Një zëdhënës i Autoritetit italian të Antitrustit në Milano tha bashkë me policinë financiare italiane janë kontrolluar zyrat e biznesit të filialit italian Meta. Hetimi po bëhet në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Bashkimit Europian.
Akuza nga Milano është: Ofruesi i Whatsapp-it, Meta, ka instaluar chatbot-in me IA pa marrë miratimin e përdoruesve. Përmes lidhjes së aplikacionit të inteligjencës artificiale “Meta AI” me Whatsapp-in koncerni i SHBA-së i orienton klientët në drejtim të ofertave të veta, kritikon Autoriteti italian i Antitrustit.
Kjo mund të pengojë konkurrencën, përdoruesit janë të detyruar të instalojnë dy aplikacione të IA në aparat, në rast se nuk duan ta përdorin “Meta AI”.
Sipërmarrja, së cilës i përkasin Facebook dhe Instagrami, në të kundërt thekson dobinë e ndërlidhjes së aplikacioneve. “Aksesi falas në funksionet tona të IA-së u jep miliona italianëve mundësinë të përdorin IA në një vend, që e njohin, tek i cili kanë besim dhe e kuptojnë.”
Nëse akuzat nga Italia kundër Meta-s konfirmohen, kjo do të ishte goditje ekonomike për Facebook. Në rast shkeljeje të rregullave europiane të konkurrencës kërcënojnë gjoba me deri në dhjetë për qind të xhiros vjetore mbarëbotërore.
Ditët e fundit ndërmjet BE-së dhe Meta-s ka pasur edhe një përplasje për një temë tjetër. Koncerni amë Facebook njoftoi, se nga tetori nuk do të lejojë më në platformat e veta njoftime dhe reklama politike në Bashkimin Europian. Arsyeja është se rregullorja e BE-së “nuk mund të zbatohet në praktikë”.
Një zëdhënës i sipërmarrjes u ankua, se udhëzimet e BE-së krijojnë “pasiguri ligjore”. Zuckerberg është kritik ndaj rregullave të BE-së. Në fillim të vitit ai e akuzoi Brukselin për “censurë”.
