janë arrestuar për vjedhjen e xhevahireve të çmuara të kurorës nga muzeu i Luvrit në Paris.

Zyra e prokurorit të Parisit tha se njëri prej burrave ishte marrë në paraburgim ndërsa po përgatitej të merrte një fluturim nga Aeroporti Charles de Gaulle, njofton BBC.

Sendet me vlerë 88 milionë euro (76 milionë paund; 102 milionë dollarë) u vodhën nga muzeu më i vizituar në botë të dielën e kaluar, kur katër hajdutë me vegla elektrike hynë me forcë në ndërtesë në mes të ditës.

Ministri i drejtësisë i Francës ka pranuar se protokollet e sigurisë dështuan, duke e lënë vendin me një imazh jo të mirë./S.K/KP/BBC/

Continue Reading

Të kërkuara